52 personalitete i shkruajnë Topit rreth vetëdeklarimit të etnisë në regjistrimin e popullsisë

0
33


Nga Korresp. 24-ore.com

Presidenti Topi Plot 52 personalitete të fushave të ndryshme i drejtohen përmes një peticioni, presidentit të vendit Bamir Topi, kryeministrit Berisha dhe kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli lidhur me regjistrimin e popullsise, mbi baza etnike dhe fetare.

Gjithsej 52 personalitete mes tyre 2 ish presidentët Moisiu dhe Meidani, politikanë të spektrit të ndryshëm si Xhufi, Godo, Mustafaj, por edhe shkrimtarë, artistë, historianë, analistë si dhe përfaqësues të shoqerisë civile, shprehin shqetësimin lidhur me regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare që prek të drejtat themelore të njeriut, interesat kombëtare dhe bie ndesh me kushtetutën.

Personalitetet mendojne se shprehja e përkatësisë etnike dhe fetare që mbështetet edhe në kartën e Kopenhagenit është një cështje e individit. Ata i referohen nenit 20 të kushtetutës që u jep të drejtën pakicave kombëtare të shprehin lirisht pa u ndaluar dhe pa u detyruar përkatesinë e tyre etnike, fetare, kulturore dhe gjuhësore.

Nga kjo del qartë se e drejta e pakicave për të shprehur përkatësitë e tyre nuk është detyrim për ta. Aq më pak nuk mund të jetë një detyrim për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. 52 personalitetet e larta gjykojnë se kërkesa për vetëdeklarimin e kombësisë në kushtet aktuale është e rrezikshme, dhe sipas tyre nuk ka asnjë dobi nga regjistrimi etnik dhe fetar.

Ata shtojnë se elemente të tillë regjistrimi nuk ekzistojnë në asnjë nga 27 vendet anëtare të BE dhe se Shqipëria është një vend pa konflikte etnike dhe fetare, ku pakicat kombëtare gezojnë të drejtat më të plota sipas standardeve Europiane.

Sipas tyre Shqipëria është shtet laik dhe regjistrimi mbi bazë etnike dhe fetare do të nxiste një garë negative mes këtyre kategorive, ndërsa vetëdeklarimi është haptas kundër identitetit tonë.

Personalitetet propozojnë në këtë kuadër që ligji për gjëndjen civile i bërë në këtë frymë të shfuqizohet sa më parë. Gjithashtu ata i bëjnë thirrje intelektualëve, shoqatave dhe fondacioneve pa dallim, të bashkohen me anë të deklarimeve në masmedia në krah të këtij peticioni.