Dr. Nail Draga, Tivar, 1 prill 2015
Të ndëruar të pranishëm,
Jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar një ngjarje tragjike e cila njihet me emrin Masakra e Tivarit, e cila ka ndodhur para 70-të viteve, pikërisht me 1 prill të vitit 1945. Ishte kjo tragjedia e shqiptarëve nga Kosova, e cila ishte planifikuar nga strukturat ushtarake jugosllave të kohës dhe e realizuar sipas një skenari të përgatitur më parë për qellim hakmarrje ndaj shqiptarëve.
Masakra e Tivarit, holokausti shqiptar, vrasësit po inspektojnë masakrën.
Ne lidhje me numrin e të vrarëve varësisht prej burimeve ka të dhëna të ndryshme e ai numër sillet nga 1590 e deri në 4200 vetë! Mobilizimi i shqiptarëve nga disa vise të Kosovës si regrutë në aradhat partizane ishte bërë gjoja me moton për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë.
Por, edhe pas shtatëdhjetë vjetëve kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar sa duhet nga studiuesit e ndryshem nga vet fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë ishte e pa preferueshme dhe me pasoja për autorët.
Edhe pse ne popull dihej për ketë tragjedi dhe përshperitej për numrin e të vrarëve, saktësisht pak kush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nen embargo, apo edhe dokumentat gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ato të cilët kanë realizuar ketë masakër.
Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990 e më pas, opinioni i gjërë filloi të njihej ne detaje për ketë masakër, e ate duke iu falenderuar dëshmitarëve autentik të cilët kishin shpetuar nga kjo kasaphane e përmasave naziste e bërë nga pjesëtarët e aradhave partizane jugosllave gjoja “nacional-çlirimtare”. Dhe janë këto individ të cilët e përjetuan personalisht ketë masakër të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi ne relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar. Janë ata pjesëtarë të gjashtë eshaloneve ushtarake, të cilët kishin tretmanin e robërve e jo pjesëtarëve të njësive të rregullta ushtarake.
Qellimi i largimit të tyre nga Kosova ishte i planifikuar sepse serbet e kishin më të lehtë të vendosnin pushtetin e ushtarak, duke bërë riokupimin e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore.
Veprimet vrastare në mjediset e Monopolit të duhanit në Tivar të realizuar nga pjesëtarët e Brigadës së Dhjetë Malazeze ia kanë kaluar nazistëve gjermanë, sepse të vrarët nuk janë varrosur por deportuar në vende të ndryshme për të humbur gjurmet e krimit, ku edhe sot varret mungojnë!!
Por, ne këtë regji shfarosëse ka pasur raste qe individ të ndryshëm të shpetojnë dhe të ikin ne drejtime të ndryshme, por edhe aty nëse janë zbuluar janë likuidur, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq, nga pushteti ushtarak. Megjithate ka raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare duke iu shpetuar jetën, si ne Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla egzistojnë dëshmi autentike.
Nuk ka dilemë se për këtë masakër përgjegjësia bie mbi pushtetin e kohës në Mal të Zi, por edhe ate të Shqipërisë. Sepse si te lejohet që të kalojnë nepër territorin e Shqipërisë eshalone të tëra qytetarësh kosovarë të përcjellur nga ushtarakët serbo-malazez gjoja për të marrë pjesë ne ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund në këtë regjion nga nëntori i vitit 1944!.
Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në vitin 2013, ka organizuar një sesion shkencor dhe është vizituar vendi i krimit ku jemi edhe ne sot. Por, duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një memoriali i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmën dhe të ardhmën për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tash Kosova është shtet i pavarur i takon qeverisë së saj të inicojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi.
Nuk ka dilemë se masakra e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual, por angazhimi ne drejtim të ndriçimit të saj do të ishte ne favor te rrethanave të reja shoqërore e politike, duke dënuar krimet e komunizmit të asaj kohe në ketë mjedis.