Gazi i botës

0
51

Nga Mero Baze

Ka një postim të fundit të Sali Berishës, i cili konkurron bindshëm rubrikën tonë të humorit. I çuditur se si Top Channel ka dhënë një raport kritik nga Brukseli duke intervistuar një eurodeputet të së djathtës që flet si Berisha, ka shpikur një skenar të vetin në kokë se si ka ndodhur kjo. Ka menduar gjatë, ka gërmuar pa sukses dhe më në fund e ka fantazuar se si ka ndodhur. Dhe pak a shumë ka ndodhur, sipas tij, që gazetarët e kanë dhënë këtë deklaratën e këtij eurodeputetit, por Edi Rama është tërbuar, ka marrë telefonin, ka sharë kryeredaktorin e lajmeve, atij i ka rënë telefoni nga dora, etj, etj.

Shumë kolegë të mi qeshin me këtë halucinacion të tij, por në fakt ai ka një lloj sinqeriteti në gjithë atë rrëfim. Në kulturën e tij, në mënyrën e punës së tij, në mediat e tij, dhe mbi të gjitha në raportet e tij me pronarë mediash, nuk mund të bëjë vaki që të transmetohet diçka që prek atë. Është pikërisht kjo kulturë që ai ka për median, dhe këto raporte që ai ka me pronarët e mediave, që e çon vetiu tek një skenë e imagjinuar se si sillet kundërshtari i tij me mediat. Ai nuk mund ta kuptojë se një media ka lirinë e saj t’i japë të gjitha opinionet pro dhe kundër dhe të mbaj qëndrimet e veta. Ai përfytyron se si sillej vetë me mediat kur bënin diçka që cenonin atë.

Fjala vjen, atij i kujtohet koha kur Top Channel ishte kritik me të, dhe se si ai i dërgonte tatimorët tek dera, i prisnin gjoba 6 milion euro, e zbonin nga godina, i merrnin koncesionet për studiot tek ekspozita, dhe në kontrast me të, medias bythëlëpirëse të tij i fali gjithë tokat në Kinostudio dhe i dha 18 milionë euro për të ndërtuar një pasuri përrallore duke grabitur në mënyrë të pandershme shqiptarët.

Në mendjen e tij është sjellja që duhet të ketë një kryeministër me gazeta kritike kur merren me të, siç është marrë ai me gazetën Tema, duke rrethuar shtypshkronjën dhe redaksinë me policë, duke shkelur vendimet e gjykatës për të mos i lejuar të hyjnë, duke i vënë gjoba qindra- mijëra euro, duke i djegur makinat e drejtuesve, duke përndjekur dhe kushërinj të shtatë të gazetarëve kudo që ishin.

Në mendjen e tij, kur një media kritike thotë diçka që është kundër kryeministrit, ai ka parasysh se kryeministri doemos duhet ta shantazhojë, ta gjobisë, ta sulmojë publikisht duke e krahasuar me kriminelë, dhe për t’i treguar anën tjetër të medaljes, duhet të shpërblejë palën tjetër.

Për këtë arsye, ai është i sinqertë në fantazinë e tij, e cila edhe pse tregon gjendjen e rëndë psikike në të cilën gjendet 70- vjeçari i braktisur nga shoqëria, tregon po ashtu mënyrën se si ai ka funksionuar si kryeministër. Ai nuk shkeli për tetë vite në Top Channel, nuk shkeli asnjëherë as ai dhe as ndonjë roje i PD në emisionin tim, nuk shkeli kurrë tek Ilva Tare, nuk shkeli tek Rudina Xhunga apo Andi Bushati, dhe shkonte dy herë në muaj tek Fevziu dhe Klani. Tani ai nuk ka si ta kuptojë që Edi Rama po ashtu shkon edhe tek Fevziu, edhe tek Balla, edhe te Ilva, gjithkund ku e ftojnë dhe ai mendon se duhet dalë. Në mendjen e tij ka një plan tjetër dhe një mënyrë tjetër të vepruari të kryeministrit në këto raste.

Ai nuk e kupton dot se si Rama çon Sandrin në prokurori për hajdut dhe i shkon atij në TV, se si Rama akuzon qeverinë Berisha për nepotizëm dhe emërime klanesh dhe nuk ia heq Sandrit motrën nga puna, që e ka futur pa meritë në ambasada, nuk e kupton dot se si Rama nuk ka bojkotuar ndonjë media, nuk ka djegur ndonjë makinë gazetari, nuk ka vënë ndonjë gjobë miliona euro, nuk ka prishur ndonjë redaksi, nuk ka rrethuar me banditë ose policë ndonjë zyrë gazetash, etj. Në mendjen e tij gjallon një skenar se diçka duhet të ketë ndodhur patjetër. Shikon që Top Channel transmeton skandalin e votave në Korçë, në favor të PD-së, dhe nuk e kupton dot, shikon ndonjë kronikë kritike dhe do të gjejë doemos shpjegim, ashtu siç shikon ndonjë bythëlëpirje të re të Sandrit dhe bëhet xheloz që po i lëpihet këtij tjetrit.

Në mendjen e tij ka ose servilë të përulur, ose armiq që duhen shkatërruar. Dhe ka me sa duket një javë që nuk e shpjegon dot pse Top Channel ka dhënë një kronikë kritike për Edi Ramën. Pasi askush nuk i ka dhënë përgjigje, e ka fantazuar vetë dhe e ka shpjeguar në Facebook. Mos u tallni me atë që shkruan se atë e beson. Por mendoni ç’të bën mendja kur do ende të rikthehesh në pushtet këtë moshë, pasi ke bërë gjëma. Gazi i botës!