Kufizimi i mandateve dhe largimi i zotërve të pushtetit

0
32

Nga Bledar Kurti

Edhe pas dy dekadash post-komunizëm politika shqiptare vazhdon të mbetet foshnjore, duke ecur këmba dorës herë përpara dhe herë pas, herë me ëndra europiane dhe herë me zakone provinciale ballkanase. Pavarësisht përpjekjeve për konsolidim demokratik të mënyrës së qeverisjes, drejtimit të partive, organizimit të marëdhënies së politikë-bërjes me mjetet dhe mënyrat e implementimit, dhe një arene politike me integritet perëndimor, vendi ynë vazhdon të çalojë në aspektet kryesore të shpërndarjes së pushtetit. Sot, ashtu si njëqind e më shumë vjet më parë, pushteti është i shpërndarë në zotër karrigesh, të cilët kush më shumë e kush më pak sundon mbi një territor dhe një numër të caktuar njerëzish. Ndër ta, disa janë të rinj në detyrë por shumë të tjerë kanë njëzetë vjet që nuk shkulen prej karriges e cila i bën të ndjehen zot.

Përpara zgjedhjeve të 8 Majit, u vu re që shumë kantidatë për kryetarë bashkie apo komune kantidonin për të disatën herë. Shumë prej tyre kantidonin për të katërtën herë, duke përfshirë këtu edhe vetë kryetarin e opozitës, z. Rama, i cili ishte vetë në dilemë nëse duhej të kantidonte apo jo. Ka patur raste kur kryetari i partisë ka marë presione nga këta kryetarë komunash apo bashkishë me kërcënimin se në rast se nuk ri-kantidoheshin do sabotonin zgjedhjet duke i shkaktuar kështu një dëm partisë dhe drejtuesit të saj. Ndaj, me sa duket këta zotëra të vegjël pushteti e kanë mësuar mirë formulën e ri-kantidimit dhe nuk do jetë çudi ti shohim të kantidojnë për të pestën apo gjashtën herë në vitet e ardhshme.

Duke mos dashur ti lehtësojmë punë kryetarëve të partive, por duke dashur të mirën e qytetarëve dhe fshatarëve të thjeshtë, dhe zhvillimin e qyteteve, komunave, dhe vendit në përgjithësi, do ishte mirë që me nisjen e betejave politike në shtator mbi ndryshimet kushtetuese dhe kodit zgjedhor, si maxhoranca ashtu dhe opozita të angazhohen për të arritur një marëveshje mbi kufizimin e numrit të mandateve të disa kategorive të shpërndarjes së pushtetit, duke filluar nga kufizimi i numrit të mandateve që nga kryetarët e komunave dhe bashkive, deri tek limitimi i numrit të mandatit të kryeministrit dhe presidentit të republikës.

Teksa shikon disa nga qytetet dhe fshatrat e vendit në mëshirë të fatit, ku kryetari ka tre apo katër mandate në karrige pa bërë as edhe gjënë më të vogël, askujt nuk do i vinte keq të shihte kryepleq dhe zotër pushteti të dalin në pension pas dhjetra vitesh sundimi pushteti territorial dhe ekonomik në komuna apo bashki të cilat i kanë sunduar tribalisht në abuzim me pushtetin dhe në kurriz të njerëzve të thjeshtë.

Gjatë këtij sezoni vere, në qytetet kryesore turistike të vendit u përsërit e njëjtja gjëndje kaotike dhe mungesa e organizimit dhe administrimit turistik. Në vend që situata të përmirësohej ajo duket se po keqësohet nga sezoni në sezon, dhe duke marë në konsideratë numrin e madh të viteve dhe mandateve të disa kryetarëve në drejtim të qyteteve dhe fshatrave turistike, tregon se këta individë nuk kanë më as edhe ndjeshmërinë më të vogël ndaj problematikave themeltare të qytetarit dhe fshatarit të thjeshtë.

Ndaj, duke mos e lënë rikthimin e ndjeshmërisë ndaj shkatërrimit të qyteteve apo përgjegjsinë administrative në vullnetin e lirë të disa zotërve të vegjël të pushtetit do ishte një hap progresist për maxhorancën dhe opozitën e sotme të ndërmernin iniciativën për kufizimin e numrit të mandateve të administratorëve të qyteteve, fshatrave dhe komunave të vendit.

Sigurisht që kufizimi i numrit të mandateve do limitonte punën e disa kryetarëve të rinj të sapo zgjedhur të cilët mund të bëjnë një punë të shkëlqyer në detyrën që kanë, por, mendoj se ka ardhur koha të mënjanohemi nga emocionalizmi ballkanik dhe të sillemi me një racionalizëm perëndimor të bazuar mbi ligjin dhe një seri rregullash të cilat i shërbejnë më së miri shoqërisë.

Dhe, një kufizim i numrit të mandateve të kryetarëve të komunave dhe bashkive do kishte një impakt të jashtëzakonshëm në reciklimin e pushtetit, qarkullimin e elitave, do krijonte një reaksion zinxhir i cili do prekte edhe kategori të tjera drejtuese, dhe do çlironte zemrat e shqiptarëve nga frika e përjetësisë së pushtetit.

Një nismë e tillë do sillte një kredibilitet të madh popullor në forcat politike që do e propozonin dhe mbështesnin. Madje, nëse do konsiderohej marja e një iniciative për aprovimin e një ligji mbi kufizimin e numrit të mandateve edhe të kryeministrit ajo do merte përmasa historike.

Në aspektin pragmatist, cilido kryetar partie që do e propozonte një ligj të tillë do i shtonte shumë pikë vetes për zgjedhjet e vitit 2013. Nëse do ishte Rama nismëtari i një iniciative të tillë do tregonte se nëse garon të bëhet kryeministër do drejtojë qeverinë për një numër të limituar vitesh duke i larguar votuesve frikën se mos ndoshta nuk zbret më nga karrigia e pushtetit.

Nëse ky propozim vjen nga Meta atëherë kjo do mbështeste progresismin në lëvizjen për integrim që paraqet partia që ai drejton. Por, nëse një iniciativë e tillë do vinte nga kryeministri Berisha, kjo do kalonte çdo parashikim dhe do mbetej një moment i rëndësishëm në dy dekadat post-komuniste.

Edhe ata që nuk e kanë votuar Berishën do e konsideronin hero dhe burrë historik shteti nëse do ishte iniciatori i kufizimit të numrit të mandateve të kryetarëve të bashkive dhe komunave. Për më tepër, do e ngrinin në piedestal nëse ky kufizim mandatesh do prekte edhe karrigen ku ai ulet, atë të kryeministrit. Nëse Berisha do ndërmerte një iniciativë të tillë përpara zgjedhjeve të 2013-ës, i fitonte ato dhe pastaj largohej vullnetarisht para apo në përfundim të mandatit kjo do e bënte të largohej me lavdi dhe si një figurë politike historike.

Politikanët tanë e përmendin shpesh politikën amerikane dhe sistemin e saj qeverisës. Në shumë fushata zgjedhore, fjalime në parlament, debate televizive, etj, përmenden shpesh shembuj të historisë amerikane, thënie të famshme presidentësh, e të tjera si këto. Për më tepër, vitet e fundit kemi parë që imazhet e fushatave dhe promovimi i figurave kantiduese janë të stilit amerikan, sëbashku me numrin e madh të parave që shpenzohet si gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ka ardhur koha që politika jonë të marë disa cilësi të tjera të pakushtueshme nga ajo amerikane, dhe kufizimi i numrit të mandateve qeverisëse nën shembullin e dy mandateve të Presidentit të SHBA do ishte një nismë historike.

Në disa vende të botës numri i mandateve i disa posteve qeveritare apo administrative është i kufizuar, në disa të tjera jo. Vendi ynë ka një të shkuar të hidhur me zotër pushteti, dhe për më tepër koha dhe situata aktuale po tregojnë se vendi ka më shumë nevojë për shërbëtorë të ligjit sesa zotër pushteti, ndaj nëse politika e sotme do e merte në konsideratë një iniciativë të tillë do tregonte një shenjë pjekurie dhe altruismi.

Do ishte një fillim i mbarë për sesionin e ri të parlamentit të Republikës së Shqipërisë ta nisë jetën parlamentare duke i hequr disa privilegje politikës dhe duke çliruar shqiptarët nga frika e sundimit, duke kufizuar pushtetin e vetes dhe duke shtuar shpresën e shqiptarëve se edhe vendi ynë do bëhet si vendet e tjera perëndimore ku nuk ka zotëra pushteti por njerëz që drejtojnë duke shërbyer, dhe ligje që nuk lejojnë askënd ta quajë veten mbret apo zot.