Vrisni frikën!

0
22

Nga Mero Baze

Prokuroria e Përgjithshme mohoi dje zërat se është ngritur ndonjë grup pune për të hetuar faktet që dalin nga publikimet e kabllogrameve të ambasadës së SHBA në Tiranë. Njoftimi pason disa lajme në shtyp rreth ngritjes së një grupi pune për hetimin, por dhe reaksionin e fortë të disa medieve qeveritare kundër këtij lajmi. Në të vërtetë njoftimet në shtyp nuk kanë referencë zyrtare as për ngritjen e grupit hetimor, as për ndonjë temë të veçantë që do të hetohet, por përgënjeshtrimi i Prokurorisë së Përgjithshme ka një referencë, dhe kjo ka të bëjë me sulmet që bëri ndaj saj gazeta e Fahri Balliut dhe televizioni i Aleksandër Frangajt, dy “zagarët sulmues” të Berishës, nëse do huazonim shprehjen e ambasadorit Withers për Aldo Bumçin.

Unë nuk dua të ndërhyj në punët e prokurorisë apo të jap direktiva se cilat çështje duhet të rihapin apo cilat çështje duhet mos prekin pas publikimit të këtyre fakteve. E vërteta është se edhe pa këto fakte, prokuroria ka pasur mundësi që të marrë nën hetim shumë njerëz që nuk i ka marrë vetëm nga presioni politik. Rasti i Shkëlzen Berishës, i cili nga kabllogramet noterizohet si pronar de facto i fabrikës së Gërdecit, edhe pa deklaratën e Luan Hoxhës, ishte i hetueshëm. Ai kishte lënë gjurmët e veta ministri më ministri, zyrë më zyrë, telefon më telefon dhe mbi të gjitha kishte lënë si një dëshmitar të kobshëm në këtë masakër burrin e tezes së vet, të cilin e punësoi për t’i drejtuar biznesin në Gërdec. Nuk e thirrën asnjë ditë, të frikësuar nga hakërrimat primitive të Sali Berishës, që fatkeqësisht funksionuan.

Prokuroria i kishte faktet rreth deklarimit të rremë të Rrahman Selmanllarit për lidhjet e tij me Gërdecin, Delijorgjin dhe Shkëlzen Berishën, por nuk e morën të pandehur nga e njëjta frikë. Bile as një kompani që ka së bashku me Delijorgjin për të ndërtuar deri hidrocentrale, nuk ja prekën.

Prokuroria i kishte faktet për Fahri Balliun. Për të në dosjen e prokurorisë janë shkresat e komandantit të Divizionit që ankohet se një kompani private ndërtimi po prish pa leje ndërtesa ushtarake për të ndërtuar një fabrikë, për të cilën ushtarakët e gjorë nuk dinë gjë. Ishte kompania ku Fahri Balliu ishte pronar duke përdorur emrin e vajzës së tij, atëherë ende e mitur. Por Fahri Balliu bombardoi 30 ditë Ina Ramën në faqe të parë të gazetës për një çështje ordinere, dhe nuk u thirr kurrë në prokurori për të dëshmuar, edhe pse është ndërtuesi me letra i Fabrikës së Vdekjes.

Më pas ai është dokumentuar nga kabllogramet si njeriu që i bën presion drejtësisë në emër të Berishës për të shpëtuar Bashën nga burgu apo për të mbyllur çështjen e Gërdecit. Sapo këto çështje u rihapën, para se prokuroria ta shikojë këtë punë profesionalisht, i pari foli sërish kandidati për i pandehur në këtë histori. Gazeta e tij për tri ditë rresht po sulmon prokurorinë për të ndalur tentativën e saj për të rijetësuar këto dosje. Dhe prokuroria gjunjëzohet dhe njofton pa ja kërkuar askush se nuk ka ngritur grup pune për të rihapur hetimet.

Problemi është se prokuroria nuk duhet t’i japë llogari opinionit publik se çfarë po bën dhe kë po heton. Ajo nuk është zyrë shtypi që informon për ditën e saj të punës. Ajo është institucion hetimi, dhe hetimi është punë profesionale që zhvillohet brenda një kuadri ligjor të mirëpërcaktuar. As unë nuk e kuptoj pse duhet një grup pune për të rijetësuar, por nga ana tjetër nuk e kuptoj dot se si një çështje e mbyllur me procedurë siç është hetimi për segmentin Rrëshen- Kalimash, të mos rihapet pas fakteve të reja që dolën në publik rreth abuzimit me këtë projekt. Tani lehtësia është më e madhe pasi Lulëzim Basha nuk ka as imunitet dhe mund të hetohet pa nevojën për të kërkuar leje nga Kuvendi. Nuk e kuptoj se si mund të quhet e plotë dëshmia e Luan Hoxhës në prokurori pa pjesën që ia ka dëshmuar në zyrë ambasadorit Withers.

Prokurori i kësaj çështje nuk ka nevojë të ngrejë grup pune, por ka nevojë ta dokumentojë si provë dhe të rithërrasë për dëshmi Luan Hoxhën dhe Shkëlzen Berishën. Pra, nuk e shikoj të nevojshme që prokuroria të na sqarojë se nuk po heton, dhe as të na sqarojë se do hetojë. Prokuroria duhet të bëjë punën e saj të përditshme, dhe në punën e saj të përditshme nëse ajo neglizhon fakte që kanë lidhje me hetimin, bën një krim, i cili ndëshkohet. Pra, unë nuk shikoj asnjë arsye përse prokuroria të ngrejë një grup special hetimi për informacionet e dala nga kabllogramet, por nuk shikoj asnjë shans për çdo prokuror që ka një çështje ende të hapur që të mos konsiderojë këto informacione të reja në dosjet e tyre të vjetra. Nëse ata i shmangin këto informacione, ata janë duke anashkaluar hetimin e disa krimeve të rënda, për të cilat do të jenë më vonë përgjegjës.

Në këtë kontekst unë nuk jam zhgënjyer pse prokuroria nxiton të thotë se nuk jemi duke u marrë me kabllogramet, por jam tmerrësisht i shqetësuar nga ringjallja e instiktit të frikës së këtij institucioni ndaj sulmeve verbale të “zagarëve të sulmit” të Berishës, ndaj procedurës së hetimit në përgjithësi. Është e frikshme që prokuroria mes thirrjes dëshpëruese të zonjës Durda, që kërkon drejtësi për djalin e saj të vrarë dhe hakërrimit të Fahri Balliut, që ka përdorur emrin e fëmijës së tij për një biznes fitimprurës deri në vdekje fëmijësh, prokuroria të ndikohet nga hakërrimat e këtij të dytit. Është e turpshme që mes fakteve të rënda që lidhin direkt Shkëlzen Berishën me biznesin vdekjeprurës dhe sulmeve të TV Klanit ndaj prokurorisë, kjo e fundit të reagojë për tu shfajësuar para qendrës së zërit të Sali Berishës.

Ne nuk duhet t’i japim direktiva prokurorisë se kë dosje të hapë e kë të mbyllë pas kësaj historie, por ne duhet të bëhemi gardh para prokurorisë për t’i thënë të mos trembet nga kuisjet e fundit të atyre që kanë bërë të ulërijnë dhjetëra nëna shqiptare nga fatkeqësitë që u kanë shkaktuar. Ne e kemi detyrë qytetarë t’i themi Ina Ramës dhe kujtdo tjetër që ka mandatin e shoqërisë shqiptare për të hetuar, të mos tremben dhe të jenë në anën e drejtësisë në këto ditë të vështira për ata që duan të varroset përfundimisht e vërteta.

Dhe së fundmi dua të them se ndryshe nga çdo reagim ambasadorësh amerikan për publikimet e Wikilekas, ambasadori i SHBA në Tiranë ka bërë një reagim më njerëzor dhe më të sinqertë. Ai na ka bërë thirrje të gjithëve t’i kuptojmë në mënyrën tonë ato që janë publikuar pa anatemuar askënd. Edhe prokuroria duhet t’i lexojë në mënyrën e saj profesionale, pa toleruar asnjë fakt të ri që na rikthen tek shansi për të vendosur drejtësinë. Ne e kemi detyrë të jemi në anën e prokurorisë për ta çuar në fund punën e saj dhe për mos ta lënë atë vetë të trembet nga “zagarët e gjuetisë” të pushtetit. Krimet kanë ndodhur dhe bashkë me to ka ndodhur varrosja e tyre. Është mirë të mos ripërsëritet varrosja e tyre nga i njëjti shkak: frika nga Berisha. Kjo frikë duhet vrarë!