Burracak!

0
69

Nga Mero Baze

Si asnjëherë tjetër në çdo periudhë të jetës së tij politike dhe fizike, Sali Berisha nuk ka qenë i sunduar nga ideja e vdekjes, vrasjes apo përmbysjes së dhunshme të pushtetit të tij. U bën thuajse dhjetë ditë që këtë sindromë, që po dikton gjithë sjelljen e tij publike, po ja transmeton dhe publikut. E kemi ende të freskët ngjarjen e një jave më parë, kur katër të rinj, të gjithë 17 deri 20 vjeç, vendosën disa lajmërime me humor për Sali Berishën. Policia e Tiranës i arrestoi në mesnatë pa asnjë akuzë, dhe gjithë drejtorët e Policisë së Tiranës u çuan në alarm dhe shkuan i morën në pyetje më 4 të mëngjesi.

Prokuroria i liroi të nesërmen menjëherë si ndalim i paligjshëm dhe urdhëruesi real i arrestimit, Sali Berisha doli në mbrëmje, duke zbuluar autorësinë e veprës së tij. Për ta justifikuar atë që kishte bërë, tha se ata duhen lënë të lirë, pasi i ka vendosur Edi Rama, i cili kërkon vdekjen time. Mes të arrestuarve ishte edhe Geraldo Durda, vëllai i fëmijës me emrin Edison Durda, që u dogj nga flakët në Gërdec dhe kjo duket se e bënte më kanunore reagimin gati psikopatik të kryeministrit ndaj tyre.

Por, burracakllëku i tij nuk mbaroi aty. Pasi nuk i mbajti dot në qeli, u çoi të nesërmen bandën e Agim Shehut për t’i gjobitur. Të rinjtë, të cilët janë një organizatë vullnetare jofitimprurëse, u gjobitën pse nuk janë të siguruar në sigurimet shoqërore si anëtarë të kësaj organizate, ndërkohë që ata janë nxënës dhe student dhe aktiviteti i tyre në shoqërinë civile është vullnetar. Është i njëjti burracak që harxhoi dy milionë euro nga kompania e reklamave të PD-së, për një organizatë fantazmë me emrin “Zgjohu”, e cila një ditë do të ndeshet me drejtësinë, pasi ka bërë 2 milionë euro reklamë politike kundër opozitës dhe nuk ka deklaruar asnjë nga ato para në bilancin e organizatës.

Por, më shumë se nga humori i adoleshentëve me vdekjen e babagjysh Saliut, kryeministri duket se është trembur nga qetësia e opozitës. Është e pabesueshme që ky njeri ka më shumë frikë nga paqja, se sa nga lufta. Vetëm pse Edi Rama është me pushime dhe herë pas herë bën ndonjë shkrim për gazetat ditore, ai është tërbuar dhe po e konsideron këtë si një plan të madh, po për përmbysjen e tij. I shfytyruar komplet, siç dukej dje në mbledhjen e qeverisë, ai filloi të reagonte ndaj një editoriali të Edi Ramës, për paralelen mes Berishës dhe Gadafit, sikur të fliste për një komplot kundër jetës së tij.

I duhej patjetër të përçonte idenë e rrezikshme se kundërshtari i tij diçka po përgatit, derisa nuk sillet si unë. E nisi fjalimin me Gadafin, shkoi tek Asadi i Sirisë, u thye tek Edi Rama, shkoi prapë tek Gadafi, shpjegoi pse foli për rënien e tij pa rënë akoma dhe të gjithë e kuptonim, përfshi dhe ministrat që kishte përballë, që ai po sundohet nga ideja e vdekjes dhe përmbysjes. Aq sunduese është bërë tek ai kjo ide, sa çdo lider autokrat që përmbyset në botë, ky del e distancohet menjëherë, a thua do t’i themi ne që je shoku i tij.

Ra Mubaraku, të cilin e ka takuar dhjetëra herë, duke e cilësuar mik të shqiptarëve, e krahasoi me Edi Ramen. Ra Ben Alia dhe e krahasoi me Edi Ramen. Po bie Gadafi dhe e krahason me Edi Ramën. Mund të bjerë Asadi i Sirisë dhe ai po nxiton para kohe ta krahasojë me Edi Ramën. Ideja se shqiptarëve të gjithë këta u ngjan më të, e çmend.

Por, në fund është diçka që e tradhton në gjithë këtë histori. E tradhton mënyra se si mbrohet nga paqja dhe nga lufta ky njeri. Kur shqiptarët u përballën me të më 21 janar dhe ai qëlloi si burracak mbi ta, arsyet që ai dha për legjitimitetin e tij ishin po ato që ka Gadafi. Njësoj si Gadafi ai tha se ka me vete gjysmën e popullit, dhe njësoj si Gadafi ai nxirrte fotot e tij me Obamën, Sarkozin, Berlsukonin dhe të tjerë, për të na treguar se ka mbështetje në botë. Edhe Gadafi e ka një pjesë të popullit me vete, edhe Gadafi ka plot foto me Sarkozin, Berluskonin, Obamën, biles dhe me Lulëzim Bashën, por nuk e shpëtojnë dot. Diktatorët dhe autokratët e korruptuar si Sali Berisha, në momentet e fundit të tyre gjithmonë shikojnë ëndrra me liderë perëndimorë apo turma që i mbështesin. Është një mungesë që i ka shoqëruar gjithë jetën e tyre politike .

Sali Berisha po bëhet qesharak dhe teatral duke na paraqitur njësoj të rrezikshme për të dhe traktet e adoleshentëve, dhe editorialet e Edi Ramës, dhe 21 janarin, dhe rrëzimin e Gadafit, dhe rrëzimin e mundshëm të Asadit në Siri, dhe gjyqin e Mubarakut, biles dhe librin e Arshi Pipës, të cilën e urreu sa ishte gjallë, duke e shpallur spiun të sigurimit. Ne mund të argëtohemi me fytyrën e prishur të tij, me skenat gebelsiane të ministrave që janë të detyruar të dëgjojnë një të marrë për gjysmë ore para kamerave, mund të argëtohemi me paranojat e tij për vdekjen, por Shqipëria nuk fillon e mbaron mes nesh dhe Sali Berishës. Ajo po digjet, po rrënohet dhe varfërohet përditë nga një i marrë, që i është fiksuar se vetëm i vdekur do iki nga pushteti. Si gjithë burracakët!