INTERVISTA E PLOTE/ Ansar: Argita më kërkoi ryshfet 3 milionë euro. Selami Xhepa po shpif (VIDEO)

0
86

Çështja e biznesmenit Zafar Ansar vazhdon të shkaktojë debate të forta në politikën shqiptare me akuza dhe kundërakuza nga të dyja palët, që vijojnë edhe ditët e fundit.

Pas intervistës së biznesmenit pakistanez në Top Channel, reaguan si zonja Argita Berisha Malltezi, e deri Kryeministri Berisha i cili në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së citohet të ketë deklaruar se kërkesat e Ansar, s’mund të realizoheshin nga ana ligjore, pasi ai kërkoi një investim ekskluziv, naftë pa TVSH dhe tokë private në kuadër të nismës ‘Shqipëria 1 Euro’.

Në reagimin e datës 19 janar 2013, Argita Berisha – Malltezi deklaroi se Zafarit çdo tarifë i është ofruar në përputhje me ligjet e vendit dhe që prapë, në kundërshtim me detyrimet, ai nuk ka paguar asnjë qindarkë për shërbimet e ligjshme që ka përfituar. Ndërsa Selami Xhepa, ish-këshilltar i kryeministrit, më 21 janar botoi një shkrim me titull “Historia ime me biznesmenin Ansar”.

Por cili është qëndrimi zotit Ansar pas këtyre deklarimeve. Biznesmeni pakistanez është përgjigjur në një intervistë të dytë për Top Channel, dhënë gazetarit Muhamed Veliu.

Zoti Ansar, qëllimi i kësaj interviste është për të sqaruar disa çështje që lindën pas intervistës tuaj të parë më 15 Janar, lidhur me disa deklarime nga kryeministri Berisha, Argita Malltezi dhe ish-këshilltari i kryeministrit Selami Xhepa. Do të doja ta nisja këtë intervistë duke ju drejtuar këtë pyetje. A i keni kërkuar Argita Malltezit që në emrin tuaj të ndërmerrte ndonjë veprim konkret, pasi ajo ka deklaruar se ju nuk e keni paguar për punën që ka bërë? Cili është shpjegimi juaj për këtë?

Gjatë takimit i tregova Argitës se do të më duheshin shërbimet e saj ligjore për t’u marrë me të gjitha kërkesat ligjore. Ajo ra dakord dhe më dërgoi tarifat për shërbimet e saj, që siç e dini përfshinte edhe tarifën e suksesit prej 3%. Unë nuk e kam firmosur marrëveshjen. Argita më ka dërguar një faturë për punën e saj në një copë letër, ku nuk ishte shkruar numri i i regjistrimit të saj, data, kodi i taksave apo TVSH-ja. Kjo lidhej me punën e saj për periudhën 20 gusht-30 shtator. Shuma që më faturohej ishte për 42,5 orë punë pa dhënë asnjë detaj për punën e bërë dhe pa dokumente shoqëruese. I kam kërkuar të më dërgonte të gjitha dokumentet për të vërtetuar punën e bërë. Nuk kam marrë asnjë përgjigje prej saj prandaj edhe faturën nuk e kam paguar. Mund t’ju vë në dispozicion faturën e dërguar prej saj.

A keni ndonjë ide se ku ndodhej toka të cilën Argita ju ofroi për ta blerë?

Më ishte treguar se toka ndodhej në Porto Romano të Durrësit. Unë kurrë s’kam qenë në Durrës dhe nuk e di se ku ndodhet.

Opozita shqiptare thotë se toka që ju ofrua ta blinit është pronë e biznesmenit Damir Fazlliç. A ju tregoi Argita kur e takuat apo në korrespondencën mes postës elektronike, se cili ishte pronari i tokës?

Nuk e di se cili është pronari i tokës dhe nuk më është përmendur asnjë emër.

Gjatë mbledhjes të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri citohet të ketë deklaruar se kërkesat tuaja në bazë të legjislacionit shqiptar s’mund të realizoheshin pasi keni kërkuar një investim ekskluziv në këtë fushë, naftë pa TVSH dhe tokë private në kuadër të nismës “Shqipëria një Euro”. A i keni drejtuar kryeministrit apo këshilltarëve të tij këto kërkesa?

Kujtesa ime për takimin tonë është krejt ndryshe. Arsyeja përse doja të takoja kryeministrin ishte thjesht për ta informuar rreth propozimit tim që lidhej me ndërtimin e një TEC-i në Shqipëri dhe për të marrë bekimin e tij për ta bërë një gjë të tillë. Kryeministri pati mirësinë të binte dakord dhe më tha të ecja përpara me projektin. Unë nuk i kam kërkuar kryeministrit asgjë ekskluzive apo tokë falas. Ne në ofertën tonë parashikonim se na duhej 45,000 metra katrorë tokë me vlerë 2,2500,00 euro. Oferta që ne i propozuam KESH nuk përfshinte TVSH-në apo ndonjë taksë tjetër për TEC-in 144 mega. Kjo është një praktikë ndërkombëtare që të mos përfshihen taksat sepse ti nuk mund të parashikosh ndryshimin e taksave në të ardhmen.

A i keni lexuar komentet e shkruara nga Selami Xhepa, ish-këshilltar i kryeministrit dhe çfarë mund të na thoni për atë që thotë zoti Xhepa?

Me keqardhje dua t’ju them se artikulli i shkruar nga ish-këshilltari kryeministrit Berisha, Selami Xhepa, me titull “Historia ime me biznesmenin Ansar” në gazetën Panorama, është i mbushur me një sërë gjërash. E ndërsa kryeministri pretendon se projekti im u bllokua nga kërkesat e mija ekskluzive, ish-këshilltari i tij, zoti Xhepa, pretendon se “Politika e qeverisë ishte të dekurajonte TEC-et që do të punonin me naftë dhe kjo ishte arsyeja përse projekti u bllokua”. Cili ka të drejtë? Kryeministri apo këshilltari? E refuzoi kryeministri ofertën e projektit për çështje ekskluziviteti apo për çështjen e naftës? Në të tilla kushte nuk kishte arsye përse unë të vazhdoja dhe të dërgohesha në zyrën e vajzës së kryeministrit. Kam një tjetër pyetje. Përse KESH-i nuk e refuzoi ofertën? Zoti Selami Xhepa thotë se unë vij nga një vend ku përmes pagesave korruptive blen gjithçka duke hequr çdo pengesë. Uroj shumë të kisha rënë dakord ndaj kërkesave që mu bënë dhe kështu nuk do të kisha pasur asnjë pengesë. Unë nuk veprova kështu, prandaj edhe projekti nuk gjeti rrugën e zbatimit. Dua t’i them zotit Xhepa se unë nuk e njihja se kush ishte vajza e kryeministrit. Atë ma prezantoi ambasadori Admir Banaj, një njeri i besuar i kryeministrit. Argita më ofroi shërbimet e saja dhe unë rashë dakord të bashkëpunoja me të.

Ajo më dërgoi marrëveshjen për të siguruar pagesat e saja për shërbimet ligjore, përveç të cilave, kërkonte edhe 3% si tarifë suksesi. Unë nuk e nënshkrova këtë marrëveshje pasi e konsiderova si ryshfet. Projekti im u arkivua jo nga kërkesat ekskluzive, apo çështje të naftës, por sepse nuk pranova kërkesat. Kompanitë e mija operojnë në shumë vende, përfshirë Suedinë ku etika ligjore është më perfektja në botë. Këshilltari kryeministrit, Selami Xhepa, duke iu referuar origjinës time nga Pakistani thotë se: “me ryshfet unë mund të arrij çdo gjë”. Por zoti Xhepa duhet ta dijë se transparenca dhe ryshfeti trajtohen me shumë seriozitet në Pakistan. Në më pak se një vit Gjykata Supreme e Pakistanit shkarkoi kryeministrin në detyrë për faktin se gënjeu drejtësinë. Ndërsa këtë muaj, kryeministri tjetër në Pakistan u gjet fajtor nga gjykata pas akuzave për korrupsion dhe Gjykata Supreme ka lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij. Shpresoj që edhe gjykatat shqiptare do të ndjekin Pakistanin si shembull për të luftuar korrupsionin që vjen nga zyrat e nivelit të lartë. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

Zoti Ansar, e përshkruat kërkesën e zonjës Berisha për tarifën e suksesit prej 3% si ryshfet. Ju zhvilloni biznesin tuaj në disa vende të botës. A jeni vënë ndonjëherë përballë kësaj lloj kërkese nga kompanitë ligjore që keni bashkëpunuar?

Kur ju shkoni në një kompani ligjore, ato ju faturojnë për shërbimet ligjore që ofrojnë. Por kjo kërkesë ishte diçka e re për mua. Nuk e di se për çfarë ishte ky 3 përqindësh. S’kam asnjë ide. Unë bashkëpunoj me zyra ligjore çdo ditë. Vajza ime punon në një prej kompanive më të mëdha ligjore në botë, e quajtur Little Chance. Ajo më tha se kurrë nuk e kishte dëgjuar diçka të tillë.

Pas intervistës tuaj të parë në 15 janar 2013 ka lindur një pyetje: cili është motivimi juaj të flisni tani për një çështje e cila ka ndodhur në vitin 2007?

Gjatë gjithë kësaj kohe kam dashur mos të përfshihem në politikën e brendshme të Shqipërisë pasi nuk kam asnjë interes sot dhe as që kam për të pasur në të ardhmen. Me keqardhje dua t’ju them se nuk kisha zgjidhje tjetër por t’i përgjigjesha artikullit shpifës të zotit Xhepa.