Armiqtë tanë të dashur

0
59

Nga: DRITAN HILA

Në ditët e sotme, dhe ky fenomen do vijë në shtim me ecjen e akrepave, vihet re një rritje e oreksit të fqinjëve për të kafshuar pjesë të historisë dhe popullsisë shqiptare. Dhe grekët e turqit më së shumti, por kjo vlen për të gjithë, do korrin rezultatet e para, nëse shoqëria shqiptare nuk reagon.

Grekët po e realizojnë qëllimin e tyre, që, në censusin e tetorit të futet edhe elementi i vetëdeklarimit etnik dhe fetar. Gjithë mekanizmat në shërbim të Megali Idhesë, ku hyjnë Kisha Ortodokse Autoqefale e greqizuar shqiptare, partitë dhe shoqatat e ekstremizuara të minoritetit grek, PBDNJ dhe OMONIA, dhe qarqet shoviniste me bazë në territorin grek, së bashku me segmente të shtetit fqinj, tashmë duken të harmonizuar dhe të rakorduar për fillimin e këtij regjistrimi dhe mbushjen e formularëve sipas synimeve greke, nga elementë shqiptarë që janë të varur në njëfarë mënyre nga shteti grek.

Qeveria shqiptare luajti rolin e ndihmësit më të mirë të këtyre qarqeve, dhe deklaratat lapërdhare të kryeministrit Berisha ndaj kundërshtarëve të regjistrimit, faktuan edhe njëherë që armiku më i egër i shqiptarëve del gjithmonë nga raca e tyre. Kjo përbën një tregues, se regjistrimi në këtë formë siç është, është një kusht i panegociueshëm i atyre që ia kanë zënë kokën me derë Berishës, dhe i cili, për të shpëtuar interesat e tij meskine, në stilin klasik, sulmoi me një fjalor idiot, kundërshtarët, ku nuk mungonin fjalët pa lidhje për komunizmin, demokracinë, mirëqenien, patriotizmin, por që asnjë nuk kishte lidhje me problemin konkret.

Por fjalori ishte i mjaftueshëm të mobilizojë ndjenjat më të zeza të përkrahësve, pasi ndjekësit e tij frikësohen se një kundërshtim i këtij regjistrimi mund të sjellë rrëzimin e Berishës nga faktorë të jashtëm, dhe rrjedhimisht, fundin e pushtetit të tyre klanor e krahinor. Patriotizmi për renegatët shqiptarë ka qenë gjithmonë i lidhur me qesenë, ndërsa mercenarizmi është konsideruar një profesion i nderuar. Esad Pasha, Ahmet Zogu dhe të tjerë më pak të dëgjuar, që të gjithë shitës të paskrupullt të interesave dhe territoreve të Shqipërisë, ndjekësit e tyre i kishin po shqiptarë.

Qesharak ishte reagimi i Partisë së Çamëve, dhe votimi në parlament tregoi se oreksi i saj nuk është drejtësia historike, por drejtoritë me qar. Skenarët groteskë dhe sjelljet prej Don Kishoti të deputetëve të saj dëshmuan se nuk janë në gjendje jo t’i bëjnë presion një kali pa patkonj si Berisha, dhe ta sensibilizojnë opinionin publik për këtë çështje, por një polic grek në Qafë-Botë e bëri gazin e botës deputetin e kësaj partie. Futja e klauzolës së gjobës në ligjin e regjistrimit për ata që deklarojnë kombësi të ndryshme nga ajo që rezulton në zyrat e gjendjes civile, është e pazbatueshme, pasi ky shtet nuk është në gjendje të kontrollojë një grusht komisionerësh të qendrave të votimit, lëre më të verifikojë kombësinë e mijëra shtetasve.

Pas kësaj, kur të vetëdeklaruarit të dalin më shumë se 3% me kombësi greke, saç është shifra aktuale zyrtare, shovinistët, do t’i përdorin shifrat për t’u bërë presion edhe të moderuarve të Greqisë për një politikë më agresive në mbrojtje të këtyre pakicave, por që realisht, do të thotë ekspansion territorial në të ardhmen. Edhe në skenarin më rozë, ku në fazat e mëvonshme të regjistrimit do verifikohet se një pjesë nga të vetëdeklaruarit nuk janë grekë, por shqiptarë, nuk do ketë vlerë, pasi fqinjët tanë dinë ta falsifikojnë historinë, edhe pa pasur gjë në dorë. Lëre më të kenë shifra gjysmë zyrtare, qoftë edhe paraprake, të dhëna nga vetë shqiptarët.

Thëniet papagalleske të Berishës se Greqia është aleati ynë në NATO dhe BE, janë nul, pasi ky “aleat”, nuk do t’ia dijë për askënd, kur bëhet fjalë për interesat e tij. Ndërsa shqiptarët shpejt do kuptojnë, se për hatër të pushtetit të pëgërë të Berishës, janë shitur interesa strategjike më shumë se ç’kanë bërë gjithë tradhtarët e këtij kombi të marrë së bashku. Punë muajsh, do vijë në rend të ditës edhe çështja e kufirit detar, dhe prapë do dëgjojmë për humbjet tona, pasi mungesa e ekspertëve në komisionin e ri dhe pandëshkueshmëria e atyre që bënë plehërllëkun e marrëveshjes së shkuar, janë tregues se për Berishën, interesat e vendit, dhe sidomos ato të Jugut të Shqipërisë, nuk janë të afërta fare.

Një kërcënim tjetër i vjen vendit nga turqit, të cilët i quajmë shpesh edhe miq. Pa i hyrë rikujtimit të historisë, turqit aktualë, me doktrinën e tyre të otomanizmit të ri, kërkojnë gjetjen e kamikazëve për interesat e tyre në rajone të ndryshme. Kujt i shërben një miqësi me Turqinë, nëse kjo e fundit ka filluar të shikohet me dyshim për besnikërinë e saj nga aleati ynë më i madh, SHBA-ja? Pse u dashka që Shqipëria të jetë një mike e Turqisë, kur kjo, përveçse tensionon Greqinë, e cila këtë miqësi e koncepton si një thikë mbas shpine, por edhe neve na etiketon si pararojë të islamizmit në Europë?

Çfarë përfitimesh ka çështja jonë kombëtare dhe interesat tona ekonomike nga kjo aleancë? Këto janë disa nga pyetjet, përgjigja e të cilave është se, asgjë nuk na lidh me Turqinë, përveçse marrëdhënieve të interesit reciprok. Nëse kemi miq, që kanë korrigjuar padrejtësitë tona historike, këta janë SHBA-ja dhe Perëndimi. Nëse Turqia e ka mirë me ta, e ka mirë edhe me ne. Përndryshe, secili në rrugë të vet.

Turqia është një vend në ekspansion ekonomik, por kjo, duke e krahasuar me gjendjen ku ka qenë më përpara. Në raport me standardet perëndimore, as universitetet, as qendrat e kërkimit, as teknologjia e lartë, nuk flasin turqisht, që do të thotë se çmohet për krahun e lirë të punës, ndërsa hopi i saj lidhet edhe me praninë në një zonë gjeografike thellësisht të prapambetur. Ky vend nuk është shembull për standardet demokratike, dhe ca më keq, lidhur me ne, po tregon se, pavarësisht largësisë gjeografike, nuk i intereson kohezioni shqiptar, por po aq sa grekëve, dhe ca më keq se këta të fundit, do ta përdorë Shqipërinë vetëm si një bombë diversioni, për interesat e saj neo-otomaniste në një skenar të mundshëm konflikti.

Perandoria otomane, trashëgimtarë të së cilës, duan apo jo turqit, ata janë, ka qenë burgu i popujve nga i cili ne mezi dolëm me kosto të jashtëzakonshme. Ndërhyrja e turqve në mënyrë shtypëse në punët e brendshme të Shqipërisë, pavarësisht gëzimit dritëshkurtër që mund të kenë elementë proislamikë shqiptarë, mund të shkaktojë një tensionim të komponentëve të tjerë të Shqipërisë etnike si ortodoksët dhe katolikët. Tentativat për rishikimin e historisë janë po aq të liga sa të çdo armiku tjetër.

hteti shqiptar, dhe ca më shumë ideja shqiptare, kështu si janë formuar dhe ekzistojnë sot, kanë në bazë armikun e madh të otomanëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun; Rilindja Shqiptare ka si ideologë të saj ortodoksët shqiptarë, të cilët ishin midis thikës osmane dhe helmit grek, dhe bektashinjve shqiptarë, të cilët otomanët, disa herë i kishin kaluar në tehun e shpatës. Ndaj, që të rishikohet edhe një herë historia, duhet që, nëse perifrazojmë Ismail Kadarenë, “të ngresh edhe një herë nga varri/dhe të rivrasësh të rënët”. Kush përkrah idetë e tilla turkoshake, është mendjelehtë.

Në mos qoftë i tillë, është i shitur. Përfshirë edhe ata shqiptarë që i thonë vetes kosovarë të rinj, e me fraza të shkëputura nga autorë të ndryshëm, apo tekste të stisura nga personazhe të dyshimta, vënë në dyshim tërësinë kombëtare dhe ndërgjegjësore të shqiptarëve. Lidhja e Prizrenit u bë në Kosovë, për të mbrojtur Shqipërinë nga Preveza e deri në Tivar, nga Durrësi, e deri në Preshevë. Isa Boletini, kur erdhi në Vlorë, nuk kishte mendjen ta ndante Shqipërinë dysh, ndërsa Ismail Qemali e ngriti flamurin në Vlorë, që hija e tij të mbulonte katër ish-vilajetet shqiptare të Perandorisë otomane.

Një lexim me sy të ftohtë i historisë do na jepte një kuadër, ku Turqia, Greqia dhe Serbia, gjithmonë i kanë konsideruar shqiptarët si monedhë këmbimi. Sa herë shqiptarët kanë tentuar të bëjnë politikë me ta, kanë dalë të humbur, pasi udhëheqësit shqiptarë që flisnin për marrëdhënie vëllazërore apo bashkëpunim, kanë rezultuar të shitur dhe të paguar nga kundërshtarët tanë. Shqipëria ka dalë e fituar, sa herë është shkëputur nga lojërat ballkanike, dhe ka mbushur me forcën e vullnetit politik detin që e ndan nga Italia, si dhe ka hapur një kanal të madh me ata që shtrihen në kufijtë lindor të saj. Ky kanal, le të ketë urat e miqësisë, po të cilat të jenë të lëvizshme dhe të ngrihen sa herë shikohet rreziku.

Ndërsa, për sa i takon regjistrimit, ashtu si në kohët e shkuara, meqë shteti shqiptar rezulton aleati më i madh i armiqve tanë, t’i bëhet thirrje ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, që ta shkruajnë kombësinë e tyre ashtu siç e kanë, pasi Shqipëria, jo gjithmonë ka qenë kaq e varfër dhe e egër, dhe udhëheqësit e saj, jo gjithmonë kaq vulgarë e mediokër. Dikur ka qenë zonjë, e nuk është çudi të bëhet prapë. Ndaj le t’i thonë vetes siç janë: Bij të Shqipes! Tingëllon bukur.