ResPublica.al, 30 korrik 2012
“Ndotjet” e ka titulluar shkrimin e sotëm në Panorama, Fatos Lubonja, ku fillimisht flet për situatën tonë të jashtëzakonshme me plehrat: “…Plehra që dergjen rrugëve rreth e rrotull vendeve të banimit; plehra që shkarkohen nëpër rrëpira; plehra gjithandej. Dhe ne që jetojmë mes tyre pa na bërë përshtypje…”.
Por veç kësaj ndotje të madhe të jashtme, Lubonja numëron 4 ndotje të tjera, të brendshme. Shkruan Lubonja: “Ndotja që ne shohim, dëgjojmë, prekim, nuhasim e shijojmë me shqisat tona në trajtën e plehrave, mbeturinave, kalbësirave, bajgave, dioksinës etj., nuk është tjetër veçse vizualizata e jashtme e ndotjes sonë të brendshme.
E kam fjalën, për shembull, për ndotjen tonë morale. Shikoni ç’bëhet: të duket sikur jemi një popull që e ka të natyrshme – ashtu sikurse të hedhë plehrat nëpër rrugë – të pasurohet duke vjedhur, mashtruar, gënjyer, trafikuar, korruptuar e jo duke punuar me ndershmëri.
E kam fjalën për ndotjen politike. Shikoni ç’bëhet: nuk gjen dot një politikan që t’i përmendësh emrin pa menduar se është i ndotur, e megjithatë emrat e tyre përmenden natë e ditë me respekt të madh – pale kur lënë ndonjë koalicion e kalojnë në ndonjë tjetër!
E kam fjalën për ndotjen mediatike. Shikoni ç’bëhet: gazetat e televizionet, në vend që të informojnë e të investigojnë për t’i shërbyer publikut, riciklojnë e ambalazhojnë ndotjet e politikës e të korrupsionit të pronarëve të tyre për t’ia shitur publikut, nëpërmjet gazetarësh/kamerierë që të paraqesin menynë të veshur me papion, si ushqim “BIO”.
E kam fjalën për ndotjen e Drejtësisë. Shkoni ç’bëhet me gjyqet dhe jo gjyqet e shumta që të bëjnë të mendosh se Drejtësia, në vend që të jetë fshesë e pastrimit të krimit, kullon krim e korrupsion vetë…”
(A.N.)