Dashakeqës dhe keqbërës

0
57

Nga Enver Robelli

Çfarë po shohim në skenën politike të Kosovës është vetëm një version brutal i pasurimit nga arka e shtetit, i cili është parë edhe në vendet e Afrikës, në shtetet diktatoriale të Amerikës Latine dhe në Rumaninë e Nikolai Çausheskut. Dallimi mes Kosovës dhe këtyre vendeve është se në fshatrat dhe qytetet tona nuk ekzistojnë grupe shoqërore, të cilat me padëgjueshmëri civile dhe me mjete të lejueshme të rezistencës paqësore do të bënin presion kundër pushtetit dhe opozitës plaçkitëse. Është e saktë se Kosova ka dendësinë ndoshta më të madhe të “organizatave joqeveritare” për kokë banori në gjithë Evropën. Por, shumica e OJQ-ve janë grupe shokësh dhe shoqesh, të cilët sa për të mos bjerrë kohën themelojnë një organizatë, e cila më shumë vrapon pas fondeve se sa angazhohet në vetëdijesimin e opinionit kundër të keqes. Fenomenet e tilla janë të njohura edhe në vatrat e tjera të krizave. Në Palestinë pothuaj çdo i treti palestinez, kur prezantohet, thotë: “Unë, Mercedesi im dhe OJQ-ja ime”.

Ato pak OJQ kosovare që sinqerisht angazhohen për ndryshime pozitive në shoqëri, ballafaqohen me një problem të madh: popullsia e Kosovës në përgjithësi është ligështuar nga gjendja e jashtëzakonshme, e cila mbretëron në këtë copë tokë tashmë tri decenie. Prandaj, vetëm në një shoqëri të molisur nga lufta, nga krimet dhe nga korrupsioni mund të ndodhë që skena politike të dominohet prej figurave me thonj të zinj, të cilët janë të gatshëm të vjedhin çdo gjë, madje edhe rezet e dyerve nëpër ministri. Shikoni pjesën më të madhe të ministrave të qeverisë së Kosovës: Zgjedhja e tyre nëpër postet më të përgjegjshme që mund të ndajë një shoqëri e organizuar politikisht s’është gjë tjetër veçse një aksident i madh në historinë e Kosovës. Pak a shumë kështu do të shkruhet në çdo libër historie pas 50 vjetësh, kur Kosova ndoshta do të bëhet vend normal. Shikoni disa prej ish-ministrave dhe bashkëpunëtorëve të Ramush Haradinajt: Në vend që të ishin në burg, dalin e mbajnë ders për qeverisje të mirë. Nuk di cilëve, këtyre poshtë (në opozitë) apo atyre lart (në majat e ëmbla të pushtetit), populli duhet t’iu thotë: “A u bâ boll, he Zoti qafën ua theftë?”

Buzë greminës

Në historinë e një shteti dhjetë vjet të humbura nuk janë ndonjë katastrofë e madhe, por dhjetë vjet të humbura në jetën e një njeriu janë tmerri më i madh biografik. A mund të thotë dikush nga njerëzit e zakonshëm në Kosovë se në këto dhjetë vjetët e fundit e ka siguruar mirëqenien falë politikës së ndershme të qeverive? Shumica e heshtur e popullit nuk mund të përgjigjet pozitivisht në këtë pyetje, sepse vazhdon të jetojë në zgrip të greminës sociale dhe shpirtërore. Por, një pseudoelitë mediokre prej ndoshta maksimum pesë mijë personash, e cila gjatë aksidenteve të njëpasnjëshme “demokratike dhe elektorale” e ka grabitur shtetin, këto vite (1999-2009) do t’i mbajë mend si vakt i mjaltit, sepse dy-tri gjeneratat e ardhshme të familjeve të tyre nuk duhet të shqetësohen për disa probleme banale dhe qesharake, siç është strehimi, ushqimi dhe shkollimi i fëmijëve, blerja e rrobave për dimër, rrogat ekzistencë-siguruese etj. Qejfin këtyre zhvatësve mund t’ua prishë vetëm një sistem funksional dhe profesionist i drejtësisë.

Skena politike e Kosovës dominohet nga një “elitë” dashakeqëse – dhe keqbërëse, shpesh nga padituria. Nuk është vetëm korrupsioni plagë që kullon. Çfarë të thuhet, për shembull, për të parin e qeverisë, i cili vetëm nuk çohet në këmbë, duke lavdëruar me ton superlativ, ekzagjerues dhe jorealist paraqitjen e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. E në të njëjtën kohë Hashim Thaçi s’e thotë për bé asnjë fjalë qortuese në adresë të ministrit të tij të jashtëm, i cili gjatë vizitës në Berlin deklaroi se Kosova nga Serbia nuk pret njohje (!), por vetëm bashkëpunim. Kështu janë duke folur të gjithë kundërshtarët dhe skeptikët e pavarësisë së Kosovës nëpër Evropë. Por, pse flet edhe ministri i jashtëm i Kosovës kështu? Ai është zgjedhur për të mbrojtur interesat e vendit, jo për të kopjuar kundërshtarët e pavarësisë që thonë: “Serbia mund të hyjë në Bashkimin Evropian edhe pa e njohur Kosovën”, e nesër mund të thonë: “Serbia mund të bëhet pjesë e BE, edhe nëse vazhdon ta mbajë Kosovën të izoluar, edhe nëse vazhdon ta sabotojë politikën e Brukselit në Kosovë”, shpesh madje me pará që qeveria serbe i merr nga fondet e BE. Vërtet, shumëkujt i ra hise të tallet me nafakën e keqe të Kosovës. Shqetësuese është se kombi i molisur kosovar nuk ka as vullnet minimal të protestojë kundër këtyre deformimeve. Kohërat e tilla në historinë e popujve janë tepër të rrezikshme.

“Zullumi kputet pej s’trashi”

Megjithëkëtë, një shpresë ekziston: Kombinimi i presionit të BE me zemërimin e shtresave të shoqërisë mund të sjellë ndryshime. Si do të duken këto ndryshime një ditë në Kosovë, mund të shihet tani në rastin e Kroacisë: Për shkak të aferave korruptive rreth 30 menaxherë të ndërmarrjeve shtetërore, siç janë Podravka dhe Hrvatske autoceste, tashmë gjenden në burg, ministri i ekonomisë u detyrua të japë dorëheqje, kundër ish-ministrit të mbrojtjes është ngritur aktakuza për shkak të vjedhjes së një shumë të majme parash gjatë procesit të blerjes së kamionëve për ushtrinë kroate. Mediat kanë ngritur akuza edhe kundër ish-kryeministrit, Ivo Sanader, për të cilin thuhet se ka marrë një provizion të majmë pasi kishte ndërmjetësuar një kredi te banka Hypo Alpe Adria nga krahina e Korushkës në Austri.

Kjo bankë që dikur kontrollohej nga popullisti tashmë i vdekur Jörg Haider këto ditë u nacionalizua nga shteti austriak dhe në këtë mënyrë shpëtoi nga falimentimi. Hypo Alpe Adria ka financuar shumë projekte të dyshimta ndërtimore në Kroaci, të cilat s’janë realizuar kurrë. Hypo i ka dhënë 260 milionë euro kredi edhe Vladimir Zagorecit, gjeneralit më të dekoruar kroat, i cili s’kishte kaluar asnjë ditë në front, por gjatë luftës drejtonte zyrën për blerjen e armëve, ku qarkullonin miliona marka gjermane dhe dollarë. Zagorec është dënuar me shtatë vjet burg për shkak se, kur ishte larguar nga posti i zëvendësministrit të Mbrojtjes nga arkat e ministrisë kishte vjedhur diamante në vlerë prej pesë milionë dollarësh.

Çdo djallëzie i vjen fundi. Për këto prapësi gjuha shqipe ka disa frazeologjizma kuptimplota: “Zullumi kputet pej s’trashi”, “Harami s’rrin mrena”, “E keqja s’kalbet kurrë”. Opinioni në Kroaci me 15 vjet vonesë është duke mësuar se kush është pasuruar në emër të patriotizmit, kush ka blerë firmat shtetërore falë lidhjeve me pushtetin etj. Edhe Kosova medoemos duhet të kalojë nëpër një proces të tillë. Dhe këtë proces politikanët e tanishëm, në pozitë dhe opozitë, nuk kanë vullnet ta iniciojnë dhe përfundojnë në të mirë të demokracisë dhe shtetit ligjor. Sepse shtetin e mirë nuk e krijojnë keqbërësit, sepse drejtësinë nuk e funksionalizojnë ata që do duhej të ballafaqoheshin me kodin penal, sepse integrimet në BE nuk i çojnë përpara ata që me të gjitha sjelljet e tyre kanë dëshmuar se janë antievropian.

Koka të përgjakura

Këtë e tregoi gjatë pesë javëve të fundit edhe procesi ende i papërfunduar zgjedhor, gjatë së cilit pamë koka të përgjakura, dyshime për vjedhje masive, “pjesëmarrje” të serbëve në zgjedhje sidomos në orët e mbrëmjes, pak para mbylljes së lokaleve zgjedhore, gjithashtu pothuaj për çdo natë po e shohim një kryetare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila duket ashiqare se nuk është në gjendje t’i dalë zot punës që ia ka besuar presidenti Fatmir Sejdiu, i cili sërish ka dëshmuar fantazi të pakufishme për të gjetur dhe emëruar njerëz të ngathët në krye të institucioneve të rëndësishme. Ende pa përfunduar tmerri zgjedhor, shpërtheu afera tjetër edhe më trishtuese: ndarja e bakshisheve nga kryeministri prej gati 17 mijë euro për secilin ministër. Do të jetë interesante të shihet nëse ndonjëri nga këta burra dhe gra të PDK dhe LDK do të kenë pak moral dhe të heqin dorë nga gllabërimi i kësaj shume marramendëse për rrethanat kosovare. “Zoti qafën ua theftë”, do thoshte populli: Një mësues duhet të punojë mbi 7 (shtatë) vjet, ose 85 muaj, ose rreth 2500 ditë për të marrë 17 mijë euro.