Berisha përballë vetvetes gjatë një dite pune

0
76

Nga Mero Baze

Pashë dje ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, duke folur në krah të kryeministrit të Shqipërisë. Sali Berisha u duk sikur u zgjua papritur, sikur e pickoi diçka kur ambasadori tha se në vendin e tij, në SHBA, para ligjit janë të gjithë njësoj. Të thuash këtë fjali në prani të kryeministrit të Shqipërisë është sikur të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit. Në të vërtetë nuk ishte vetëm fjalia e keqe, por dhe vendi i keq dhe tema e debatit e keqe.

Ambasadori kishte zgjedhur një mjedis ushtarak për të folur, një mjedis i cili tre vjet më parë ka prodhuar një histori të përgjakshme korrupsioni, e cila kishte në qendër të saj të birin e kryeministrit dhe që përfundoi me 26 të vdekur. Tre vjet më pas, siç e parandjeu ambasadori i atëhershëm i SHBA, me këtë tragjedi u luajt një teatër. I biri i kryeministrit është i lirë dhe i paprekur, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë i papunë dhe i frikësuar, ish- Ministri i Mbrojtjes i kapur peng nga makthet e sekretit që mban, dhe kryeministri i sfilitur nga lufta e tij personale kundër të gjithëve, vetëm që i biri i tij të mos ndëshkohej nga drejtësia.

Nuk jam i sigurt se çfarë ka menduar Berisha në atë moment, por me siguri që ka mallkuar veten që zgjodhi atë vend me aq shumë kujtime të këqija për korrupsionin dhe shtetin ligjor. Sikur të mos mjaftojë kjo, në ato zyra endet një Shef i ri Shtabi, i cili figuron se merr nga 7 mijë dollarë për një ushtar që dërgohet në forcat paqeruajtëse në Afganistan apo Irak. Edhe atë ja kujtoi ambasadori Arvizu.

Berisha çohet me gjak të prishur dhe fytyrë të vrerosur në zyrën e tij. Sapo ulet u hedh një sy gazetave. Një ministër i tij, Sokol Olldashi, akuzohet se ka favorizuar një kompani për monopol interneti. Në një kohë tjetër Sokol Olldashi do shkonte në burg. Por kompania është pronë e Bashkim Ulajt, njeriut të cilit Berisha i ka besuar gjithë bizneset e Familjes së tij. Ky telash i ri e zemëron, por nuk ka fuqi t’i ulërasë askujt. Genc Pollo pret një telefon që Berisha t’i thotë ‘lëre këtë luftë’, por Berisha nuk ka fuqi ta bëjë.

Olldashi pret një telefon që Berisha t’i thotë ‘mos çaj kokë se më ke mua’, por Berisha nuk ka fuqi ta bëjë. Irfan Hysenbelliu pret një telefon nga Berisha t’i thotë ‘boll tani, më thuaj çfarë do’, por Berisha nuk ka fuqi ta bëjë. Është i lodhur dhe i mundur nga historitë e pista që ka prodhuar vetë. Pastaj hap televizorin dhe dëgjon Sokol Olldashin që hedh poshtë akuzat pasi ka zbuluar se akuzuesi ka një pallat pa leje në Dajt.

Në një kohë tjetër Berisha do të ngrinte telefonin dhe do t’i ulëriste Sokol Olldashit, ‘bëja rrafsh atë shtëpi atij banditi që shan qeverinë’. Ia ka pasë bërë dy vjet më parë për time motër dhe ja rrafshuan shtëpinë që më 5 të mëngjesit. Dje nuk kish fuqi ta bënte. Nuk e bënte dot se Olldashit mund t’i hapej oreksi dhe t’i thoshte duhet të prishim dhe pallatin e Lulëzim Bashës në Vlorë, ndërtuar mbi det, jashtë gjithë kritereve duke mbushur dhe detin me baltë.

Fik prapë i dëshpëruar televizorin dhe s’di ç’të bëjë. Sekretarja e kërkon të flasë në telefon me Lulëzim Bashën, i cili e njofton se ka gjetur një djalë të mirë për drejtor të lejeve të ndërtimit në Tiranë që të marrë fund korrupsioni i Edi Ramës. Ky i duket pak si lajm i mirë. Pastaj mëson emrin, pastaj shfaqet onlinë lajmi se ky është arkitekti i pallatit të Lulëzim Bashës në Vlorë. Bie sërish në dëshpërim. Në një rast tjetër do t’i ulëriste Lulëzim Bashës ta hiqte atë plehrë dhe të gjente një tjetër, por kujtohet se lajmi mund të shkojë tek Topalli dhe të tjerë në parti dhe do ta shqyenin Lulëzimin pse nuk merr arkitekt të partisë, por arkitekt të familjes së gruas.

E lë i dëshpëruar dhe këtë betejë dhe hap lajmet e Klanit. Edhe aty e sulmojnë Bashkim Ulajn, dhe ndryshe nga Irfani i përmendin dhe emrat. E duan një ulërimë dhe ata, por Doktori nuk ka fuqi, pasi disa muaj më parë u ka dhënë dhe atyre një leje të shtrijnë kabllo në gjithë Shqipërinë duke ndjekur linjat hekurudhore. Pastaj hap një gazetë tjetër. Akuza ndaj UET se ka marrë program doktoraturash. Bëhet gati t’i ulërasë atyre që kanë hedhur akuza, por kujtohet se i ka miq dhe ata. Duan dhe ata ndonjë copë.

Hesht dhe ndaj tyre. Është i pafuqishëm të ngrejë zërin, të urdhërojë, të ndalë këtë tatëpjetë. Ngado që rrotullohet gjithë ditën i dalin historitë që ka prodhuar këto gjashtë vite në pushtet. I shfaqet shteti që ka ndërtuar, një shtet i frikësuar i tëri prej tij, një shtet ku Presidenti, kryeprokurorja, Shefi i Shtabit, Ministri i Mbrojtjes etj, shkojnë të rrëfejnë në “kishën e Withersit” frikën që kanë nga regjimi i tij.

Ata të vegjlit, të parëndësishmit, lakenjtë, injorantët që mori për t’i shërbyer, tashëm janë turrur dhe vjedhin dhe ai s’ka më fuqi t’i ndalë. I përmendin djalin, vajzën, Bashkimin, Zamirin, Sandrin, Sokolin… Është një spirale e pashpresë e torturës së njeriut që duhet të përballet me problemet që ka prodhuar vetë. Dhe ai është duke u kalbur brenda tyre, pa pasur fuqi të kërkojë as ndihmë.