Ti mesuesi im prof. Mentor Quku neser nuk je ne mesin e kolegeve dhe te familjes, ti neser nuk e pranon urimin tone!
Po ne ish nxanesit tuaje te kujtojm per sa te kemi jete, si iken ket muaj?
Ti prof. Mentor Quku je ndarë fizikisht, po ti jeton gjithmon ne zemren dhe ne kujtesen tone.
Eshte viti i pare qe ti nuk je ne festen e mesuesit. Te kujtojm gjithmonë, kujtojme ato qe dikur ti i shprehje kure po punoje per te lartesuar jeten dhe vepren e poetit, atdhetarit, meshtarit Ndre Mjeda.
Ti punove per Mjeden deri ne frymen e fundit.
GJIN MUSA
Jeta e tij, “njolla në biografi”, përshkrimi i figurës së Dom Ndre Mjedës, problemet gjuhësore, situata politike në vend e shumë të tjera vijnë në një intervistë të veçantë për “Nacional Albania”. Në një bisedë speciale me Redan Bushatin, njohësi më i mirë i figurës së Dom Ndre Mjedës, studiuesi më i mirë i veprës dhe jetës së tij, mjedologu më i madh shqiptar, prof. dr. Mentor Quku rrëfen përpos jetës së tij, figurën dhe dokumentat më të rëndësishme për shkrimtarin Ndre Mjeda, por jo vetëm.
Autori i shumë studimeve e botimeve flet edhe për gegërishten e standartin gjuhësor të shqipes, rrëzimin e mitit të Katovicës që synonte manipulimin e erës demokratike në Shqipëri e kudo në Evropë, pikërisht në vitin 1996 me të “Djathtën e Bashkueme Shkodrane”, ku mposht për herë të parë dhe të fundit në pluralizëm Partinë Demokratike në kryeqendrën e veriut.
Në një intervistë, ndofta e para e këtij lloji, prof. dr. Mentor Quku flet sa për jetën e tij, po aq, në mos më tepër, për atë që ai i kushtoi gjithçka: Ndre Mjedën.
Keni lindur në Bilisht, por shumë shpejt do të zhvendoseshit në Shkodër. A u ambientuat shpejt me qytetin e ri dhe si iu duk fillimisht ai?
Kur erdhëm familjarisht në Shkodër ishte kohë lufte. Disa vite më parë, prindërit e mi ishin shpërngulur prej qytetit të Shkodrës për arsye se babai ishte nëpunës shteti. Ka qenë fundi i Luftës së Dytë Botërore, kur familja jonë u kthye në Tiranë, ku jetuam në shtëpinë e Mit’hat Frashërit, sot mbas Muzeut Kombëtar. Në Tiranë përfundova klasën e parë, si “dëgjues”, tek shkolla “Lidhja e Prizrenit”, me mësuese kujdestare Meko Vokopolen. Më pas, në shtator të vitit 1944, u kthyem në Shkodër, ku jetuam deri në vitin 1999, në shtëpinë tonë tradicionale të Qukejve. Ne ktheheshim mbas shumë vitesh në truallin e vjetër stërgjyshor dhe kjo natyrisht na jepte forcë për të përballuar stuhitë e egra të regjimit komunist. Unë u rrita me emocionet që më dhuroi Shkodra, deri në atë masë, aq sa edhe sot mbetem i magjepsur mbas hireve të saj. Një mbështetje të madhe më dha biblioteka e pasur e familjes, e cila kishte arritur të shpëtonte nga valët e luftës.
Ndonëse dëshira dhe talenti juaj ishin për pikturë, ju ndoqët Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas Shkencat Natyrore në Universitetin e Tiranës. Cilat ishin shkaqet e një ndryshimi të tillë?
Në Shkodër bëra rregullisht mësimet e fillores në shkollën “Teuta”, “Branko Kadia” dhe “24 Maji”. Duke parë prirjet e mia, si dhe pasionin që tregoja për artet figurative, në vitin 1948 prindërit më regjistruan në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës, e cila drejtohej nga pionierja e ikonografisë shqiptare, Viktori Puzanova. Më vonë, sipas viteve, pata udhëheqës të mëdhenj, piktorët e popullit Vladimir Jani e Simon Rrota. Normalisht duhej të vazhdoja në degën e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, por ishte lufta e klasave që më pengoj dhe kështu përcaktoj fatin tim që të vazhdoja mësimet në shkollën Pedagogjike në Shkodër, Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës, ndërsa më vonë Universitetin e Tiranës (edhe këto me korrespondencë).
Më vonë jeta juaj e mësuesisë do të ndeshej me peripecira të shumta, ku për mjaft kohë do të jepnit mësim larg Shkodrës dhe familjes suaj. Asokohe, për ju cilat ishin vështirësitë më të mëdha?
E nisa punën e mësuesit në Shtiqën dhe në Brut të Kukësit, më pas vazhdova në shkollën e mesme “Hydajet Lezha” të Lezhës për katër vite dhe pastaj dy vite në shkollën e mesme “Xheladin Fishta” të Shkodrës. Kryesisht kishim probleme me transportin: udhëtonim me mjete të rastit. Po ashtu kishim probleme me furnizimin me ushqime, me gatime etj. Gjithashtu, na mungonin dritat, ndërsa në darkë ndiznim kandilat me vajguri. Por kryesorja ishte se ngado shkoja më ndiqte fantazma e “hijes në biografi”.
Jeta juaj është e mbushur me veprimtari akademike, por asnjëherë nuk keni qenë pedagog i Universitetit të Shkodrës. Një ftesë e munguar apo një mungesë dëshire nga ana juaj?
Thjeshtë është biografia që më ndiqte. Në vitin 1963 pata një propozim nga një instancë zyrtare për të kaluar pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, por çdo gjë u pengua sepse doli problemi i biografisë. Për fat të keq edhe pas viteve ’90 mbeta “me biografi të keqe”. Në moshë relativisht të re dhe me stazh në kërkime e studime akademike m’u mbyllën dyert e auditoreve universitare për shkak të qëndrimeve të mia opozitare. Gjithsesi, unë e kam quajtur rregullisht një vlerë profilin prej opozitari të intelektualit, aq më shumë sepse opozitarizmi mbetet një element tradicional i trashëguar i familjes sime.
Jeni autor i shumë studimeve e botimeve, por ajo që ju mbivlerëson dhe çmon së tepërmi është bibliografia kushtuar Mjedës. Aktualisht po vazhdoni të kërkoni më për Ndre Mjedën, apo tashmë e keni arkivuar si “dosje të përfunduar”?
E kam filluar punën kërkimore-shkencore në moshën 18-vjeçare, në përpjekje për të nënvizuar vetveten, por edhe për të sfiduar pengesat, gati-gati të pakapërcyeshme të regjimit të kohës. Kjo është arsyeja që deri në moshën 35-vjeçare jam angazhuar në disa fusha të dijes. U desh që të vinte viti fatsjellës për mua, viti 1974, që në mënyrë të natyrshme hyra në botën magjepsëse të studimeve rreth figurës gjeniale të Ndre Mjedës. Lidhur me pjesën e fundit të pyetjes suaj, them se edhe disa jetë të tjera po të kisha, të gjitha do t’ia kushtoja poetit të “Andrrës së jetës”.
Jeni mjedologu më i madh. Thuajse plot një jetë kushtuar figurës së shquar të shkrimtarit dhe meshtarit Dom Ndre Mjeda. Ç’risi keni sjellur për lexuesit, duke iu afruar figurën e plotë të tij?
Risia ka të bëjë me metodën e përdorur për studimin e jetës dhe veprës së tij. Trendi i metodës së përdorur nga ana e ime mbetet orientimi drejt burimeve arkivore, dokumentare: 1. Edhe sot, mbas katër dekadave kërkimeve të parreshtura në arkiva, biblioteka e muze, vazhdoj të gjurmoj me sukses brenda dhe jashtë vendit; 2. Kam synuar të futem në zgjidhjen e shumë pyetjeve e dilemave, por edhe kam shtuar pyetje e dilema të reja rreth jetës dhe veprës së Mjedës; 3. Kam ushqyer brenda punës sime debatin shkencor; 4. Kam synuar zbulimin, transkriptimin, leximin dhe studimin e veprave të panjohura e sidomos të dorëshkrimeve të Mjedës; 5. Kam vlerësuar në mënyrë të veçantë zbulimin dhe komentimin e letërkëmbimit të Mjedës, duke e quajtur këtë fushë si një nga burimet më të rëndësishme për zbulimin e të fshehtave mbi Mjedën; 6. Kam vlerësuar si të qenësishme metoda efektive në fushat e Historisë së Letërsisë apo të Teorisë së Letërsisë, si hipoteza shkencore, krahasimi shkencor, eksperimenti, statistika, rileximi i veprës, dyshimi, interneti, ilustrimi; 7. Monografia seriale “Mjeda” ka kontribuar në rritjen e studiuesve, duke i dhënë një impuls të ri studimeve mbi Mjedën dhe në krijimin e shkencës së re: “Mjedologjisë”.
Cilat janë dokumentat më interesante, që na vijnë përmes jush nga Mjeda?
Kam zbuluar me qindra faqe dorëshkrime autografe të Mjedës, shumë prej tyre apokrife e të panjohura. Janë letra të panjohura drejtuar albanologëve Holger Pedersen, Gustav Meyer, Zef Valentini, Fluvio Cordignano, të rilindasve si Nikolla Naçi etj. Gjithashtu vepra të panjohura në dorëshkrim të Mjedës si “Gramatika e shqipes” dhe kujtime për punimet e Kongresit të Manastirit. Po ashtu kam zbuluar me qindra dokumente që japin të dhëna mbi Mjedën në arkivat e Vjenës, Romës, Tiranës, Shkodrës, Kopenhagenit, Grazit, Milanos etj.
Si ka qenë e trajtuar figura e tij gjatë kohës së monizmit?
Të gjithë sistemet autokratike dhe diktatoriale herë pas here i rikthehen figurave të tilla të shquara, duke dashur të përmirësojnë imazhin e tyre të prishur. Kështu ndodhi edhe me veprën e Ndre Mjedës, të cilën e censuruan dhe e retushuan sipas nevojave të tyre ideologjike.
Po tanimë, në këto 20 e kusur vite demokraci, ka zënë vendin që i takon në pasurinë tonë kombëtare figura e Ndre Mjedës?
Ndre Mjeda sapo ka filluar të rilexohet, të studiohet e të njihet në të gjithë dimensionet e tij shumëplanëshe. Vërehen ende inerci që vijnë nga e kaluara, lidhur me vlerësimin, botimin dhe studimin e tij.
Sipas jush, a duhet rishikuar standarti gjuhësor i shqipes i 1972-it dhe ç’vlerë reale ka gegërishtja?
Rishikimi i standartit gjuhësor të shqipes është më e pakta që mund të bëhet për të rikthyer në gjirin e kulturës shqiptare këtë kryevlerë të çmuar kombëtare. Themi që po përpiqemi të demokratizojmë shoqërinë shqiptare, themi që kemi hyrë në një proces të parikthyeshëm demokratizues, apo themi se gjuha shqipe është pasuria më e madhe që kemi si komb. Atëherë lind pyetja: pse duhet të jetë tabu diskutimi rreth standartit gjuhësor të shqipes së 1972-it? Aq më tepër se ka fakte të pamohueshme, që i gjithë procesi u krye nën një taban thellësisht politiko-ideologjik.
Keni qenë drejtues i partisë “Balli Kombëtar” dhe protagonisti kryesor i asaj fitoreje historike, të paarritshme në demokraci nga një forcë tjetër politike, me të “Djathtën e Bashkueme Shkodrane”, në vitin 1996. Pra, triumfuat dhe thyet një forcë si Partia Demokratike, që Shkodrën e ka bastion të vetin.
Padyshim, ajo ishte një fitore e politikës kombëtare dhe demokratike, duke pasur parasysh vepra dhe jo fjalë. Ajo tregoi për herë të parë dhe të fundit, hëpërhë, realitetin e forcave politike në Shkodër. Për herë të parë në Shqipëri shkodranët rrëzuan mitin e Katovicës, që synonte manipulimin e erës demokratike në Shqipëri e kudo në Evropë, duke rrëzuar marrëveshjen e Triestes së 1991-it, kur komunistët e rinj e ndanë pushtetin mes vetes. Kjo ishte Shkodra e vërtetë, qyteti që tregoi guxim, karizëm dhe dinjitet. Kam përjetuar emocione që nuk kam fjalë për t’i përshkruar. Edhe kur kanë qenë të shtypur dhe të manipuluar, shkodranët kanë ditur të rikthejnë traditën parlamentare pluraliste të viteve 1920-24, duke vërtetuar se demokracia nënkupton ndryshimin që sjell bashkim, tranzicion dhe përgjegjshmëri.
Shkodranët dëshmuan më së miri se po u bashkuan forcat e vërteta demokratike dhe kombëtare mund të triumfojnë mbi partitë e “turqve të rinj” dhe mbi regjimet e tyre turkoshake. Shkodranët provuan se nuk mashtrohen nga parullat e fjalët e bukura, kjo pasi ato duan vepra demokratike. Po të vini re, edhe komunistët shqiptarë erdhën në pushtet në 1944 me parullën “Rroftë demokracia popullore!” DBSH-ja (E Djathta e Bashkueme Shkodrane) vërtetë ishte vetëm një shkëndijë, por edhe sot, mbas 17 vitesh, mbetet shembull për t’u ndjekur. Në atë kohë nuk u ndoq nga shqiptarët e lodhur nga sistemi i diktaturës, por sot ato janë zgjuar dhe nuk mund të mashtrohen më nga sofizmat.
Sa ka përparuar realisht Shqipëria?
Shqipëria është në një krizë të plotë ekonomike, sociale dhe politike.
Keni marrë çmimin “Mirënjohja e qytetit të Shkodrës” në vitin 2011. Ju duket një vlerësim i vonuar karshi kontributit tuaj shumëvjeçar intelektual dhe qytetar?
Më mirë vonë se kurrë. Si rregull përpiqem që të bëhëm protagonist përmes punëve, veprave e projekteve të mia dhe asnjëherë të bëhem klient i zyrave e katedrave shtetërore të cilitdo pushtet qoftë.
Para ca kohësh u ndanë nga jeta dy intelektualë të qytetit tonë, Gëzim Uruçi dhe Paulin Selimi. Një humbje e madhe për Shkodrën dhe më gjerë. Si mendoni, a vlerësohen sa duhet këto figura sa janë gjallë?
Fatkeqësisht realiteti na dëshmon qartazi se nuk ka programe shtetërore, që merren me vlerësimin dhe hierarkinë e personaliteteve.
Në përfundim, lexuesit duan të dinë se si është e organizuar dita e prof. dr. Mentor Qukut?
Zgjohem herët dhe filloj punën pranë kompjuterit për hartimin e dy volumeve të reja kushtuar Ndre Mjedës. Pastaj mbasi zbres njëqind këmbë shkallë, dal në qytet për të bërë shpenzimet e ditës, si edhe për të realizuar takimet e planifikuara. Paradreke marr deri në dy kafe, ndërsa duhanin dhe alkoolin nuk i konsumoj. Kthehem për drekë në shtëpi dhe pushoj mbasdreke. Ndërkohë, kam një muaj që po punoj çdo pasdite për sistemimin e arkivit, bibliotekës personale. Në darkë ndonjë vizitë apo në lokal me gruan, e cila mbetet mbështetësja më e madhe e imja në realizimin e projekteve shkencore. Ndjek lajmet e ditës në TV, lexoj suplementet albanologjike të gazetave, si dhe përdor mjetet e informimit në internet me adresat E-mail apo Facebook.
Mare nga shtypi.