Nga Astrit Vorpsi
Asnjëherë nuk kam parë kurorëzim të madhërishëm si këtë vit të festimeve të Ramazanit në Tiranën tonë të veshur e tëra në blu. I ndritë shpirti atij dijetari që ka thënë: “Çdo koncept i ri sjell një epokë të re”. Kam gjithë këto njëzet vjet pas rënies së diktaturës në Shqipëri që pres të vij mesazheri i koncepteve të reja shoqërore e shpirtërore për të hapur një epokë të re për shqiptarët e raskapitur. Festimet e Ramazanit të këtij viti me Iftaret sipas protokolleve ceremoniale shtetërore të shtruara nga një prej titullarëve më të lartë shtetërorë për çdo javë në Tiranën tonë, busull e bumit ekonomik botëror, më lumturuan si asnjëherë deri më tani.
Shtyllat e pavarura të shtetit e treguan kësaj here se janë vërtetë të denja për t’u quajtur të tilla, pasi të pavarur nga Kryeministria e bëri Kuvendi iftarin ceremonial. Të pavarura e të organizuara më vete ishin festimet por në një harmoni që të jep të qartë pamjen ceremoniale të një orkestre simfonike madhështore. Harmonia e festimeve të Ramazanit këtë gusht viti i kishte të gjitha pjesët përbërëse të një koncerti madhështor simfonik sipas traditës që ka krijuar perëndimi. Nuk mungoi Uvertura, hapja e ekzekutuar me një mjeshtëri të rrallë nga Kryetarja e Parlamentit. Një kombinim i përkryer i fillimit të festimeve me Iftarin e shtruar nga Jozefina Topalli.
Të gjen shpirti rehat kur shikon që një drejtuese shteti nderon me të gjitha detajet ritet fetare të një feje tjetër. Shembull për të gjithë të tjerët, në komuna, në bashki qarqesh, në prefektura, në të gjitha ministritë, kudo ku ka njerëz që aspirojnë një frymë të re të bazuar në koncepte të reja.
Imagjinoni Enver Hoxhën në Ferr tek ndjek me vëmëndje festimet e Sali Berishës, aventurat e pazaret sfiduese të Kryeministrit pa i hyrë ndonjë shkop gjëkundi, dhe Enveri duke iu mburrur byroistëve që ka përreth me fjalët lapidarë: “S’ka kala që s’e marrin komunistët”.
Ndërsa At Zef Pllumi nga Parajsa (i ndritë shpirti aty ku është) duke parë Jozefinën u drejtohet kardinalëve: “Më doli fjala kur u thoja që Jozefina është myslymania më e madhe n’mes t’katolikve”.
Tregojnë se në Malajzi një sheik e thërriti Jozefinën me emrin Jozllëm Topallëk kur e priti në sarajet e tij me fjalët: “Mirësevjen Jozllëm arnautllëk, KADAIFI KURUM i PARLAMENTIT”, (Kurum- i zi, blozë).
Si ai prijësi i zezakve që deklaroi: “I have a dream”, kështu edhe unë mund të thërras deri në kupë të qiellit” I’m living the dream”. Përpara 15 vjetësh mbreti sheik saudit na tha: “ Bëjeni fenë në vendin tuaj njësh me politikën dhe do shikoni mbarësinë e popullit e të vendit drejt ëndrrës së Allahut. Nuk na duhen armët, na mjafton lloji i njeriut Sallëm Berisha e punët do na shkojnë si veshka në mes të dhjamit”.
Ja ku jemi, sot te ne politika, shteti, feja janë një e të pandarë. Endrra po bëhet realitet. Gjatë këtij Ramazani organizuan Iftar edhe drejtuesit myslymanë, por shumë vakët me gjithë dëshirën e tyre të madhe, shumë larg bujës, madhështisë, kujdesit të pozimit nëpër tavolina, fotove qëndrore nëpër gazetat brenda e jashtë vendit, krahasuar me ato dreka Iftari nën patronazhin e Kryetares së Parlamenti, Kryeministrit, Presidentit dhe Kryebashkiakut blu të Tiranës. Ngazëllimi më shtyn t’a quaj këtë të kësaj here “Panairin e Iftareve shtetërorë në Tiranë”.
“Le t’a përhapim në gjithë zonën tonë të dikurshme si një epidemi modelin shqiptar dhe atëhere do e kemi mbërthyer Greqinë si në mes të thumbave të një akrepi”, deklaroi ministri i jashtëm turk para një viti në kafen e përcjelljes në Prishtinë.
Dikur, në vitet e para të demo-fondamentalizmit fetar, vumë re popullaritetin e madh fallco që morën emrat e atyre profesorëve e profesoreshave të cilët u futën nëpër librat vjetorë komerçial “ëho is ëho”. Ishin një flluckë sapuni. Nuk mbeti titullarë në Tiranë pa hyrë nëpër këto libra vjetorë për merita të paguara nga ata vet. Tjetër gjë është të jesh nxitës, përkrahës, mëshirues i një ndjenje të lartë shpirtërore të materializuar nëpërmjet respektit për ritet e Ramazanit dhe të kurorëzuar me një Iftar special. Ja përse e meriton Jozefina publikimin e emrit të saj me gërma të verdha floriri në botimin special të vitit të festimeve ceremoniale të Iftareve nëpër botë. Me emrin në këtë libër merr vlerë kontributi i një personaliteti.
Në një libër të tillë mishërohet ëndrra dhe vullneti injë populli që të ndjek pas në udhëtimin e gjatë drejt amëshimit. Entuziazmi që më përshkon me këtë rast më shtyn më tej që si një ëndërrimtar i cili po jeton ëndrrën e tij myslymane shqiptare të propozoj në instancat më të larta përkatëse krijimin e një Çmimi për ceremoninë fetare vjetore më të denjë. Le t’a quajnë “ Çmimi i madh Jozllëm Topallëk”.
Ah, sikur të bëhet ajo që flitet se, i është kërkuar drejtorit të TOB-it që programin e datës 30 dhjetor të quajtur Gala e Tiranës (miniatura e asaj të Vienës) t’a bëj në datën 24 dhjetor me rastin e ndarjes së “Çmimit të madh” me emrin e Jozefinës.
Me shpirt uroj që këtë punë t’a vëri në rrugën e realizimit sëbashku me dekoratën përkatëse Presidenti Bamir Topi se këto punë ai i bën mirë, dekoratat janë meraku e dhuntia e tij natyrale. Sshtu si ka edhe emrin, që të bëj mirë e më pas i bën topin. Dikur ishim Ylli i pashuar i marksizëm leninizmit, sot jemi Hëna shëndritëse e mësimeve shpirtërore të Allahut.
E kemi merituar një përcaktim të tillë edhe për një çfaqje unikale në festimet e këtij lloji. Nuk ka bukuri më të madhe sesa të shikosh shqiptarët, tironas e nga krahinat, të rrjeshtuar krah njëri tjetrit në formë gjysëm hëne, formë vendosjeje që e imponon edhe vendi i faljes përpara xhamisë te sheshi qëndror në Tiranë, të cilët të përkulur në gjunjët e tyre duke puthur qylymat shumëngjyrësh, drejtojnë pjesët e prapme të trupit në drejtim të qiellit. Eshtë madhështore vëllezër e motra e dua t’ju pyes se cili kryeqytet i botës çfaqet me foto të tilla në internet!? Fotografia përfaqësuese në të tilla raste tregon vërtetë një xhami të vogël në qëndër të kryeqytetit, ama turma e njerëzve ku duken kurrizet e besimtarëve si trupat e qingjave duke kullotur në tufë m’a ngroh zemrën me një ndjenjë adhurimi hyjnore për bashkëqytetarët e mi.
Një epokë të re po hapim me këto vlera të reja shpirtërore që po sjellim nëpërmjet shtetit tonë “laik”. Kemi shumë të drejtë të jemi të gëzuar në këtë ditë ceremonie të madhe e cila na u ndriçua akoma më shumë nga ceremonia e Iftarit të organizuar prej Kryetarit të bashkisë së Tiranës. Fara e hedhur prej vitesh po lulëzon në mes të Tiranës te simboli Lulëzim Basha. Një gazetar mëndjelehtë pyeste “ Kush ia theu dorën Lulëzim Bashës?. Fryma e shenjtë e kërkonte çfaqjen e Lulëzim Bashës me dorën e plagosur, si një martir që ka vendosur të luftojë deri në vetmohim për idealet e larta shpirtërore të qytetarëve të tij. Ku ka më bukur, më frymëzuese sesa të kesh një martir si Lulëzim Basha që simbolizon të gjitha ato virtyte të dhunuara në vendin tonë tash prej 100 vjetësh nga shteti laik shqiptar.
Ceremonitë filluan me Uverturën e Jozefinës Topalli dhe u mbyllën ditën e fundit me martirin Lulëzim Basha. Me këtë rast njohja e një vlere të jashtëzakonshme Kryeministrit nuk mund të injorohet. Gjithë këtë orkestër madhështore e dirigjon me një profesionalitet të jashtëzakoshëm kryeministri Sali Berisha.
Mos kini hiç dyshime e iluzione vëllezër e motra për rrugën që po përshkojmë. Kjo e gjitha ka një pikësynim të madh – afrimin sa më shpejt me BE dhe strukturat euroatllantike, grusht bashkuar rreth Kryeministrit Sali Berisha!!! Aferim Efendi Berisha!!!
Zemra m’a ndjen se te burra si Kryeministri Berisha ndjenja e ndrydhur gjatë viteve të diktaturës sapo ndjen erën e demokracisë merr forcën e një uragani, maturinë e ideve dhe profecive të një Profeti.
Sa madhështore!! Kryetari i qeverisë me zellin e tij të papërmbajtur si një dirigjent i madh e la në hije kryesinë e komunitetit, të cilët përtypnin Iftarin dhe uronin thellë nga zemra, me shpirt të ngazëllyer vullnetin e pathyer të Kryeministrit Berisha për t’ua lehtësuar punën, për t’ua shtruar rrugën e mundishme drejt të Madhërishmit popullit të tij adhurues të riteve festive fetare. Le t’a shohim të gjithë sëbashku Sali Berishën më shumë si një profet të së ardhmes sonë nën frymën e mësimeve të shenjta.
I kërkuam Kryeministrit të ndritur Berisha që t’na e bënte ëndrrën realitet dhe ai n’a e bëri. Na e dha Lulëzim Bashën kryetar bashkie të kryeqytetit. I kërkuam që të na bënte të pasur pa punuar, e bëri, qoftë edhe për pak kohë ne prekëm parajsën e premtuar. S’ke ç’thua! Populli kërkoi që vendin t’a fuste në NATO, e bëri. Tani është NATO që na lutet e përgjërohet ne shqiptarve se mos ndryshojmë mendje e i kërkojmë profetit tonë Berisha që të na nxjerrë nga Aleanca. I kërkuan strukturat euroatllantike që të krijonte modelin e festimeve shtetërore fetare me Iftare sipas protokollit shtetëror e ai bëri, që i ndritëtë shpirti atje në Kryeministri.
I vajti kërkesa nga TV Klan që Blendi Fevziun t’a shpinte me delegacion zyrtar për t’u bërë “Haxhi” në Mekë, e ai ua realizoi këtë dhuratë miqve të tij televizivë. Sabri Godo si “njeri me integritet që nuk e njeh servilizmin”, ia kërkoi zyrtarisht që t’a bëj LulëzimBashën kryeministër dhe vet Berisha të kurorëzohet përsëri president e ai do bëj gjithë sa i jep në dorë e në mëndje forca e Profetit që t’a materializojë kërkesën sublime të plakut Godo tani në pleqërinë e tij të vonë.
Ky model e ngazëlloi edhe ambasadorin amerikan që t’a shtronte edhe ai një Iftar sipas valles së shtetit e të burrit të shtetit Berisha që ai e respekton pafundësisht. Shqipëria një realitet magjepsës, euaziatik. Ngazëllimi më elektrizon çdo qelizë të trupit kur kujtoj vargjet: prej Iftarit veç ai largohet, Që është lindur tradhëtor, kush është burrë nuk frikohet, por vdes profet, si një dëshmor.







