Mustafa Nano, 04.09.2011
Quiz: Kush ka qenë i pari që ka përdorur frazën “pushteti i familjes”, Edi Rama, Taulant Balla, Mero Baze, apo dikush tjetër? Duhet gjetur e duhet t’i japim një medalje, pasi “pushteti i familjes” nuk na qenka një sendërgjí opozitarësh. Përkundrazi, është një fakt, që verifikohet tanimë nga të gjitha drejtimet e nga shumë dëshmi.
Njerëzit, me dëshirën për t’i parë gjërat ashtu si janë e për t’u vënë emrin e tyre, do ish dashur ta kishin bërë me kohë e me vakt këtë verifikim, pasi ndikimi i vajzës së Kryeministrit në qeverisje është tanimë një gjë e provuar dhe e stërprovuar, të paktën në nivelin e fuqisë së saj për të rekrutuar, promovuar e graduar miq e shokë të vetët në të gjitha rangjet e qeverisë e të administratës, ndërsa emri i djalit të Kryeministrit ka dalë qartazi në një numër situatash në aferën e Gërdecit.
Të dy këta janë përfolur në shtyp edhe për rrethana të tjera, që kanë të bëjnë me blerje e shitje trojesh, me trafik influence në vendimmarrje, me lidhje të dyshimta me biznesmenë të vendit e të huaj, por të gjitha këto, edhe pse janë hamendje të besueshme, kanë nevojë të provohen e të dokumentohen mirë. Ndërsa në rastet e mësipërme, fëmijët “Berisha”, që nuk janë dhe aq fëmijë, janë qartazi “brenda”, me kokë e me këmbë.
Po pse po e nënvizoj këtë gjë pikërisht tani? Ngaqë ambasada amerikane ka të njëjtin mendim, gjithashtu? Jo, personalisht nuk më intereson më tepër se sa duhet opinioni i një ambasade apo i një ambasadori; as fakte e të dhëna të cilat jepen prej tyre. Sigurisht, zëri i tyre është një zë më tepër; për më tepër, është dhe zëri më i besueshëm në këtë kermesse-in shqiptar, pasi diplomatët amerikanë janë më të çinteresuar se sa aktorët lokalë për të goditur njërën palë apo tjetrën, njërin politikan apo tjetrin. Por prapëseprapë, nuk do merrem me spekulime të tyret.
Ajo që më ka goditur në mënyrë të veçantë është një provë e dhënë prej tyre, që konfirmon edhe njëherë tjetër dy gjëra të ditura e të thëna këtej nga anët tona: 1. Berisha po sundon tok me familjen; dhe 2. Në Shqipëri ekziston një klimë frike prej bandës së Berishës; deri dhe personalitete e dinjitarë të lartë të shtetit nuk guxojnë të dëshmojnë fakte kundër kësaj bande.
Një parantezë. Kur dolën kabllogramet e para të “WikiLeaks”-it, në një shkrim të vetin në “The Guardian”, Timothy Garton Ash nuk i kursente lëvdatat në adresë të diplomatëve amerikanë, të cilët – kështu dilte, sipas tij, nga dokumentet e bëra publike – dëshmojnë dhe njëherë që janë vëzhgues të vëmendshëm, të kujdesshëm, inteligjentë e të rafinuar (këta përcaktorë janë të mijtë, dhe i kam prej shijes që më ka mbetur qysh nga hera, kur kam lexuar shkrimin). I kam dhënë të drejtë Garton Ash-it në atë moment (kish pasazhe të tëra të ‘WikiLeaks’-it, të cilat, po t’mos e dije përse ish fjala, mund t’i merrje për vëzhgime eseistësh të sprovuar e scholar-ësh të regjur). I jap të drejtë më shumë në ditët e sotme, kur po dalin në dritë dokumente që kanë të bëjnë me Shqipërinë.
Në tërësinë e tyre, këto dokumente japin një tablo të plotë e të saktë të kësaj botës sonë; dhe materialet e publikuara janë të hartuara me një gjuhë të sofistikuar (s’e kam fjalën për gjuhën angleze; e kam fjalën për gjuhën) e me një stil tek-tuk nazik. Të kuptohemi, nuk janë të gjithë diplomatët amerikanë të tillë; por edhe nuk ka pse të jenë, në fund të fundit. Amá nuk mund të mohohet që këto kabllograme të nxjerra në shesh, përveç shumë dëmeve të mëdha që i kanë bërë diplomacisë amerikane, i kanë bërë dhe një të mirë: e kanë nxjerrë në dritë si një diplomaci elegante e eficiente. Dhe, këtu po e mbyll parantezën. Por, po mbetem në të njëjtat arsyetime.
Diplomacia amerikane është diplomaci e informacionit. Ata informohen, informohen, informohen. Në rastin shqiptar është pikërisht kjo që të tërheq vëmendjen. S’do ish keq që qysh tani t’u sugjeronim historianëve të nesërm të Shqipërisë që, për të gjetur të vërtetat e ngjarjeve tona, të mos harrojnë të rrëmojnë më së pari në arkivat e Departamentit Amerikan të Shtetit. Një dëshmi, fjala vjen, si ajo e Luan Hoxhës, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, nuk do kishin ku tjetër ta gjenin. Dhe, po ndalem pak në këtë pikë. Për të dalë atje ku e fillova.
Është e frikshme, apo jo? Rezulton, që shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ka gjëra të rëndësishme për të thënë, ka dëshmira për të dhënë (në funksion të denoncimit të një regjimi të korruptuar e të denoncimit të “pushtetit të familjes”), dhe nuk ka guxim as t’ia thotë publikut shqiptar, as të informojë institucione të sigurisë kombëtare, të mbrojtjes së rendit publik, të shërbimeve sekrete apo të hetimit. Çfarë bën? Shkon për t’u rrëfyer në ambasadën amerikane, shkon atje për të thënë se djali i Kryeministrit është i përzierë në aferën korruptive të Gërdecit, me pasojë vdekjen e gati 30 personave, shkon atje për të thënë se nuk mund ta thotë në vend tjetër këtë gjë; përndryshe, i rrezikohet jeta.
Të njëjtën gjë paska bërë dhe zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E shikoni se në ç’klimë të frikës e të terrorit jetojmë? Dhe me këtë klimë të terrorit prej “familjes” duhen shpjeguar shumë gjëra në Shqipërinë e viteve të fundit, një numër aleancash, heshtjesh, konvertimesh politike, qëndrimesh publike, rreshtimesh opozitarësh e gazetarësh në favor të pushtetit etj. Ka dhe faktorë e mënyra të tjera për të shpjeguar gjëra të tilla (korrupsioni, sidozot), por klima e terrorit është, me sa duket, mjeti më i parë që mban më këmbë sundimin e familjes.
Dhe kështu, është hera për ta mbyllur me një quiz tjetër. Ç’është Shqipëria? Nuk e di. Mund të ketë shumë përgjigje. Por njërën, afërmendsh, e kam në majë të gjuhës: Shqipëria është një vend, ku një familje sundon e vetme, kryesisht nëpërmjet terrorit.