Andrea Stefani, 03.09.2011
Si jo rrallë në fillime sesionesh legjislative, Jozefina Topalli, spikerja e Kuvendit, u shfaq ekraneve për të kërkuar bashkëpunimin e opozitës. Dhe si përherë në kësi rastesh, mjaft butësisht dhe konstruktivisht. Veç publiku shqiptar, e në veçanti opozita shqiptare, e ka të vështirë të harrojë arrogancën që kjo grua ka manifestuar gjatë gjithë karrierës së saj si kryeparlamentare në marrëdhëniet me opozitën. Praktikisht Topalli është bërë simboli i tiranisë së shumicës në Kuvend dhe sjellja e saj thellësisht e njëanshme e partiake, ka zgjuar kritika edhe nga forumet e komunitetit europian.
Por problemi nuk është thjesht ç’ka bërë dhe ç’nuk ka bërë Topalli në të kaluarën, nëse e ka kërcënuar opozitën edhe me plumb ballit apo nëse ka shpërfillur në mënyrë naziskine kërkesat e saj. Shqetësimi është se edhe kur bën ftesë për konsensus, Topalli dhe babai i saj politik, Berisha, nuk kanë ndërmend të hyjnë në konsensus me opozitën. Sepse, kjo do të thoshte që të hiqnin dorë nga projekti i tyre tiranik i sundimit. “Konsensusi” është vetëm maska. Në fakt, atyre i duhen vetëm votat e opozitës.
* * *
Opozita duhet të veprojë me elasticitet, duke mos lejuar që parlamentarizmi të përdoret si garniturë e tiranisë dhe autokratizmit, por njëherazi edhe që të mos gjendet e akuzuar si dhunuese e parlamentarizmit pikërisht nga tiranët e Parlamentit. Ajo duhet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit pikërisht për t’i çjerrë maskën tiranisë së shumicës. S’ka asnjë dyshim që shumica berishiste do të përpiqet që t’i hartojë të gjitha ligjet në mënyrë që të shpien ujë në mullirin e pushtetit autokratik të Berishës.
Thelbin autokratik të këtyre ligjeve do përpiqet ta mbështjellë me një formë demokratike. Opozita duhet ta denoncojë me sukses një orvatje të tillë, duke i demonstruar me fakte edhe ndërkombëtarëve falsitetin e ftesës berishiste për konsensus. Dhe pasi një gjë e tillë të jetë vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme, opozitës mund t’i lindë përsëri e drejta për bojkot. Sepse, një opozitë që synon demokracinë dhe Europën nuk mund t’i shpjerë votat e saj në favor të një pushteti që synon autokracinë dhe ndoshta edhe Azinë, e jo Europën sikundër betohet.
* * *
Por Topalli thotë se bojkoti është “një anakronizëm i skualifikuar” që nuk paska vend në shekullin tonë. Se ç’mund të jetë një anakronizëm i kualifikuar, këtë mund ta dijë vetëm kjo politikane që shquhet për përdorimin rëndom të termave që ndoshta s’ia di as kuptimin. Por ndërkaq, duhet të shtojmë se dukuri më anakronike, më jashtë kohe, për një shtet që pretendon Europën, nuk ka. Por vetëm në pikëpamje etike.
Sepse politikisht tirania vazhdon të këmbëngulë. Kryesisht për meritë të politikanëve si Topalli. Dhe sa kohë që këmbëngul tirania, do të vazhdojë edhe një nga format e rezistencës kundër saj, që është bojkoti. Bojkoti është rrjedhojë e tiranisë. Nëse dëshiron që opozita të heqë dorë përfundimisht nga bojkoti, Topalli duhet të heqë dorë përfundimisht nga tirania e shumicës duke u bërë, qoftë edhe një herë të vetme, ajo që ka premtuar kaq herë: avokate e opozitës dhe jo e Berishës.
Por si politikane Topalli qëndron tepër poshtë për të kuptuar dukurinë e lartë të sublimimit, të ngritjes mbi palët kur Kushtetuta të kërkon të ngrihesh mbi palët. Edhe mbi partinë që të ka dhënë votat për t’u bërë folëse e Kuvendit. Edhe mbi interesat e babait politik. Topalli nuk ka mundur të kuptojë, dhe me sa duket e ka të pamundur, se zëri i folëses së Kuvendit duhet të jetë zëri i Kushtetutës, se ajo vetë duhet të jetë mishërim, simbol i konsensusit parlamentar.
Por sa larg nga ai pozicion sublim dhe emancipues, sa të pamoderura, sa zhgënjyese janë qëndrimet e kësaj gruaje që mezi ç’pret të manifestojë një arrogancë prej burri të pagdhendur ndaj pakicës. Dhe sa kohë ajo të këmbëngulë të zhvillojë tiraninë anakronike në Kuvend, bojkoti i opozitës jo vetëm që nuk mund të jetë anakronik, por jetik. Aq më tepër kur krejt sistemi nuk i ka lënë mjet tjetër në dorë opozitës. Nëse Topalli do ofrojë për votim ligje tiranike, opozita ka detyrim kushtetues ndaj sovranit të mos i votojë ato. Nëse Topalli do ta quajë këtë bojkot, kjo s’ka asnjë rëndësi.
E rëndësishme është të kuptohet se nuk është mosvotimi apo bojkotimi i ligjeve autokratike që e largon Shqipërinë nga Europa, por e kundërta, votimi i tyre. Pikërisht ajo që Topalli fton opozitën të bëjë. Por a mos vallë Topalli do ndryshojë? Mos vallë shumica berishiste do ndryshojë dhe këtë sesion do ofrojë ligje që vërtet i shërbejnë perëndimorëzimit të Shqipërisë dhe integrimit të saj me Europën? Të shpresosh një gjë të tillë, do të thotë të vazhdosh të shpresosh në ndryshimin e Berishës. Të shpresosh se ujku ndërron edhe qimen edhe zakonin.