
Nga: Dritan Hila
Në një nga pasazhet e novelës së Prosper Merimes, “Kronikë e kohës së Karlit të IX”, e cila zhvillohet në periudhën e masakrës që vijoi natën e Shën Bartolomeut, kur katolikët shfarosnin hygenotët (protestantët), një nga personazhet, katolik i flaktë, i lodhur gjithë ditën duke vrarë shkelësit e rregullin papal, shkon ditën e premte në lokal, dhe kërkon të hajë. Pronarja i thotë se nuk ka peshk, por vetëm pula, dhe si ditë kreshme që është, nuk mund të hajë. “Bjere këtu pulën” – i thotë ushtari. Pasi ja bien, shqipton “unë të pagëzoj ty pulë, në peshk”. “Dhe tani gatuaje”, ju kthye të zonjës së bujtinës. Sa më sipër, është shembull letrar i standarteve të dyfishta.
Të njëjtën gjë, por në politikë, pamë që, Berisha, e bëri me pulën e tij, Lulin, të cilën e pagëzoi në peshk, dhe po e lëshon të kullosë ujërave të bashkisë. E megjithatë, kjo nuk mund të ndryshojë realitetin. Votimi i Bashës nga një pjesë e kryeqytetit, nuk e bën më me integritet këtë individ, por është tregues i standarteve të ulëta të edukatës demokratike. Nuk mund të bëhen skulptura nga balta. Me baltë, shumë-shumë, bëhen vorba për të zier fasulet. Sa ndodhi, nuk është një faqe e ndritur në historinë e emancipimit politik të shoqërisë.
Çka ndodhi para dy muajsh duket si histori e lashtë në realitetin shqiptar, pasi gafat dhe skandalet nuk ka ditë që mos ndodhin. Komuniteti Ndërkombëtar, ka arritur në pikën e ngopjes me Shqipërinë, dhe indiferenca, është epiteti që mund të karakterizojë politikën që përdor ndaj nesh. Qeveria Berisha, ka kohë që beson se mund të hipnotizojë shqisat e shqiptarëve dhe ti bëjë të besojnë se jetojnë në një realitet siç ajo e mendon dhe jo siç ekziston. Ndërsa ndërkombëtarëve, për t’iu treguar se qeverisja në këtë vend, nuk është çështje institucionesh dhe rregulla loje, por të fortësh dhe liderësh, e bën duke vendosur përballë tyre, ministrin e jashtëm më peshëlehtë të gjitha kohërave, të gjithë trevës Ballkanike.
“Edmond Haxhinasto, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme”, është barcaleta më e shkurtër dhe pa kripë që Berisha ju tregon të huajve. Po të shohësh websitin e ministrisë, konstaton se ky gjynahqar, takon vetëm konsujt e nderit, funksionarë insinjifikant në diplomaci. Kohën tjetër, merret me rregullimin e lulishtes dhe interesohet për parkimin e makinave në oborrin e ministrisë. Vendi është në një izolim të thellë ndërkombëtar, dhe asnjë personalitet i huaj, përjashto vizitat e funksionarëve që bëjnë rolin e zjarrfikësit, vjen në vizitë.
Vendi është në një krizë ekonomike të pa precedent, por kjo nuk është e pranishme në media, jo për shkak të mungesës, por për shkak të fshehjes së statistikave. Dhe ndoshta po ta mendosh ca më thellë, shëmbëllen se as qeveria nuk ka shifra të vërteta, pasi nuk ka aftësinë dhe kapacitetet që ti nxjerrë. Shikuar me vëmendje, qeveria shqiptare po zbaton, të njëjta rekomandime që FMN i jep Greqisë.
Por ndërsa Greqia po i reziston privatizimit të sektorit publik, Shqipëria, pasi ka privatizuar telekomunikacionet, shpërndarjen e energjetikës dhe bankat, ka filluar të shesë hidrocentralet. Nëse Greqia hyn në vendet e zhvilluara dhe me të ardhura të larta, për shpëtimin e së cilës u mobilizua gjithë bota dhe po e ndihmon, e pas së cilës, skenari më i keq, është që grekët të jetojnë në shoqëri ku kapitali privat dhe ai shtetëror, të bashkëjetojnë aty, ashtu siç ka kohë që ndodh në vendet e zhvilluara.
Vendi ynë, Shqipëria, pas privatizimit të hidrocentraleve, nuk i mbetet veçse ti shesë revistës “Forbes” kryeministrin e saj, dhe të përballet me një krizë të pashoqe, të cilat në vende të varfra si ne, lënë pas jo vetëm ekonomi, por edhe shoqëri të rrënuara. Ndërkohë, çuarja e ministrit të financave dhe funksionar i lartë i PD-së, si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, është një ndër sinjalet më pak të evidentuar, por alarmant të kapjes së gjithë institucioneve të shtetit nga kjo parti, dhe e rreziqeve që i kanosen financave të vendit në të ardhmen, kur edhe formalisht, banka qendrore, nuk do veprojë si kontrollor i pavarur.
Pushteti Berishë, siç ndodh zakonisht në shoqëri të varfra, ku punësimi militant, është burimi kryesor i të ardhurave, i ka dhënë hov ndarjeve krahinore. Poshtë Berishës, vjen një piramidë e tërë nepotike, ku në rrathë koncentrikë, që fillojnë nga vendlindja e tij, shpërndahet fuqia dhe favoret e pushtetit sipas skemës “shoqëri në krim”. Pjesa e lidhur me pushtetin, me arrogancën e saj, me refraktarizmin në hapjen për vlerat reale me prejardhje nga gjithë krahinat, dhe jo vetëm të atyre që afrohen për makijazh politik, por pa peshë reale në vendimmarrje, ka krijuar farën e një rindarje të re të vendit në Toskë e Gegë.
Ndërkohë, opozita shqiptare, duket se është në krizë të thellë idesh për të ardhur në pushtet. Herë rifreskon skemat e PS-së së vitit 1992-1997, herë rikopjon skenarët e Berishës së 1997-2005, por pa treguar fantazi apo vendosmëri në realizimin e tyre. Eksponentët e saj nuk arrijnë të kuptojnë mungesën e impaktit të aksioneve të tyre në publik, pasi harrojnë se detyra themelore e një partie, është të prodhojë politikë, gjë të cilën nuk po e bëjnë, pasi mungojnë talentet që mund ta realizojnë këtë veprimtari. Ashtu si çdo fushë shoqërore, edhe politika, do talentet e saja.
E si në sport, një futbollist nuk mund ta bësh kampion noti, edhe në politikë, duhet të zgjedhësh midis besnikëve, që kanë kapacitete mediokre, apo atyre që e kanë genin e kampionit në gjak, dhe me ambicie për të çarë përpara. Të parët të sigurojnë mumifikimin e pushtetit partiak, por nuk të japin fitoren. Të dytët të japin fitoren, por në një të ardhme afatmesme do kërkojnë edhe më tepër. A është i predispozuar lidershipi aktual i PS të rrezikojë në këtë pikë? Në bazë të zgjedhjes që do bëjë, do varet edhe e ardhmja e kësaj partie. Fitorja e PS-së, nuk do vijë as nga lodhja e Berishës, apo se ndjekësit e Berishës do ti zërë turpi i hajdutllëkut e do lëshojnë pushtet, siç ndodhi me socialistët më 2005-ën, pasi është një nocion që nuk e njohin.
Nuk do ndodhë që një ditë të zbarkojnë marinsat amerikanë në Tiranë për të zbuar Berishën. Dhe nuk do përjetojmë që komuniteti ndërkombëtar ti bëjë bllokadë alla Irak i viteve ’90 regjimit të Tiranës. Fitorja e PS-së, do vijë atëherë kur të prodhojë politikë, kur njerëzit të dinë se cili do jetë ministër i Ekonomisë, Mbrojtjes, Bujqësisë, i Jashtëm, i Shëndetësisë, të cilët do identifikojnë se çfarë po bëjnë keq këta që janë, dhe si do ta bëjnë më mirë kur të vijnë në pushtet. Fitorja e PS-së do të vijë atëherë kur ajo të frymëzojë njerëzit, me një kor personalitetesh që ndajnë të njëjtin vizion dhe identitet socialist, por janë një buqetë me ngjyra të ndryshme.
Një rrotacion pushteti, mund të ndodhë, kur PS ta kuptojë se, është një parti e madhe shqiptare, por e vogël në terma europianë, e cila nuk ka mundësi të shpikë, por duhet të mësojë nga simotrat e saj, dhe jo ta zërë dalldia e rrugëve të reja apo të treta “Made in Albania”. Një PS fitimtare dhe europiane mund të drejtojë vendin, atëherë kur t’iu shpjegojë partnerëve ndërkombëtarë vizionin e saj, dhe t’iu tregojë pse Berisha është histori e vjetër jo vetëm europiane por edhe shqiptare, ndërsa PS është forcë e së ardhmes, jo vetëm pse ashtu thotë ajo. Përndryshe, rrezikojnë që jo vetëm mos vijnë në pushtet, por as në opozitë mos të jenë profesionistë, por amatorë të saj.
Zgjatja e tranzicionit shqiptar, po sjell deformimin psikologjik të shoqërisë, të cilat i bie një betejë e stërzgjatur, dhe që Tuqiditi i përshkruan në librin e tij të III të luftës midis Spartës dhe Athinës, ku zgjatja e saj, kishte ndikuar në moralin e shoqërisë duke bërë që “hakërrima që vjen nga frika, të konsiderohej kurajë e ndershme; justifikimi i frikacakut, si ngurrim i maturisë; dobësia e ndyrë, të shfaqej si mirëkuptim; të mos bëje asgjë, do të thoshte se dije të bëje gjithçka; energjia e padobishme dhe e pakontrolluar, të vlerësohej si cilësi e vërtetë e njeriut; dashuria për dhunën të ishte gjithmonë e vlerësuar; dhe lidhja e mirëbesimit, nuk ishte si përfaqësim i një vullneti hyjnor, por marrëveshje për të bërë krim”. Duket si e shkruar për shoqërinë shqiptare.







