Natasha Lako
Një ditë e nxehtë vere na lejon t’i kthehemi prapë se prapë politikës për një arsye të vetme. Ajo është mjaft zemërgjerë, përderisa përfshin 360°.
Rrota jonë e mullirit? Ndoshta. Diçka që e kemi marrë vetë përsipër.
Politika shqiptare ka marrë përsipër të përfshijë gjithë kohërat, ndonëse jetojmë në shekullin e 21, kur mendje të ndritura të botës po përpiqen për vizione të reja.
E ndoqa plot kureshtje përfaqësuesin e mazhorancës së sotme, Kryeministrin Sali Berisha në deklaratat e para mbi grevën e urisë, e cila, megjithëse duket e përjashtuar nga fjalori i ditës, sot po bëhet shkak për negociata të reja mes dy partive më të mëdha të jetës politike shqiptare.
Ishte e natyrshme që forca politike në fuqi të përdorte avantazhet e veta, për një koncentrim të protestës në formën e një dhune të skajshme dhe dëshpëruese pasive.
Por leksiku i Kryeministrit e braktisi kohën e sotme dhe e shtyu fenomenin nëpër kohëra, thua se nuk po ndodhte përpara syve të qytetarëve. Kësaj here i erdhi në ndihmë folja me u ngujue, që gjithsesi përfshin brenda edhe vazhdimësinë.
Në njëfarë mënyre, 200 grevistët e urisë u balancuan me rreth 2000 të ngujuarit e tjerë shqiptarë, që nuk dalin nga shtëpia. E sa kanë parë shqiptarët (e forcës sime të paktën nga këto). Na është regjur lëkura tash e qindra vjet që nga mesjeta e hershme.
Ta uniformizosh një ngjarje shqiptare të vitit 2010 dhe ta hedhësh në koshin mesjetar, aq të volitshëm për mendjet e inteligjencës më të re shqiptare, është një kthesë e plotë prej 360°, mjaft komunikuese.
Të bashkosh brenda një rrethi vicioz dy fenomene kaq të kundërta, lëvizjet e protestës, si një nga format më të papërdorura nëpër diktaturat shqiptare, me sistemin e ngujimit, kur një njeri mbyllet nga frika se mos e qëllojnë të tjerët, është një nga synimet më të hapura të kësaj politike 360°.
Edhe më interesante janë këto lëvizje të mëdha 360° në ngjyrime të tjera të ditës. Kam pritur plot kureshtje, që ndonjë prej opozitës, të reagonte së paku, për në një emision të Blendi Fefziut, të cilit do t’i vijë radha edhe të zbardhet nëpër botimet e tij.
Është fjala për panelin e tij me temë mbi komunikimin berishian, kur dy deputetë të mazhorancës shqiptare, pranuan haptazi dhe pa asnjë ngurrim, efektivitetin e eksperiencës së Gebelsit në komunikim, një prej personave më të urryer të njerëzimit. Madje këta dy deputetë, duke plotësuar njëri-tjetrin, i veshën këto merita jo vetëm për Kryeministrin e Shqipërisë, por edhe për Obamën. Për t’u bërë nder të meritueshëm njerëzve që kanë cituar, këta quhen Mark Marku dhe Mesila Doda.
Tema të tilla do të vërtiten gjithmonë në inkandeshencën botërore. Vetëm ditët e fundit, për të goditur politikën e Obamës, pjesë të caktuara të opinionit politik, shumica liberalë ose njerëz të ekstremit të djathtë, i krahasuan politikat e tij sociale të mbiquajtura socializmi demokrat, me nacional-socializmin ose socializmin marksist.
Por politika shqiptare është diçka tjetër, në rrotullimin e saj 360°. Stili i Berishës, madje edhe Obamës a la Gebels, jo vetëm që qenka mjaft i përdorshëm deri sot, por këtë nuk ka nevojë ta thonë kundërshtarët.
Ne jemi të zotët ta pohojmë vetë. Politikë 360° pa din e iman, që mund ta kthejmë si të duam, pa asnjë princip brenda, vetëm që qëllimi të justifikojë mjetet. Të ndërthurrësh këso lloj kthesash brenda vetes, të pohosh atë që mund ta kundërshtosh me sa ke fuqi, kjo mund të ndodhë vetëm në politikën shqiptare.
Arsyet e lëvizjeve 360° të politikës shqiptare, ose si ta dojë e bardha e zemrës, tregojnë se në Shqipëri nuk mund të flitet ende për grupime të fuqishme interesi, në të cilat njeriu ndjehet më i pozicionuar.
Këto pozicionime sot po lëvizin në kahje nga më të ndryshmet edhe në shtetet më të fuqishme demokratike. Vetëm për aprovimin e buxhetit historik në mbrojtje kundër krizave dhe kolapseve ekonomike, Senatit amerikan, pothuajse këtë javë iu deshën votat e tre senatorëve republikanë. Deri më sot, e djathta shqiptare, sidomos kur është në pushtet, ka shpresuar nga votat e së majtës shqiptare, por nuk ka ndodhur deri më sot, që e djathta shqiptare, të furnizojë në vendimmarrje të majtën shqiptare, si në rastin e senatorëve amerikanë. Duke u përpjekur të mbledhë sa më tepër njerëz rreth vetes, të përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës janë edhe sloganet e opozitës. Shqipëria e vogël nuk është ende e fuqishme të bashkojë interesat ekonomike financiare, në qarkun mbarëshqiptar.
E vetmja gjë që mund të prodhojë të mira mbarëkombëtare dhe forcë më të madhe integruese ndonëse modeste në ekonominë rajonale dhe botërore, si dhe forca më të qarta politike në mbrojtje interesash, që burojnë prej prodhimit. Duke qenë e pafuqishme të bëjë këtë, ajo e ka më të lehtë të lëvizë si t’i dojë qejfi, në 360° të jetës shoqërore, të kapërcejë kohërat, pasqyrat e diktaturës dhe të jetë prapë se prapë mjaft komode dhe e sigurt për çdo përgjegjësi që mban duke shpallur çfarë t’i dojë qejfi.
Kjo është e vetmja shpatë për të çarë përpara në histori, që u ka lënë Enver Hoxha në duar. Por fleksibiliteti i shqiptarëve ndonjëherë vjen si një dhunti.
Ky fleksibilitet mund të na shërbejë ende, veçanërisht në fushën e marrëveshjeve, ku në një kënd kaq të plotë prej 360° janë të mundura dhe të hapura shumë pika komunikimi, që të tjerët nuk mund t’i përfytyronin dot. Politika 360° mund të ndihmojë sot për sot edhe kompromiset mes partive më të mëdha politike, ashtu siç ka arritur herë pas here kompromise të rëndësishme, apo kombinacione nga më të papriturat.
Atëherë kemi të drejtë të pyesim. A mund të jetë politikë e mullinjve me erë, politika 360°, kur edhe mullinjtë me erë janë kaq të vlefshëm për kursimin e energjisë. Apo do ta përkthejmë atë në një politikë globaliste të vogël shqiptare, që do të na hyjë në punë lehtësisht për marrëveshje të mëdha.







