Qeveri teknike para zgjedhjeve të 2013-ës?

0
38

Nga Eduard Zaloshnja, 2 shtator 2011

Po të krahasohen votat që mori Edi Rama në zgjedhjet e fundit për Bashkinë e Tiranës me ato që mori në 2007-ën, mund të thuhet se ai realizoi një mrekulli elektorale. Në 8 maj 2011, Rama mori plot 27 mijë vota më shumë se sa kishte marrë në vitin 2007. Dhe në zgjedhjet e 2007-ës, ai kishte patur edhe përkrahjen e LSI-së (LSI-ja mori rreth 19 mijë vota në Tiranë në ato zgjedhje), ndërkohë që e pati kundër në 2011-ën (LSI-ja mori rreth 20 mijë vota në Tranë në zgjedhjet e fundit). Në fakt, po të veçohet efekti i LSI-së, i bie që Rama ta ketë rritur përkrahjen neto për të me rreth 45 mijë vota, karahasur me 2007-ën. Ndërkohë, rritja natyrale e numrit të zgjedhësve në listat e Tiranës mund të shpiegojë vetëm një rritje prej rreth 5 mijë votash për Ramën.

Dhe megjithë këtë mrekulli elektorale që realizoi, Rama nuk e rimori dot mandatin e kryebashkiakut – atë ia rrëmbeu Lulzim Basha, delfini i Berishës…

Ky dështim i tij erdhi pasi kishte bërë edhe para dy vjetësh një mrekulli tjetër elektorale. Në zgjedhjet e 2009-ës, në rang vendi, koalicioni i udhëhequr prej Ramës mori rreth 120 mijë vota më shumë se sa kishte marrë pothuaj i njëjti koalicion në vitin 2005 (atëhere koalicioni udhëhiqej prej Fatos Nanos). Dhe vetëm 1/3 e kësaj rritje të votave mund të shpjegohet me rritjen natyrale të numrit të zgjedhësve në listat e Shqipërisë. Rreth 80 mijë votat e tjera plus që mori koalicioni i udhëhequr prej Ramës mund t’i atribuohen faktit që koalicioni ndryshoi liderin.

Dhe megjithë atë mrekulli elektorale që realizoi, Rama nuk e mori dot mandatin e kryeministrit – atë e rimbajti Berisha…

Pas këtyre dy dështimesh, është më se e kuptueshme që Rama të matet mirë para se t’i futet garës së tretë me Berishën. Dhe është gjithashtu e kuptueshme që politikanë dhe opinionistë opozitarë të sugjerojnë strategji të ndryshme për përballjen e re me Berishën. Ndër më radikalet nga pikpamja e veprimit, ka qenë strategjia e propozuar nga Skënder Gjinushi, i cili ka sugjeruar bojkotim të plotë të Kuvendit dhe revoltë popullore për rrëzimin sa më të shpejtë të qeverisë Berisha. Ndër më radikalet nga pikpamja morale, ka qënë strategjia e propozuar nga Besnik Bare dhe Mustafa Nano, të cilët e kanë konsideruar të gëlltitshme aleancën me LSI-në, për sa kohë ajo mund të ndihmojë në rrëzimin e regjimit berishian.

Një strategji e mesme u propozua para disa ditësh nga Ilir Beqja, në një intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, në të cilën sugjeronte që opozita aktuale të kontribuojë plotësisht në procesin legjislativ, por të kërkojë me vendosmëri krijimin e një qeverie teknike një vit para zgjedhjeve të 2013-ës, si dhe administrim të zgjedhjeve nga një trupë ndërkombëtare.

Duke gjykuar nga afërsia e Beqjes me Edi Ramën, mund të hamendësohet se strategjia e propozuar publikisht prej tij mund të jetë ndër të parat në listën që po bluan në kokën e vet udhëheqësi socialist. Dhe pyetja një milion dollarëshe është se sa e suksesshme mund të jetë ajo.

I vetmi mjet paqësor që ka në dorë opozita për të realizuar dy ndryshimet e sugjeruara nga Beqja është kushtëzimi i reformës zgjedhore dhe reformave të tjera të kërkuara nga BE me dorëheqjen e Berishës dhe administrimin e zgjedhjeve nga një trupë ndërkombëtare. “Nëse kundërshtari ulet në tavolinë me logjikën e hajdutit, nuk ka reformë që të jetë e suksesshme,” – thotë Beqja në intervistën e tij. Pra, lë të kuptojë se dihet që “hajduti” Berisha nuk i pranon këto kushte, por trysnia e “policit” BE mund ta detyrojë atë që të lëshojë pe.

Trysnia e BE-së, në fakt, ka dhënë rezultat me ish-kryeministrin e Kroacisë apo atë të Malit të Zi, të cilët dhanë dorëheqjen pasi integrimi në BE i këtyre vendeve u kushtëzua pikërisht me dorëheqjen e tyre. Por a mund të japë dorëheqjen Berisha për t’i hapur Shqipërisë rrugën e integrimit në BE? Si zor… Për më tepër, BE mund të mos jetë e gatshme t’i ushtrojë Berishës një trysni të atillë që të mund ta çonte këtë të fundit drejt dorëheqjes. Hera e fundit që partnerët tanë ndërkombëtarë ushtruan një trysni vërtetë të fortë ndaj Berishës ka qenë në vitin 1996, kur Departamenti i Shetit Amerikan i kërkoi atij publikisht përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona. Dhe rezultati i asaj trysnie ishte përsëritja e zgjedhjeve vetëm në 17 zona, aq sa të mos prekej shumica prej 2/3 të mandateve parlamentare për PD-në…

Por a do të mund të japë ndonjë rezultat, sado të vogël, strategjia e sugjeruar nga Beqja? Ndoshta mund të realizohet një farë administrimi ndërkombëtar i zgjedhjeve, por do të jetë e vështirë të pengohet një Berishë i mbetur në pushtet të bëjë atë që ka bërë në dy fushatat e fundit me administratën shtetërore, fondet publike, televizionin publik, policinë ndërtimore, tatimore etj. Ose thënë ndryshe, gjasat janë që, në qoftë se ndjek strategjinë e sugjeruar nga Beqja, Ramës do t’i duhet të kryejë një mrekulli elektorale edhe më të madhe se dy të mëparshmet, për të marrë në fund të garës mandatin që kërkon.