Wikileaks/SHBA: Berisha sulmoi Temën me policë pas publikimit të aferave të djalit të tij në Gërdec

0
39

TemA

Hyrje: Ambasada amerikane në Tiranë i ka kushtuar vëmendje çështjes së mbylljes së gazetës Tema në vitin 2008, kur ministri Ruli vendosi të ndërpresë kontratën e qirasë pa asnjë lajmërim dhe policët nuk lejuan gazetarët të hyjnë në zyrat e tyre.

Në kabllogramin me numër 12958: N/A të publikuar nga Wikileaks nën titullin “Qeveria përpiqet të mbyllë gazetën kritikuese” ambasadori Uithers sqaron Departamentin e Shtetit për mënyrën se si qeveria urdhëroi policinë të mbyllë zyrat e gazetës dhe nuk la gazetarët të hyjnë për ditë të tëra, pavarësisht se gjykata kishte urdhëruar që gazetarët të ktheheshin në ambjentet e tyre deri në një vendim final.

SHBA shqetësohet për mesazhin negativ që jep qeveria duke rrethuar me policë dhe duke treguar forcë ndaj zërave kritikues. Ambasada përmend skandalet e zbuluara nga Tema që mund t’i kenë ngritur nervat kryeministrit Berisha, që nga lidhjet e djalit të tij me Gërdecin e deri tek lidhjet e tij me pastruesin e parave Damir Fazlliç. Edhe sot ambjentet e gazetës Tema vazhdojnë të jenë të kyçura nga policia.

Më poshtë kabllogrami i plotë i ambasadës:

Në lëvizjen e fundit për të shuar zërat kritikues forcat policore kanë rrethuar zyrat e një gazete të vogël të përditshme “Tema” dhe kanë ndaluar stafin e Temës për të hyrë në godinë në katër ditët e fundit, pavarësisht vendimit të gjykatës së Tiranës që urdhëron që Tema duhet të qëndrojë në zyrat e saj. Ngatërresa ndodhi kur qeveria në mënyrë të njëanshme vendosi të ndërpresë kontrat e qirase 20 vjeçare të Temës më 16 dhjetor.

Editori i Temës Mero Baze tha se bllokimi është me natyrë politike dhe ai tha se është një përgjigje ndaj kritikave të tij për Kryeministrin Berisha dhe qeverinë. Nga ana e saj qeveria pohon se i duhet hapësira e zyrave të Temës për “arsye të sigurisë kombëtare”. Dy parti opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste kanë kritikuar gjithashtu qeverinë për aksionin e saj.

Më 8 janar forcat policore rrethuan zyrat e gazetës me tirazh të ulët Tema dhe ndaluan punonjësit që të hynin. Ditën tjetër stafi i gazetës dhe gazetarë të tjerë e akademikë, mbajtën një protestë jashtë ndërtesës. Edhe më 12 janar stafi i Temës akoma s’mund të hyjë në zyrat e tyre, por vazhdon të punojë dhe të printojë gazetën jashtë në zyra alternative të dhuruara nga simpatizantë të medias. Sipas editorit Mero Baze, Tema nuk ka marrë një lajmërim për largimin

Shkoni tek Tema: nxirrini jashtë!

Më 16 dhjetor 2008 ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë njoftim ndërpreu kontratën 20 vjeçare të qirasë për ndërtesën, sipas Bazes. Baze e përshkruan aksionin e qeverisë si një kërcënim ndaj një gazete kritike ndaj qeverisë. Nga ana e saj, qeveria shpalli se Tema duhet të zhvendoset për shkak të çështjeve të “sigurisë kombëtare”; qevria sqaron se ka nevojë për hapësira që të shërbejnë si zyra për programin kombëtar të kartave të identitetit për votuesit.

Tema ngriti padi kundër konfiskimit dhe në 6 janar gjykata e Tiranës urdhëroi që qeveria të ndërpresë përpjekjet për të nxjerrë Temën në pritje të një vendimi final nga gjykata. Tema tani ka në plan që të ngrejë një padi kundër policisë që ka injoruar këtë vendim. Çuditërisht, gjithashtu makina e Bazes u përfshi nga flakët dhe shpërtheu në 31 dhjetor, një rast që policia e etiketoi si një aksident.

Partitë opozitare mbështesin Temën

Lideri i LSI-së, Ilir Meta, tha për median se e drejta e një media për të kritikuar qeverinë është elementi kyç në një demokraci, ndërsa lideri i PS-së Edi Rama gjithashtu apeloi ndaj qeverisë, gjatë një konference për shtyp, që të hiqte dorë nga bllokimi dhe të lejonte gjykatën të zgjidhte çështjen. Rama gjithashtu nxiti drejtorin e përgjithshëm të policisë që të mos përfshinte policët e tij në një çështje politike dhe i kujtoi atij se një gjykatë kishte dhënë vendim në favor të Temës.

Koment:
Edhe pse ndoshta qeveria mund të ketë të drejtë për të lëvizur Temën nga godina, rrethimi i ndërtetës së Temës me policë dërgon ekzaktësisht mesazhin e gabuar – një pikë ku ne dhe të tjerët ia kemi bërë të ditur në mënyrë të përsëritur qeverisë. Reagimi i fortë i qeverisë ndaj Temës jep përshtypje të fortë që ky është vetëm një shembull tjetër se si qeveria do të trajtojë çdo zë tjetër opozitar dhe kritikues, tani që zgjedhjet e qershorit po afrojnë dhe hetimi i Gërdecit po mbyllet.

Ndërsa Baze për një kohë të gjatë ka qenë mbështetës i kryeministrit Berisha, ai e ndërpreu mbështetjen e tij në 2008-ën, dhe gazeta e tij ishte e para që bëri lidhjen mes djalit të Berishës me aferën e Gërdecit dhe raportoi për lidhjet e Berishës me të dyshuarin për larje parash Damir Fazlliç, një biznesmen serbo-boshnjak. Kjo gjithashtu nuk është hera e parë që qeveria ka sulmuar mediat kritikuese ndaj qeverisjes të saj, në 2006-ën qeveria urdhëroi stacionin televiziv dikur kritik, Top-Channel, që të lironte ambjentet ku qëndronte. Rasti është akoma i pazgjidhur në gjyq.