Kambanat bien për të gjithë

0
55

Sami Repishti

Nga Sami Repishti

Që nga mesi i muajit tetor, një grup prej gjashtë qytetarësh shqiptarë, ish-të përndjekur politikë, janë në greve urie, me qëllim që të tërheqin vëmendjen e publikut në përgjithësi, dhe të qeveritareve në veçanti, mbi gjendjen e tyre të mjerueshme. Grevistët e urisë janë të ngulitur pranë hyrjes së Kuvendit të Republikës, në mes të Tiranës, dhe të hapët për të gjithë ata që kanë sy të shikojnë.

Këto viktima të pafajshme, që detyrohen me ndërmarrë aksione të rrezikshme me çmimin e shëndetit të tyre – dhe ndoshta edhe të jetës së tyre -janë qytetarë të dërmuem nga smundja, varfëria, e mungesa e strehimit për vete dhe për familjet e tyre, gra dhe fëmijë. Akte të këtilla ekstreme janë zakonisht rezultati i një mospërfilljeje të paskrupull nga organet qeveritare, që janë të detyruar me ligje për përkujdesje të qytetarëve. Fatkeqësisht, këto “autoritete” që kalojnë ditë e vite ne kolltukët komodë të zyrave të ngrohta në dimër dhe të freskëta në vere, nuk janë në gjendje me kuptue çfarë don të thotë të jesh gjysmë invalid, pa strehim, pa punë, dhe i paaftë me sigurue bukën e përditshme për fëmijt që vuajnë. Qeveritarët, “fytyrat e të cilëve ndritin nga dhjami” që fitojnë nga ushqimi i siguruar me rrogët e majme e të rrituna nga të ardhuna “legale” që u siguron pozita e tyre në pushtet, nuk kanë as aftësinë me sigurue bukën për të uriturit, as ndërgjegjen që i zgjon nga gjumi i rëndë i moskokëçarjes, kur ballafaqohen me viktimat e akteve zyrtare.

Këto viktima të diktaturës dje dhe të “demokracisë” sot, kanë një emër: Fatmir Lamaj, Gjergj Ndreca, Lizak Bejko, Konstantin Gjordeni, Petrit Shpuza, Liço Cola. Të gjithë së bashku ata kanë kaluar më shumë se 100 vjet në burgje dhe kampe të punës së detyrueshme për arsye të bindjeve të tyre politike në kundërshtim me ideologjinë dhe praktikën terroriste të regjimit komunist në Shqipëri. Sot, kur “pushteti” që i përbuz, mbështetet në kapitalin moral të ish-të përndjekurve, këto viktima e shohin veten si “lecka të hedhura poshtë” nga ata që nuk pranojnë të trazohen nga tregimet e tyre -historira të kaluara që u kujtojnë pushtetarëve karrierën gjatë regjimit komunist Para ndërgjegjeve të këtilla, të gjithë ne ballafaqohemi nga nji rrezik vdeksor: ringjallja e diktaturës me një maskë të re. Vllezër, motra! Dëgjoni kambanat e grevistëve të urisë; ato bien për të gjithë ne!

Në mbështetje te evidencës pjesore që kemi, dhe që është vetëm një pjesë e dokumentimit të plotë, këto viktima kanë kundërshtuar një regjim që shkeli pa skrupull dhe sistematikisht të gjitha të drejtat e njeriut, regjimin komunist në Shqipëri. Ai regjim ka vrarë me gjyq dhe pa gjyq mijëra shqiptarë të pafajshëm, ka internuar ma shumë se 12 000 familje te pafajshme, ka detyruar një popull të tërë të izoluar nga bota në punë të rënda dhe për bukën e gojës, ka përvetësuar arbitrarisht të gjithë pasurinë private të qytetarëve duke e shpenzuar në armatime të pakuptimta, ka shtypë çdo liri personale e qytetare, dhe ka nënshtruar gjysmën e popullsisë me terror, frikësim e uri tue i detyrue me informue kundër gjysmës tjetër, që refuzoi nënshtrimin me sakrifica të papërshkrueshme. Grevistët e urisë janë pjesë e kësaj ushtrie fisnike që përfaqëson anën morale të shoqërisë sonë.

Dje, në kondita ekstreme mbrojtën të drejtën, të vërtetën, njerëzoren dhe nderin e kombit shqiptar. Sot, ata deklarojnë botërisht:

“Të jesh luftëtar i së vërtetës dhe i së drejtës, në një vend ku sundojnë gënjeshtra dhe padrejtësia, është një detyre fisnike e njerëzore. Padrejtësia në këtë vend është kthyer ne formën më të keqe të sundimit duke hedhur mbi vete mantelin e “demokracisë”. Ky mesazh i tyre merr një karakter universal. Sepse, mos me pranue sjelljet e qeveritareve tuaj, kur ata krijojnë përshtypjen e qëndrimit të gabuar, don të thotë me ruajte humanitetin e të gjithë popullit tënd.

Kohët kanë ndryshuar, sistemet diktatoriale shkojnë e vijnë, por individët me karakter, dhe koncepti i dinjitetit njerëzor janë vlera të përhershme. Dhe kjo me kujton mallkimin e Amos-it në Biblën e Vjetër: “Ju (sundimtarë) urreni çdo njeri që kundërshton padrejtësinë, cilindo që flet të vërtetën e plotë para gjykatësit. Ju keni shtypë të varfrin dhe keni grabitë djersën e punës tij. Ju persekutoni njerëzit e mirë, ngopeni me bakshishe, dhe përbuzeni të varfrit, sa herë që ata kërkojnë drejtësi…”

Grevistët e urisë nuk kanë iluzione me përmbysë qeverinë; ata kanë vendosmërinë dhe autoritetin moral me turpnue qeveritarët para botës së qytetruar – dhe Bashkimit Evropian – tue tregue qartësisht ku qëndrojnë të shtypurit dhe të harruarit, ish-të persekutuarit në këto ditë të turbullta për vendin tonë. “Aty ku nuk ka drejtësi, aty nuk mund të kemi paqe!” – qortonte Papa Gjon Pali II. Është detyra e të gjithëve ne me eliminue konditat që shpien individët në dëshprim, dhe përfundime shkatërruese.

Duket sikur qeveritarët shqiptarë janë jashtëzakonisht larg popullit shqiptar. “Prezenca e “së keqes” në shoqëninë shqiptare do të përfundojë, në mënyrë të paevitueshme, në korruptimin e plotë të atyre që sundojnë ose në revoltën e atyre që persekutohen. Historia është e mbushur plot me shembuj të këtillë. Duket sikur në Shqipëri ka elemente që punojnë për një “zgjidhje” të këtillë. Megjithatë, nuk duhet harruar se në politike “fitorja” nuk është njëlloj si “suksesi”.

***

Është bërë zakon në Shqipëri që për të mbuluar të vërtetën, elementët demokratë akuzohen si “shfrytëzues” e “parazitë”, sepse shume prej tyre kërkojnë rikuperimin e pasurisë dhe pronave të sekuestruara pa të drejtë. Nuk është turp të kesh pasuri ose të jesh pronar tokash, për sa kohë që ato njihen nga ligji si prona private.

Në Kushtetutën amerikane gjinden tri fjalë që përcaktojnë filozofinë e themeluesve të kësaj demokracie të madhe: Liria, Jeta, dhe Kërkimi për Lumturi. (Life, Liberty and the Pursuit of Happiness). (në versionin e parë, ishte: Jeta, Liria, dhe Prona private. Me qenë se më 1776, skllevërit zezakë njiheshin si “pronë” (chattel) e jo si qenie njerëzore si të gjithë, një përcaktim i këtillë do të kishte formalizue skllavërinë. Prandej u zëvendsue me “kërkimin e lumturisë). Në thelb, koncepti i pronës private kishte aq rëndësi sa edhe jeta dhe liria.

“Prona private” (the private property) është diçka që i takon vetëm pronarit të ligjshëm, don të thotë një e drejtë ekskluzive me posedue, me gëzue në kuptimin më të gjerë të fjalës çdo gjë që ka një çmim ose një interes, e konsiderohet kryesisht si burim pasurie.

Rëndësia e pronës private qëndron në faktin se është burim i të ardhurave që shërbejnë për plotësimin e nevojave materiale e kulturore vetjake, e familjare. Një gjendje e këtillë e bën pronarin të lirë e të pavarur nga ‘shteti”. I lirë dhe i pavarur në një shoqëri ku sundon ligji, individi quhet qytetar i lirë, dhe në shoqërim me të tjerët, ai përbën shoqërinë e lirë ose “botën e lirë” që ne na pëlqen. Kjo është gjendja ideale që frymëzon çdo qenie njerëzore.

Me ardhjen e komunizmit në Shqipëri, koncepti i pronës ndryshoi rrënjësisht. Ajo u paracaktue si “…diçka që është në përputhje me parimet e një shoqërie që i përgjigjet kërkesave të moralit komunist” (Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, 1980, f. 370) Kjo don të thotë pasuri shtetrore ose kooperativiste, jo private. Si rrjedhim, pa burime jetese të pavarura dhe plotësisht në mëshirën e “shtetit”, d.m.th., nji proletar. Natyrisht, shumë shqiptarë e kundërshtuen një sistem të këtillë dhe përfunduan në burgje dhe kampe përqendrimi ose u detyruan të punojnë në qendrat e punës më të vështira për bukën e gojës dhe u persekutuan pa mëshirë. Kështu jetoi Shqipëria për 45 vjet me radhë.

Por absurditeti i një zhvillimi të këtillë shfaqet sot, kur sistemi komunist është përmbysë dhe metodat e tij vazhdojnë të aplikohen nga qeveritarë të indoktrinuem që refuzojnë të pranojnë kuptimin e mirëfilltë të pronës private: jetë të lirë e të pavarur nga “shteti”. Është absurde, kur shihen viktimat e regjimit komunist të siellen vërdallë zyrë më zyrë me kërkue të drejtën e tyne, pasurinë e trashëgueme, dhe të sorollaten nga një administratë shurdhmemece, që “sundon” dhe nuk “qeveris”, nga “aparatçikët” e sistemit komunist e jo nga “shërbestarët” e demokracisë, të shoqërisë së lirë. Ku vete sot Shqipëria dhe shoqëria shqiptare?

Gjendja e sotme në Shqipëri është mjaft shqetësuese. Nuk jetohet vetëm me bukë dhe për bukë. Një jetë pa liri, pavarësi e dinjitet nuk vlen të jetohet. Me protestën e tyre, grevistët e urisë i bien kambanës dhe paralajmërojnë se fati i tyre sot është pararendës i një fati që rezervohet për të gjithë ata që sot heshtin e qëndrojnë indiferentë.

Heshtja vret; indiferenca vret. Është e vështirë me besue se ndërgjegjja e popullit shqiptar është aq e fjetur, sa të lejojë vdekjen e atyre që gjetën guximin me sakrifikue gjithçka, ndoshta edhe jetën e tyre, për një Shqipëri të lirë, dhe një shoqëri shqiptare të lirë e demokratike. Koha do të tregojë!