“8 dhjetori”, si mesazh dialogu

0
22

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 13.12.2009

Sipas kutit shqiptar, që për të matur sukseset në sferën politike nuk e ka zakon të numërojë, fjala vjen, vendet e reja të punës, por pjesëmarrësit në mitingje apo takimet protokollare të liderëve, kryeministri Berisha përmbylli dje një javë politike shumë pozitive që kulmoi me festën e 8 dhjetorit dhe vijoi me slitën e takimeve në Berlin dhe Vatikan.

Me këtë horoskop kaq të shkëlqyer që dashamirësit e tij supersticiozë do ta përcillnin me urimin “mos e zëntë syri i keq”, zoti Berisha po përgatitet të hapë një javë tjetër po aq të lume, që do të kulmojë me rizgjedhjen e tij pa garë, për herë të gjashtë a të shatë, në krye të Partisë Demokratike edhe për katër vjet të tjera.

Duhet të jetë qetësuar e relaksuar kryeministri me gjithë këto ngjarje të rreshtuara si unaza, njëra pas tjetrës në perin e tij të fatit. Jam i bindur se shumica dërrmuese e shqiptarëve, qoftë nga ata që brohorasin për pushtetin e tij, qoftë nga ata që brohorasin për largimin e tij, urojnë dhe dëshirojnë njëzëri, pikërisht këtë gjë: që kryeministri të ketë lënë pas momentin e nervozizmit, fjalëve të rënda dhe pozave luftarake; të jetë qetësuar e relaksuar. Në fund të fundit, paratë e shpenzuara për festën e 8 dhjetorit këtë qëllim kishin: të sillnin me shumë gëzim dhe hare në zemrat e shqiptarëve në përgjithësi dhe të drejtuesve të tyre në veçanti.

Në çdo sekondë, vendi dhe kombi kanë nevojë që drejtuesit e shtetit dhe qeverisë të mbajnë urtësinë, qetësinë, gjakftohtësinë dhe komunikimin me të gjithë spektrin politik e shoqëror. Pushteti, siç thotë Makiaveli, është vetë i nxehtë, urtësia e princit e mban në temperaturë normale. Froni vlon nga natyra, ai që ulet në të, ulet për ta ftohur. Imagjinoni se ç’ndodh kur vlon edhe ai që ulet në të. Merr flakë vendi.

Kështu është kudo dhe kurdo. Ca më shumë në një vend me kaq shumë konflikte e probleme të pazgjidhura, siç është Shqipëria. Ca më shumë sot, kur vendi është përfshirë në krizën e rrezikshme të marrëdhënieve shumicë-opozitë, një krizë që gjeneron një varg krizash të tjera.

Veçanërisht sot na duhet një kryeministër i qetë dhe i relaksuar, që merr dhe shqyrton me përgjegjësinë e numrit një të shumicës, domethënë të pushtetit real në republikën tonë parlamentare, krizën në fjalë.

Pas mitingut, apo festës së 8 dhjetorit, kryeministrit mund t’i qaset kësaj krizë në pozita pariteti, apo edhe në pozita superiore – kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është të përgatisë një propozim të negociushëm për opozitën e madhe parlamentare të vendit të tij, duke u fokusuar në çështjen kryesore, që është transparenca e zgjedhjeve të 28 Qershorit, nëpërmjet një hetimi të gjithëpranuar parlamentar. Por, kryeministri mund të befasojë me propozime të tjera, që mund të jenë më oportune për të dhe për vendin e mund të gjejnë një opozitë fleksibël në krahun tjetër. Shumica dhe opozita mund të jenë duke gjetur gjuhën për çështjen e kutive dhe në këtë moment të gjenden bashkë, krah për krah përballë krizës së likuiditeteve, krizës së papunësimit, krizës së kredive e tjerë. Kriza ekonomike, si rregull, sheh bardh e zi.

Ajo nuk e dallon rozën nga bluja dhe as nuancat e tjera mes këtyre ngjyrave. Dua të them se bashkimi përballë krizës ekonomike do të jetë një imperativ për të pjesëtuar koston e vendimeve antipopullore për përballimin e saj. Ajo që kryeministri di e duhet të dijë më mirë se opozita dhe gazetarët është gjendja e reale e shifrave në ekonomi. Nëse shifrat reale janë stabël, dialogu ndërpartiak duhet të vendoset që ato të mos përkeqësohen. Nëse shifrat janë përkeqësuar, dialogu ndërpartiak është i vonuar. Sirtarët e kryeministrit nuk janë kurrë pa karta. Deri në komentin kur kriza rebelohet nga vonesat dhe del jashtë kontrollit.
Me fjalë të tjera, e rëndësishme është me e pa situatën drejt në sy, pa nerva, pa inat. Thelbi i krizës politike mbetet po ai që ishte dhe problemet që kjo krizë ka hedhur e hedh në tapet janë po ato, pavarësisht festës, pavarësisht numrit shumë të madh të njerëzve në sheshin “Skënderbej”.

Entuziastët e sinqertë dhe zëdhënësit e pafajshëm po lexojnë në mendjen e atyre mijëra e mijëra njerëzve një motiv tjetër të pranisë së tyre në festë, që nuk është ai që i thirri në shesh. Sipas tyre, njerëzit nuk erdhën, sepse qeveria i thirri për të festuar në një festë mbarëpopullore ditën e rinisë dhe të lirisë, por pikësëpari për t’i dëshmuar mbështetjen qeverisë dhe për t’i treguar vendin opozitës. Këtë ata nuk e thanë para se njerëzit të vinin në shesh, por e thanë kur njerëzit kishin ardhur! Guxim i madh t’u veshësh një mase të madhe qeniesh të ndërgjegjshme dëshirat e tua, mendimin tënd. Mungesë e madhe respekti për ta.

Pavarësisht se mund t’i ketë nxitur vetë ministrat e tij të ” lexojnë” nga festa e 8 dhjetorit ç’t’u vijë nëpër mend dhe ç’t’u duket më e mirë për qeverinë, kryeministri Berisha, që ka ndenjur gjatë edhe në pushtet, edhe në opozitë, e di mirë se edhe pushteti, edhe opozita kanë gjithnjë një numër të madh mbështetësish, që po të mobilizohen për t’i mbledhur, i mbledhin. Kjo në vetvete nuk i thotë ndonjë gjë esenciale politikës, veçse konfirmon ekuilibrin relativ të palëve. Si për shkak të përvojës së gjatë dhe patjetër edhe të leximeve, kryeministri e njeh mirë, gjithashtu, dallimin cilësor që ekziston midis festave apo sfilatave të regjimit dhe protestave të opozitës apo të grupeve të interesit.

Festat dhe protestat kanë vokacione të ndryshme. Nuk janë festat apo manifestimet proqeveritare që kanë sjellë e sjellin ndryshime në shoqëri, por janë tubimet, marshimet, protestat që artikulojnë atë që nuk shkon, kundërshtitë, kërkesat e reja të grupeve politike-shoqërore dhe shoqërisë mbarë. Protestat janë mjeti i demokracisë. Festat janë të domosdoshme për popullin, por kanë funksion tjetër. Ka lezet që ato të jenë spontane, me pak organizim që nuk duhet të bjerë në sy.

Ngaqë i di të gjitha këto e të tjera që nuk po zgjatemi t’i përmendim, ekziston shpresa se kryeministri ka pasur nevojë të shohë një det me njerëz para syve dhe të thërrasë para tyre me emocion dhe nëntekst politik “jemi më shumë, më shumë se kurrë”. Ai e krijoi me plot kuptimin e fjalës këtë festë, sepse kishte nevojë. Të mos harrojmë se protesta e madhe e opozitës poshtë dritares së zyrës së tij u zhvillua në sfondin e disa ngjarjeve që dhëmbin e ta bëjnë gjakun ujë, si për shembull mbyllja e tunelit të përuruar dhe shembja e tunelit të papëruruar të Kalimashit, rrëshqitja e Shqipërisë dhjetë vende më poshtë në treguesit e Transparency International për korrupsionin, rënia treguesve të mbledhjes së taksave, si dukuri e ligështimit të ekonomisë e shembuj të tjerë veprash që nuk këndojnë, që kanë qenë e janë kuajt e betejave për qeverinë.

Festa e 8 marsit, edhe pse u thirr si festë mbarëpopullore dhe u organizua deri në detaje, tregoi qartë se kryeministri Berisha i ruan kuotat e tij të përkrahjes. Dhe po guxoj tani të lexoj edhe unë mendimin tim dhe dëshirën time në atë det njerëzish, ashtu siç guxuan disa ministra dhe analistë të nderuar para meje. Populli i mbledhur atje, më shumë i djathtë, por edhe i majtë e pa parti, administrata mbarë e ” veshën” Berishën me përkrahjen e nevojshme për të propozuar një zgjidhje për krizën.

Shkrimtari dhe filozofi iluminist francez, Ruso, thoshte: “Më trego forcën tënde, të të tregoj dobësinë tënde”. Dobësia e forcës së Berishës do të ishte leximi i mitingut të 8 dhjetorit si një leje për të vazhduar me politikën e ashpër të denigrimit të kundërshtarit politik, me demek për ta ndarë nga partia e tij. Duke harruar se kudo ku është drejtuar gishti denigrues i Berishës zakonisht ka lindur ose rilindur një lider i palës tjetër. Ky është raporti. Harresa është dobësia e forcës.