Mitro Çela: Topalli të sulmojë Berishën, nëse dyshon për korrupsion te “Tajvani”

0
58

Mitro Çela në Këshillin Bashkiak të Tiranës

Nga Tema

Duke folur në emisionin “Faktori Plus”, këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Mitro Çela, zbardh të vërtetën e votimit për shitjen e tokës te parku “Rinia”. Çela flet për faktin që kompleksi “Tajvan” ka qenë pronë e Partisë Demokratike, dhe është shitur në mënyrë të dyshimtë dhe për shumë pak. Gjithashtu, Çela bën të ditur se brenda pak kohësh kishte dy vendime të ndryshme për këtë çështje nga ana e Partisë Demokratike. Vetë Berisha kishte kërkuar që të mos kishte vendim politik për këtë çështje. Këshilltari demokrat thotë se Jozefina Topalli duhet të thotë se votimi u bë ashtu, sepse ishte kërkesë e Berishës.

Ndërkohë, i pyetur për këtë çështje, kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar se ky është një truk i Ramës.

A mund të na jepni versionin tuaj mbi këtë histori?

Kam dëshirë të jap versionin tim, veç të tjerave, pasi duke dëgjuar Jozefina Topallin, nuk tha kryesoren, madje unë mendoj se ka bërë një mëkat. Tani, nga janari i vitit 2005 më merr në telefon Pashko. Tha që “kam qenë për gjah, kam vrarë një lepur, hajde në shtëpi ta hamë, merr edhe gruan.” Shkova në shtëpinë e Pashkos, ishte dhe Spartak Ngjela. Atje njoha edhe Beson e “Tajvanit”. Aty më shpjeguan, Beso, Spartaku nuk ndërhyri shumë, por edhe Pashko, se, kur ka qenë në Ballsh, ka sponsorizuar për fushatë Partinë Demokratike të Ballshit “dhe për këtë ju mund të pyesni, – tha, – ish-kryetarin e partisë në Ballsh”, i cili kishte ardhur në Tiranë, Bertin. I thashë se unë atëherë sa isha futur në Këshill, pasi nuk isha futur që në fillim, se ka një vendim zyrtar, duke qenë se është mbledhur grupi, që kjo tokë nga tokë publike të mos privatizohet, është vendim i grupit. Megjithatë, i thashë unë, po interesohem. Pas disa ditësh erdhët ju, pasi kishit qenë në Amerikë, dhe të dy bashkë shkuam te Sali Berisha. Sali Berisha tri gjëra më kërkoi mua. E para, kalimi i tokës nga publike në private, Edi Rama do fitojë një milion euro. I thashë, doktor, në qoftë se këto pará shkojnë me letra nga privati te bashkia, nuk i merr dot Edi Rama. Së dyti, “Tajvani” ka qenë pjesë e kompanisë “Shqiponja” të Partisë Demokratike. Atë e ka pasur Ismail Mulleti, ka qenë pronari dhe doktori më tha që do të na kthejë neve 150 mijë dollarë. I thashë mos t’i ngatërrojmë gjërat, Ismail Mulleti ia shiti 750 mijë euro një kompanie greke, dhe ai greku ia shiti pas tre muajsh Besos së “Tajvanit” pastaj për 1 milion e 250 mijë dollarë. Dhe kështu, i thashë, ne nuk kemi lidhje me Beson, problemi i vetëm është për këtë tokën. Atëherë bashkë kemi qenë, kur Berisha tha që “do të diskutoni me kryetarin e Këshillit të grupit të PD, Ilir Rusmali, dhe do t’i thuhet që, kur të votohet, këshilltarët nuk kanë qëndrim politik dhe të votojnë të lirë”. Shkuam tek Iliri bashkë dhe i thamë: kjo është porosi e doktorit, ndërsa ai tha që do bisedojë vetë me doktorin. Deri këtu është historia. Pastaj ngjarjet janë në Këshillin Bashkiak.

I keni ndjekur reagimet? Si jeni ndjerë për komentet?

Me thënë të drejtën u ndjeva shumë ngushtë, sepse Jozefina hidhte insinuata se ne ishim paguar. E para, as kam dhënë dhe as kam marrë pará se, megjithëse nuk përmendi emra, për mua besoj e ka pasur fjalën. Jozefina, nëse ka kurajë, se del sulmon edhe opozitën, edhe brenda PD, të ketë kurajën të thotë se ky veprim u bë, sepse tha Sali Berisha, sepse ndryshe nuk bëhet. Unë si më rebeli, kam votuar edhe kundër në disa raste, ndërsa kur ka pasur ngjyrime politike nuk kam votuar fare, edhe përpara tetë muajsh, kur ishte kalimi i buxhetit të bashkisë, unë nuk votova. Në rast se ka kurajë, Jozefina të dalë dhe të thotë që ky kalim u bë, sepse tha Sali Berisha. Ai tha që mos të ketë vendim politik në grup dhe këtë duhet të ketë kurajë ajo ta thotë, pasi është shumë e thjeshtë të sulmosh poshtë, por të sulmosh lart… Politikani duhet të ndeshet me atë që është sipër, me liderin.

Rama në mbledhjen e Këshillit Bashkiak: Jam kundër shitjes me çmimin e hipotekës

Dhe për këtë duhet të votohet për çështjen e pikës së dytë, se ka dy pika aty. Unë dua që për këtë të votoni ju, dakord, që e kam gabim unë. Sepse unë personalisht nuk jam dakord që kjo të ekzekutohet me çmimin e Zyrës së Regjistrimit. Unë kam propozuar që një komision i Këshillit të shkojë dhe të bëjë vlerësimin atje, sepse çmimi i Zyrës së Regjistrimit është i ulët, ky është mendimi im. T’ju them një gjë, unë nuk bëj politikë, unë po ju them se ne jemi në konflikt me disa institucione, sepse nuk kemi pranuar që për shumë objekte të japim OK me çmimin e Zyrës së Regjistrimit dhe vazhdimisht kemi ngritur komisione ekspertësh dhe kemi propozuar çmime të tjera. Në të gjitha rastet e tjera, jo vetëm në këtë, ne kemi vepruar kështu, kemi thënë që nuk e pranojmë çmimin e Zyrës së Regjistrimit dhe për këtë ka pasur shumë probleme dhe ecejake me subjektet dhe institucionet.

“Prokuroria të hetojë shpifjet e mashtrimin për shitjen e tokës te parku Rinia”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, tha dje se çështja e shitjes së tokës te parku “Rinia” duhet të hetohet me imtësi. Rama shtoi se qëndrimi i bashkisë ka qenë korrekt, por kanë qenë votat e Berishës që kanë bërë të mundur shitjen me atë çmim.

“U bënë ditë që Sali Berisha dhe papagajtë e tij përsërisin pa pushim refrenin e një shpifjeje të poshtër në adresën time, lidhur me legalizimin e një pjese të sipërfaqes ngjitur me godinën private të parkut “Rinia”.

Dhjetë padi penale e civile janë regjistruar tanimë, vetëm për këtë çështje në Prokurori e Gjykatë, ku Pinoku i madh, me tërë të vegjlit pas tij, janë të kallëzuar nga Bashkia e Tiranës, një për një, për shpifje për shkak të detyrës.

Sot, unë dua t’i vë në dispozicion përmes jush opinionit publik dokumentet e regjistruara e të shkruara, që tregojnë të vërtetën e plotë mbi këtë çështje, për të cilën ka vendosur me vota të të dy partive të mëdha Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga mendimi im i kundërt, shprehur edhe në debatin e mbledhjes (kujtoj këtu se në atë kohë, unë nuk kam qenë ende kryetar i PS).

Pra, çmimi i shitjes për legalizim të truallit në fjalë, sipas ligjit të asaj kohe, i quajtur sot çmim abuziv nga Sali Berisha, është miratuar në fakt nga Këshilli Bashkiak, me votat vendimtare të përfaqësuesve të Sali Berishës dhe në kundërshtim të hapur me propozimin tim, për një vlerësim të posaçëm të atij trualli, pavarësisht ligjit në fuqi, nga një komision i ngritur prej vetë Këshillit Bashkiak.

Dje, një medie që e ka investiguar imtësisht këtë çështje, ka nxjerrë në dritë edhe faktet kokëforta, që Bashkia e Tiranës i ka vënë për gjykim në dispozicion të organeve të drejtësisë, për të provuar katërcipërisht akuzën tonë për shpifje për shkak të detyrës, në adresë të Sali Berishës e papagajve të tij, një për një.

Në këto kushte, e pamë të udhës të vëmë sot në dispozicion të publikut provat që disponojmë për gjykimin e kësaj çështjeje, me krenarinë për pastërtinë e plotësishtprovuar morale të Bashkisë së Tiranës në këtë rast.

Dhe i siguroj të gjithë, se ky rast përputhshmërie i veprimtarisë sonë me frymën e ligjit e të moralit qytetar nuk përbën një episod të shkëputur, po një konstante të të gjithë veprimtarisë së këtij institucioni.

Institucioni ynë ka qenë, është e do të mbetet një model i kushtetutshmërisë, ligjshmërisë e qytetarisë në kryerjen e misionit të vet, pavarësisht furive të baltës që mund ta godasin e ta ndyjnë përkohësisht, por kurrë s’mund ta mbulojnë gjatë e ta zhbëjnë të vërtetën e Bashkisë së Tiranës.

Sot, një kryeministër i zgjedhur nga populli, normalisht duhet të dilte e të kërkonte falje për këtë mashtrim të publikut, për qëllimet e tij politike, por unë nuk pres që Pinoku ynë në qeveri ta bëjë një gjë të tillë, sepse gënjeshtra e shpifja janë mjetet e tij për të bindur njerëzit, jo thjesht veset e tij si njeri.

Kështu që nuk më mbetet tjetër, veçse t’i rikërkoj publikisht Prokurores së Përgjithshme që hetimi për këtë shpifje e për të gjitha shpifjet, me qëllim mashtrimin e opinionit publik, të mos zvarritet, por të hetohet pa humbur kohë, në radhë të parë për të mirën e publikut, në këto kohë të vështira për vendin”, – tha Rama.