Poezi nga Rrustem Geci

0
45

LIRI ËSHTË TË DUASH NJË GRUA

Rreth13 mijë vjet dritë është i thellë
qielli i Roganës, 13 mijë vjet jetë
është gjuha shqipe, dhe 13 mijë vjet
të ujit, vesa njomë biologjinë e luleve

Të lashtë e modern u kam në zemër
të lashtë e modern jeni gjaku im
o ti atje eja tek unë të dashurohemi
të them të dua mos është pak vonë

Ilir, të nxehtë e kam sot kraharorin
a më çliron nga e nderuara, dashuri
një puthje ka shumë kuptim te unë
një përqafim.., ma mbushë shpirtin

Mbretëreshë e zogjëve ku flejnë yjet
zojë e Roganës duaje bandillin tënd
liri është të duash një grua, por, liri
është edhe gruaja të ketë një burrë!…

Rrustem GeciPrishtinë, korrik 2015

A KEMI TË VDEKUR DUKE LEXUAR?!

Poezi nga libri, “Poezia, një shok udhe”

Dua të di si jetojnë lexuesi tanë
sa janë të vuajtur, dhe të lumtur
si i mbijetojnë dhimbjeve të tyre
heshtjeve tragjike të papunësisë

Të dashuruar të së vërtetës tuaj
njihni përvlimtarët çlirimtar të artit
ata që ty kurrë nuk të gënjyen, që
fletët e mollës të ruajnë aromën

Vëllëzër të leximit! Veten e kam
parë se s´i ecja natën, i kam parë
ata që shkrehnin armët mbi ne
kur krelat vajzave u kullonin gjak

Në bollëkun e madh të poezisë
edhe hëna përdridhet si e dehur
gjallë është lufta e popullit tonë
po mëkatet shumë janë shumëzuar

Muzë bujare e poezisë, vëllëzër lexues
a jeni mirë me shëndet, a keni punë
dua ta di si jetojnë lexuesit tanë
dhe a kemi të vdekur duke lexuar?!

Rrustem Geci – Prishtinë, Verë, 2015

R O G A N Ë S

Atdheu na fton gurët t’ia shkruajmë

Krejt në thëllimë të zemrës sime
kam valixhet e vuajtjeve të jetës
dorëshkrimin me kujtesë betejash
dhe librin; “Poezia, një shok udhe”

Dashuritë në jetë janë me trazira
unë i kam përjetuar disa prej tyre
unë kurrë s´ kam qenë pa kohë, por
nga dashuritë pakëz kam mësuar

Rogana më detyron ta dua shumë
në Prishtinë kam kohët e rinisë
vuajtjet për më të dashurat, dhe
frymën epike të shumë krijimeve

Vera në Prishtinë është e nxehtë
me mbrëmje kafésh të veçanta
bisedat do thosha bëhen të buta
ato zgjatin deri në fund të shakave

Nuk ka gjeni pa atdhé të bashkuar
i vetmi gjeni i yni është Kosova
më e përvuajtura e gjithë neve, ajo
që ëndërr në dashuri ka bashkimin

Pse Kosova sot s´e ka një krijues
që për veprën e tij të vlersohet, gjeni
gjaku ynë brenda lufton i burgosur
atdheu na fton gurët t´ia shkrujmë!..

Rrustem GeciKorrik, Gusht 2015