Sali Berisha ka mundësi të rihapë gjyqin ndaj Azem Hajdarit

0
74

Nga Mero Baze

Dje Sali Berisha shkoi për herë të trembëdhjetë tek vendi ku është vrarë Azem Hajdari. Me një qetësi të frikshme, u bë viti i gjashtë që ai shkon tek ai lapidar pasi ka ardhur në pushtet dhe pasi ka premtuar se me ardhjen në pushtet do të rihapë çështjen Hajdari dhe arsyet e vrasjes së tij. Nuk dua të flas për bashkëjetesën e tij hipokrite me Azemin e gjallë, por për fyerjen që ai i bën Azemit të vrarë.

Arsyeja kryesore pse Berisha nuk po mban premtimin që dosja Hajdari të rigjykohet është sipas tij fakti se prokuroria nuk po e çon për rigjykim këtë çështje. Në të vërtetë prokuroria e ka bërë ashtu si e ka bërë punën e saj dhe gjykata e ka gjykuar si e ka gjykuar vrasjen e tij. Që ato të vihen në lëvizje duhet një fakt i ri në dosjen e tyre. Sali Berisha është personi kyç i ngjarjes, i cili nuk ka pranuar të dëshmojë në prokurori.

Ai mund të marrë një ditë në telefon zonjën Rama t’i kërkojë një ish prokuror të çështjes Hajdari dhe të shkojë të rrëfehet qetësisht para tij. Afërsisht mund t’i përshkruajë bisedat e fundit me Azemin, dhe minutat e fundit të Azemit, në distancën nga zyra e tij deri në vrasje që është gjithsej 15 minuta. Ai ka diçka për t’i rrëfyer prokurorit. Mjafton të risjellë në mendje skenën kur Azemi doli nga zyra e tij, çfarë folën, sa metra është nga zyra e tij tek ish zyra e Azemit, dhe një person që e ka telefonuar Azemin për t’i treguar se jashtë kanë ardhur njerëz të rrezikshëm.

Berisha e di kush është ky person, pasi ai ka shkuar ia ka rrëfyer vetë në zyrë që e ka nxjerrë Azemin jashtë. Ai ishte një militant i PD-së dhe vëllai i një prej shoqeve të ngushta të gruas së Sali Berishës dhe mund ta ketë bërë atë sinqerisht, por pasi e ja ka treguar dikush tjetër rrezikun në telefon, pasi ai nuk fliste nga PD-ja. Le të përshkruajë pastaj minutat kur Azemi ka zbritur dhe vrasjen e tij, të cilën e shqiptoi nga goja ende pa parë nga dritarja, sapo dëgjoi breshërinë e automatikut.

Këto detaje nëse i sqaron më tej mund t’i mjaftojnë prokurorisë ta rihapë çështjen Hajdari dhe të plotësojë kështu një premtim të papërmbushur të Sali Berishës për familjen e tij dhe shoqërinë shqiptare. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë çfarë mund të dal nga ky rigjykim, por është në të drejtën e familjes dhe mbështetësve të Azemit, të kenë një dosje të gjykuar dhe një shkak përse u vra ky njeri. Dosja e gjykuar deri më sot nuk jep asnjë shkak të vrasjes dhe as një rrethanë sqaruese për përgatitjen e krimit. Tashmë i vetmi mekanizëm i rëndësishëm që mund ta rihapë dosjen është shkuarja në prokurori e Sali Berishës.

Nuk shkoi në kohë të Arben Rakipit se e paragjykoi si njeri me qëndrim politik dhe po ja pranojmë. Nuk shkoi në kohë të Dhori Sollakut se e quante pazarxhi dhe po ja pranojmë. Le të shkojë tani tek prokuroja që e ka zgjedhur vetë dhe të përmbushë kështu një premtim që ua ka dhënë shqiptarëve qysh në vitin 1998 kur Azemi u vra. Kjo do ta bënte më pak hipokrit dhe më pak mizor e cinik me jetën e përtejme të Azemit, me të cilin po sillet më keq se me jetën e gjallë të tij.