Nevoja për Zotin

0
46

Shkruan: Zef Ahmeti

Dy dekadat e fundit në Kosovë kanë sjellë ndryshime pozitive, e njëkohësisht edhe anomali tensionuese, për shumë shokuese me rrezikun për radikalizëm fetar.

Deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, populli ishte i orientuar drejt “çështjes kombëtare” për realizimin e projektit të shtetit të Kosovës. Dinamika e pas luftës në Kosovë, lufta vet, dhe ngjarjet pas, kanë “dridhë” qytetarit e rëndomt. Demokracia, kapitalizmi, materializmi, sfidat drejt ndërtimit të institucioneve ka nxitë qytetarin t`i drejtohet spiritualitetit. Heronjtë e paqës dhe luftës filluan të zbehen. Zbrazëtirën shqirtërore nuk ka kush me ua plotsue, pos kthimit në besim. E në këtë drejtim janë futur tendenca radikale, ku këtë nevojë po e shfrytëzojnë për të nxitur urrejtje me tendencë indoktrinimi politik-fetar.

Besimi tek kosovari sot

Fetë te shqiptarët kanë ndikuar pa mëdyshje në botëkuptimin e shqiptarëve. Mbase jeta e shqiptarëve nuk është frymëzuar nga asgjë më shumë se nga personalitetet dhe figurat fetare.

Besimi (religjioz) te shqiptarët si duket praktikohet jo nga asyeja, por më tepër nga zakoni. Meqë Shqipëria tashmë ka tejkaluar disa etapa përvoje nga e kaluara, në Kosovë sapo ka filluar një marrje intensive me aspekte të ndryshme që lidhen me besimin përkatësisht fetë. Këtu kemi disa aspekte që e vlerësojnë këtë realitet: feja në Kosovë praktikohet se e trasheguan nga të parët- pra aspekti tradicional; sepse besimtari kosovar është i “lidhur” me rrethin dhe doket, edhe pse arsyeja i thotë ndiçka tjetër, qëndron mbas asaj (partizanizëm); lidhja me fenë për kokëfortësi, arsye e pa arsye, don që e vetja të dominoj (fanatizëm): dhe si pikë tjetër pason edhe argumenti se, levërditë i bijnë më shumë për shtati – pra këtu kemi utilitarizmin përkatësisht servilizmin (shih: A. Harapi, Shqiptari dhe bota e tij, Prishtinë 2003, fq. 77-78).

Shpesh besimi nga besimtarët degjenerohet për shkak të naivitetit, mospërmbajtjes së parimeve, keqinterpretimeve. Degjenerimet vijnë si rezultat i bestytnive, ku aspekte të caktuara vlerësohen se kanë burimin nga feja, e në fakt nuk kanë të bëjnë fare me fenë; sinkretizmi që do të thotë vlersimi si i vërtet i parimeve të kundërta; lidhja e besimit me materializëm, për përfitime materiale- e kështu si pasojë kemi herëdo-kurëdo mbarimin e bindjes mbi besimin; seksualizmi – ndikimet trupore; pastaj kemi edhe fatalizmin që mbështetet në thëniet popullore si “ky është fati” apo ky është “exheli”- kjo nënkupton se, jeta e njeriut (e besimtarit) është e parapërcaktuara dhe se individi nuk ka mundësi të ndikoj në fatin dhe oragnizimin e jetës së vet, edhe pse njeriu në kët jetë është i lirë (krhs. po aty, fq. 7).

Këto pika të cekura më lartë janë segmente që ne i hasim përditë në realitet e në praktikën e fesë në Kosovë. Këto janë ato që besimin e shqiptarit e bëjnë të paqëndrueshëm e devijues. Dhe këtu shtrohet pyetje mbi cilat supe bie përgjegjësia për largimin këtyre segmenteve që jetën fetare të shqiptarit ta “pastroj” në frymën e shëndoshë fetare? Kjo mbase është përgjegjësi e klerikëve, por edhe e politikës dhe e intelegjensës (krhs. po aty, fq. 79).

Spiritualiteti apo nevoja për Zotin

Fjala spiritualitet vjen nga latinishta spiritus që do të thotë frymë që në kuptimin fetar (mbi spiritualietin krhs. Corinna Dahlgrün, Christliche spiritualität, Berlin, New York 2009) do të thotë lidhje shpirtërore me transcendentën apo me të pasosmen (Zotin). Populli i Kosovës pas disa proceseve që ka kaluar gjithnjë e më shumë sikur po e ndien nevojën për ushqim shpirtërorë. Kjo po shprehet në aspekte të ndryshme të jetës. Përpos kësaj degjenerimet e lartpërmendura janë prezente.

Qytetari ka nevoj t`i mbështetet një fuqie mbinjerzore. Nevojë kjo që nuk mund të zëvendësohet me asgje tjetër. Në kët situatë mundësitë për manipulime, radikalizëm janë mjaft reale. Politizimi i shpirtërores, pra spiritualitetit, është jashtzakonisht i rrezikshëm për shoqërinë kosovare. Se si do ta menaxhojnë këtë proces pikësëpari klerikët, por edhe intelegjenca me politikën, ajo do të jetë vendimtare për të ardhmën e vendit.

Duhet punuar drejt tolerancës së vërtetë fetare

Në kohën kur bëhej sensibilizimi i çështjes së Kosovës në qarqet ndërkombëtare një nga sfidat kryesore ishte demantimi se, në Kosovë ekziston rreziku nga radikalizmi islamik. Elita kosovare filloi vetëm pas vieteve të `90 të shek 20 të argumentojë për trashëgiminë katolike në Kosovë dhe tjetërsimin e objekteve nga pala serbe. E kush do duhej të deklarohej se, “në Kosovë nuk ka radikalizëm fetar islamik”? Shqiptarët katolikë në Kosovë së bashku me Kishën katolike dhanë kontributin në rrugën e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Përveç shumë kontributeve që dha kjo pakicë shqiptare katolike në Kosovë, vlenë të theksohet dëshmia e ipeshvit Mark Sopi (maj 2005) që dha para Kongresit Amerikan. Ai hyri “peng” për bashkkombasit shqiptar të besimit Islam se, toleranca fetare tek shqiptarët është e padiskutueshme. Fatkeqësisht ky kontribut, dhe kontributet tjera, sot nga qarqet ekstreme fetare në Kosovë po përceptohet si “shkelje” kundër shumicës myslimane dhe “luftë” kundër islamit.

Pas shpalljes së pavarësisë sikur kjo bashkësi u “harrua”, mbase edhe për shkak të koncentrimit në pajtimin me serbët. Tani në kërkim të identifikimit, nevoja për spiritualitet tek një pjesë e shqiptarëve mysliman kan filluar të marrë nuanca radikale. Fatmirësisht kemi edhe racionalist që i njohin aspektet pozitive per të cilat duhet të orientohet populli i Kosovës, edhe pse sa herë që kemi fenë në debat, apo edhe Turqinë apo Vatikanin diskutimet janë tejet emocionale dhe mjaft tensionuese që nuk përjashtojnë edhe ofentimet e ulta. Po të shikohen komentet që ipen në shkrimet e publikuara që lidhen me fenë janë tejet rrënqethëse.

Është obligim dhe detyre kombëtare e klerikëve dhe politikanëve e shoqërisë civile, që kjo nevojë për spiritualit sot të mos lejohet të keqpërdoret në dëm të paqes fetare dhe në dëm të Kosovës. Ruajtja e kësaj paqe dhe angazhimi permanent për të ndërtuar tolerancë e vërtetë fetare (kjo qe kemi sot nuk eshte tolerancë fetare – toelranca fetare ka kuptimim shumë më të thellë se urimet e ndërsjellta për festa), duhet të jenë si maksima kryesore edhe për avancim të Kosovës. Dhe kjo jo pse po e kërkojnë të “tjerët”, por për vetvetën.