
Nga Mero Baze
Mitro Çela, një nga themeluesit e PD dhe i angazhuar gjatë nga PD me problemet ekonomike dhe të bizneseve të saj, tha dje në “Faktori Plus” se Partia Demokratike ka qenë pronare e kompleksit “Tajvan”, dhe se partneri i saj në këtë biznes ka një llogari të paqartë financiare me këtë parti, kur ky kompleks është shitur. Më kujtohet në të vërtetë se Albina Karamitro, një ish-drejtuese e lartë e PD në vitin 1998, i kërkoi Berishës të bëhet publike dosja, sipas saj, skandaloze e shitjes pa lekë të pronave të PD, kryesisht në vitin 1997, në kohën e ndryshimit të pushtetit. Ishte koha, kur shumë militantë të PD ishin në makth për të ardhmen politike të partisë së tyre, dhe për fatin e liderëve të tyre, ndërkohë që lidershipi i kësaj partie ishte në ankth për shitjen e pronave të partisë. Njeriu që i ka firmosur këto dosje ose së paku dosjen e shitjes së kuotave të PD në kompleksin “Tajvan”, është Genc Pollo. Për fat të mirë, si Pollo, si Shehu, ashtu dhe Berisha, tashmë janë bashkë në të njëjtën parti dhe nuk mund të thotë askush që çdo përpjekje për t’ia lënë përgjegjësinë njëri-tjetrit është hakmarrje politike.
Dosja që unë kam parë në vitin 1998, dhe për të cilën kam shkruar rreth vitit 2000, bënte fjalë për një projekt të kompleksit që kushtonte rreth 200 mijë dollarë, por që, sipas partnerit të PD, rreth 194 mijë ishin harxhuar, kështu që ai i detyrohej asaj rreth gjashtë mijë dollarë. Genc Pollo në të vërtetë, në atë kohë që iku, bëri disa akuza publike kundër Berishës, duke theksuar se ai ka marrë pará dhe i ka investuar ato në New Jersey dhe atëherë kishte parasysh Bashkim Ulajn, një njeri të afërt me familjen Berisha, që sot është klienti më i privilegjuar i tenderëve publikë dhe koncesioneve, ndihmuar nga avokatja e tij, Argita Berisha. Nuk jam i sigurt, nëse Pollo kishte fakte për këtë gjë, por ai tani është sërish në PD dhe mund ta rikthejë pa emocion këtë çështje. Po ashtu, dhe Tritan Shehu, kur unë kam botuar diçka për këtë histori, ka akuzuar direkt Berishën se po e shantazhon, por ai mund të flasë.
Mirë është të flasë dhe ai. Nuk jam i sigurt si ka vazhduar historia e transformimit të kuotave, por është shumë e rëndësishme të kuptohet se si Sali Berisha e ka shitur këtë pasuri te një biznesmen, sa lekë e ka shitur, sa e ka vlerësuar metrin katror të tokës dhe sa e ka vlerësuar metrin katror të ndërtimit. Pas kësaj duhet parë, nëse këto pará janë arkëtuar në PD, nëse PD i ka deklaruar këto pará dhe nëse asnjë nga këto nuk është bërë, përse PD dhe Berisha nuk kanë guxim të ballafaqohen me këtë çështje? Një rrugë është shumë e thjeshtë. Mjafton të marrësh dosjen e origjinës së pronës së kompleksit “Tajvan” dhe e kupton fare mirë “zyrtarisht” se ç’kanë bërë me këtë pronë krerët e PD. Mjafton të kujtojmë se për një periudhë gati njëmujore, ajo pronë është rishitur nga 750 mijë dollarë në 1 milion e 300 mijë dollarë nga pronarët e mëpasmë të kompleksit.
Hetimi për këtë çështje duhet të nisë kryesisht nga prokuroria, dhe duhet t’i bashkëngjitet dosjes së hetimit që duhet të hapet pas padisë së bërë dje nga Edi Rama për këtë çështje.
Kjo ka shumë rëndësi të hetohet, pasi kështu shqiptarët do të shikojnë dhe do të njohin disa Sali Berisha. Do të shikojnë dhe njohin Sali Berishën e vitit 1997, kur në ikje e sipër fuste ndonjë lek në xhep nga pronat e PD, duke i shitur ato badihava. Do të shihni Sali Berishën e vitit 2005, kur në muajin janar urdhëronte grupin të votonte kundër, dhe në muajin shkurt të votonte pro për një sipërfaqe rreth 1000 metra katrorë lulishte, me çmim hipoteke, dhe Sali Berishën e vitit 2009, që ka harruar që ka falur kompleksin “Tajvani” për llogari personale, dhe po ashtu ka ndryshuar qëndrim politik në vitin 2005, pasi “ka konstatuar” se u ka rënë më qafë kot pronarëve të kompleksit.
E gjithë kjo sjellje e tij me standarde të shumëfishta për këtë pronë ka vetëm një shpjegim dhe ky është pezmi që atëherë nuk kishte mundësitë që ka sot për ta transformuar realisht atë pronë, nga e PD, në të vetën. Tani që i ka të gjitha në dorë, nuk ka më kompleksin “Tajvani”, dhe me këtë shpjegohet egërsia dhe verbëria e tij pa asnjë normë ligjore për ta shkatërruar këtë biznes.
Hetimi i Sali Berishës në këtë çështje nxjerr më së miri në dritë për shqiptarët kush është ai që flet për korrupsion dhe si është sjellë ai me pronat e një partie, së cilës, edhe pse e ka pronë të vetën, sërish nuk ka fuqi t’i besojë asnjë pronë.







