Cilës medie dhe politike i ka besuar SHBA në Tiranë?

0
48

Nga Mero Baze

Një aspekt i pakomentuar i Wikileaks shqiptar, është dhe referimi i diplomatëve amerikanë për faktet e korrupsionit qeveritar në Shqipëri. Në gjithë kabllogramet e publikuara deri tani, shihet qartë se diplomatët amerikanë në Tiranë u janë referuar thuajse vetëm artikujve apo emisioneve investigativ mbi korrupsionin në Shqipëri dhe i kanë bërë pjesë të raporteve të tyre. Media proqeveritare dhe media konformiste e bizneseve shqiptare nuk ka vend në asnjë nga raportet e diplomatëve, duke dëshmuar në mënyrë indirekte mungesën reale të rëndësisë së kësaj medie propogandistike në Shqipëri.

Kështu, unë ndihem mirë si gazetar, kur shikoj se të githa çështjet korruptive, që kanë autorësinë time, të gazetës apo emisionit tim, janë pjesë e raporteve të diplomatëve amerikanë.

E tillë është çështja e privatizimit të ARMO-s, çështja e celularit të katërt, çështja e Fazlliçit, çështja e tunelit në Kalimash dhe probleme të tjera të korrupsionit në vend.

Është interesant fakti se si diplomatët amerikanë kanë ndjekur përpjekjet e Genc Rulit për të futur kompinë ruse Likoil përmes INA-s kroate dhe një kompanie hungareze, apo si e kanë parë me vëmendje çështjen korruptive të Tunelit në Kalimash dhe spekulimet e kryeministrit për to. Për këto çështje, në të vërtetë ne kemi paguar një taksë shumë të rëndë.

Për këtë çështje jemi gjobitur, na janë mbyllur emisioni dhe gazeta, jemi dhunuar fizikisht dhe jemi vënë në shënjestër të mafies së inkurajuar nga qeveria. Fakti që diplomatët amerikanë i kanë referenca këto arritje të gazetarisë investigative në Shqipëri, na bën të ndjehemi mire, pasi së paku kemi arritur të ndikojmë në kancelaritë prëndimore, për të mos kaluar në heshtje abuzime të tilla.

Nga ana tjetër, është interesant fakti se si media qeveritare, jo vetëm që nuk ka mundur të depërtojë në këto qendrime, por as guxon t’i ribotojë këto kabllograme, edhe pasi ato janë bërë publike. Ky është kaneri real i lirisë së medies në Shqipëri, të cilin kemi rast ta testojmë me daljen në dritë të kësaj korrenspodence të diplomatëve amerikanë me Departamentin e Shtetit rreth zhvillimeve në Shqipëri.

Qendrimi që ka mbajtur shtypi shqiptar ndaj çështjeve të korrupsionit në vend, ngjan si dy pika uji me qëndrimet që mban i njëjti shtyp ndaj publikimit të këtyre kabllogrameve. Ata që nuk kanë guxuar të zënë në gojë skandalet kur kanë ndodhur, nuk guxojnë t’i zënë as tani, kur ato përshkruhen si skandale prej diplomatëve amerikanë.

Asnjë gazetë e qeverisë, nuk ka botuar kabllograme, dhe asnjë prej tyre nuk guxon as të flasë rreth tyre. Ky qëndrim e bën më të lehtë për diplomatët amerikanë, pro dhe këdo tjetër, identifikimin e problemit të lirisë së shtypit në Shqipëri.

Ne mund të flasim për media klienteliste apo të njëanshme, por panorama e sotme në fakt flet për një medie të vdekur nga kthetrat e mafias. Biles, më të theksuar këtë panoramë e bëjnë ata që në gjuhën popullore quhen ‘lolot” e oborrit, ata gazetarë që paguhen nga këto media të korruptuara, por që për të krijuar idenë e plurlazimit, kanë leje nga “Mbreti”, të jenë gaztorët e pallatit duke e kritikuar dhe vënë në lojë “Mbretin”, pa i prishur punë.

Fjala vjen, disa prej tyre kanë të drejtë të thonë që përveç Ramës, që duhet të iki nga politika, edhe Berisha ka disa të meta, të cilat duhet t’i rregulojë dhe kjo u llogaritet për pavarësi dhe paanësi prej botuesve të tyre.

Lubonja fjala vjen, ka leje të flasë për një sistem mafioz në tërësi, pa emra, për ndërtues mafiozë në tërësi, pa emra, për mafiozë të Ramës dhe Berishës në tërësi, pa emra, dhe të quhet se e ka kritikuar dhe Berishën.

Por, ai nuk guxon të thotë që Aleksandër Frangaj është mafioz, pasi bashkë me Zamir Manaj, kanë ndërtuar një pallat me 13 kate, ku 5 kate janë pa leje dhe Lulzim Bashë nuk ja mban jo t’ia prishë, por as ta përmendë. Nuk ja mban të hetojë procesin e devijimit të rrugës Tiranë-Elbasan, për të kaluar pranë hipermarketit të Zamirit dhe Sandrit, që është një kapje shteti perfekte. Nuk guxon të flasë për përfshirje të atyre që e paguajnë për emërime nepotike në pushtet, perms të cilave nxjerrin dhe paratë e pista që paguajnë Fatos Lubonjën.

Këta lolo oborri, që kanë leje të kritikojnë për ndonjë pusetë të hapur në rrugë, apo për zhurma të larta të diskove, por jo për ndërtuesin e korruptuar të rrugës dhe pronarin e diskos, janë në të vërtetë fatkeqësia më e madhe e medies shqiptare dhe aleatët më të mëdhenj të mafias në vend, pasi përveçse janë të parrezikshëm për këtë mafie, janë dhe ilustrues të idesë se mafia jonë është tolerante dhe e mirëkupton lirinë e shtypit.

Statistika më e hidhur që del nga leximi i kësaj korrenspodence, është fakti që qeveria amerikane, nuk ka miratuar politikën e qeverisë shqiptare, nuk ka besuar medien proqeveritare dhe nuk ka ndonjë rezervë për politikat e opozitës në vend.

Ndryshe nga Lubonja dhe lolot e tjerë të oborrit, nuk kemi një panoramë vrastare, të tipit nuk bën “as ky, as ai’, por kemi një qendrim të qartë kundër politikave të qeverisë “Berisha”, kundër aferave korruptive të tij dhe kundër atyre që duan t’i mbyllin gojën medies kritike.