Frika nga e vërteta

0
39

Nga Ndue Ukaj

Kosova po bën një rrugë të gjatë drejtë lirisë së plotë. Zhvillimet e ditëve të fundit në vend, tregojnë sesa e gjatë dhe me sa peripeci është rruga e formësimit të shtetit të mirëfilltë të Kosovës. Është kjo arsye e mjaftueshme, që duhet motivuar politikën tonë të jetë e sinqertë në raport me vetveten dhe veprimet e saj dhe sidomos të jetë transparente në raport me qytetarët. Mospërmbushja e misionit për të cilin u nis qeveria me forcat speciale në veri, është një dështim i madh.

Përpjekja për ta marr nën kontroll veriun, u prit me ngazëllim dhe entuziazëm nga gjithë qytetarët, mirëpo me kohë. u pa se synimi i qeverisë ishte i pamenduar mirë, e për më keq, raporti me qytetarin dhe opinionin publik përgjatë gjithë aksionit, pas tij dhe deri të marrëveshja mes KFOR-it dhe serbëve, ishte i paqartë, i pasinqertë i mjegullt dhe krijonte shumë hamendësime e dilema të njëpasnjëshme.

Tani kur çështja e veriut, çdo ditë e me shumë po shihet se po merr konotacione politike, institucionet e vendit duhet të vetëdijesohen dhe të mënjanojnë politikat e improvizimeve sepse ato çojnë në rrugë pa krye.

Qeveria e Kosovës, edhe pas disa ditëve, ende nuk ka kurajën të pranojë se ajo përkundër vullnetit të mirë për të marrë nën kontroll veriun kaotik, ka bë një akt të pamenduar mirë dhe të pakonsoliduar me faktorët relevantë ndërkombëtar, pa të cilët shihet qartësisht se asgjë nuk mund të bëhet. Në këtë formë, ajo po ka frikë nga e vërteta rreth veriut dhe po e fsheh nga opinioni publik, fatin e mjegullt të çështjes së veriut të Kosovës. Reagimet e qarqeve ndërkombëtare, sidomos sinjalet e fuqishme nga venet e fuqishme perëndimore, janë e vetmja shpresë së tërësia e Kosovës nuk do të cenohet. Megjithatë, kjo nuk e arsyeton assesi qeverinë e vendit për veprimet e saj të pamenduara dhe josinqeritetin me opinionin publik.

Mënyra sesi qeveria dhe institucionet kryesore të vendit e trajtojnë këtë çështje, le të kuptohet se ato po kanë frika nga e vërteta, andaj kamuflojnë me retorika të pakuptimta dhe shterpe. Shpeshherë duke fryrë balonin patriotik, që shpërthen sapo fillon të ngrihet drejt qiellit kosovar. Madje, as analistët oborrtarë të qeverisë, që luajnë rolin e kujdestarëve të opinionit publik, nuk arritën të fshehin të vërtetën e mjegullt rreth ndërhyrjes në veri.

Në jetën tonë politike, e vërteta nuk është normë bazike mbi të cilën formësohet politika, ashtu siç ndodh në bashkësinë e kombeve perëndimore, atu ku synojmë të integrohemi. Në të vërtetë, politika jonë i ik së vërtetës, e kështu edhe qytetarët vazhdojnë të jetojnë me thashetheme të gjithfarshme, duke mbytur çdo ditë e më tepër shpresat e tyre për perspektivën e vendit të tyre. Madje, po të shihet qartë si e trajtojnë fjalën publike qeveritarët, si e kontrollojnë fjalën e lirë dhe median, le të kuptohet se institucionet tona kanë ankth nga fjala publike dhe e vërteta, e të cilën synon ta tjetërsoi dhe përshtatin sipas ambicieve të politikës së ditës.

Në kulturën perëndimore, e vërteta është një premisë bazike mbi të cilën është krijuar mendimi perëndimor i lirisë, shtetit dhe raportit të tij me qytetarin. Kjo ka forcua dinjitetin e individit dhe lirinë e plotë të qytetarit. Fraza e mirënjohur se vetëm e vërteta mund të na bëjë të lirë, është një formulë e shenjtë që edukon shoqëritë perëndimore. Në këtë aspekt, nuk mund të mos përmendim thënien e filozofit klasik, Aristotelit, kur thoshte se: “E dua Platonin por me shume e dua te vërteten”. Këto këshilla, në shoqëritë perëndimore janë bë model i sjelljes, model i politikës dhe model i komunikimit dhe funksionimit të shoqërisë. Këto dy fraza që përmendëm më sipër, janë dy vlera universale, të mishëruara në mentalitetin e shoqërisë perëndimore, e për të cilat ka nevojë shoqëria jonë. Gjendja e përgjithshme shoqërore, dëshmon se e vërteta tek ne nuk është qëllim i politikës. Përkundrazi, ajo promovon të kundërtën e saj.

Shoqëria jonë duhet të edukohet në frymë të së vërtetës. E për më tepër, politika duhet ta kuptoj domosdoshmërinë e krijimit të një relacioni të sinqertë më qytetarin. Çdo diskurs tjetër, prodhon vetëm neuroza të rënda dhe e pengon shoqërinë të mbaj shpresat për të ardhmen e vendit.

Në të vërtetë, në botën e civilizuar, mendimet e lartëshkruar, jo vetëm që janë pjesë funksionale e mendësisë dhe filozofisë së kulturës së jetës perëndimore, por kjo filozofi është shndërruar në kult, s cilës i besojnë qytetarët e kësaj bashkësie kulturore dhe politike. Në të vërtetë, kjo filozofi përfaqëson një ndër vlerat më universale të kësaj kulture dhe arritjeve marramendëse që ka shënjuar ky civilizim.

Ekziston një mendim u unjësuar se vetëm e vërteta e bën njeriun të lirë. Duke jetuar në të vërtetën, edhe kombit mund të arrijmë deri te ngritja, emancipimi dhe zhvillimi në nivel të kënaqshëm, pandehemet e së cilës, i kemi si model në botën e civilizuar perëndimore, në të cilën synojmë të integrohemi.

Shoqëria shqiptare lëngon nga sëmundje të shumta, por ka si plagë ende të pashëruar, ikjen nga e vërteta. Duke ikur nga e vërteta, shoqëria shkëputet nga identiteti, nga vetvetja dhe përhumbet në improvizime. Krijon kështu modele të rrejshme dhe të paperspektivë.

Deri sa kombi të mbetet preh e të pavërtetës, përderisa nuk e bëjmë pjesë të diskursit të përgjithshëm të formësimit të jetës sintagmën e njohur aristotelian, shumë debate esenciale do të zhvillohen dhe asnjëherë nuk do të përfundohen. Andaj, elementet e shëndosha shoqërore, duhet të dalin në mbrojtje të kauzës së vërtetës me ngulm, edhe ndaj së djeshëm, edhe ndaj së sotmes dhe veçanërisht ndaj së ardhmes. Nuk duhet lejuar më të vetëkënaqim rrejshëm dhe të ndërtojmë të ardhmen në iluzione e improvizime.

Brenda shoqërisë sonë, as sot e gjithë ditën nuk shtrohen debate esenciale për arsyen e kësaj gjendje të mjerueshme, nuk shtrohen debate esenciale për shkakun që kanë sjellur deri tek kjo krize, madje as për psehin e krizës së veriut të Kosovës. Së këndejmi, në gjitha përplasjet që ndodhin brenda nesh, nuk zhvillohen debate për alternativat që japin modele adapte për transformimin e domosdoshëm të kësaj gjendje. Në këtë rrafsh, çka është më e keqja, nuk zgjohet ndërgjegje nga gjumi, për një vetëdije kritike, andaj jemi të mbërthyer verëbsisht nga vetëkënaqësia kolektive, së cilës i prijnë natyrisht politikanët e dalldisur, që vazhdojnë të qeverisin duke improvizuar dhe duke e trajtuar popullin si një masë amorfe.