Vizat, përtej verës s’ka më histori

0
57

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 25.12.2009

E dinim se s’do t’i kishim këtë vit, por a do t’i kemi vitin tjetër! Kjo është ajo që mund të thuhet për mungesën e popullit shqiptar në koncertin e lëvizjes së lirë të fqinjëve tanë maqedonas, serbë dhe malazezë në hapësirën Shengen të Evropës së Bashkuar para pak ditësh.

Është e vërtetë se si popull, por edhe si politikë, shpeshherë, e kemi shërbyer dhe merituar, në mos më shumë se fqinjët tanë, së paku sa fqinjët tanë, të drejtën e lëvizjes pa viza në Evropë. Ne kemi qenë të parët që bashkuam emrin e lirisë me emrin e Evropës. Ne i hapëm të parët dyert dhe zemrat Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në vitin 1999, ne pritem rreth shtatëqind mijë shqiptarë të Kosovës.

Regjimi serb i Millosheviçit i përzuri me zjarr dhe hekur për të destabilizuar Evropën, Shqipëria e vogël, por bujare ia dogji këtë plan pa shpërblim, pa çmimin Nobel të Paqes, pa shumë falënderime. Drejt më e thënë, e bëri të veten qysh atëherë populli shqiptar për të fituar lëvizjen pa viza, por nuk eci kush për të.

Më shumë se një e katërta e popullit të Shqipërisë jeton, punon dhe mëson sot me nder e dinjitet në Evropë; nuk ka familja shqiptare që nuk ka një apo dy pjesëtarë a të afërm në Greqi dhe Itali.

Shqiptarët janë populli më i padyzuar i Ballkanit, për sa i përket orientimit properëndimor si kahje dhe si qytetërim, edhe pse kemi tre besime fetare. E megjithatë, Evropa na ndau nga fqinjët në lidhje me vizat. Na ndau në kohë.

Politika ka këtë specifikë që gjen gjithmonë arsye të forta për të përligjur atë që do dhe atë që s’do të bëjë. Ne mbetem për në verën e ardhshme, sepse nuk arritën t’i plotësojmë kushtet e udhërrëfyesit. Ky është shpjegimi që na është dhënë.

Lajmi nuk plasi tani, kur pamë të tjerët duke festuar. Kush nuk ka dashur të besojë pa e parë, e ka lënë për këtë fund viti krejt dozën e dëshpërimit. Të tjerët, që e dinë se Evropa ecën me plane të shpallura, kanë pasur rastin ta harxhojnë pikë-pikë mërzinë e tyre, qëkurse është marrë vesh se Shqipëria nuk do të ishte në një tren me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Ngushëllimi ynë dhe shpresa jonë në këtë moment të palumtur është treni i ri për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, është vera e vitit 2010, si afati më i afërt për këto dy vende, janë kriteret e qarta të udhërrëfyesit që në tërësi kanë karakter teknik. Këtu duhet të qëndrojmë. Është shenjë inteligjence të qëndrojmë te udhërrëfyesi, pa u hallakatur nëpër kërkesa dhe arsye që nuk janë pjesë e këtij dokumenti.

Ministri i Jashtëm, ILir Meta, por edhe të tjerë zyrtarë të lartë para tij, të kompleskuar nga parakalimi i serbëve, malazezëve dhe maqedonasve, apo duke dashur t’u përgjigjen kritikave në adresë të qeverisë “Berisha” për mospërmbushjen në kohë të kërkesave të udhërrëfyesit, i kanë mëshuar shumë faktit se Shqipëria ka qenë një diktaturë nga me të egrat dhe vendi më i izoluar në Evropë. Prandaj, edhe i vonohen vizat, në krahasim me vendet e ish-Jugosllavisë.

Që Shqipëria dhe shqiptarët do t’ia shihnin sherrin Enver Hoxhës edhe pas vdekjes së tij dhe regjimit të tij, kjo s’ka dashur mend e kalem për t’u kuptuar. Por, nga ana tjetër, ky është një argument shumë i rrezikshëm për çështjen e vizave.

Sepse, Enver Hoxha dhe komunizmi aty janë, pjesë e historisë sonë, s’kemi ç’u bëjmë. Dhe do të jenë, siç janë tani, edhe në verën e ardhshme, edhe pas një vitit, edhe pas dy vjetësh. Vetëm pas shumë e shumë dekadash mund t’u shuhet emri.

Kushdo që kërkon të na i përdorë kundër aspiratave tona për integrim, sigurisht na e ka më të keq, sepse e kaluara nuk përgjigjet. E dimë të gjithë se diktatura enveriane ka lënë gjurmë në kujtesën evropiane dhe në njëfarë mënyre vazhdon të na identifikojë pjesërisht në sytë e evropianëve, që kanë njohuri për të kaluarën e Shqipërisë.

Por, nuk jam i sigurt a përfshihet kjo trashëgimi si argument për çështjen e vizave. Më mban një shpresë se Meta dhe zyrtarët e tjerë të rangut të tij e përdorin me lehtësi, për të justifikuar vonesën e radhës, pa u thelluar në natyrën kontraverse të argumentit. Udhërrëfyesi nuk përmend në asnjë pikë çështje që lidhen me të kaluarën politike të vendit.

Posaqë na është dorëzuar, do të thotë se Evropa na do brenda kështu siç jemi, pa prapashtesa të tjera. Por, po të ekzistojë gjëkundi ndonjë kriter apo ndonjë mendim për të kaluarën, që mund ta influencojë procesin e liberalizimit të vizave, presidenti i Republikës, Topi, kryeministrit Berisha, ministrit i Jashtëm, Meta, dhe zyrtarët e tjerë të lartë të vendit, përfshirë shefin e opozitës Rama dhe politikanët opozitarë të marrëdhënieve me jashtë, duhet të investohen njëzëri pranë Bashkimit Evropian, kundër këtij pseudo-argumenti.

“Material” ka boll. Shqipëria dhe shqiptarët janë ndarë me protesta dhe mandej me votë nga Enver Hoxha dhe regjimi i tij, sapo u është dhënë mundësia e parë për të manifestuar sensin e lirisë dhe orientimin properëndimor.

Partitë që kanë në program mbrojtjen e figurës se Enver Hoxhës nuk marrin vota. Nëse shqiptarët kanë qenë më të izoluarit në botë, jo për zgjedhjen e tyre, ky është një argument më shumë për tua dhënë atyre të parëve të drejtën e lëvizjes së lirë.

Në gjithë këtë reagim, nëse ekziston problemi, ia vlen të merret edhe përvoja serbe. Sepse, ata ia kanë dalë të kapërcejnë një diktator si Millosheviçi, që i ka kushtuar shumë shtrenjtë Evropës me luftërat që ka bërë. Kaq për një “kërkesë” që nuk është në udhërrëfyes.

Problemi, ndërkaq, ndërlikohet nga konfuzioni që krijohet me kërkesat që janë në udhërrëfyes. Një ambasador i nderuar i një vendi të vogël mik deklaron se kërkesat për heqjen e vizave janë vetëm teknike. Një tjetër ambasador, po aq i nderuar i një vendi të madh mik, deklaron se Shqipëria po shënon progres në plotësimin e kërkesave teknike që lidhen me pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike, por ju mbetet shumë për të bërë në çështjen e luftës kundër korrupsionit, në fushën e të drejtave e tjerë.

Deklaratat e dy ambasadorëve dhe të zyrtarëve të tjerë evropianë e çlirojnë çështjen e vizave nga kriza politike e marrëdhënieve shumicë-opozitë që po përjeton vendi prej disa muajsh. Kjo është e përbashkëta e deklaratave.

Ky është lajmi i mirë për të gjithë. Kriza parlamentare, kështu siç po zhvillohet, mund të ndodhë edhe po t’i kishim vizat, madje edhe po të ishim anëtarë të BE-së, siç jemi anëtarë të NATO-s. Çdo spekulim me këtë temë nuk ka kontekst, nuk ngjit. Çështja e vizave nuk mund të përdoret nga askush për të nxjerrë nga zjarri gështenja të tjera.

Por, deklaratat në fjalë, siç e thamë, nuk janë identike dhe ngrenë disa pikëpyetje. Në ç’masë lufta kundër korrupsionit mund të perceptohet si kriter teknik dhe në ç’masë si kriter politik? A është lufta kundër korrupsionit një kriter i hapur, që mund të përdoret si llastik, në vartësi të vullnetit politik mbizotërues në lidhje me vendimin që do të merret?

Pyetje të tilla mund të vijojnë. Në stratagemën e vizave, e rëndësishme është që qeveria të mos flejë mbi dafina, të mos bjerë në vetëkënaqësi, duke u kufizuar në disa kritere strikte teknike të plotësueshme, të shohë me lupë gjithë regjistrin e kërkesave të udhërrëfyesit, madje mundësisht edhe çfarë shkruhet midis rreshtave.

Në qoftë se i duhet opozita, qeveria duhet ta marrë, duke hedhur hapin e para. Në qoftë se ka ende ngricë në nivelin e liderëve kryesorë, për vizat mund të fillohet të punohet me politikanë të nivelit të dytë.

Shqiptarët presin të lëvizin pa viza në shtator të vitit të ardhshëm. Qeveria nuk duhet të harrojë se përtej verës së ardhshme nuk ka më justifikim për të, nuk ka më histori për vizat.