NGA SERAFINA TOPIA TEK SERAFINA LAJÇI

0
291

Xhemail Peci Xhemail Peci

Nëntori i lirisë së Shqipërisë dhe nëntori i letërsisë

I. JERONIM DE RADA –
FLAMURTAR I SHQIPËRISË SË RILINDUR

Jeronim De Rada-ky kolos i letrave shqipe, ky vigan i idesë për rilindjen kombëtare e ky martir i mendimit të madh

Në penën e këtij vigani e të këtij shpirti të madh dhe të paepur, ashtu si dhe në zemrën e tij të madhe, e cila rrahu për Shqipërinë dhe lirinë e saj të ëndërruar aq shumë, hapësira hyjnore dhe hapësira qiellore e këtij atdheu të shenjtë, bëhen një dhe të pandarë. De Rada dëshmon përpara botës se shqiptarët janë një popull liridashës, se Shqipëria është shpresa e përjetshme e shqiptarëve. Shqipëria është vetë yllësia e fjalës shqipe. Shqipëria është kënga e tij më e përshpirtshme, është lutja e tij dhe himni i zemrës së tij, kurse pena e tij tregoi hapur se shqiptarët janë edhe një popull që e duan artin, letërsinë, të bukurën dhe të madhërishmen, nga të cilat aq padrejtësisht i privuan të tjerët me pushtimet e tyre të egra.

Jeronim de Rada

De Rada: Shqipëria do të jetë e shqiptarëve

De Rada e donte kombin shqiptar “zot të vetvetes”, duke shprehur bindjen se “historia e njerëzve është histori luftërash”, prandaj shkruante: “E vëmendja prej kaq vjetësh…është ngulitur në mua, në një besim të patundur në fitoren përfundimtare të çdo drejtësie, nga të cilat një është kryesore: rilindja autonome e vendit tonë, e përshëndetur prej bijve të vet të të gjitha brigjeve…Shqipëria do të jetë e shqiptarëve.”
Jeronim de Rada
Në qëndrimin moral, në vetëdijësimin intelektual, në vetëmohimin e Jeronim de Radës, ashtu si dhe në përkushtimin e tij prej martiri deri në ditët e fundit të jetës së tij (e që doemos na kujton thënien e Gëtes: Vetmi-nënë muzash; apo siç thoshte vetë poeti ynë: Vetmia është pjesë fisnike e botës), shpaloset ajo që e kishte thënë prej kohësh poeti i madh romantik anglez Bajroni, se Shqipëria është toka e trimave dhe e shpirtave të papërkulur, që ndër udhë të rrezikshme e gjetën shtegun drejt lavdisë së madhe.

Edhe vepra e Jeronim De Radës shërben si një mësim i madh epokash, si një kushtrim shekujsh shpalosur në majën e penës së tij gjithë dhunti e bukuri.

Zgjimi i ndërgjegjës kombëtare: një përgatitje hyjnore

Në misionin e tij historik dhe në vizionin e tij poetik, Jeronim De Rada, me të drejtë e quajti zgjimin e ndërgjegjës kombëtare shqiptare si një “përgatitje hyjnore”, e që në zemër-thirrjen e poetit të pushkëve të bardha, të shqiptarit të madh e të shkodranit të mençur Pashko Vasa, kjo përgatitje do të merrte përmasat e njëjta të obeliskut të tij madhështor O Moj Shqypni, duke lëshuar kushtrimin historik prej ideologu të Rilindjes së kombit të cilit kishte nderin t’i takonte: Urdhërat e ndërgjegjës kombëtare duhet të na vijnë për krerë, dhe të na bindin për ushtarë!

Idetë patriotike të Jeronim De Radës

De Rada e dinte shumë mirë se kishte shumë helm në gjakun e shqiptarëve, dhe jo më pak në damarët e çështjes shqiptare. Pushtimet e gjata shekullore, pushtuesit dhe politikat e tyre të mbjelljes së urrejtjes dhe të ndasive, si dhe ato të interesave personale e materiale, kishin lënë gjurmë dhe vrragë të mëdha në shpirtin bujar të një kombi fisnik.

De Rada prej kohësh e kishte formular shumë qartë qëndrimin atdhetar, nëpërmjet të cilit shprehte qëndrimin e të gjithë brezave që luftuan dhe punuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe demokratike: Edhe sikur të na falni gjithë botën, ne nuk do t’i tradhtojmë kurrë interesat e kombit bij të të cilit jemi!

Jeronim De Rada dhe diplomacia e huaj

Studiuesi më i përkushtuar i veprës poliedrike deradiane Jup Kastrati, duke e kundruar qëndrimin e De Radës kundruall diplomacisë së kohës, ka vënë në pah se poeti arbëresh nuk kishte iluzione: “Diplomacinë e huaj De Rada e ka njohur mirë. Ai nuk ka ushqyer iluzione kurrë as për Anglinë, as për Austrinë, as për Italinë, as për Turqinë; por ai nuk u ka zënë besë asnjëherë as qeverive greke, as malazeze, as serbe, as bullgare. Arbëreshi ynë i shquar e dinte fare mirë se i huaji nuk të bën kurrë nder, pa pasur një interes politik, ushtarak a ekonomik të vetin. Të huajt – shkruante De Rada – mezi ç’presin kohën që ta shporrin prej syve të vet Shqipërinë, e t’i pushtojnë- siç shpresojnë – malet dhe brigjet kaq të begatshme e të plleshme.”

Konceptet estetike të Jeronim De Radës:
Vizioni i veprimit hyjnor

Latinët thoshin se poeti lindet, oratori bëhet. E në veprën e tij Skanderbegu i pafan, 1870, De Rada nënvizonte se: “Edhe poezia është një privilegj si profecia. Nuk bëhet sipas vullnetit të njeriut. Vizioni i veprimit hyjnor për ndryshimin e fateve të njerëzve është një dhunti e profetëve, dhe se përgatitja për jetën e lartësive u përket vetëm poetëve të lindun.”

Në po këtë vepër poeti i madh shqiptar, do të shkruante: Pirgu i zi mbi Beligrad! Ai me një varg si ky, sikur po e dëshmonte sërish atë që e kishte thënë dikur Volteri se epiteti shpesh ikë nga emri! Historia e dëshmoi se një emër si ky ‘Beligrad’, u bë Bastilja e popujve që jetuan nën thundrën mizore të një ideologjie sa tinëzare, po aq edhe vrastare.

Ndërkaq, duke e parandier nevojën e zgjimit kombëtar, më 1836 ai shkroi:

Erdhi dita e Arbërit!
Doemos, do të vdesim,
Në shtrat, në mos rënçim,
Në parg të shtëpive tona.

Froni i Poezisë dhe Froni i Shqipërisë

Në shkrimin e tij Froni i përhershëm i poezisë, De Rada shprehte pikëpamjet e tij për hyjnoren dhe idealen me të cilat synonte që poezisë t’ia kthente fronin e përparshëm, e doemos që nëpërmes këtij froni ai do të bënte thirrje edhe për kthimin rishtas të fronit të Shqipërisë, ku kombi të cilit ai kishte krenarinë e ligjshme t’i takonte, do ta ndiente veten sovran:

“Poezia arrin në një mënyrë më të përshtatshme t’i paraqesë disa të vërteta të reja, që dikush t’i ketë hetuar më parë atje kur ato gjenden në midis të jetës, por janë vërejtur pak nga shkimi njerëzor. Poeti i kujton të gjitha këto duke u nisur nga intuita e qartë dhe e plotë, kurse historiani nuk mund të bëjë kështu. Kjo vërehet sidomos në simbolet në të cilat inspirimi ka qenë i madh dhe i denjë për një poet. Kjo është ose një cilësi hyjnore e poetit, siç thotë Sokrati, ose realizohet pasi trupi është më shumë objekt i mendjes, e kur mendja sundon në trup, ajo është më e lirë dhe më e fuqishme për veprimtari të brendshme, duke e bërë trupin si të pandjeshëm e si të vdekur, si te personat magjepës.

Sot, kur gjithë e më tepër po pasurohet mendja njerëzore me zbulime të reja dhe kur kjo ka dëshirë të njohë të ardhmen dhe jetën më të mirë, kjo simbolikë dhe alegori e paraqitjes së vërtetës, bashkë me paraqitjen e të bukurës ideale, do t’ia kthejë poezisë përsëri fronin e përparshëm”.

De Rada-Princi i artit të mirëfilltë poetik e Dante i Shqipërisë

Jeronim De Rada është princi i artit të mirëfilltë poetik në letrat shqipe. Ai është Dante dhe Makferson i Shqipërisë, gjithmonë i vetëdijshëm për vlerat e mëdha ideo-estetike të veprës së tij letrare, gjë që e shprehte në mënyrë modeste: “Le të jenë dëshmi e këtij suksesi të mrekullueshëm gjykimet, me të cilat qenë përcjellë provat e mia të posaçme nga njerëzit më me autoritet në kohën e tyre.”

Vrojtuar nga ky prizëm, koha i dha të drejtë edhe për mendimin e tij të shprehur me vend se: Pena e atyre që do të dinë ta përdorin si duhet do t’i durojë të gjithë shekujt.

Jeronim De Rada u vu në ballë të rizgjimit kombëtar duke lëshuar zemërthirrjen e tij se Erdhi dita e Arbërit! Por ai na la edhe zemërklithjen e tij: Gjaku ynë i shprishur, fisi ynë i shpërndarë.

Vetë mbishkrimi mbi varrin e poetit e përmbledhë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme në shërbim të lirisë së atdheut dhe përparimit kombëtar:
PËRGUJU ARBËRESH, KËTU PUSHON, JERONIM DE RADA, KËNGËTAR I SHQIPËRISË, UDHËHJEKËS I PARË I LIRISË KOMBËTARE.

Retrospektivë për De Radën:

Lamartini për Jeronim de Radën

Në kujtimet e tij, De Rada shkruante se i kishte dërguar Lamartinit dy veprat e tij poetike, si dhe për vlerësimin që i kishte bërë Lamartini poetit arbëresh, së bashku me parashikimin për ringjalljen e Shqipërisë:

“Në shtator të 1844-ës, erdhi nga Franca në Napoli, në banjat e Iskias, poeti Lamartin. Ai ishte në kulmin e karrierës së tij të shkëlqyer e të brohoritur. Me anë të një marinari, ia dërgova atij atij një kopje të Milosaos, si dhe Këngët e botuara të Serafinës. Unë isha i shtrirë në shtrat nga dembjet e shpirtit, kur, pas pesë ditësh, marinari u kthye me këtë letër:

Zotëri,

Jam i lumtur për këtë shenjë vëllazërie poetike, midis jush dhe meje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja e aty duhet të kthehet. Unë nuk kam pasur asnjë meritë tjetër veçse që e kam parandjerë dhe që kam shprehur dëshirat e para për lirinë dhe ringjalljen e Shqipërisë. Ju më shpërblyet së tepërmi. Më vjen keq për shkakun që më pengon t’ju shoh dhe ju lutem që të pranoni falënderimet dhe përgëzimet e mia.
Lamartin
Iskia, më 8 shtator 1844”.

De Rada dhe Nikolla Tomazeu

Ndërkaq, Nikolla Tomazeu, nga Firenca, më 30 korrik 1973 i shprehte De Radës vlerësime njëlloj të larta:

“Më e thellë se në Dorotenë e lëvduar prej Gëtes është vasha, që, duke shkuar për ujë, kthehet në mes të rrugës, i hedh një shikim qytetit, sikur donte t’i jepte lamtumirën shtëpisë ku lindi etj…Një djalosh sodit me shpirt plot adhurim bukuritë e madhërishme të nënës së vet. Dhe emërtimi zonja mëmë është edhe në atë komb ai, një dokument historik në mes patrialkales dhe luftarakes…

Dikush tjetër thotë se këngët tuaja janë tepër të copëtuara (fragmentare). Por Ju që cekni pëllumbeshën e pavdekshme e Anakreontit, më bëni të di se nuk mund të përçohen në fillin retorik lëvizjet e lira të fluturuesve. Tjetër shoh unë, tash, se zemra juaj qe mjeshtër përkurmënie dhe vendosmërie njëheri. Në zemrën tuaj është dëshirë e përvujtë për të mirën, sepse është plot dashuri për jetën e amëshuar.

Urime me një përkulje të dashur,
N. Tomazeu
Firence, më 30 korrik 1873”.

Louis Benloeu: Forca e gjakut shqiptar

Louis Benloeu, një filolog i shquar i kohës e albanolog i njohur, profesor në fakultetin e letërsisë së Dizhonit, i cili kishte shprehur mendimin e tij të njohur duke iu drejtuar opinionit të kohës: “Admironi megjithatë forcën e gjakut shqiptar që ngadhënjen madje dhe mbi urrejtjet fetare dhe mëson tolerancë për të gjithë anëtarët e së njëjtës racë”, që kishte bërë thirrje se Shqipëria kërkon të jetojë jetën e vet kombëtare, duke u zotuar se: Edhe më shumë dua të bëj për çështjen e shqiptarëve (letër drejtuar Zotërinjve de Rada, At e Bir, shkruar nga Passy-Parisi, 12 janar 1880;) po nga ky vend Passy-Paris, i shkruante De Radës më 1 shkurt 1881: Pres ditën t’ju shtrëngoj dorën!

Frederik Mistrali për Jeronim De Radën

Homeri i Provencës-Frederik Mistrali, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi (më 1904) mes tjerash i shkruante poetit arbëresh me ndjenjën e një konsiderate tepër të veçantë, më 16 maj 1885: “Poezitë tuaja të dlirta janë monumentet e Atdheut tuaj”, duke vazhduar më tej: “Krijimet tuaja janë plot hijeshi, freski e qetësi ungjillore. Çfarë tabloje plot shije! Që ka parfumin e idileve biblike dhe lëngun jetësor të gjuhëve të virgjëra. Ju përgëzoj, zotëri, që i keni përkushtuar muzën tuaj, dashurinë tuaj dhe jetën tuaj kultit të gjuhës suaj amëtare, lavdërimit të vendit tuaj dhe të racës suaj.

Nëse gjuhët e mëdha zyrtare u japin më shumë lexues shkrimtarëve të tyre, gjuhët natyrale përmbajnë në vetvete burimet e poezisë së vërtetë.

Qofshi pra i lumtur që jeni përzgjedhë për të hartuar psalmet e Shqipërisë suaj të ëmbël. Poezitë tuaja janë të kulluara e të përshpëritshme, janë monumente të atdheut tuaj.”

Mikel Markianoi për Jeronim De Radën

Mikel Markianoi në vlerësimin e tij shprehej me të drejtë se: “De Rada është i pari këngëtar i shpirtit të gruas në literaturën shqiptare” (krijues i poemave të papërsërishme si: Milosao, Imotoe, Parayllja, Vantisana, Nasta, Agata e Pravatës, Diana, Serafina Topia, Anmaria Kominiate, Adina, Videlaida).

Fjala vjen, shkrimtari i madh francez Onore de Balzak, zotohej përpara fotografisë së Napoleon Bonapartës duke thënë: Ate që bëri Napoleoni me shpatë, do ta bëj unë me penë! Dhe koha i dha të drejtë. Njëlloj tha edhe Markianoi për De Radën, dhe koha gjithashtu i dha të drejtë vlerësimit të tij me vend: Atë që e bëri Skëndërbeu me shpatë, e bëre ti me penë, o i madhi Jeronim De Radë!

Zef Skiroi për Jeronim De Radën:

SHENJA E PËRQAFIMIT QIELLOR TË ZOTIT ME SHPIRTIN E POETIT

Zef Skiroi, pa dyshim e ka përmbledhur në mënyrë tejet poetike rrugëtimin e fundit të poetit të madh: “Udhëtimi i tij i fundit ndriçonte me një episod të denjë për legjendat më të bukura të etërve të shenjtë. Sepse me nderet që i bënë njerëzit kufomës së tij u bashkuan, si me vullnet hyjnor, ato të natyrës. Pranë varrezave, në çastin e lamtumirës së fundit të farefisve e miqve, nga një bajame e lulëzuar aty afër, u ngrit, e rrëmbyer nga era një re petalesh të bardha, që ra, duke e zbardhur të gjithë qivurin e të mjerit De Radë. Toka bujare e lindjes, duke pritur në gji trupin pa jetë, përshëndeste birin e vet të madh me buzëqeshjen e pranverës që po vinte dhe shumë veta në episodin tokësor deshën të shihnin shenjën e përqafimit qiellor të Zotit me shpirtin tepër fetar të Poetit.”

Gjergj Komnino për Jeronim De Radën

Gjergj Komnino, një poet dhe shkrimtar i talentuar shqiptar i viteve 30-të, kishte botuar shkrime letrare në shtypin e kohës, kurse në Firencë kishte botuar shtatë libra. Duke qenë i burgosur nga sistemi komunist në Shqipëri, në vitet e para të demokracisë së brishtë shqiptare shkoi në Itali, ku ishte vendosur në një kishë duke jetuar nga ndihmat bamirëse, por pa e braktisur kurrë artin poetik. Ai shkroi një nga vjershat më të bukura kushtuar poetit të madh arbëresh, të titulluar:

Jeronim De Radës

VJERSHËTOR prej arbëreshës që j-a thot’ aq’ e malluar,
Thellësisht u-zotërove, o shijuës bukurije,
Ç’të tërhoqi e pakuptuar, si një notë simfonije,
O Artist i Milosaos, shpirtërisht je frymëzuar
Një stoli që s’krahasohet që s’ka shembëll, s’ka të ngjarë,
Këng e vashës arbërore: bukuri e papërshkruar,
Se ç’të ngjalli mu në zemër një kangjel aq të mbaruar!
Aqë fort të pati prekur, sa në shpirt t’a ndezi zjarrë,
Por një mall që s’mund të ndjehet, veçse kur të jesh qëlluar,
O Poet, ndër ata vargje kësish malli kam shijuar;
Dhe me gjith që nuk kam vuar, mu në zemër e kam ndjerë,
Sa, padashur, kam besuar, se im-Yll qënka përzjerë
Me një vashë flokë zezë, me një vashë sy mëshqerë!
Aqë këndshëm rrieth vargu, sikurse nga bari i blerë
Buron uji prej kristali, që ndër ‘të ësht’ pasqyruar
Rrez’ e diellit kuqalashe me ndriçim ka përaruar
Ate ujë që ftoh gjirin’ e një vashëze bareshe;
Sa ndër tufëza kangjelesh n’atë gjuhë arbëreshe,
Ti ke ditur të çfaq’ç mallë, mallin që të pat qëlluar.
Porsi krua shuan shpirtin e një zjarri të-etuar,
Për shijime bukurije: bukuri që s’është parë,
Veç në syrin’e një Zane që derth lot margaritarë,
Aq fort të pati prekur frym’e këngës popullore,
Porsi bleta që ndër lulet e thith mjaltën pranverore;
Sa nga-ajk’ e saj e majme Milosaon e gatove,
Më së miri n’ata vargje bukurin i pasqyrove,
Ti m’i ngrite-asaj kënge shekulloren përmendore,
Jo mermer, jo prej rubini, po prej palcës gjuhësore!
Prej pallatesh vjershëtore, ku m’u ngjite Ti, o Mjeshtër,
T’atij brezi të kaluar, drrith çdo zemër e çdo eshtër,
Ndrit si flakë-e-amshuar, ndrit si yll përjetësije,
Çdo ndërgjegje të verbuar, të fundosur në padije.
Që, me trun’ e kufizuar, përçmon këngën shqipëtare;
(Një thesar nga më të ndriçmet trashëgime-amëtare!)
Siç shëmton buzën e bukur nënë-qeshja ziliqare!
Po, nëse ca të mallkuar, si shushunje kanë mbetur,
Prapë këng’e arbëreshës do të mbetet e pa vdekur.
Dhe prandaj e-adhurojmë plot me mall e plot me besë,
Se në zemrat e të rijve do të derdhij frym’ e vesë!
Shembëlltyr’e papërlyer e një shpirti të kaluar,
Që një botë, po, prej ndjenjash, në veht-vehte ka mbuluar.
Ti s’u theve. Ti s’u tunde, po qëndrove për gjithmonë,
Si Herojt e-Idealit, si yj polesh të paluar,
Se nga zemr’e jot’ e ndritur që së thelli pat buruar,
Forc’e gjall’e një besimi, për Lirin’ e Kombit t’onë.
Ndaj o Shembëll’i së Mirës, shpirt’ i-yt le të shkëlqejë,
Sepse t’arthmet gjenerata, vallë kush do t’i ushqejë?
Vetëm hov’i këngës s’ate me një tingull të malluar,
E në vargjet shekullore do të mbetet si pasqyrë,
Se, një vlerë që s’mohohet, aq të lartë njerëzore,
Pati frym’e punës s’ate, nga fuqija besimtare,
Sa në zemrat e të rinjve, t’është ngritur përmendore.
Pra, me dritën e mendimit të kulluar që Ti pate,
Frymëzo shpirtat e njoma pas të shenjtës gjurmës s’ate!

Ernest Koliqi për Jeronim De Radën:

ATDHEU AUTENTIK I NJOHUR NGA STËRGJYSHËRIT E TIJ, I DREJTUAR NGA LAVDIA KRENARE E SË KALUARËS DHE QË VUAN PËR FATIN FISNIK

Në esenë e tij Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë, kushtuar De Radës, Naimit e Fishtës, Ernest Koliqi shkruante nga pikëpamja e studimeve krahasimtare se Da Radës “më tepër i interesonte ana shpirtërore e kombit shqiptar…Por ajo që i bën të parritshme figurat poetike dhe i transformon çuditshëm peisazhet e veprave të tij është një lulëzim misterioz, nga thellësia e gjakut të vet, i kujtimeve të paralindjes. Kjo nuk është Shqipëria e ëndërruar nga një poet, por atdheu autentik i njohur nga stërgjyshërit e tij, i drejtuar kah lavdia krenare e së kaluarës e cila shfaqet përplot krenari të pakuptueshme dhe që vuan për fatin fisnik, për t’u projektuar duke e përjashtuar të tashmen e pakëndshme në horizontet e një ardhmërie të sigurt.”

Ernest Koliqi kërkon dhe i gjenë rrënjët e frymëzimit të madh të poetit prijatar: “Jeronim De Rada kronologjikisht i pari ndër tre poetët ma të mëdhenj me gjak e me gjuhë shqiptari…Shqipnia, si komb i vetëdijshëm për karakteristikat dhe vlerat e veta etnike e shpirtnore, si bijë e letërsisë së kultivueme, fillon nga Jeronim de Rada, në vitin 1836 me Milosaon…Dhe De Rada, po e përsëris, shijon me një ndjesi të përhershme mahnitjeje këto pamje të reja e të moçme, të cilat i zbulon në përditshmërinë e një jete të zakonshme. Së brendshmi thërret: “Po, kjo qenka Shqipnia!”…Fillon dhe vijon poetizimin e vet tue na ba me e ndi Makien si epiqendër të kombit shqiptar…Bija e Kallogresë merr, kësisoji, vlerën e një simboli pranveror, mishnon idenë e rilindjes shqiptare, përfaqëson alegorikisht gjuhën shqipe të ringjallur në virtytin letrar, asht imazh mitik i vashës Shqipni, të skajueme e të panjoftun…Me tematikën e frymëzueme nga vrulli i gjakut të tij, Jeronim De Rada, hap epokën e krijimtarisë artistike të races së vet e rrjedhimisht, siparin e letërsisë së kultivueme të Shqipnisë.”

Jeronim De Rada dhe E Bija e Kallogresë:

SHKËNDIJA SYSH TË ZJARRTË E MAGJI IMAZHESH YLBERORE TË POEZISË SHQIPE

Ernest Koliqi, duke qenë edhe vetë poet dhe themelues i revistës Shejzat, në një nga esetë e tij më të bukur të shkruar për Jeronim De Radën, do të vinte gjithashtu në pah në mënyrë të përmbledhur aspektet romantike të frymëzimeve të thella poetike të Jeronim De Radës: „Vajza e Kallogresë me buzët e kandshme i recitonte kangë dashnie në gjuhën shqipe; prej këtyne kangëve ai mësonte shprehitë zjarrmuese, t’përshtatshme për me nxjerrë në pah regëtimet e një zemre të trazueme nga tronditja e ambël dhe e beftë e dashunisë së parë. Buzë të trëndafilta vajznore e fjalë mrekullore në gjuhën e moçme të stërgjyshërve, shkëndija sysh të zjarrtë e magji imazhesh ylberore të poezisë shqipe, shkrihen midis tyne. Shqetësimet e ambla të zemrës, të cilat për herë të parë i shijon misteri i dashunisë, ndërthuren me andjen enigmatike e dehëse që ai shijon në fjalët e shqiptueme prej saj e që po asaj ia përsëritë me zjarr n’atë vjeshtë të lumtun. Ai gjithnji kishte folë shqip por pa mund me e hetue veçantinë e kësaj gjuhe, porse tashti ai e gjente menjëherë vetëdijen mbi lidhjet që ajo gjuhë kishte me gjakun që i rridhte ndër deje…“

Lidhja e gjakut me gjuhën, është shtytja tjetër e madhe e krijimtarisë poetike, të cilën e vë në spikamë Ernest Koliqi.

Tematika e frymëzuar nga vrulli i gjakut

De Rada shkruante në Autobiografinë e tij, se krijimet poetike ishin ‚bijat e fatit tim‘, pra ca ‚blana drite të Zanës tokësore, që reflektonin si një pasqyrë në vjershat e asaj kohe‘, dhe siç shprehet Ernest Koliqi: „Me tematikën e frymëzueme nga vrulli i gjakut të tij, Jeronim De Rada hap epokën e krijimtarisë artistike të racës së vet e rrjedhimisht, siparin e letërsisë së kultivueme të Shqipnisë.“

Lasgushi: Poetët e formojnë kombin

Një mendim të njëjtë për hyjnoren në frymëzimet poetike, do të mbante edhe poeti Lasgush Poradeci, duke thënë se poezia duhet të ngjallë të njëjtat emocione si te lexuesi i sotëm, ashtu edhe të atij që do të vijë pas një mijë vjetëve. Sepse, siç thoshte Lasgushi: Poetët kur shkruajnë poezi, një perëndi e veçantë ju qëndron pranë dhe ata ndryshojnë dhe shkruajnë siç i mëson ajo. Kur kjo perëndi largohet, ata bëhen prapë njerëz si ne, si unë, si ti, si ai tjetri. Poezia e formon shpirtin e kombit. Poetët e formojnë kombin. Poezia është hyjnore prandaj kur shkruan poezi duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Poezia është mbret por kur është pa rimë, është pa kurorë.

Lasgush Poradeci shkruante pak, por thoshte shumë. Për 15 vite, ai shkroi vetëm 14 poezi, por i latoi ato e u dha nur në ato qëndismat e tij të rralla lirike. Tokësorja dhe qiellorja shkrihen tek këngëtari finok i dashurisë edhe kur thurte letra dashurie: “Desha të çmall një mallin tim të brendshëm, t’a kem Shqipërinë gjithnji të gjallë dhe të bukur e si nuse e re që është, t’a kem përpara syve të gjallë.”
Ernest Koliqi:

Poezia është kryengritje e rrezes hyjnore. Poeti është ‘hakmarrës’! Merr gjakun e fytyrës hyjnore të bukurisë…

Ernest Koliqi, duke patur fatin e keq që të detyrohej të largohej e të rronte jashtë atdheut, gjithashtu ka shprehur besimin e tij për konceptin e hyjnores në artin poetik, njëlloj si De Rada dhe Lasgush Poradeci: “Poezia është një kryengritje. Kryengritja e rrezes hyjnore që secilit njeri i flen në shpirt. Kryengritja e dëshirës së rilindjes kundër jetës së plakur e të kalbur. Kryengritje e lakmimit të lavdisë kundrejt padrejtësisë së fateve. Kryengritja e Titajve djalosharë, që kanë pranverën në gjak, kundër Joseph Prudhomave t’akulluem me një egoizëm plot me dyshime frikacake. Poeti është një hakmarrës. Merr gjakun e fytyrës hyjnore të bukurisë, mbi maskat e përçuduna të dobësisë njerëzore.”

Jup Kastrati për Jeronim De Radën

Serafina Topia është një nga kryeveprat e De Radës, në të cilën ai gjakoi dhe lartësoi lirinë e të parëve duke synuar bashkimin e shqiptarëve. I mbështetur tek këngët popullore, ai i dha poemës së tij një dimension të ri epiko-lirik, dhe siç shkruante Dora d’Istria: “Serafina Topia është një poemë që jep një tabllo të gjallë të përpjekjeve të një populli në luftë me pushtuesit dhe me despotizmin”.

Në monografinë e tij të titulluar Studime për De Radën, studiuesi Jup Kastrati duke e vlerësuar veprën Serafina Topia të De Radës, ka vënë në pah se në të: “muza shqiptare, në mënyrat e saj të veçanta, harton me një të përbashkët shpirtin e lashtë dhe të ri…Gjithçka që e vë në lëvizje botën poetike të De Radës, është Atdheu që ndjek me një dashuri krenare dhe të cilit i ka kushtuar gjithë jetën dhe talentin e tij…Në poemën, poeti kryqëzoi shfrimin lirik të pasionit të tij me himnizimin e Shqipërisë heroike të qindvjetshit të Skëndërbeut…Figurë qendrore e poemës është Serafina Topia…Në poemë, princesha e imagjinuar Serafina nga Arta, flijoi dashurinë e saj për Bozdar Stresin dhe u martua me Nikollë Dukagjinin, me qëllim që të bëhej e të forcohej bashkimi i Jugut me Veriun e Shqipërisë. Ajo është një nga figurat më të dashura të galerisë deradiane…Vepra është një himn për emancipimin e gruas shqiptare dhe për virtytet e saj të larta, morale dhe intelektuale”.

Shandor Pëtefi në mes të Hungarisë dhe Dashurisë

Nuk ka dyshim se edhe në këtë vepër të poetit të madh vlen parimi romantik i shprehur në mënyrë aq domethënëse nga poeti hungarez Shandor Pëtefi: Për dashurinë e dhë jetën, e për atdheun e dhë edhe dashurinë.

Siç ka theksuar më tej studiuesi Jup Kastrati, kjo vepër e De Radës, më 1847 nga Vinçenco Dorza, u krahasua me Këngët e Osianit (të poetit skocez Makfresonit), kurse Viktor Gualtieri kishte gjykuar se: “Skena e vdekjes së Bozdarit është vërtet e denjë për penën e Shekspirit”.

Ramiz Kelmendi për Jeronim De Radën:

Shpirtërisht i prirë e i gllabëruar për letra e arte të bukura. Shpirti i hyjneshës së De Radës, i shkëlqente ditën, por e lente pa gjumë natën!

Duke shkruar për Jeronim de Radën, shkrimtari Ramiz Kelmendi ka vënë thekse të veçanta tek figura poliedrike e këtij poeti dhe atdhetari të madh të kombit shqiptar. Ai ka përkujtuar meritat e shumta që ka De Rada: “Ky nismëtar i madh i letrave dhe i kulturës sonë përgjithësisht, rilindasi ynë i madh. Penën më të madhe të letrave tona. Edhe telegrafikisht: nismëtar nismëtarësh. Shkroi për lashtësinë e gjuhës së vet. Thua jetoi jo 89, po 189 vjet. Aq shumë bëri. Babai i më të parit libër artistik në gjuhën shqipe. Shpirtërisht e gjithsesi i prirë e i gllabëruar për letra e arte të bukura. Shpirti i hyjneshës së De Radës, i shkëlqente ditën, por e lente pa gjumë natën!”

Jeronim de Rada kishte lëshuar prej kohësh zemër-klithjen e tij të njohur: Gjaku i arbërit po shkon! Zef Skiroi (siç e ka quajtur Koliqi me të drejtë: Poet i vllaznimit gjithëshqiptar) gjithashtu kishte klithur njëlloj: O gjaku ynë, po kthehesh në zemër të pastër, ashtu siç je largue! E Ramiz Kelmendi (në takimet me arbëreshët e Italisë) po lëshonte zemër-thirrjen e tij me tone të një optimizmi të theksuar: Ndër arbëreshët po vlon. Po gurgullon.

Ndërkaq, Ernest Koliqi (në esenë Papas Petrotta, flamurtar i kulturës shqiptare/pjesa hyrëse Malli arbresh për Shqipni) me të drejtë do të phonte se: Çdo shqiptar zemër-ndjeshëm pushtohet zakonisht nga një përshtypje e gjallë çudie kur rasa e qet m’u takue me arbreshë…Mbas pesqind vjetvet jo vetëm që krenija e Arbërit nuk asht shue në gjak të tyne por asht fuqizue.

Në esenë tjetër, të titulluar Politika e kultura, Ernest Koliqi vinte në spikamë ndiesitë poetike për atdhedashurinë e arbëreshëve: “Bijt e Shqipnisë janë të përhapun në mbarë rrokullin toksore (“gjaku ynë i shprishur”) dhe të gjithë, me të rralla përjashtime, i ndiejnë të gjalla në zemër lidhjet me vendin ku linden ata vetë ose prej kah i u erdhën të parët. Këto lidhje-verigë e mrekullueshme që shtrin hallkat e veta nëpër kontinente të planetit-mund të jenë vetëm landore ase vetëm shpirtnore, por edhe të përzieme. Arbëreshët e Italisë, për shembull, e duen Shqipninë me nji ndiesi poetike të thjeshtë, në të cilën kujtimet e largta historike shkrihen në nji dritë andrre; n’at ndiesi nuk lëviz asnji lakmi landore dobije, veç dishiri bujare m’e pa vendin e zanafilles edhe fisin qi i u dhuroi gjakun e dejvet, të maltësuem sa ma tepër në shkallë qytetnije e lavdije.”

Deardiana epistolare

Kështu e ka pagëzuar shkrimtari dhe studiuesi Ramiz Kelmendi, letërkëmbimin e kësaj figure nga më të ndriturat e Rilindjes sonë Kombëtare. Letërkëmbimi i tij përfshinte emrat më të njohur të bashkëkohanikëve të tij shqiptarë, por edhe albanologët e huaj: “Një letërkëmbim nga më të rrallët e më të çmuarit. – Mbi 1.000 letra të gjetura të De Radës. – Materiale me vlerë të veçantë e të paçmuar për autorin, për kohën dhe për mjedisin.”

Jeronim de Rada, është vlerësuar kështu nga aspekte të shumta e si një prej figurave qendrore të një epoke:

“Një emër të madh lindi bota arbëreshe e Italisë: Jeronim de Radën (1814-1903).

De Radën – më të parin letrar tanë të mirëfilltë, autorin e veprës së parë të letërsisë sonë artistike dhe nismëtarin e romantizmit shqiptar.

De Radën – “babanë” e gazetarisë shqiptare, duke nisur nga më e para fletore shqipe e tij (“Shqiptari i Italisë”, 1848) dhe duke vijuar më pastaj me revistën aq të njohur dhe me aq meritë sidomos për letërsinë – “Flamurin e Arbërit”, 1883-87).

De Radën – mësuesin e parë të shqipes në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën Mitër të Kalabrisë, që në atë vitin e largët 1849, tek hapi të parën katedër të gjuhës shqipe në histroikun e arsimit tonë.

De Radën – organizuesin dhe ligjëruesin qendror të më të parave kongrese tona gjuhësore, etj. etj.

Këtë De Radë kaq të merituar e kaq të çmuar, autor të tridhjetë e sa veprave letrare, folklorike, gjuhësore, historike, politike, filozofike, estetike, sociologjike e publicistike, e kemi nga më të çmuarit e më të merituarit edhe në këtë lëmin që kemi në shqyrtim, në letërkëmbim.”

Tek shkruan kështu për De Radën, Ramiz Kelmendi shpreh dashurinë dhe krenarinë, por njëkohësisht edhe dhembjen për fatin e poetit të madh, duke përkujtuar gjithashtu se ai pati letërkëmbim: “me poetin e çmuar Zef Sermben, që e pati nxënës; me Anton Santorin sa vete e më të dëgjuar, më të çmuar e më të merituar, autorin e të parit roman shqiptar, që ia botoi De Rada në “Flamuri i Arbërit”, Anselmo Lorekion, botuesin e gazetës më jetëgjatë të arbëreshëve të Italisë (“La nazione Albaneze”), që doli nga viti 1897 e për 28 vjet radhazi gjer më 1924.

De Rada pati letërkëmbim me bashkëvendësit, me arbëreshët, me albanologët e huaj…

De Rada, krahas arbëreshëve të tjerë, por edhe para atyre sidomos më shumë dhe më tepër se gjithë të tjerët së bashku, mbajti letërkëmbim (u shkroi dhe i shkruan) me bashkëkombësit e vet kudo gjendeshin, po më së shumti me ata të Stambollit, të Bukureshtit, të Kajros, me arbëreshët e Greqisë etj.

De Rada pati letërkëmbim me rilindësit tanë më të njohur: me Pashko Vasën, me Sami e Naim Frashërin, me Thimi Mitkon dhe, në mënyrë të veçante, me princeshën e njohur me origjinë shqiptare, me Dora D’Istrian (Elena Gjikën), letërkëmbim që zgjati për afro tri decenie (!)”

Në penën e Ramiz Kelmendit, rrezaton me gjithë madhështinë e tij figura poliedrike e këtij rilindësi të madh, i cili siç theksohet, mbajti letërkëmbim edhe me albanologë, të cilët: “hynin në atë orbitën e kërshërisë së begatë dhe aq të gjerë e të thellë të Jeronim de Radës.

Mbajti letërkëmbim edhe me burra shteti, me diplomatë, me juristë, me emra të njohur të jetës publike.
Të zëmë ngoje vetëm ca nga këta emra, ata më të njohurit, si: Gustav Majer, Emil Legrand, Nikolla Tomazeo, Anxhelo de Gubernatis, Herman Buholc, Mistrali, Lamartini, Teofil Shtiri, Josefina de Knorr, Kompareti, Pinjateli, Çeketi, Kanja, Duka Spiriti, B. Staini etj. etj.”

Pos vlerësimit që i ka bërë De Radës, Ramiz Kelmendi gjithashtu me të drejtë, ka bërë thirrje që të botohet letërkëmbimi i tij:

“E madhe dhe e pafund, me ç’shihet, është lista e njerëzve me të cilët lidhi letërkëmbim Jeronim de Rada.

E pakundshoqe ndër ne dhe me vlera të paçmuara kjo korrespondencë, e zhvilluar për më se 70 vjet, parreshtur, duke nisur që herët, që në dhjetëvjetshin e tretë të shekullit të kaluar, e duke u mbyllur me ditët e para të shekullit tonë.

Mbi një mijë letra gjenden të zbuluara dhe të regjistruara, nëpër fonde të ndryshme deradiane të bibliotekave e arkivave të shumta të Italisë dhe të vendeve të tjera.”

Ramiz Kelmendi nëpërmjet shfletimit të letërkëmbimit, e ka risjellur pra në memorien tonë historike dhe kombëtare, njërin nga nismëtarët e Rilindjes sonë. Siç e thotë vetë, e ka shpalosr: “biografinë e këtij burri të Makit arbëresh, i cili jetoi më shumë se asnjë shok pene i tij (89 vjet!).

Burrë nga më të merituarit e letrave tona.
Dikush e quajti “Homeri shqiptar”.
Dikush i tha: “Vigan i kulturës sonë”.
Ne i thamë dhe po i themi vetëm: Jeronim de Rada…”

Në prezentimin e këtij letërkëmbimi, Ramiz Kelmendi e thekson në mënyrë të veçantë korrespondencën e De Radës me babain e tij, me Françisk Anton Santorin: Me ç’del nga letrat, De Rada “ndante bukën e gojës me të, duke i dërguar atij herë pas here, nëpërmjet postës, sende ushqimore. Kjo tregon sa i dhimbsur ishte poeti për poetin, dergjur në varfëri, i pamposhtur në përpjekjet e tij në fushën e letërsisë për përhapjen e dritës e të diturisë” (A. Kondo); duke përmendur edhe polemikat me Dhimitër Kamardën (“mospajtimet gjuhësore me të. De Rada mendonte se gjuha e arbëreshëve të Italisë duhej marrë si bazë të gjuhës së përbashkët letrare dhe alfabeti i tij si alfabet unik”), si dhe albanologun Gustav Majer.”

Tek e ka kundruar dhe vlerësuar De Radën – “më të parin poet të mirëfilltë të letrave tona”, “në dritën e letrave të reja”, Ramiz Kelmendi në penën e tij e ka përkujtuar nismëtarin e fletorarizmës shqiptare, poetin e madh arbëresh, i cili “atdheun s’e pa kurrë me sy, por me zemër”, duke shkruar kështu të vërtetën e madhe, se Jeronim de Rada mbeti: “Shpirtërisht e gjithsesi i prirë dhe i gllabëruar për letra e për arte të bukura.”

Ramiz Kelmendi është ndalur gjithashtu me these të veçanta tek letra e Gavril Darës drejtuar De Radës: “Kjo letër, mbi të gjitha, është një dokument me interes që dëshmon për kontaktet e krijuesve tanë të asaj kohe, për çështjet për të cilat ishin të interesuar, për gjuhën me të cilën komunikonin.”

De Rada dhe Elena Gjika:

Akademia duhet të jetë shpirti i një kombi. Flamuri i Skëndërbeut duhet të valojë mbi Kështejllë të Rozafatit

Nuk do mend se në gjithë kët letërkëmbim, dy janë figurat madhore të asaj epoke: Jeronim de Rada dhe Elena Gjika. Duke u ndalur tek kjo e fundit, autori e ka vlerësuar letërkëmbimin mes dy këtyre figurave nga prizmi i relacioneve politike e diplomatike të kohës, si dhe në vorbullën e ngjarjeve në të cilat gjendej çështja shqiptare në fillet e saj.

Edhe nga kjo pikëpamje Ramiz Kelmendi e ka vlerësuar drejt dhe lart, zgjuarësinë dhe mprehtësinë politike të këtyre dy figurave eminente të kombit tonë. Ai dëshmon kështu se ishte Elena Gjika ajo që kërkoi një akademi shqiptare, dhe se kjo akademi duhej të ishte “shpirti i popullit shqiptar.”

Me të drejtë Ramiz Kelmendi i quan “mendime shumë të avancuara”, pikëpamjet e Elena Gjikës për një “unitet intelektual, shkencor dhe moral” mes shqiptarëve, për bindjen se: “çdo lëvizje e madhe përtëritjeje politike, duhet të jetë e prirë, doemos, nga një lëvizje letrare”, si dhe për alfabetin e edhe fjalorin përbashkët.

Edhe Elena Gjika në penën e Ramiz Kelmendit shfaqet si një figurë poliedrike, e cila vihet me gjithë qenien e saj në mbrojtje të interesave kombëtare. Ajo shprehej hapur kundër intrigave dhe pretendimeve territoriale greke ndaj Shqipërisë: “U ngrit madje dhe kundër mikut të saj, Frano Krispit, kryeministrit të Italisë tek paskësh deklaruar se qenka “grek nga prejardhja.” Ajo kërkonte me ngulm: “nuk duhet të vonohemi për të organizuar forcat intelektuale dhe morale të shqiptarëve. Ndryshe, njeriu do të mbetej në shenjë, për t’u vënë në lojë.”

Elena Gjika:
Festa e madhe e përtëritjes së një populli shpirtbardhë

Siç vë në pah më tej Ramiz Kelmendi, mendja e ndritur e kësaj eruditeje, i drejtohej Jeronim De Radës:

“Në letrat e dërguara me 8 janar dhe më (?) prill 1869, Elena megjithatë është optimiste dhe i shpreh shpresat e saj më të thella për lirinë e shpejtë të vendit të të parëve, tek i thotë:

‘Ne do të jetojmë mjaft gjatë, besoj, për të ngulur flamurin e Skëndërbeut mbi Kullat e Rozafës. Le të mund të jetojmë mjaft për të kremtuar në Shkodër festën e madhe të përtëritjes së një populli shpirtbardhë.’ “

Shpalosja e vizioneve të Elena Gjikës nëpërmjet letërkëmbimit me Jeronim de Radën, nuk ka dyshim se për Ramiz Kelmendin përbënin një aludim kohësh dhe epokash, një simetri për çështjen e pazgjidhur shqiptare, prandaj ai do të citonte kështu dy fragmente nga letrat e Dora D’Istrias:

“Ndërkaq, më 10 prill 1871, nga Firenca shkruan:

‘Ka ardhur koha që historia jonë të dalë gjithashtu nga varri, ku e kanë varrosur kaq e kaq farisenj’, ndërsa më 22 maj të po atij viti: ‘Pa dyshim, Zotëri, unë provoj një kënaqësi të veçantë për të rindërtuar këtë histori të shqiptarëve, fletët e të cilës duken të shpërndara nëpër botë, në Europë, në Azi, në Afrikë, ‘lojë e erërave të shpejta’, si flatrat e Sibilës së Virgjilit.’

Ky popull trim do të tregohet i denjë për vetveten.
Themelet e pashkatërrueshme të Shqipërisë së ardhshme.

Ndër shumë letra, për të cilat do të mund të hartohej një fejton i veçantë, po veçojmë edhe atë që ia dërgoi Elena Gjika De Radës më 6 nëntor 1880:

‘Gëzohem gjithashtu me gjithë zemër tek shoh se punët e Shqipërisë po marrin udhë të kënaqshme. Nuk dyshoj, se tek e mbramja, ky popull trim do të tregohet i denjë për vetveten. Ç’heroizëm dhe ç’karakter! Duke pritur kënaqësinë të ju shtrëngoj dorën një ditë në Shkodër, ju lutem, Zotëri, pranoni përshëndetjet e mia vëllazërore.’ “

Elena Gjika shpaloste kështu programin kombëtar politik dhe intelektual për një Shqipëri të bashkuar: “Duhet vendosur interesin e atdheut përmbi të gjitha farët e konsideratave. Ata që do të kryejnë këtë vepër uniteti: unitetin e tyre intelektual, shkencor dhe moral-bazë e unitetit politik, ata që do të kryejnë këtë vepër do të kenë vënë themelet e pashkatërrueshme të Shqipërisë së ardhshme.”

Tri dashuritë e De Radës

Me një stil elegant e ndjenjë të theksuar admirimi, u është qasur Ramiz Kelmendi dashurive të De Radës, si dhe dashurisë së madhe e tragjike të Zef Serembes, duke i kundruar këto dashuri nga prizmi i krahasimit: mësuesi dhe nxënësi, përkatësisht Rina dhe Strigariotja:

“Ai çuni i Makit, atje larg, në Kalabri, shkoi e i fali të dashurës së vet, Rinës, më të parën poemë. E futi në histori të letërsisë. E bëri ta dua edhe unë. Ai m’ia çeli zemrën këtu e 151 vjet më përpara, e – do ti – s’pushoi të na njoh me të, të hyjë edhe nëpër dhomat më të bukura tonat, nëpër çanta e vitrinë, edhe sot, madje më e veshur, me një petk të ri, të kohës, më e lidhur e më e freskët! De Rada dhe Rina.

Ai tjetri, nxënësi i tij, jo po u çmend pas Rinës së vet, së cilës m’i fali vargjet e veta më të bukurës që ish në Strigar, i këndoi tërë ato kangjele malli të parë, ia bëri edhe portretin asaj, i ra gjysmës së botës këmbë për t’ia vizituar varrin gjer në Amerikën Latine, po emrin e saj s’na e tha! I vetmi poet ndër ne që vjershat e veta nuk i shkroi, por i këndoi. Më të bukurës që është në Strigar. Të jetë e mundur që të mos ketë zemër? Pyeste Serembe veten për të dashurën…Në zemrën e tij rrijnë bashkë gazi dhe helmi…”

Vasha e Serembes, shkruan autori, ishte ‘ajo që lëshonte dritë kur ecte si një fluturëz e lehtë”, por që shkaktonte “vuajtjet e shpirtit të tij. Nuk fle dot nga sytë e saj magjik. E sheh ëndërr dhe i thotë se e do shumë… Një cak ka në jetë: ta ndreq botën por pa shpresë…”

Mos vallë tirania e gjithë ajo vdekje a bastisje në fëmijëri e bënë Seremben të mbarojë jetën aq tragjikisht? – pyet shkrimtari dhe studiuesi që gërmon autobiografitë e pararendësve të tij, duke dëshmuar më tej se megjithatë, muza e cila më së pari në fillim të krijimtarisë së tij e pat frymëzuar edhe për shkrimin e poezive, nuk e ka braktisur krejtësisht:

“Ka ballin që i feks, një ballë që i zë rrezet e dritës tamam si gryka e detit në agim të ri. Kur qesh duket sikur të ngre në qiell. Zef Serembe merr rrugë të gjatë për t’ia vizituar varrin. Dashuria e tij është fatale për këtë vashë. Ai i këndoi dhimbjes aq të thellë, deri në çmenduri, për vdekjen e së dashurës së fshatit. Dashurisë së tij të kobshme të Strigarit.

“Gruaja e oborrit mbretëror”, jo vetëm nuk ia ktheu dashurinë, por edhe tallej me ndjenjat e tij, një grusht tjetër ky në jetën e tij të vrarë keq.”

Kështu e përmbyllë Ramiz Kelmendi shkrimin për Zef Seremben, “këtij tragjiku më të dhimbshëm në historinë e letërsisë shqiptare”, duke përkujtuar se ishte Serembe ai i cili i shkruante De Radës: Shpresa ma praron rrugën e djersës!

Dhe është pra pikërisht Zef Serembe ai të cilit i shkon aq shumë për shtati thënia e moçme: Sa rroj, shpresoj! Edhe e dashura e tij ishte një dhimbje e madhe, një nga ato dhimbjet e mëdha, me të cilën Migjeni i shkruante Bolkës – “dhimbjes” së tij: Ti je për mua kaq e ëmbël sa engjëjt që nuk ekzistojnë! Edhe për Seremben mund të thuhet ajo që është thënë edhe për Lasgushin: Lasgushi dashuron perëndishëm dhe në mënyrë fatale! Gjithsesi: Serembe dashuron edhe në mënyrën më tragjike…

Në shkrimin Tri dashuritë e De Radës, pasi e ka shpalosur në kujtesën e lexuesit përmasën e një figure monumentale të fillimit të Rilindjes sonë kombëtare (“Babai i romantizmit shqiptar dhe i më të parit libër artsistik në gjuhën shqipe, mësuesi i parë i gjuhës shqipe në historikun e shkollës sonë, botuesi i gazetës së parë dhe i revistës së parë në gjuhën shqipe, autori i disa poemave më të para epiko-lirike dhe i vëllimit të parë me letërsi popullore shqiptare etj. etj., Jeronim De Rada, pos veprimtarisë së gjithanshme patriotike dhe krijuese, s’do mend, pati edhe jetën e tij intime sentimentale”), Ramiz Kelmendi është ndalur tek tri dashuritë e De Radës: fshatarja (“Një mëngjes u ndala me një shok të kolegjit te dera e hambarit të tij. Brenda gratë zgjidhnin misrin. Vura re një vajzë të re, rreth 23 vjeç. E ndiente veten të kënaqur se u ndodh me mua. Binte në sy si sjellje dhe m’u ngul në zemër.”) – për të cilën Kelmendi ka shtruar mundësinë se është një alterg ego e Rinës, kurse Milosao një alter ego i De Radës – tek vepra Këngët e Milosaos, dhe se diferenca klasore ishte shkaku i një fundi jo të lumtur; aristokratja me emrin Gabriela – të cilën, siç vë në pah Ramiz Kelmendi, De Rada e kishte takuar në Napoli “dashurinë e dytë, akoma më të madhe e më të thellë, të Jeronim de Radës”. Gavrila tek Skënderbegu i pafan, është vetë Gabriela në galerinë e personazheve të shumta të De Radës, nënvizon autori; gruaja – përkatësisht një “dashuri dhe tragjedi”.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek kjo e fundit, Ramiz Kelmendi e ka paraqitur në plotni dashurinë e fundme të De Radës: “ndërkohë që gjithandej e shpinte zemra, sepse s’e hiqte dot nga mendja të dashurën e tij aristokrate, De Rada aty diku në gjysëm të rrugës do të ndalet në mbrëmje në fshatin arbëresh Kavaleric, në shtëpinë e Dom Luigj Melikjit.

Dhe mu aty, fare gand, fare papritur, tek po rrinin pas darke rreth votre, meqë po bënte ftohtë: “…zuri vend, pranë s’ëmës një vashë e re, e bija e zotit të shtëpisë, flokëverdhë, nja 22 a 23 vjeçe, e hijshme, me trup të hedhur, e heshtur dhe e matur. Mund të thuhet se as s’foli, as s’ndjeu fare …”

Nuk u kthye atë natë, po do të kalojnë jo më pak se gjashtë vjet dhe De Radës do t’i kujtohet ajo bjonde e bukur dhe e urtë, Madalena Melikji, vajza fisnike shqiptare dhe-do ta marrë për grua. Do ta ketë “shoqe të urtë” në udhëtimin e tij aq të vështirë në jetë dhe do t’i lindin katër djem: Zefi, Mikelangjeli, Rodrigu dhe Hektori. Do ta bëjë një jetë shumë të mundimshme e plot mynxyra (njëri pas tjetrit, duke nisur nga më i vogli, Hektori, do t’i vdesin të katër fëmijët e gruaja) dhe do ta mbyllë pas 89 vjetësh, “në varfëri dhe në vetmi më të madhe, pa pasur njeri që të kujdesej për të…”

Në mesin e vëllezërve të një gjaku dhe të një gjuhe

Nga takimet Me shqiptarët e Greqisë, Ramiz Kelmendi do të kujtonte me mallëngjim momente të veçanta: “Më vonë u miqësuam me Ksenofonin, m’u ul në prehër çupulina me emër aq të bukur “Elefteri”, të parën fjalë që e mësova greqisht nga Ksenofoni arvanit. Çupulina quhej Liri.”

Ndërkaq, nga takimet me arbëreshët e Italisë, ai do të kujtonte gjithë emocione por edhe krenari të ligjshme takimin me bashkatdhetarët:

“Nga t’ia nis?

Edhe më parë: si? Në ç’mënyrë? Ta kap me të parën, që me fjalinë e parë, kërshërinë e lexuesit.

Të më ndjekë në rrugën aq të lakmuar: të gjendet me mua në katunder arbëreshe të Italisë. Të këndojë e të vallëzojë edhe ai. Bashkë. E të pi, qoftë, edhe vetëm me mend, por jo më pak me zemër, këtë “qelq vere arbëreshe”.

Eppur si muove.

Po zien. Po vlon, po gurgullon.

A është kjo fjala që do ta kish nderin të rrinte në të nisur të këtyre përshtypjeve nga takimet aq të ngrohta, aq të përzemërta, vëllazërore, me arbëreshët?

Nga t’ia nis vërtet?

Të them se qe surprizë e rrallë, nga më të këndshmet: sërish mes arbëreshëve!

Pas plot tetë vjetësh, që më 1970, kur bashkë me studentët e Degës së Gjuhës e të Letërsisë Shqiptare të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, i vizituam së pari.

Me aq paragjykime asokohe: vallë a do të hasim, tek-tuk, ndonjë arbëresh që di, të paktën, ndonjë fjalë arbërisht?

Sepse: do mend? Pesëqind e sa vjet po bënin ata jashtë trojeve të të parëve.

Të huaj në dhe të huaj.”

Fletët e shpalosura të kujtimeve janë fletët e vetë historisë së letërsisë shqipe, janë emrat e poetëve dhe të shkrimtarëve arbëreshë, si dhe veprat e tyre ato që do të zënë vend në këto udhëpërshkrime:

“Tridhjetë studentë kosovarë po bënin orën praktike të gjuhës e të letërsisë së vet; po vizitonin vatrën e më të parit shkrimtar arbëresh: Lekë Matrëngës.

Ia kishin mësyrë Mbuzatit, katundit të poetit të madh Jul Variboba.

Po i priste me padurim katundi Ungër i Vinçenc Stratigoit, atij poetit nga më të rrallët dhe ndër letërsi të tjera, shumë më të përparuara, që qysh nga mesi i shekullit të kaluar i këndoi vjersha me dashuri të thellë-punëtorit.”

Rishfaqen kështu në sfondin e kujtesës kulturore emrat e nderuar si Serembe, De Rada e Santori. Takimi me ta, me vendin ku lindën e u frymëzuan, ku krijuan e punuan me një përkushtim të jashtëzakonshëm:

“Kërkuan pasardhëset e “Më të bukurës që është në Strigar”. Kërkuan Seremben. Lakmuan të dëgjojnë nga goja e bashkëkatundasve të tij – vargjet e tij, kangjelat e mallit të parë, të “Mëmëdhethit”.

Studentët po nxitonin me padurim në katundin e më të madhit arbëresh të Italisë: Jeronim De Radës.

Në Maki.

Edhe në Picilje: tek Andon Santori. Edhe “Emira” e tij. Drama jonë e parë. Edhe “Sofia Kominiate” e tij. Romani ynë i parë.

Nga t’ia nis?

Nga Shën Sofia a Ferma, nga Vakarici e Frasnita: për të treguar mikpritjen e Arbërit?

Të përmend, më parë, lotët e gëzimit, apo këngën e vallen arbëreshe?

Për nder të ardhjes sonë.
Kalabria e kohës së De Radës.
Kalabria e para tetë vjetëve.
Kalabria në maj, 1978.”

Dhe sërish pyetja në funksion të një anafore poetike, gjithë mall, dhimbje por edhe krenari:

“Po mendoja shumë: nga t’ia nis?
Kërkoja: me ç’fjalë?

Më parë se çdo gjë tjetër, m’u imponua, përdhunisht: “Fillo me: Po zien. Po vlon. Po gurgullon!”

Ndër arbëreshët vërtet, po zien.
Gjaku i Arbërit, këto ditë, po vlon…

E saora hareja “Janë gjaku ynë!” Gjaku ynë…Gjaku ynë!…
Gojë më gojë.
Zemër më zemër.
Përqafime me mall ushqyer pesëqind vjet.”

Në penën e shkrimtarit zënë vend pika loti por edhe gëzimi i përzier me shpresë e krenari. Një grusht dhe e një grusht lotësh, një grusht pëllumbash në ndërrim motesh:

“Ndonjë pikë loti në faqe të ironosura. Ndër rrudha. Pikë loti që nuk fshihet, por shtyhet me gëzim. Me harenë. Me uratën: të na rroni sa malet!

Studentët tonë me “kopilet” (vajzat) arbëreshe. “Kopilet” tona, studente, me “trimat” (djemtë) arbëreshë.

Dialogje si refren:

– Jam shqiptar.
– Je arbëresh?
– Po.
– Je im vëlla!
– Edhe ti ime motër!

– Zemrën e kemi t’arbëreshtë. Fjasim arbërisht. Këndojmë arbërisht.”

Shkrimtari Ramiz Kelmendi në udhëpërshkrimin Sërish me Arbëreshët e Italisë, ka shpalosur me dashuri të theksuar mbresat e tij gjithë emocione: “për mikpritjen vëllazërore që po hasnin në çdo hap, në rrugë e në shtëpi arbëreshe, por edhe ngazëllimin e pashoq pse po bindeshin vetë se “gjaku ynë i shprishur” po vijonte të jetonte edhe më, pas 500 e sa vjet largimi nga trojet e të parëve.”

De Rada i “Serafina Topisë”

Është e natyrshme që një krijues si Ramiz Kelmendi të shkruante enkas për De Radën, madje me aq pietet e admirim, me respekt të thellë deri në përulje e me krenari të ligjshme për flamurtarin e Shqipërisë së rilindur:

“Ne shkuam të shihnim ku u lind, ku mësoi e ku dha mësim, ku u frymëzua dhe ku vdiq Jeronim De Rada i më të parës vepër letrare, me të cilën zë fill romantizmi shqiptar, këtu e 142 vjet më parë (1836).

De Rada i “Këngëve të Milosaos”, De Rada i më të parës gazetë në gjuhën shqipe (L’Albanese d’Italia, 1848), De Rada – mësues i parë shqiptar, De Rada i tri kongreseve të para të gjuhës shqipe (Koriliano Kalabaro, 1895, Ungër, 1897, dhe Napoli 1899), De Rada i “Serafina Topisë” dhe “Skëndërbekut të pafan”, De Rada i të parës përmbledhje të visarit popullor arbëresh, De Rada…De Rada…De Rada…”

Gjaku i përbashkët, vëllazëria e gjakut shqiptar, vëllamja arbëreshe

Janë pra këto udhëpërshkrime për takime të rralla e gjithë mall e krenari me vëllezërit të cilët jetojnë prej shekujsh “tek dheu i huaj”. Gjithsesi se ai ndihet i prekur nga takimet e shumta. Atij i kanë ngjallur emocione: “Gjaku i përbashkët, vëllazëria e gjakut shqiptar, vëllamja arbëreshe.” Ramiz Kelmendi ka kujtuar kështu kohën e De Radës: “kur jeta arbëreshe vlonte me vrull.” Homazhet para varrit të De Radës janë përshkruar me fjalë mallëngjimi e mjaft prekëse, ndërkaq një emër tjetër ia ka shtuar shpresën për një De Radë të Ri: Dushko Vetmo.

E kaluara e lëvizjeve politike të arbëreshëve dhe roli i tyre i veçantë e tejet meritor në zgjimin dhe forcimin e ndjenjës kombëtare, ia kanë forcuar besimin se “kurrë nuk do të shuhet nga këto katunde burimi i traditës dhe i kulturës shqiptare.”

Në mënyrë të veçantë e me një vizion tejet largpamës prej rilindasi e prej iluministi, Ramiz Kelmendi edhe në këto shfletime kujtimesh nga takimet me arbëreshët e Italisë – pa dyshim ndër fletët më të bukura dhe më të dashura të udhëpërshkrimeve të tij, e ka shtruar domosdoshmërinë e shkrimit të gjuhës letrare shqipe.

Këtë domosdoshmëri ai e ka shprehur me një filozofi gjuhësore e cila në veten ngërthen edhe kuptimësi politike: “Jo mësim të gjuhës shqipe, po mësim në gjuhën shqipe.”

Copëtimi i gjuhës është copëtimi i kombit

Ramiz Kelmendi me mendimin e tij për gjuhën shqipe, e që në të vërtetë përbën një vazhdimësi të mendimit të rilindasve tanë, ka bërë thirrje e cila është gjithmonë aktuale, sot e mot: “Copëtimi i gjuhës është copëtimi i kombit dhe copëtimi i kombit shpie doemos në zhdukje.”

Duke shprehur dashurinë për De Radën dhe veprën e tij letrare, nuk është rastësi pse pyetjes: Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë, shrkimtari Ramiz Kelmendi i është përgjigjur:

“Jo vetëm një vend kam ku do të dëshiroja të jetoja në trojet shqiptare. Në Shqipëri-Shkodrën, në Kosovë-Gjakovën, në Maqedoni-Tetovën, në Mal të Zi-Ulqinin, në Kosovën Lindore-Preshevën, në Çamëri-Pargën, ndër arbëreshët e Italisë-Makjin e De Radës.”

Ismail Kadare për Jeronim De Radën:

Gjeniu i Parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare e Paraardhës i Dritës së Madhe

Në Panairin e 17-të të Librit “Tirana 2014”, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare u nderua me çmimin special “Jeronim de Rada”. Ky çmim iu dorëzua nga ambasadori Italian Massimo Gaiani, përfaqësuesi i vendit të rimave të bardha (Italisë), i cili siç tha shkrimtari i madh shqiptar “e mbajti De Radën në gjirin e tij”.

Ambasadori Gaini theksoi se: “Është shumë domethënëse që ky çmim t’i jepet Ismail Kadaresë. Ndonëse nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri, Jeronim de Rama ishte një promovues i Shqipërisë në Itali dhe Europë”.

Ndërkaq, Ismail Kadare duke shprehur falenderimin dhe mirënjohjen e tij të thellë, foli gjithë pietet për poetin e madh të letrave shqipe: “Të dashur lexues jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të rilindjes kombëtare shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin europian që letërsia shqipe ishte duke e humbur.”

II. NËNTORI-MUAJI I BARDHË

Në tregimin e tij Xhita në Qiell, shkrimtari Ramiz Kelmendi ka shprehur gjendjen e tij emocionale, të lidhur aq shumë me të kaluarën: “Mendimet më flakrojnë në kalesë të afërme e të largët. Kujtimet më vlojnë…Vijnë e më ravizohen para sysh qindra përjetime të vogla e të mëdha të luftës në fëmininë time, ngjarje që më poqën para kohe, më rrëmbyen fëmininë, gazin, gëzimin.”

Nga një prizëm i tillë i shpalosjes së kujtimeve, ai do të shkruante edhe për diellin, për nëntorin dhe për dritën: “Sa bukuri ka dielli, sa fort e dua diellin unë…pastaj erdh Nëntori, i pari që mbaja në mend në ato dhjetë vjetët e mia: më i bukuri muaj i fëmijërisë sime…Fjolla-fjolla, për sytë e mi, nuk binte bore. Binin lule, fjolla-fjolla. Dëshiroja të jetë gjithmonë ditë. Dritë…”

E në përurim të studimit letrar kushtuar krijimtarisë dhe jetës së tij, koha po përligjte parashikim e bërë në veprën e tij Kokrra Kripe: Shkrimtari thonë, krijon në gjallje të vet barometrin e përmendores ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin.

Pagëzimi për Tempullin e Dijes

Nëntori është një ogur i bardhë për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Në nëntor u themelua alfabeti shqip e u shpall pavarësia e Shqipërisë…E si në një rastësi mitesh dhe legjendash, çdo gjë sikur po rikthehej aty prej ku ishte nisur. Po nderohej shkrimtari që kishte cituar Kafkën po në këtë Bibliotekë, me rastin e përurimit të saj: Libri duhet të jetë sëpatë për detin e ngrirë në mes. Çastet e veta të fundit të pavdekshmit i kalojnë nëpër libra leximi.

Në ligjërimin e tij tejet domethënës të asaj kohe, ai kishte përzgjedhur kokrra kripe arbërore për tempullin e dijes: “Datë mbi data në historikun tonë shpirtëror është edhe kjo e sotmja: 25 nëntor 1982…Tempull mbi tempull është tempulli që i ngremë sot librit sot…Vatër mbi vatra që do t’na ngrohë dhe “fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë” është pikërisht Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës, që u përurua s’ka si bën më mirë dhe të cilën po e pagëzoj edhe unë – si zëdhënës krenar i mija e mija të gëzuarve e të përgëzuesve si unë…Kosova u përurua edhe më këtë faltore shpirtërore, me këtë vatër të re kulturore, me këtë tempull të rritës sonë…Faltore e tempull dritëdhënës, siç tha në një rast Franc Kafka, ‘ditar i një populli’. Mbanie mend këtë datë: 25 nëntor 1982!”

Shkrimtari që mblodhi “kokrra kripe arbërore dhe fjalë që thadroi jeta”, e kishte parathënë prej kohësh misionin e tij krijues, të lidhur përjetësisht me librin: Jo për hir të fjalëve kam dashur t’ju tregoj diçka, por për hir të tregimeve kam zgjedhur fjalët më të përshtatshme….Zor të arrihet qëllim i madh pa flijim të madh. Vullneti i fortë provohet vetëm ndër njerëz të fortë. Të lexosh, do të thotë në fakt, të zbërthesh të vërtetën. Çfarëdo që kam arritur në jetë, lidhte me librin dhe i kam nga libri, për librin, me librin.

Pjetër Bogdani: Veshur me diell, mbathur me hënë!

Pra, shkrimtari që në rininë e tij të hershme kishte shkruar: E dua nëntorin…dhe më tej: sa shumë e dua diellin, sikur e kishte parathënë rrugëtimin e tij krijues. Së këndejmi, nuk ishte thjeshtë një rastësi që në ditën e nderimit të veprës së tij letrare dhe publicistike, ishte një ditë me diell. Një nga ato ditët për të cilat poeti dhe patrioti i madh i kombit shqiptar Pjetër Bogdani, kishte shkruar: Veshur me diell, mbathur me hënë!

E për më tepër se kaq, edhe një rastësi më shumë: Shprehja e nderimit, e respektimit, e mirënjohjes dhe e falenderimit ndaj një shkrimtari, po bëhej në Bibliotekën Kombëtare të pagëzuar po me emrin e Pjetër Bogdanit, për të cilin Ramiz Kelmendi kaherë e kishte ngritur zërin se e meritonte të paktën: një bust.

Simbolika e këtij përurimi nënkuptonte një fakt të pamohueshëm se sa herë që kultura shqiptare, arti dhe letërsia shqipe, nderon dhe kujton personalitetet e veta krijuese, ajo në gëzimin e vet i veshë rrobet festive përmbi të cilat bie sa kryevargu i Pjetër Bogdanit: Veshur me diell, mbathur me hënë, po aq edhe ai i epikës legjendare: Rënka diell!

Ramiz Kelmendi nga Xhemail Peci
Përurimi i veprës studimore Ramiz KelmendiSokol Halili i letrave shqipe (I-VI), u bë në Prishtinë më 3 nëntor 2015, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, dhe filloi me leximin e pjesëve nga poezia kushtuar shkrimtarit Epistulë për Ramiz Kelmendin:

Ramiz, do nxjerrësh nga arkivat zërat e zemrës sime, dhe do hapësh edhe ca libra leximi. Do shkruash me majën e penës sate si anxa vet, e do flasësh thellë nga frymëzimi, Do shkruash për zogjtë e mi, ashtu siç shkruan për fletët e Sibilave të Virgjilit. Unë do ta vë dorën në zemër, e ti do ta vësh zemrën në letër. O, do më shkruash prej shpirtit!

Kam etje në sytë dhe në bebëzat kam mall, e zemra më mbytet në vaj prej mallëngjimit. Nëpër fletët e gazetave nisi rruga ime kur shkruan me gjak dritës së kandilit. Kam një mall në shpirt, dhe një brengë në zemër e kam si flaka e vetë Qiririt. Nga Kongresi i Berlinit më thau malli e s’më shkroi kush si ti Letra prej Ulqinit!

I kujt ishte ai zë, e nga vinte ai mall, ajo thirrje dhe ato klithma prej thellësive të zemrës? Mbi Penën e Artë ka rënë – bekuar e bardha e shamive të lokemadheve të Rugovës, përmbi penën e bardhë ka rënë zemërthirrja e breznive orëmira. Në magjinë e fjalëve, ka rënë bekimi i shenjtë i Lisit të Gjakut, ka rënë o nënë mbi të Heshtja e Armëve.

Ka rënë e bardha e bukurive të Pejës, e tok me të gjakimi í Lasgushit për Drinin e Bardhë. Ka rënë, o mëmë, në zemër prej ditëve të burgut, shpresa se një ditë ka me zbardhë. Ka rënë shami e bardhë e Ajkunës e tok me të edhe Lumbardha e Anakreontit. Ka rënë Ujëvarë e Bardhë e Mirushës mbi penën e denjë, siç bie sipër fjalëve vetë bekimi i Zotit.

Do shkruash fejtone e do nxjerrësh pluhurit të harresës gjithë ato Letërkëmbime. Do nxjerrësh edhe Polemikat në Letrat Shqipe, e zemrën tok me penën ndër ligjërime: unë marrë nga zemra jote, ti merr nga zemra ime. Unë vie tek ti e ti vie tek unë, në urën e pesherëtimave rrethuar me gardh e hekura, populli s’duhet të bëjë gjumë!

Dom Lush Gjergji, Ramiz Kelmendi, Xhemail Peci, Prend Buzhala, Serafina LajçiDom Lush Gjergji, Ramiz Kelmendi, Xhemail Peci, Prend Buzhala, Serafina Lajçi

Duke e lexuar poezinë e lartpërmendur, moderatorja Serafina Lajçi e bëri për vete publikun e përzgjedhur artdashës. Ajo shpalosi kështu jo vetëm dashurinë për letërsinë, për artin dhe për kulturën shqiptare, por dëshmoi edhe për një dhunti të lindur, për një prirje të falur nga natyra.

Mederatorja në leximin e saj artistik dëshmoi afinitetin e saj edhe për të deklamuar, por njëkohësisht ajo dëshmoi edhe talentin, pasionin dhe dashurinë e përkushtimin për letërsinë dhe kuluturën shqiptare, për traditën dhe bashkëkohoren.

Ishte butësia e zërit ishte ajo që sërish nxori në pah dashurinë për artin, për të bukurën dhe të madhërishmen, për letërsinë, kluturën dhe historinë e një kombi, dhe e gjithë kjo si pjesë e trashëgimisë së një familje fisnike dhe bujare, që atdheut ia ka falur: pishtarin e arsimit, të dritës e të diturisë (Luftëtarin e Dritës-Musa Lajçi), dëshmorin (Luftëtarin e Lirisë-Besnik Lajçi), por edhe shpresën e së ardhmes dhe përkushtimin e veçantë ndaj letërsisë, apo siç është thënë në mënyrë simbolike: ‘Pranverën e Ardhmërisë’ (Serfaina Lajçi).

Ra në sy që në fillim të përurimit, kthjelltësia e zërit dhe qartësia e të lexuarit, por edhe përkushtimi i veçantë, me të cilin moderatorja mbajti gjallë kureshtjen e publikut të pranishëm, duke e bërë për vete me ligjërimin e saj të hollë e gjithë art.

Pa dyshim një zë i mëndafshtë që sikur fliste vetvetiu për një rastësi mitesh dhe legjendash, nga të cilat dikur po hynte në letrat shqipe një emër të cilin një nga kryepoetët e Shqipërisë- me fuqinë e lindur poetike nëpërmjet të rimave të tij të bardha, e kishte përjetësuar në një nga kryeveprat e tij lirike.

Dom Lush Gjergji:
Thellësia e fjalës dhe thellësia e rrënjëve iliro-shqiptare

Më tej, Dom Lush Gjergji mbajti një fjalë rasti gjithë dashuri por edhe qasje të përgjithshme për shkrimtarin dhe veprën e tij, tek i cili ai gjithmonë ka gjetur njeriun të cilin me të drejtë e ka lartësuar, si dhe pajtimtarin me të cilin ka punuar, e për të cilin u shpreh aq bukur duke e quajtur për të satën herë: Vëllau ynë!

Dom Lush Gjergji theksoi se shkrimtari Ramiz Kelmendi pjesën dërmuese të jetës së tij ia ka kushtuar krijimtarisë dhe kulturës shqiptare. Për më shumë se gjashtëdhjetë vite të jetës së tij, u bë pjesë përbërëse e gjithë asaj që flitet, mendohet, shkruhet dhe frymon shqip, theksoi Gjergji.

Duke e quajtur Ramiz Kelmendin shkrimtar, publicist, gazetar, njeri të kulturës, të së vërtetës dhe të së bukurës, e mbi të gjitha dashamirës të jetës, ai vuri në pah se Ramiz Kelmendi “është kronisti kulturor dhe krijuesi burmor i disa dekadave të fundit”, e në veçanti – tha më tej Dom Lush Gjergji, ai “është njeriu që është shquar në pajtimin e gjaqeve së bashku me të madhin dhe të paharruarin profesorin Anton Çetta, dhe shumë krijues e intelektualë të tjerë.”

Thellësinë e fjalës së shkrimtarit Ramiz Kelmendi, Dom Lush Gjergji e ka krahasuar me thellësinë e rrënjëve iliro-shqiptare: “Fjala e shkruar apo e thënë e Kelmendit ishte dhe është e fuqishme, burimore me një stil dhe një përmbajtje të qartë, dhe thellësi të qëlluar sikur rrënjët iliro-shqiptare. Ai ishte gjithnjë në shërbim të së mirës së përbashkët i udhëhequr nga e vërteta dhe dashuria. Kam pasur fat dhe dhuratë ta njihja për së afërmi për vite të tëra dhe të bashkëpunoja në shumë fushëveprime, sidomos në pajtimet e gjaqeve”.

Ramiz Kelmendi, Xhemail Peci, Prend Buzhala, Dom Lush GjergjiRamiz Kelmendi, Xhemail Peci, Prend Buzhala, Dom Lush Gjergji

Studmi letrar për shkrimtarin Ramiz KelmendiStudmi letrar për shkrimtarin Ramiz Kelmendi

Pastaj e mori fjalën profesori, poeti, shkrimtari dhe studiuesi i përkushtuar Prend Buzhala, i cili foli gjithë pietet për veprën e Ramiz Kelmendit. Duke bërë një vështrim të thukët, ai u ndal fillimisht tek trilogjia e parë e kësaj monografie dhe më tej vuri në pah vlerat e shumta ideo-estetike të veprës dhe të artit, të cilin ai me të drejtë ia ka dhënë epitetin: ramizian.

Profesori Prend Buzhala tha se autori i këtij studimit letrar “ka përzgjedhur metaforën nga kategoria estetike për ta portretizuar veprën dhe personalitetin e Ramiz Kelmendit, për të shtuar më tej se: “E bukura dhe dashuria që i jep kuptim jetës përbën thelbin e trilogjisë së parë”, dhe se “Ramiz Kelmendi është një medium i gjallë.”

Prend BuzhalaShkrimtari dhe studiuesi Prend Buzhala

Republika e Letrave Shqipe

Ndërkaq, autroi i monografiisë letrare lexoi fragmente nga fjala e plotë:

Nuk është rastësi që sot po flet letërsia dhe kultura e një populli. Sot po flet Republika e letrave shqipe.

Është thënë me të drejtë se Kafka është Praga dhe Praga është Kafka. E njëjtë gjë mund të thuhet edhe për Ramiz Kelmendin dhe Pejën e tij, te cilën ai e ka dashur dhe e do sa Migjeni kur tha për Shkodrën: Sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë më të sinqerta e më të mëdhaja se dashuria që pat Perëndia kur krijoi botën.

Peja dhe Rugova janë epiqendra e frymëzimeve të tij, sepse ai i futi qe te dyja në veprën e vet, në të cilën synon zgjimin e ndërgjegjës njerëzore, sepse siç e ka thënë shkrimtari Stefan Cvajg: Nuk ka gjyq tjetër përpara Zotit, pos ndërgjegjës.

Vepra e Ramiz Kelmendit është vepër që bën thirrje të heshtin armët e të flasin librat. Në prozën e Ramiz Kelmendit gjuha e shiut është shumë më e butë se gjuha e luleve, kurse gjuha e syve depërton po aq thellë sa edhe fjala e shkruar. Tek Ramiz Kelmendi jeta shkrihet në vepra.

Publicistika e Ramiz Kelmendit është vazhdimësi e publicistikës së Rilindjes Kombëtare. Në publicistikën e tij duket qartë se ai i është përmbajtur parimit të njohur të Viktor Hgosë, sipas të cilit imagjinata i nënshtrohet erudicionit. Fejtonet e tij Letërkëmbimi ynë në shekuj, Letra Autografe, Polemikat në letrat shqipe, e Dosja SH. janë perla të fejtonistkës shqiptare.

Jeronim de Rada e ngriti Flamurin e Arbërit, Faik Konica e ngriti Albaninë, Ernest Koliqi ngriti Shejzat, Esad Mekuli e ngriti Jetën e re, e Ramiz Kelmendi e ngriti Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica”.

Marin Barleti e futi Shkodrën në veprën e tij, Jeronim de Rada e bëri Makin epiqendër të shkrimeve të tij, Ismail Kadare- Gjirokastrën, e Ramiz Kelmendi Pejën dhe Rugovën. Ai e futi edhe shiun si metaforë të veprës së tij letrare dhe artsitike…

Ramiz Kelmendi është shijues dhe adhurues bukurie, ashtu siç e ka thënë vetë: Adhurues i përjetshëm i librit dhe i gjinisë së bukur.

Ai është intelektuali i cli kërkon kronikat e shpalosura në ballin e kohës dhe i gjenë në thellësitë e shekujve letrarë, prandaj nuk është rastësi pse e ka cituar Elena Gjikën:

Ata që do të kryejnë këtë vepër uniteti: unitetin e tyre intelektual, shkencor dhe moral-bazë të unitetit politik, ata do të kenë vënë themelet e pashkatërrueshme të Shqipërisë së ardhshme.

Për të letrat janë burim mrekullie por edhe tribunë prej ku lëshon zemër-thirrjet e tij, prej ku shtron pyetje dhe jep përgjigje me peshë e me porosi të madhe.

Ramiz Kelmendi e ka përjetësuar me një nderim sa të thellë po aq edhe të admirueshëm, emrin e njërit prej intelektualëve më të shquar të kombit shqiptar: Faik Konicën, sepse ka besuar se mendja e njeriut është kurora e kombit, sepse i ka besuar asaj që tha Cvajg, se nëse do të harronim të shprehnim nderimin për Volterin, nuk do të ishim të denjë për liri.

Ai është krijuesi që mishëron të gjitha veçoritë karakteristike të një personalitetit letrar, krijues dhe intelektual tek i cili shkrihen kombëtarja dhe universalja, si në kuptimin e madhështisë ashtu edhe në kuptimin më fundamental të gjakimit drejt lirisë.

Ai është njeriu i urave, njeriu që afron, që bashkon e që këshillon me fjalën e tij të urtë e me peshë. Për Ramiz Kelmendin Luvri është parajsa e letërsia është vetë Mona Liza. Por, letërsia është edhe fushëbetejë e ideve dhe e vlerave, prandaj gjithsesi ai e meriton epitetin Sokol Halili i Letrave Shqipe.

Ramiz Kelmendi ma kujton shkrimtarin e madh francez Balzakun, për dy arsye: sepse dhe për të mund të thuhet se ka më shumë vepra të shkruara e të përkthyera se sa vite jete mbi supet e tij.

Dhe arsyeja e dytë, porosia për gjuhën. Balzaku u bënte thirrje bashkëkombasve të tij:

Ruajeni artin dhe gjuhën, sepse, edhe kur të mos jemi gjallë, do të vazhdoni të jetoni me krijimet tuaja, të cilat kurrë nuk vdesin, bile edhe sikur të zhduket vendi ynë, njerëzit do të thonë: këtu ka qenë Franca.

Poetët thonë se gjuha ështe gjaku i fjalës. E Ramiz Kelmendi ka bërë dhe bën thirrje edhe sot e edhe mot: Atdheu është gjuha vetë. Mendoj dhe shkruaj shqip. Gjuha është shpirti i një kombi.

Ai është njeriu dhe shkrimtari qe i ka thurur Apologji pafajësisë së dashurisë: Edhe unë fillova me dashtë çka don ajo. Madje dëshirojsha edhe frymë me marrë – si ajo.. Ajo kërkoi vetëm një akullore. E unë dojsha me ia dhanë krejt një ambëltore.

Profesori Prend Buzhala me të drejtë ia ka falur epitetin aq domethënës Shpëtimtar i Dashurisë, sepse Ramiz Kelmendi është një urti e lartë. Ai është shijues dhe adhurues bukurie, njeri që ka sy për të bukurën dhe shkrimtar që ka penë për të madhërishmen. Në sofrën e shkrimtarëve shqiptarë vepra e tij dhe emri i tij zë një vend meritor. Në penën e tij gjuha shqipe është gjuha zonjë, eshte nje lule e bekuar, sepse ai e ka gdhendur fjalën shqipe me një durim shenjtori e me nje qëndismë filigrani. Për të letra ka më shume forcë se floriri: Cka nuk dhemb nuk është jetë. Ç’qe e kaluara jonë, edhe se ç’jemi në fakt, edhe se ç’gjak na rrjedh ndër dej, po ama edhe ç’duhet të jemi për jetë të jetëve…Deri ku shtrihet atdheu ynë? Deri ku arrin kënga e djepit shqip. Apo deri ku arrin vajtimi shqip? GJITHË SA JEMI DHE KUDO QË JEMI. DUHET T’I BLATOHEMI ME MISH E ME SHPIRT KOMBIT…

Ai do të jetë me shkrime tek Rilindja. Edhe me ligjërimet, po tek Rilindja. Tek Rilindja Kombëtare Shqiptare. Dje tek Rilindja. E sot tek Ringsi. R kundër ri-harresës. Gjithmonë R sepse të thuash Ramiz, don të thotë të thuash Rilindas. Rilindas me mendje e me zemër.
Ramiz Kelmendin do do ta ndjekin gjithmonë dy palë sy, sytë e Mona Lizës. Njëri letërsia e tjetri gazetaria. Një palë sy që mbeten enigma ndër shekuj. Më joshin mbi të gjitha sytë e saj…Provova me ikë prej saj, me shpëtue prej atyne dy syve, por ata kishin një fuqi magneti.

Është i nderuar një komb që ka një personalitet të tillë. Është më e begatuar një kulturë që ka në gjirin e vet një pishtar të tillë të gjallë, është shumë më e pasuruar nje letërsi që ka një penë të denjë si të Ramiz Kelmendit. Gjithsesi, eshtë i privilegjuar një shkrimtar që ka një publik të tillë. Ramiz, ja kush të ka dashur me gjithe shpirt, ky publik i mrekullueshëm, këta banorë të mbretërisë së lashtë të librit, qe nuk t’u ndanë për asnjë çast, as kur të ndiqnin 7 e as kur të përndiqnin 77.

Ramiz Kelmendi është njeriu i ndjenjave të holla, prijësi i urtë i pajtimtarëve, por edhe i armatës së gazetarëve. Ai ka ka trasuar rrugë e ka hapur shtigje, Ai na e ka zgjuar dashurinë për letërsinë, për të bukurën dhe të madhërishmen. Ai i ka dhuruar kultursë sonë një thesar të madh shkrimor. Në misionin e tij letrar ka pasion dhe prirje, dhunti dhe imagjinatë, vizion dhe erudicion.

Tavolina e punës është fushëbeteja e tij, pena është arma e tij, fjala është kreshta më e bardhë përmbi Bjeshkët e Rugovës, fjala eshte fryma e shpirtit të tij, libri është drita e syve të tij, e numri i madh i lexuesve dhe i adhuruesve të veprës së tij, së bashku me studentët e dalë nga Fakulteti i Gazetarisë “Faik Konica” – të cilët e mbajnë sot mbi supet e tyre gazetarinë në Kosovë, janë armata e tij.

Në njërën prej intervistave të tij (Letërsia ime është pjellë e padrejtësive të sistemit totalitar), pyetjes: “Jeni pedagog me shumë vjet përvojë pune. Tash a ndjeni mall dhe dëshirë që të ligjëroni para studentëve?” – Ramiz Kelmendi i është përgjigjur se një gjë e tillë është një mall i përjetësisë. Por, të hysh në botën letrare dhe intelektuale të një kombi si figurë emblematike, të jesh në botën mendore, kulturore dhe shpirtërore të një kombi klasik i gjallë; të rrezatosh dritë, dije, kulturë, paqe, vëllazëri dhe pajtim; të jesh rilindas i kombit të cilit ke krenarinë t’i takosh, të ligjërosh me pasion dhe me përkushtim lëndën kombëtare “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”, të jesh një nga hartuesit e Apelit të 215 intelektualëve, të jesh bashkorganizator i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimit Kombëtar; të jesh pjesë e një rrugëtimi biblik për tek tubimi historik në Verrat e Llukës, të themelosh dhe të pagëzosh Fakultetin e Gazetarisë me emrin e Princit të gjuhës shqipe Faik Konica, të jesh me shkrimet dhe udhëpërshkrimet, me reportazhet dhe margjinat, me çapitjet dhe kristalet e mendimeve, i pranishëm për më shumë se 60-të vjet rrjesht, nëpër gazeta, revista, libra, monografi e krijimtari letrare të vazhdueshme, të mbledhësh kokrra kripe arbërore e rreze drite-të cilat lexuesi do t’i kërkojë me aq kureshtje, t’ia bësh lexuesit faqet e gazetave dhe të revistave dritare prej kah ai e sheh jetën dhe prej ku e kupton botën më bukur, të ngritesh me aq dinjitet kundër plagëve të shumta e kundër sëmundjes së mendjemadhësisë, kundër kompleksit të kryelartësisë duke i bërë thirrje arsyes dhe modestisë; të bëhesh pjesë e mendimit të përditshëm dhe pjesë e pandarë e ndikimit të përditshëm në jetën dhe në kulturën e kombit të cilit i takon, dhe për të cilin gjakon në mënyrën më të përkryer, do të thotë të ligjërosh përjetësisht.

Nderimi është një shenjë e lashtë dhe e lartë qytetërimi, prandaj nuk është rastësi që ne nderojmë sot jo vetëm një shkrimtar, por ne nderojmë sot edhe një familje emblemë në gazetarinë shqiptare, Familjen Kelmendi ashtu siç na ka mësuar ai me porosinë e tij te madhe:

Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha-nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.

Cila akademi e arteve dhe e shkencave, cili institucion kulturor nuk do të lakmonte mermerin monumental të këtij ligjërimi fjollor?

Përgjigja më e mirë le të jetë thirrja publike për institucionet zyrtare te kulturës, per ta botuar te plotë veprën letrare dhe publicistike te Ramiz Kelmendit.

Studiuesi i përkushtuar i veprës ramiziane Prend Buzhala, me të drejtë e ka krahasuar rëndësinë e veprës së tij me kronikat e Marin Barletit e me veprën e madhe të Servantesit. Me të drejtë ai ka folur per stilin ramizian e për artin ramizian. E kjo mjafton te thuhet se historia e letërsisë bashkëkohore shqipe nuk mund të shkruhet pa veprën e Ramiz Kelmendit, veçmas pa romanet e tij. Histroia e publicistikës shquiptare nuk mund te shkruhet pa perlat e penës së tij.

Për Faik Konicën është thënë se jetoi mes librash dhe që s’e kupti jetën pa libra. E per Ramiz Kelmendin: Të lexosh, do të thotë në fakt, të zbërthesh të vërtetën. Çfarëdo që kam arritur ne jetë, lidhet me librin dhe i kam nga libri, per librin e me librin,

Gëte ka thenë se imagjinata është një dhuratë hyjnore, se përjetësia arrihet përmes artit, sepse natyra është pikëpyetje e arti është përgjigje. Cvajg shkruante se vetëm duke u matur me të përjetshmen, njerëzimi kupton thelbin e tij të vërtetë, kurse Kafka theksonte se çastet e veta të fundit të pavdekshmit i kalojnë nëpër libra leximi.

Poeti i Laurës (Dielli shoi yjet, e ajo shoi Diellin!), Françesko Petrarka është quajtur me të drejtë President i Përjetshëm i Republikës Universale të Letërsisë. Republika e Italisë do ta nderonte shkrimtarin nobelist Eugenio Monatle, me titullin Senator i Përjetshëm. Po nga kjo Republikë, Luigji Pirandelo, do të thoshte me krenari: Është e madhërishme të jesh njeri! Nuk është një rastësi pse në Akademinë Franceze është vënë mbishkrimi: Përjetësisht. Ashtu siç nuk është rastësi pse Romen Rolan besonte se të krijosh do të thotë të fitosh përjetësinë.

Ramiz Kelmendi, ky Nestor i urtë e njeriu i letrave përballë përbuzjes (siç e kanë quajtur me të drejtë), kërkon kronikat e shpalosura në ballin e kohës. Kërkon dhe i gjenë në thellësinë e shekujve letrarë. E tek më pyet për të satën herë: Dhe çke që kërkon të më hysh në shpirt, të më bredhërisësh nëpër mend, të më çapitësh nëpër copëza jete? Eshtë koha ajo që i gjenë dhe i lexon përgjigjet në mbretërinë e lashtë të shkrimit. Janë breznitë orëmira ato që i falen dhe i përfalen prej nderimit, madje edhe me pak modesti. Perenditë nuk i duan vetem ata që janë të ri. Perenditë i duan edhe ata që tokës i duhen më shumë se qiellit, ashtu siç e ka thënë poeti gjenial Omar Khajami: Duke shenjtëruar ndërgjegjen tonë! Po. Duke shenjtëruar ndërgjegjën tonë, sepse siç tha Cvajgu: Nuk ka gjyq tjetër përpara Zotit, pos ndërgjegjës. Pra, shqiptarët po ta falin edhe suksesin, por edhe epitetin aq te merituar Ligjërues i Përjetshëm i Fakultetit te Gazetarisë Faik Konica, sepse siç është thënë:

Me dritën e mendimit të kulluar që Ti pate
Frymëzon shpirta e njoma, pas të shenjtës gjurmës sate

Zonja dhe zotërinj, nje emër që e kemi për zemër, edhe një dëshmi se Rugova eshte shamibardha jote Shqipëri:

Ramiz Kelmendi.

E duke e marrë fjalën në fund, shkrimtari Ramiz Kelmendi shprehu falenderimin e tij të veçantë për nderimin që iu bë. Ra kështu në sy sërish ngrohtësia e fjalës, por edhe pesha dhe bukuria e saj, të cilës ai iu fal gjithë jetën me dashuri dhe përkushtim të madh. Ai gjithashtu tha se si rrallëherë në jetën e tij të hënën e ka ndier veten ndryshe, duke shtuar se nuk e ka njohur vetveten deri me përurimin e studimit letrar që i është kushtuar veprave të tij.

Ramiz KelmendiRamiz Kelmendi, shkrimtari që ka më shumë vepra të shkruara e të përkthyera se sa vite jete mbi supet e tij

Lejla Beqiri-Pula dhe Besa LlugiqiLejla Beqiri-Pula dhe Besa Llugiqi

Në pjesën artistike të këtij përurimi u paraqitën Lejla Haxhiu-Pula në piano, dhe soprano Besa Llugiqi me këngët “Niat zaman t’asaj furie” dhe “Kenke nuri i bukurisë”.

Lejla Beqiri-Pula: Poete e Pianos

E dëshmuar prej kohësh për dhuntinë e saj të rrallë, dhe si gjithmonë e pasionuar dhe e dashuruar pas artit magjik të muzikës, Lejla Beqiri-Pula shpalosi anën tjetër të mrekullisë në piano, një talent për të cilin natyra u tregua aq dorëlirë. Pa dyshim që ajo u dëshmua se është një poete e pianos!

Dy pika muzikore e plotësuan edhe më nderimin për shkrimtarin. Sopranoja Besa Llugiqi me paraqitjen e saj aq mjeshtërore, me zërin e saj të mrekullueshëm e gjithë larmi, dëshmoi se ka një dhunti të rrallë, një talent të lindur, por edhe një përkushtim, një pasion dhe një melodi që publikun e le në habi. Një mrekulli zanoresh dhe një butësi bashkëtingëlloresh, që shkrihen aq natyrshëm deri në përsosmëri. Gjithsesi, edhe një dëshmi e qartë e cila përkujton thënien e njohur se muzika është thellim i qiellit.

Shaqir Foniqi: Besa (besnike) e kantos!

Besa Llugiqi

Në vlerësimin e tij, Orakulli i Rita Orës është treguar gjithmonë i pagabueshëm: Besa (besnike) e kantos! Duket se natyra i ka dhënë një dhunti tepër të rrallë këtij njeriu, që është dashuruar dhe mishëruar kaq shumë me artin e gazetarisë së mirëfilltë. Kujtdo që ai ia ka dhënë vlerësimin e tij, ka hyrë në portat e mëdha të përjetësisë që falë arti, që falë e bukura dhe e madhërishmja. Në të vërtetë, gjakimit të tij krijues për të përjetësuar figurat më eminente të artit e të kulturës sonë, do t’i shkonte aq shumë për shtati titulli i përmbledhjes poetike të Lasgush Poradecit: Vallja e Yjeve. Duke filluar që nga Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu, Gjelosh Gjoka, Nexhmije Pagarusha e deri tek Rita Ora.

Nuk do mend se po të hapësh zemrën e këtij njeriu, aty shkruan: Lajmëtar i Dritës dhe Orakulli i Ritës.

Sopranoja Besa Llugiqi-një zë i rrallë gjithë margaritarë, një zë që pikon ar! Marrëveshjen e tyre për një zë të tillë, natyra dhe arti e pagëzuan së bashku: BESA

Sopranoja Besa Llugiqi interpretoi me një përkushtim mahnitës nëpërmjet të cilit shpalosi dhuntinë e saj të rrallë, dëshmia më e mirë se Kosova është Republikë e talenteve. Zëri i saj përhapte gjithandej një drithërimë kënge, një mallëngjim, një zemër-klithje por edhe pasionin dhe dashurinë e saj të madhe për muzikën. Në ato pejëzat e holla të zërit gjithë hire, në ato fijet e mëndafshta të vokaleve, të cilat Besa me atë taktin e saj të rrallë i ngriti drejt qiellit si ca himne me qëndisma të përjetshme, rodhën kroje të pashterrshme të një muzike të papërsëritshme.

Nuk do mend se talentet e lindura, prova të gjalla të dhuntisë së artit dhe të madhështisë së tij, sillnin ndërmend atë shkrimin nga më të rrallët, atë poemën e madhe e të qëndisur aq bukur nga mjeshtri i fjalës së shkruar, në fund të së cilës Ramiz Kelmendi do të lëshonte zemër-thirrjen e tij: Mbajeni mend këtë emër!

Lejla Beqiri-Pula dhe Besa LlugiqiLejla Beqiri-Pula dhe Besa Llugiqi

Dukej se përpara syve të shkrimtarit e në kujtesën e tij, shumëçka sikur po përsëritej nga profecia e tij:

“Ajo fali sonte rozmarina në skenë. Fali vjollca e krizantema. Borzilokë e manushaqe.
Ca nga këto i fali për kujtim.
Ca i fali për mejtim.
E unë po i fal, ja, një kurorë me dafina lavdie për Ofelinë.
Një kurorë me dafina për të parin hap të saj.
Një kurorë me dafina për natën e bukur që na fali.
Një kurorë me dafina për të nesërmën e saj.
Paç nder, prandaj, moj Ofeli, e mirë se na erdhe!
Edhe – mirë ardhësh!”

Ajo. Drita. Ofelia e skenës shqiptare. Gjithsesi, edhe Lejla, Besa e Serafina.

Një përgjigje nga bota deradiane

Me zërin e saj të kristaltë si rrjedha e Drinit të Bardhë e me tingujt e një leximi gjithë art dhe gjithë takt, që në vetvete shpaloste një butësi mëndafshi, edhe moderatorja e asaj dite të 3 nëntorit 2014, u dëshmua një artiste e vërtetë.

Pas përmbylljes së këtij përurimi, shkrimtari Ramiz Kelmendi e pyeti moderatoren: Si ju quajnë?

Përgjigja që merr është e botës deradiane:

Serafina! Serafina Lajçi.

Në sytë e shkrimtarit parakalojnë shekujt letrarë e mendja i vete tek arbëreshi i madh. Shkrimtari shprehu hapur simpatinë dhe dashurinë për emrin me të cilin është përkujtuar dhe nderuar një nga kryeveprat e poetit.

Nga dashuria e madhe për arbëreshët, nga adhurimi për ta dhe për të bëmat e pararendësve të tij, Ramiz Kelmendi edhe ka pagëzuar me emrin që nderon Arbërinë dhe arbëreshët…

Në mënyrë të veçantë, në shenjë nderimi dhe respekti, në shenjë kujtimi dhe mirënjohjeje për Jeronim de Radën dhe për një nga kryeveprat e tij të titulluar Serafina Topia, shkrimtari Ramiz Kelmendi ia dhuroi lulet moderatores Serafina Lajçi.

Ai ia fali asaj buqetën e vet me lule, sepse ai donte të shkruante kështu një poemë të re, si atë që shkroi dekada më parë: Mbajeni mend këtë emër!

Arbëria matanë detit

Në ritin e tyre të moçëm sa plisat e dheut, arbëreshët e Italisë kur lind një foshnje e kthejnë me fytyrë kah Dielli. Kah Arbëria matanë detit…

E në një rit të përafërt si ky, njerëzit e bjeshkëve krenare pagëzojnë brezat me emrat që nderojnë edhe kryeveprat e letërsisë dhe të artit, dëshmi e qartë se e bukura dhe e madhërishmja ka qenë pjesë e pandashme e gjakimit për liri.

Jo vetëm Serafina, por edhe Beatriçe. Gjithsesi në kujtim të Dantes së madh dhe njërit prej kryevargjeve të soneteve të tij të papërsëritshme: Ekuinoksi i lumit pranveror, kah zëri i Beatriçes u kthye!

Një buqetë me lule për shkrimtarin Ramiz KelmendiNjë buqetë me lule për shkrimtarin Ramiz Kelmendi

Një buqetë me lule për shkrimtarin Ramiz KelmendiBreznitë Orëmira nderojnë shkrimtarin dhe veprën e tij

Një buqetë me lule për shkrimtarin Ramiz Kelmendi

Shkrimtari Ramiz Kelmendi, në shenjë nderimi për De Radën dhe një nga kryeveprat e tij “Serafina Topia”, buqetën me lule ia fali magjistres së letërsisë shqipe dhe moderatores Serafina Lajçi

Me shkrimtarin Ramiz KelmendiNë tempullin e librit, të dijes, të dritës e të diturisë
Me shkrimtarin Ramiz Kelmendi

III. RIKTHIMI

Montaneli për Kelmendasit: Këtij fisi ndër më fisnikët

Në monografinë Emrush Myftari, në kapitullin Emrushi dhe Rugova, autori Esat Myftari ka cituar pjesë nga shkrimi i Vasfi Samimit, në të cilin përshkruhet Rugova dhe burrat e saj trima: “Është një shije estetike, një dekoracjon i gjallë të shohish një grup Rugovas në hecje së bashku. Me të vërtetë u shembëllejnë luanëve…Burri Kosovar jeton në burimet e gurgulluara të bjeshkëve kreshnike…Është faji i Nënës Natyrë!…”, për të kujtuar më tej se: “Dobësia e Emrushit ndaj Rugovës ka qenë epike. Ai ishte i ndërgjegjshëm se atë shtat të hjedhun, atë shëndet të pastër, atë mendjemprehtësi e kthjelltësi vëzhgimi ia detyronte trashëgimisë biologjike e mentale të Kelmendasve, këtij fisi ndër ma fisnikët, sikurse e pat cilësua, njiherë e nji kohë, Montaneli. Në fakt, Gryka e Rugovës kah bajshin qarkullimin e tyre periodik e pothuaj ritual këta malsorë, përherë e kishin ushqye Pejën me gjak të ri, me zgjanim etnik, me guxim burrnor…”

Vendlindja e shkrimtarit Ramiz Kelmendi
E shkrimtari gjithmonë rikthehet në vendlindjen e tij. Ri-kthehet tek copëzat e kujtimeve që ia ndezën imagjinatën krijuese. Ai ri-kthehet tek kalldrëmet e kujtimeve që gdhend koha, kujtime të cilat nuk ia lanë të qetë neurasteninë krijuese:

”Progjimnazisti që tek shikonte titujt e librave në vitrinë, shkrimtarët i pandehte të paarritshëm, mbinjerëz, engjëj… Sa rëndë u lëndua dhe u godit në shpirt ai progjimnazisti pejan, për shkrimtarët ikur vatre, tretur dheut: apartidë.”

Aty ai u dashurua më së pari në letërsinë, në fjalën e bukur, në hiret dhe në magjitë e saj: ‘Pa le se kush të magjepsi më i pari? Migjeni, Fishta, Koliqi…’

Aty, më së pari Ramiz Kelmendi filloi frymëzimi për letrat shqipe: Letrat janë burim mrekullie. Ja që gudulisin jo pak kërshërinë tonë.

Aty u brumos me ndjenjën e madhe të dashurisë ndaj atdheut:

“Ç’qe e kaluara jonë, edhe se ç’jemi në fakt, edhe se ç’gjak na rrjedh ndër dej, po ama edhe se ç’duhet të jemi për jetë të jetëve.
Deri ku arrin Atdheu ynë? Deri ku arrin kënga e djepit shqip? Apo deri ku arrin vajtimi shqip?”

Dhe prej aty, ai u nis të shpaloste misionin e tij të madh të zgjimit të ndërgjegjës nëpërmjet fjalës: Asnjë të mos harroj se është njeri. Lufta e mendimeve është telbi më i çmuar i çdo kulture. Do peshuar dhe do gjykuar punët me akullin e arsyes dhe me mendje të shëndoshë. Jo me zjarrin e emocioneve. Bota e dialogut duhet të jetë një botë e marrëveshjes, e bashkëbisedimit dhe e botëkuptimit të dyanshëm.

Shkrimtari dhe gjuha

Gjuha e dhunuar krijon përbindësha. Kështu tha shkrimtari e pastaj citoi edhe Humboltin: Gjuha është atdheu i njeriut. Ramizi tha se gjuha është atdheu vetë. Gjuha është njeriu vetë: Mendoj dhe shkruaj shqip. Gjuha është shpirti i një kombi, tipari më dallues i tij. Arsimi lidhet me kulturën. Intelektualët janë njerëz të arsimuar.

Nuk harroi së përmenduri as Mitrush Kutelin, të ketë thënë për gjuhën e Faik Konicës: Një shqipe e pastërt si hoji i mjaltit. Por edhe nuk la pa nënvizuar mendimin tjetër tepër të lartësuar: Konica e quante gjuhën shqipe si lule e bekuar, që e ujiti djersa e Frangut Bardhë, pastaj Veqilharxhi, Kristoforidhi, Naimi e sa e sa të tjerë.

E kur e pyetën: Prej nga, pra gjithë kjo dashuri juaja për shqipen dhe gjithë kjo njohje juaj për të? Ai u përgjigj shkurt por qartë: Pse, ç’shpjegim u dashka për të dëshmuar dashurinë ndaj gjuhës amtare, ndaj gjuhës së mëmës? E ç’do të duhej të shkruaja më shumë se ç’kam shkruar?

Peja

Peja dhe Rugova do të hyjnë në zemrën e tij, por ato do të hyjnë përjetësisht edhe në veprën e tij:

Rugovës ia kushtova, për mendimin tim, vëllimin më të bukur me tregime “Ahmet Koshutani”, më të parin roman timin (“Heshtja e Armëve”) dhe radio-dramën time të parë që u emetua vite me radhë në Radio (“Kur kositeshin livadhet”). Po vendlindja është vetë Atdheu. Një Atdhe në miniaturë. Gjithë ç’doja në botë, doja Shqipërinë.

Siç e ka thënë vetë, Peja dhe Rugova janë frymëzimi i tij i parë dhe i mbramë. Duke shkruar për De Radën, ai ka theksuar se Maki është epiqendra e shkrimeve të tij. Për Marin Barletin është Shkodra, për Ismail Kadarenë është Gjirokastra. Për Ramiz Kelmendin është Peja. Por jo vetëm për të. Edhe për Jahja bej Dukagjinin, për Mehmet Akif Ersojin e sa e sa të tjerë.

Dhe sërish pyetja: Jeni pejan. Me lindje? Një pyetje që merr përgjigjen me copëzat e shkëputura nga jeta, merr një përgjigje kreanre:

Jo veç me lindje, jam edhe me ndjenja. Mbi 90 për qind e shkrimeve të mia lidhen për vendlindjen time, për Pejën dhe Rugovën, që unë nuk i ndajë këto të dyja praj nga i kam prindërit.

Pastaj sërish fletët e kujtesës shpalosen në retrospektivën krijuese, apo edhe nëpërmjet personazhit të veprës letrare:

Të vë re, këtu e disa vjet, s’le gjë pa lexuar që ka të bëjë me Pejën, çfarëdo që gjen dhe kudo që gjen: libra historie, libra gjeografie, kujtime, monografi, memoare pejanësh, shkrime nëpër gazeta e revista, shfleton kujtesën tënde, plot xhepat i ke me emra e mbiemra pejanësh që s’janë më.

Kujton me nostalgji edhe lagjet me nam, ndër të cilat shquan Kapeshnicën…Mandej zejet dhe zejtarët e ndryshëm, një botë të tërë që kapërthen mbamendja jote prej fëmije.

Sa tregimi, sa romani, sa drama me një e të vetmen temë: Peja. Më afër: pejani. (Po pejanja? Pse jo edhe pejanja? Kush druan të shkruajë për pejanen?)”

Shpalosen kështu kujtimet e një jete gjithë vija dhe vrragë, por edhe qëndresa-pa e bjerrur shpresën për lindjen e diellit:

“Ahmet Koshutani…gërthiti dhe përnjëherë u kthye prapë në vetvete, ashtu si ishte i pandryshuar: mësues, lindur në Pejë, viti 1935.

U vesh, doli nga dhoma e vet, u nis për në shkollë. Jashtë e këndelli përnjëherë një fllad i këndshëm, e atje, lart në horizont, kishte filluar rrugën e vet: DIELLI.

E Bjeshkët e Nemuna nemin ata që u dhanë këtë emër!

Bjeshkët krenare të RugovësBjeshkët krenare të Rugovës

Në trup kam plagë që s’mundet me i zhdukë lëkura, e në ndiesi vrragë…Oh sa shumë e due jetën me njerëz, në rrethin e tyre.

Nuk u dhashë!…Zbulova gurra të pafundme, të reja, eliksire, për ta ringjallur e këndellur sërish BUZËQESHJEN time…Tema do të jetë: DIELLI.”

Jeta hyn kështu në vepra e vepra flet për breza, letëria gërshetohet me realitetin, e që të dyja mishërohen në shkrimtarin:

Të shkruarit më së shumti e mbi të gjitha e ka provokuar padrejtësia. Letërsia ime ishte pjellë e padrejtësive të sistemit totalitar. Edhe letërsia ime, prandaj, pa përjashtuar gazetarinë time, ishte pjellë e padrejtësive dhe e pakënaqësive me atë sistem totalitar, kryekreje antishqiptar. Të gjitha personazhet e mia – janë unë. Prandaj fola dhe qetësova shpirtin, që të mos them, shpëtova shpirtin tim. Po jetoj jetën. Edhe po vijoj ta dua…

Rugova në dimërRugova në dimër

Rugova pra është epika kreshnike e një kombi. Është shamia e shpalosur me të bardhën e mermerit monumental, por është edhe gjakimi i breznive orëmira për të bukurën dhe të madhërishmen. Rugova është Mona Liza e kombit. Ajo është një Zvicër në miniaturë. Rugova është shamibardha jote Shqipëri!

Pagëzimi për dritën

Një ndër faqet më të bukura të shkruara, pa dyshim është ajo për Rugovën si një pagëzim për dritën, Rugovën të cilën shkrimtari e do aq shumë dhe të cilën e përjetësoi duke e futur edhe në veprën e vet letrare:

“E gëzoi me lot Rugova sot dasmën e vet të madhe: nguljen solemne të shtyllës së parë, që do të sjellë dritë edhe në ato bjeshkë krenare.

Pashë koshutanasin në Haxhaj, edhe plakun e Drelajve, edhe shoqin e tij të Rekës s’Allagës, me të vetmet mburroja të kokës së tyre dinjitoze e të mustaqeve burrërore – shallat karakteristike – tek u shkonin lotët çurg n’ato ditë shiu e dasme mes pishash e rugovasish që preknin qiellin.

Derdhi lot gëzimi sot Rugova. Edhe qielli me të bashkë. Lot e gaz. E puthje. E lojë Rugove. E këngë të reja për rrugën e re të dritës, prej rugovasish të rinj kënduar. E fytyra të rrudhura që gazmojnë. E shkollare Rugove që shpërthejnë, që çojnë përpara.

Dasmë të madhe ka sot Rugova – u çel rruga e dritës…”

Një himn për Rugovën dhe njerëzit e saj

Në poetikën e shkrimit të tij narrativ, e në mënyrë të veçantë në memoristikën e tij, Ramiz Kelmendi i ka thurur një himn nga më të bukurit dhe nga më të lartit, njerëzve që e kanë frymëzuar dhe vendit që i ka gatuar ata me ndjenjën e krenarisë së ligjshme:

E mbi të gjitha këto, mu ashtu edhe siç duket në të vërtetë: të josh Rugova aty sipër, me tërë atë diç të mahnitshme dhe të madhërishme që ndryn në bjeshkët e veta të larta, me atë mitin dhe misterin e vet, me ato doke e zakone (jehonën e ndonjërës syresh e ndjen edhe në vetvete, përmes gjakut të babit tënd të Drelajve dhe të nënës sate të Haxhajve), me gjithë atë dukjen ataviste të vet, me shtatin bjeshkë dhe me paraqitjen burrërore, me atë natyrë të virgjër, që shëmbëllehet aq bukur në sytë e tyre, me ato këngët e lahutave, të cilave ua thoshte aq melankolisht dhe aq bukur, daja yt, Arif Zhuji, nga i cili të zuri veshi së pari Gjeto Basho Mujin e Halilin, Gjergj Elez Alinë e Zukë Bajraktarin, si dhe ato dy femra, më të parat femra që i regjistroi veshi yt nga kënga e dajës në lahutë-Ajkuna e Dezdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina. (Dashuria për Pejën. Nga Ditari im)

Rikthimi tek kronisti kadarean

Në vështrimin e saj analitik, të titulluar Rikthimi tek kronisti kadarean, Serafina Lajçi me të drejtë ka theksuar se “në romanet e mëparshme Kadare e ka krijuar konceptin për botën, përmes një ligjërimi epik”.

Ndërkaq, vështruar nga prizmi krahasimtar për Ramiz Kelmendin mund të thuhet se ai e ka kundruar jetën nëpërmes një prizmi satirik, duke qenë një ndër shkrimtarët e parë që shiun e ka futur si metaforë në ligjërimin e tij narrativ e poetik (shpesh si një retrospektivë narrative), duke krijuar kështu atë që studiuesi i përkushtuar Prend Buzhala e ka pagëzuar me të drejtë si stili ramizian dhe arti ramizian.

Pejë, 20 dhjetor 2014. Shkrimtari Ramiz Kelmendi nderohet në 84 vjetorin e lindjes së tij

Shqiptarët nuk i ka perkëdhelur fati. Aq më pak shkrimtarët e tyre, prandaj Peja kishte një privilegj sepse po nderonte një shkrimtar në një përvjetor të tij të rrallë: 84 vjeçar.

Rikthimi është prapë i njëjtë. Si tek kronisti kadarean. Moderatorja ri-kthehet për të nderuar sërish. Ri-kthehet nga nderimi në Prishtinë (më 3 nëntor 2014), në Pejë (më 20 dhjetor 2014).

Moderatorja Serafina Lajçi, me po të njëjtin përkushtim bën paraqitjen e këtij manifestimi letrar e kulturor. Ajo thekson mes tjerash se në nderim të shkrimtarit merr pjesë i gjithë spektri politik, pa dallim.

Fillimisht, kryesues i Asamblesë Komunale të Pejës zoti Islam Husaj, foli me epitet dhe me konsideratë të veçantë për shkrimtarin, duke thënë zëshëm se ishte krenar që kishte jetuar në kohën e shkrimtarit dhe se e kishte lexuar dhe kishte mësuar nga vepra e tij letrare. Zoti Husaj mbajti një fjalë rasti gjithë bukuri shprehjesh, dëshmi e mirënjohjes së thellë për shkrimtarin por edhe dëshmi e një prirje dhe pasioni letrar të folësit.

Dr. Islam HusajDr. Islam Husaj nderoi me fjalën e tij, kurse shkrimtarin dhe autorin e studimit letrar i nderoi me mirënjohje

Poeti dhe publicisti Adem Shkreli shpalosi kujtime nga puna e përbashkët me Ramiz Kelmendin, por edhe vlerësoi lart prirjen e tij letrare dhe veprën artistike. Me fjalë të përzgjedhura ai e shprehu falenderimin dhe respektin e përbashkët, duke i shquar edhe meritat prej prijatari e pajtimtari, që ka dëshmuar shkrimtarit Ramiz Kelmendi.

Studiuesi Isak Shema foli gjithë konsiderata për vlerat e mirëfillta ideo-estetike që ngërthen vepra letrare dhe publicistike e Ramiz Kelmendit. Në prizmin e tij të veçantë prej studiuesi letrar, profesor Isak Shema theksoi se vepra e Ramiz Kelmendit mbetet e veçantë, si për tipologjinë krijuese ashtu edhe për porosinë e madhe.

Ndërkaq, profesori Prend Buzhala përfshiu në vrojtimin e tij të thukët të 6 veprat e monografisë studimore shkruar për Ramiz Kelmendin.

Prend Buzhala:
RAMIZ KELMENDI NJË MAG I LETRAVE SHQIPE. VËLLAMËRIA E SHKRIMIT LETRAR

Duke folur për monografinë letrare (të cilën e cilësoi “heksalogji kritiko-letare”), studiuesi Prend Buzhala me të drejtë e quajti Ramiz Kelmendin një mag të letrave shqipe.

Në odeonin e veçantë të fjalës së tij ai theksoi se: “Në vëllimin e parë të kësaj trilogjie letrare dhe kritiko-letrare, Peci përkujton Muzën e Sibilës. “Kur Sibilia e Kumes e ka takuar Eneun, ajo i ka pasur shtatëqind vjet e i kishin mbetur për t’i jetuar edhe 300 të tjera. jo i bënte profecitë e saj nëpërmes gjethes së palmes dhe e shoqëronte Eneun në botën e nëndheshme…” (fq 84). E pra, nëse profecinë e shkrimit të krijuesit letrar e metaforizojmë me sibilën, atëherë ky takim i sotëm me shkrimtarin Ramiz Kelmendi ka moshën 700-vjeçare.”

Prend BuzhalaPrend Buzhala

Studiuesi i përkushtuar i vlerave të letrave shqipe, më tej theksoi: “Përpara, i kemi edhe shkrimtarin e gjallë, edhe autorin e gjashtë librave kritiko-letrarë dhe letrarë me titujt metaforikë “Ramiz Kelmendi, Sokol Halili i letrave shqipe”, “E bukura dhe e madhërishmja në penën e Ramiz Kelmendit”, “Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit”, “Ramiz Kelmendi dhe prosia e tij e madhe-Faik Konica”, “Ramiz Kelmendi per shkrimin dhe shkrimtarët” dhe “Ramiz Kelmendi dhe pagëzimi më i bukur i letrave shqipe”.

Duke u ndalur tek koncepti estetik i së bukuës dhe të madhërishmes, ai vlerësoi se “në tryezën e leximit na vijnë kategoritë, nocionet apo mitet artistike me burime antike e arbërore-shqiptare, si Sokol Halili (personazh i këngëve kreshnike që dashuron Tanushën e Bjeshkëve epike), na vjen nga burimet antike miti për Sibilën në këtë rast Sibila e Ulqinit, si dhe nocionet tjera, si letrat shqipe, e bukura dhe e madhërishmja dhe fjalët penë, shkrim, shkrimtar etj.

Kjo do të thotë se e bukura, dashuria si emocion i amshueshëm njerëzor që i jep kuptim jetës dhe e mbushullon jetën, përbëjnë thelbin e këtyre gjashtë vëllimeve.”

Pastaj, Prend Buzhala u ndal në tipologjinë e librit, më saktë në strukturimin dhe konceptimin e librave, duke vënë në pah se ato “nuk ndajnë kufi kohorë. Dhe sado që trilogjia dhe heksalogjia kanë konotacionet e saj epike të krijimit e të veprimit, të procesit të ndërliqshëm krijues, megjithatë, ajo ka lirikën e saj të amshueshme, dhe këtë përmasë trajtimesh e interesimesh ta sugjerojnë vetë titujt e këtyre gjashtë vëllimeve. Termi heksalogji u përdor nga Qagner (kompozitor operash), si dhe nga kritikë të mëvonshëm të letrave euro-perëndimore…”

Me thekse të veçanta ai foli edhe për qasjen studimore në këtë monografi: “atë të qasjes krejtësisht të lirë tematike, të tematizimit të fenomeneve letrare e kulturologjike, shoqërore apo estetike, në frymë plotësisht eseistike. Të duket sikur kjo lëndë është e shkapëderdhur, por vetëm në shikim të parë ndodh kjo. Sepse, po e kërkuam sistematizimin e lartheksuar akademik e akademizues, atëherë vritet shkrimi, vritet liria e tij, goditet e ngushtohet leximi pasur i asociacionev tematike që nxit ky lexim.”

Prend Buzhala nënvizoi se në këtë studim, “Ramiz Kelmendi na shfaqet më shumë se sa ç’është një personalitet, ai është një MEDIUM I GJALLË ku gërshetohen kohët dhe historia jonë, letërsia jonë dhe kronika jonë, arti ynë dhe shpirti ynë, prandaj, kritiku nuk është vetëm ai që merret vetëm me leximin dhe me vlerësimin e tekstit, por është shpaluesi edhe i procesit krijues të shkrimtarit, edhe i gjendjeve shpirtërore të krijuesit letrar.”

Së këndejmi, në prizmin e vrojtimit të studiuesit Prend Buzhala, në veprat kushtuar shkrimtarit Ramiz Kelmendi, “shkrimi na shfaqet më shumë se vetë eseja dhe me shumë se një shkrim kritiko-letrar, më shumë se një shpalosje studimore. Është një shkrim që gërsheton me pasion dhe dashuri të madhe personalitetin krijues të Ramiz Kelmendit e veprën e tij, përgjithësish shkrimin e tij në shume aspekte. Te libri i parë i heksalogjisë sonë shpirtërore, letrare, heksalogjisë së letrave kombëtare e universale, Peci fut një varg tekstesh (ese, kumtesa, trajtesa e studime) mbi De Radën, Ernest Koliqin, Gjergj Komninon, Vexhi Buharanë, Lasgush Poradecin, e sidomos për Faik Konicën.

Flet për Petro Nini Luarasin e për Islam Vrionin, për Vangjel Koçën e për Ismail Kadarenë, për Thanas Gjikën e Bardhyl London, e për dhjetëra emra të tjerë, nga të cilët rimerr tekste në funksion të përzgjedhjes së tij antologjike të thënies artistike e të kategorisë estetike të të madhërishmes, të së bukurës në shkrim e në bukurshkrimin shqip. Konica kudo e kurdo është bosht i qasjeve të këtyre autorëve, ashtu sikundër studimi bosht i vëllimit të parë del kapitulli Ramiz Klemendi për Faik Konicën. Autori Peci thotë: “Ramiz Kelmendi e ka ngritur Faik Konicën në përmasat e lartësive të tilla monumentale, ku vetëm Perëndia dhe Shqipëria kanë të drejtë t’i prekin me dorën e tyre.” Për të gjithë klasikët e përmendur ka shkruar edhe Ramiz Kelmendi dhe në këtë mënyrë, na shfaqet ajo që do ta quanim VËLLAMËRIA E SHKRIMIT LETRAR.

NJË VËLLAMËRI E TILLË na shfaqet më të gjitha përmasat e tij të pasionit, zhdrivillimit, shkoqitjeve, meditimeve, përqasjeve estetike etj.”

Duke folur më tej për vëllimet e kësaj monografie, Buzhala tha se vëllimi i katërt “na jep një përzgjedhje të epistolarit të letrave shqipe e ndër ta edhe të Faik Konicës, si dhe studimet paralele të autorit e të Ramiz Kelmendit. I pesti përzgjedh shkrime të Ramiz Kelmendit për letrat shqipe e shkrimtarët. Duke e përqasur në raport me shkrimin, shkrimtarët dhe me Faik Konicën, kjo do të thotë se krijuesi dhe personaliteti krijuesi Ramiz Kelmendit, ashtu sikundër dhe studiuesi, e konsiderojnë shkrimin letrar si tip të krijimit poesis, mu ashtu si njerëzit e moçëm të antikës, që e konsideronin poezinë (poiesis-in) si veprimtari kreative të krijuesit, si lojë shpirtërore dhe si metodë a shteg për shkarkime të brendshme; kur krijuesi ishte një MAESTRO I I LIGJËRIMIT, MAESTRO I TË FOLURIT. Madje, maestrot e moçëm antikë, poezinë nuk e konsideronin as zhanër letrar, por një vendtakim i njeriut me perëndinë, me zotat, me poezinë. Do të thoshim se Ramiz Kelmendi është ndër stilistët më të përkryer të letrave shqipe, një MAG I LETRAVE SHQIPE.

E ku krijuesi na shfaqet, si natura naturans, dhe kur tash bartet tek shkrimet e autorëve të tjerë bashkëkohës, na del si natura naturata, si portret i përveçëm i secilit prej nesh dhe si portret yni i përbashkët, i identitetit nacional, kukturor e letrar.”

Në përmbyllje të fjalës së tij, studiuesi Prend Buzhala foli për misionin e studiuesit dhe kritikut letrar, duke theksuar se: “Nëse interesimet për veprën letrare të Kelmendit zgjerohen edhe me interesime të tjera, tek nëse qëmton lidhjet midis letërsisë së shkruar me atë gojore, mitin literaturën e tj; kur shkruan për traditën letrare, e sidomos për mendimin kritik, atëherë edhe” autori i studimit letrar “nuk iu ka larguar misionit të kryehershëm që e ka pasur dhe e ka ende edhe sot kritika letrare: për të qenë urë lidhëse a ndërmjetësuese në trinomin lexues-vepër-krijues. Së këndejmi, kjo kritikë letrare pikësynon komunikimin sa më të qartë e më të lehtë, duke e kërkuar të njëjtën gjë edhe për autorin, si kriter estetik. Por. gjithnjë i gërshetuar me erudicionnin dhe me gjerësinë e këndvështrimeve.”

Profesori Prend Buzhala dhe portreti i tij intelektual

Duke u vënë me kohë në shërbim të çështjes së madhe kombëtare, profesori Prend Buzhala ka mbajtur një qëndrim vertikal. Si i tillë ai ka frymëzuar brezat me shembullin e përkushtimit të tij të veçantë.

Duke ligjëruar për letërsinë dhe gjuhën shqipe me pasion dhe dashuri të madhe, duke shkruar me lirikën e tij me të cilën ka sfiduar egërsinë e kohëve ziliqare, duke vrojtuar dhe studiuar me hollësi autorë dhe vepra të periudhave dhe të epokave të ndryshme letrare, duke e shprehur mendimin e tij të guximshëm intelektual, duke kritikuar dukuri, shfaqje dhe fenomene të cilat e dëmtojnë konceptin estetik të së bukurës dhe të madhërishmes, profesori Prend Buzhala e ka fituar respektin e merituar prej një njeriu të urtë e studiuesi të palodhur, fjala e të cilit çmohet dhe nderohet, vepra letrare e të cilit flet për kohët e shkuara por edhe për të pritmen tonë si komb, prandaj edhe vlerësohet drejt, lart e gjithë mirënjohje.

Duke nderuar një klasik dhe pishtar të gjallë të kulturës sonë

Duke folur për shkrimtarin Ramiz Kelmendi dhe veprën e tij, autroi i monografisë letrare, mes tjerash tha:

Ne po nderojmë dhe po urojmë sot për ditëlindjen e tij, një shkrimtar të shquar të letrave shqipe, një klasik dhe një pishtar të gjallë të kulturës kombëtare shqiptare e rilindës i kombit të vet.

Në ditëlindjen e tij të 84-ët, ne po plotësojmë kështu porosinë e Lasgush Poradecit se poetët dhe shkrimtarët duhet nderuar dhe kujtuar për ditëlindjen e tyre.

Natyra e bukurive të mahnitshme të Rugovës, bota e saj epike dhe Peja-kjo lule e Dukagjinit, i ka falur universit të letrave shqipe, një dhunti të rrallë të cilën më të drejtë e kanë quajtur talenti i tij epik, një penë e cila me të drejtë është quajtur pena e tij e artë.

Lasgushi ka thënë se tek Xhaokomo Leopradi çdo fjalë del nga shpirti. Edhe tek një shkrimtar siç është Ramiz Kelmendi, veçmas kur shkruan për Pejën dhe Rugovën, çdo fjalë del thellë e nga shpirti, tek ka shkruar:

Mbi 90 për qind e shkrimeve të mia lidhen për vendlindjen time, për Pejën dhe Rugovën që unë nuk i ndaj këto dyja prej nga i kam prindërit.

Duke perkujtuar se: Vendlindja është vetë Atdheu. Një Atdhe në miniaturë, sic e ka thenë vetë, ai me te drejte ka cituar Lukianin: S’ka fjalë më të ëmbël e më të dashur se fjala Atdhe, prandaj e duan edhe perënditë.

Ramiz Kelmendi futet në thellësitë e shekujve letrarë, por edhe vihet në kërkim të gurrave të frymëzimit. Letrat dhe arti i bukur e magjik i të shkruarit, për të janë kroje galdimi. Ato kanë një vesk të veçantë e gjithë rreshk bukurie: Letrat janë një burim mrekullie. Ja që gudulisin jo pak kërshërinë tonë.

Ai është qujatur me të drejtë gazetari emblemë i Kosovës, ikona e gazetarisë kosovare, doajeni i saj, figurë emblematike, figurë pikante e figureë markante e letrave shqipe.

Studiuesi Prend Buzhala jo vetëm se e ka quajtur Molieri i prozës sonë, por ia ka falur edhe njërin prej epiteteve më të bukura, duke e quajtur Shpëtimtar i Dashurisë.

Por në modestinë dhe në krenarinë tonë të ligjshme, ne po shkojmë pak më larg dhe po themi se ky emër që e kemi për zemër, është edhe një dëshmi se për të atdheu fillon tek zemra e nënës, tek shami e bardhë e Zake Zhujit, dëshmi se Rugova kreshnike ne natyrën e saj epike është një magje gjaku dhe se Ramizi ka rrënjë të Lisit te Gjakut siç e ka thënë studiuesi i përkushtuar Zymer Ujkan Neziri, por me bukuritë e saj mahnitëse Rugova është edhe një Zvicër në mianiaturë. Rugova është Mona Liza e kombit.

Rugova eshte shamibardha jote Shqipëri, sepse përmbi çdo gjë, shamitë e bardha të Rugovës janë dëshmia më e mirë se mermeri monumerntal i perëndive ilire nuk fle, dhe se kjo bardhësi Rugove ka hyrë nën urdherat e bekimit hyjnor tre mijë vjet me parë.

Nje pjesë e këtij bekimi ra përmbi një penë te madhe këtu e 84 vjet me parë, e sot po uron që të ketë gjithmonë ditëlindje, sepse edhe për Ramiz Kelmendin, ashtu si dhe për të gjithë ata që me fuqinë e fjalës e kanë “përcëlluar drejt shqipes zjarrin drithërues të ilirishtes”, mund të thuhet ashtu siç është thënë edhe për Lasgushin e madh:

Do të harrohet edhe ai, por vetëm në qoftë se harrohet gjuha shqipe!”

Ansambli Folklorik Autokton “Rugova”

Më tej një valltare me veshjen prej malësoreje, zbret nga skena dhe nga rreshti i parë e merr shkrimtarin dhe me ndjenjë të theksuar krenarie dhe bujarie, respekti dhe mirënjohjeje, bashkë me të ngjitet në skenë. Të pranishmit në sallë shpërthejnë në duartrokitje, nëpërmjet të cilave shprehin dashurinë dhe admirimin për shkrimtarin që ndodhej në mesin e tyre.

Ndonëse i ka mbushur 84 vjet, toka ku lindi dhe e cila e rriti, i jep fuqi prej Anteu. Shkrimtari ngjitet lart dhe përkundër peshës së moshës mbi supe, ai qëndron i fortë dhe krenar. Reth tij Ansambi Folklorik Autokton “Rugova”. Të gjithë shprehin nderimin e tyre të pafund, së bashku me krenarinë e ligjshme.

Ramiz Kelmendi dhe Ansambli RugovaShkrimtari Ramiz Kelmendi në mesin e pjestarëve të Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova”

Pastaj e mori fjalën shkrimtari Ramizi Kelmendi. Ai falenderoi dhe shprehu mirënjohjen e tij për nderimin e bërë. Ra në sy, përkundër moshës së shtyrë, një kujtesë ende e freskët por edhe dashuria e veçantë me të cilin ai foli për njerëzit e vendlindjes së tij, e gjithsesi edhe për Pejën e Rugovën, duke kujtuar vazhdimisht me krenarinë e ligjshme prejardhjen e tij dhe prindërit e tij. Mbi çdo gjë, ai theksoi sërish se:

Bjeshkët e Nemuna janë më të Bekuarat. Nuk ka më te bekuara se ato për mua. Bjeshkët e Nemuna i nemin ata që u kanë dhënë këtë emër!

Ansambli RugovaAnsambli Folklorik Autokton “Rugova”

Sakaq, dy çuna me veshje kombëtare dalin në skenë. Dhe përnjëherë shkrimtari gjendet në mesin e tyre. Është simbolika e një brezi të ri që shpreh për të satën herë dashurinë, respektin dhe mirënjohjen për njeriun i cili në veprën e tij letrare dhe publicistike ka bërë thirrje të vazhdueshme për dashuri dhe dritë.

Më tej filloi Vallja e Rugovës shpalosur me ritmin e së bukurës dhe të madhërishmes. Këngë e valle gëzimi dhe feste. Urime të pafundshme për bashkëvendasin e tyre.

Publiku ndjenë emocione, shpreh fjalë miradie e gëzimi, urime nga zemra që të rrojë sa më shumë. Rugova ka arsye të ndjehet krenare. E gjithsesi edhe Peja…

Vallja e RugovësVallja e Rugovës

Në këngët dhe në vallet e Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova”, u shpalos bota epike e bjeshkëve, por edhe dashuria për tokën dhe për jetën, dashuria për të bukurën dhe të madhërishmen, së bashku me gjakimin e brezave të njëpasnjëshëm për liri e përparim shoqëror.

Këngën dhe vallen e Rugovës e kanë parë dhe dëgjuar larg. Ajo ka mahnitur me bukurinë dhe me hijeshinë e saj, sepse në ritmin e këngës dhe të valles, Rugova ka shpalosur zemrën e saj dhe qenien e saj.
Ansambli Rugova
Rugova martire ka përjetuar zjarre dhe flakë, është djegur e pjekur, ka parë plojë dhe tmerre, por përmbi gjëmën dhe gjakun, ajo ka ngritur gjithmonë këngën dhe vallen, shpresën e re për ditë të reja; ka ngritur shpirtin e saj të bardhë të qëndresës epike e të sakrificave të panumërta. Përmbi çdo gjë, Rugova ka shpalosur mermerin më monumental me sfonde ilire, në shaminë e saj të bardhë: si një bekim i shejtë perëndie.
Ansambli Rugova
Shkrimtari dhe koha

Njëri prej bashkëkohanikëve të tij dhe njëri prej kritikëve të shquar të letërsisë shqipe Rexhep Qosja, për shkrimtarin Ramiz Kelmendi dhe veprën e tij, do të shprehej: Jetës i përkulet njeriu dhe arti. Por ai është përkulur në mënyrë prometheistike. Në shkrimet e tij prej gazetari, mbizotërojnë letrari dhe artisti. Dëshmitar historik i fatit të popullit të vet, individualitet prej krijuesi e tregimtari. Pena e tij e Artë! Njëri nga gazetarët e rrallë. Njëri prej prozatorëve të parë të shquar. Njeri dhe Artist. Publicist i shkathët. Militant i të vërtetës. Njëri nga gazetarët më të mirë shqiptarë në përgjithësi. Figurë emblematike e letërsisë shqipe…Si njëri prej gazetarëve më të mirë të Kosovës.

E studiuesi tjetër, pa dyshim ndër më të përkushtuarit e letërsisë ramiziane Prend Buzhala, i cili e ka përcjellur në vijimësi prej dyzet vitesh krijimtarinë letrare dhe veprën publicistike të shkrimtarit Ramiz Kelmendi, do ta quante ate: Njeri dhe Artist, duke shtuar se: Secili libër i tij e ka poetikën e risisë…

Për Pirandelon është thënë se e harroi jetën e vet, për të jetuar jetën e heronjve të novelave të veta. E për Ramiz Kelmendin, vepra spjegohet nëpërmjet heronjve të saj.

Hajnrih Hajne ka thënë me të drejtë se në gjoksin e shkrimtarit të një populli, fshihet pamja e ardhmërisë së tij, kurse Fuajo besonte se është i lumtur ai shkrimtar që i ngre një monument vendit të vet.

Ramiz Kelmendi është pra një misionar por edhe një vizionar i mbrujtur me idealin e përparimit kombëtar dhe shoqëror, i cili me shkrimet dhe fjalën e tij, ka mëtuar që vetëdija kombëtare të fomrohet nëpërmjet fuqisë së fjalës dhe bindjes, përkatësisht arsyes.

Mision më fisnik dhe më bujar vështirë se mund të ketë për të gjithë ata që koha i ka thirrur të bëhen prijatarë të saj, misionarë dhe vizionarë të mendimit dhe të vargëzimit monumental se mjerimi s’do mëshirë, sepse mëshira nuk është drejtësi, veçmas kur kohët janë ziliqare në krekosjet e tyre tinëzare.

Vetë nderimi për shkrimtarin dhe veprën e tij, e dëshmoi atë që u tha më lart. U shpreh për të satën herë ndjenja e respektit dhe e mirënjohjes, e falenderimit dhe e krenarisë së ligjshme. U shkëmbyen mendime e u shpalosën përvojat krijuese në mes brezave që hapën shtigje e trasuan rrugë dhe në mes atyre që rendin në gjurmët e tyre.

Isak Shema, Serafina Lajçi, Prend Buzhala, Musa LajçiMe pishtarët e dritës e të diturisë:
Isak Shema, Serafina Lajçi, Prend Buzhala, Musa Lajçi

Studiuesi Prend Buzhala & Dr. Mahmud HysaStudiuesi Prend Buzhala & Dr. Mahmud Hysa

Në fund të drekës së shtruar, e mori fjalën Dr. Mahmud Hysa. Duke u ngritur për të falenderuar, profesori që është shquar gjithmonë për përkushtimin e tij të veçantë studiues (botimi i plotë i veprave të poetit e të patriotit të madh Andon Zako Çajupit, në vitin 1983 – në 6 vëllime nga dr. Hysa, gjithsesi se ishte një ngjarje e veçantë kulturore por edhe një testament i gjallë politik për kujtesën kulturore kombëtare), zgjodhi një nga ato perlat e mendimit të urtë dibran, duke thënë se: Pushka e trimit e sofra e bujarit nuk shuhet kurrë!

Dhe krejtësisht në fund, para se të përshëndeteshim, si për të dëshmuar se syrit të poetit nuk i shpëton asgjë, edhe një befasi e këndshme. Një burrë me pamjen që nga portreti i tij shpalos një njeri me zemër të madhe e me shpirt të bardhë, shtrëngon dorën. Vështrimi i syve të tij flet vetë për shtigje drite e diturie.

Pa dyshim: Një Luftëtar i Dritës!

IV. BREZNITË ORËMIRA

Poeti Jeton Kelmendi: Është Baci Musë! Babai i Dëshmorit Besnik Lajçi

Përpara shfaqet njeriu që u bë pishtar i arsimit, që përhapi dritën e diturisë por edhe dashurinë për mëmëdheun, që edukoi brezat e trasoi rrugë, që hapi shtigje. Një portret që e gdhendi koha. Gjithsesi një portret që më bujarinë dhe fisnikërinë, me modestinë dhe me dashurinë e tij, i flet kohës së vet dhe brezave që vijnë, sepse Baci Musë është i të gjithëve dhe ne jemi të tij.

Besnik Lajçi-Beni:
Ushtar i Atdheut e Dëshmor i Kombit, Besnik i Idealeve të Mëdha të Breznive Orëmira

Poeti i kombit Gjergj Fishta, këndoi në mënyrë homerike për lavdinë e malësorëve që u bënë therror Termopileve shqiptare, për të mbrojtur me gjakun e tyre më të kulluar trojet tona stërgjyshore, mbi të cilat ranë në mënyrën më mizore thonjtë e përgjakur të hijenave shoveniste të monarkive ballkanike.

Ernest Koliqi duke e çmuar lart një ndjenjë të tillë fisnike poetike, tha me të drejtë se “Fishta na mësoi me e dashtë Shqypninë si nuse!”

Heronjtë e Gjergj Fishtës dalin nga “Lahuta e Malëcis”

Lasgush Poradeci e ka quajtur me të drejtë Fishtën: Shpirt të Kombit Shqiptar, kurse Ernest Koliqi e quajti interpret të shpirtit shqiptar. Heronjtë e Gjergj Fishtës dalin nga kryevepra e tij epike Lahuta e Malëcis dhe vihen në mbrojtje të tokave tona stërgjyshore. Ata janë stërnipat e malësorëve të dikurshëm që mbrojtën me gjak vendimet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Trualli i shqipes sërish bëhet djep vullkani e dheu u kuq i arbërit bëhet nuse malesh.

Sërish Breznitë Orëmira dhe pinjojtë e dyerve që ia kthyen krenarinë tokës që i lindi e i rriti.

Besnik Lajçi ishte njëri nga ata. Nuk e thonë kot se çka ka në emër, ka edhe në zemër! Besnik Lajçi u mbeti besnik idealeve të lirisë dhe betimit mbi flamur. Duke rrokur armët jetike (siç do të shkruante Fishta), ai dhe shokët e tij të luftës, u vunë krahët atdheut dhe me besa-besën i shpalosën gjoksin hordhive të egra, duke i sfiduar pushtuesit shekullorë në çdo mënyrë, e duke i thënë hapur: S’ta lëshojmë rrugën pa t’la me gjak!

Dritëro Agolli:
Atdheu merr frymë me mushkëritë e poemave të Naimit!

Besnik Lajçi dhe shokët e brezit të tij, si përfaqësuesit më të denjë të Breznive Orëmira, kishin një ëndërr nga më të bukurat. Pinjojtë e këtyre breznive donin me çdo kusht që atdheu të merrte frymë me mushkëritë e poemave të Naimit, siç do të shkruante poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli.

Ernest Koliqi: Shija e qumështit të amës së përbashkët dhe njësia e një tërësie organike

Në shkrimin Mustafa Kruja si njeri kulture, Ernest Koliqi e vinte theksin tek “mungesa e lidhjeve ndërmjet pjesëve të botës shqiptare”, duke vënë në pah se: “Rrethanat e sotshme, shkaktue nga stuhitë politike e luftarake të këtij qindvjeti, kanë shkaktue copëtim në mes gjymtyrve të trupit shqiptar…Mungon njisija e nji tanësije organike”. Mungon shija e qumështit të amës së përbashkët, siç do të shprehej në poemthin e tij dramatik Simfonija e shqipevet…

Themelet e një Shqipërie shqiptare

E shkakun e një mungese të tillë të theksuar, Ernest Koliqi e gjente në analizën e tij të hollë: “N’asht se themelet e nji Shqipnije shqiptare mbështeten mbi trashëgimin shpirtnuer qi na lanë De Rada, tre vëllezërit Frashëri, Vaso Pasha e Çajupi, duhet të pohojmë se sot jemi tue ndërtue (o kujtojmë se diç po ndërtojmë) jashta atyre themeleve.” (Eklipsi ase të zanunit e dritës së poezis fishtjane)

Më tej, Ernest Koliqi në pjesën Fishtologji, në shkrimin Fishta interpret i shpirtit shqiptar, me të drejtë Fishtës ia jep epitetin e interpretuesit të shpirtit shqiptar, kurse në shkrimin tjetër të titulluar Eklipsi ase të zanunit e dritës së poezis fishtjane, shkruante se Fishta mbeti “za i pashoqi mbarë nji kombi, interpret gjenial i shpirtit të tij”. Poeti që i paralajmëroi “Shqipnis fate të lume…Poetin që bani të nderueshëm gjakun shqiptar.” Veprën e Fishtës e quajti me të drejtë: testament shpirtnuer.

Ernest Koliqi:
Fishta na mësoi me dasht Shqipnin si nuse shpirti

Duke shtuar më tej, Ernest Koliqi jo vetëm e përkujtoi me dinjitet, por e muar në mbrojtje poetin e madh:

“Fishta asht i gjallë midis nesh: Kur t’a drejtonte fjalën, ti kishe përshtypjen se në za të Tij dridhej mysteri muzikuer i jehonave e i frymëmarrjes së malevet e të pyjeve t’atdheut, kah flitte të gitej se po ndëgjon krojet e kullueta të moçme e të soçme të gjuhës s’onë tue rrjedhë nga ajo gojë që dinte me reshë urimet ma t’ambla mbi Nanën Shqipni dhe me lëshue namët ma të rrebta mbi anmiq të saj.

Ata qi nuk e njoftën i a përfytyrojnë vetvetes në trajtën e nji vigani të ngrejtun si sogje e përherëshme mbi kufijt e atdheut…Fishta na mësoi me dasht Shqipnin si nuse shpirti…Ai na armatosi shpirtin me krenin e emnit shqiptar…”

Fishta dhe zhelet e malësorëve…
Mihal Grameno: Opinga do ta bëj Shqipërinë!

Ernest Koliqi përkujtoi me krenari kombëtare prej poeti, prej shkrimtari e prej studiuesi se: “Fishta ndër zhele të Malsorvet pau kindat e nji flamuri të grisun ndër përleshje për mprotje t’atdheut. Ato zhele, lecka e rrecka, na i paraqiti të puthuna nga dielli i lavdis. N’ato zhele Malsorët e mbarë Shqipnis mbështjellin patentet e nimendta të fisnikis s’onë, të njerzis bujare e të gjakut arbnuer. Na i tregoi e përshkoi Malsorët e Çun Mulës e t’Ali Pashë Gucis si rod katallajsh qi çudisin rruzullin me trimni tue ba dekën si me le në mprojtje të tokës e të traditave t’shejta shqiptare.”

Oso Kuka Oso Kuka – Heroi i Kullës së Vraninës

Himnit që kishte shkruar poeti për poetin, koha i dha të drejtë: “Në nji zemër ku vlon nji gjak i kulluet shqiptar, rreh edhe poezija e Fishtës. Poeti qi bani me lulzue mrekullisht vegimin e Shqipnis shqiptare në shpirtat t’onë, asht i gjallë midis nesh dhe me za qi nuk njef mort na ngushllon, na nxitë e na tregon cakun ku duhet t’arrijmë.”

Koliqi: Unë pëlqeva ernat e lira ku shtjellohen flamuj bujarë
Në dorë të breznis së sotme qëndron fati i shqiptarizmës

Më theks të veçantë, në shkrimin tjetër Gjergj Fishta në shërbim të çështjes kombëtare, Ernest Koliqi citonte letrën që poeti kombëtar i kishte dërguar më 15 tetor 1907, Patër Dodajt: “Të jesh i sigurtë se kurrë nuk do të mundohen me e ba atdheun njerëzit mikroskopikë, të cilët tue u shkye ndër vedi…e bajnë tuberkuloz në at’masë sa brenda pak kohësh prej Shqipnisë do të mbetet veç nji kufomë e kalbun me t’cilën do t’shujenë ujën bijtë e çjerrun të Austrisë, shqiponjat grabitqare të Danubit, a ç’asht më keq, arijtë e Ballkanit…”

Duket qartë se edhe Fishta kishte qëndrim të njëjtë sikur edhe De Rada, sa u përket shpresave tek të huajtë, ndërkaq me Auto-da-fe në e tij Ernest Koliqi po u fliste kohëve për të cilat ai besonte se patjetër do të vinin: Do t’isha edhe un pushtues shkambesh t’arta në shekull, po të kisha zanë me përulë kryet në nderim të padrejtësis, me çue dorën në përshëndetje të mbrapshtis, me çel buzën n’urim të dhunës. Por unë pëlqeva ernat e lira ku shtjellohen flamuj bujarë, flatrat prore në lëvizje qi ngrehin zemrat nga balta, shigjetat ari qi gjuejnë Efjlatat e Tersitat. Ernest Koliqi po shprehte kështu parandjenjën e tij: Në dorë të breznis së sotshme qindron fati i shqiptarizmit (Letra të hapuna nji të riut letrar).

Besnik LajçiBesnik Lajçi-Besnik i Idealeve të Mëdha të Breznive Orëmira:
S’ta lëshojmë rrugën, pa t’la me gjak!

Besnik LajçiBesnik Lajçi-Komandant “Sokoli”,
Legjenda e Rugovës, Krenaria e Kombit

Fryma kombëtare si thelb i traditës dhe qëndresës shqiptare

Koha flet me heronjtë e vet, ashtu siç flet edhe shkrimtari me zërin e zemrës së vet. Nga ky prizëm, Ernest Koliqi në shkrimin Politika e kultura, shprehte mendimin e tij të lartë si një zemër-thirrje për pinjojtë e breznive orëmira, të cilët koha një ditë do t’i thirrte të mbronin nderin dhe dinjitetin e kombit të tyre:

Për të qenë atdhetar duhet krye vepra të spikatuna: me vue kryet n’rrezik për çashtje, m’u dallue nëpër veprime të jashtëzakonshme, me shkri pasuni e m’u dërrmue në flijime mbinjerzore…Heroi me ni vepër, qi ngjatë nganjiherë vetëm nji cast, përjetëson veten…Pra vetija e parë e nji atdhetari qindron në dashuni të vëllazënvet të nji gjaku e nji gjuhe.

Ndërkaq, në shkrimin Letra të hapuna nji të riu letrar, Koliqi kishte raye të shumta ta ngriste lart atdhedashurinë e sinqertë: Don ma tepër Shqipnin nji njeri qi mban nji libër shqip mbi tryezë të vet se njiqind prej atyne të cilët mbsuhin raftin me kravata kuq-e-zi. Me vrrimë, hallakatje e zgafullime nuk i shërbehet atdheut. Atdhedashunija e sinqertë tregohet me sjellje t’urta e vetëdije të detyrave njerzore e kombatre dhe n’ushtrim të tyne në heshtje e pa mburrje.

Besnik Lajçi me shokëtBesnik Lajçi me shokët e tij.

Ishin tre dhe nuk donin të iknin. U bënë tre mijë dhe donin të vdisnin. O Todi, o Mio, o Koci dhe ti o burrë, ua prenë kokat por mendimet kurrë! (Këngë polifonike)

Luftëtarët e lirisë me shembullin e tyre më sublim të sakrificës e të flijimit, e dëshmuan atdhedashurinë e tyre të më sinqertë. Në një luftë të pabarabartë, ata vunë çdo gjë në shërbim të atdheut. Rënia e tyre heroike nuk ka se si të mos na e kujtojë një nga vargjet më domethënëse të poetit romantik anglez Bajronit, i cili kur e kishte vizituar atdheun e tyre gati dy shekuj më parë, kishte shkruar: Në këngë dhe në vajtim u drodhën fustanellat!

Besnik Lajçi - pllaka përkujtimore si ushtar i atdheutShiu i mallit e lagë ylberin: Shamibardha e puthë mermerin

Edhe kjo pllakë mermeri e Ushtarit të Atdheut dhe e Dëshmorit të Kombit, e dëshmon atë që e pat thënë Lasgushi në ato perlat e tij, se Kosova ka bërë luftë skënderbeane! Të thuash për kosovarët se janë trima është pak. Ata janë kreshnikë! Ku pyesnin ata trima se ç’vendime merrte Europa?

Ndërkaq, shkrimtari në kronikat e kohës së vet, shpesh ka shkruar nga prizmi i asaj që studiuesi i përkushtuar i veprës së tij, Prend Buzhala e ka quajtur retrsopektivë e përgjakur.

Kronikat e gjakut tënd Shqipëri

Nga kjo retrospektivë doemos se duhet nënvizuar mendimet e shpalosura nga pena e tij. Mendimin madhor të Mithat Frashërit: A pandeh se do të rrosh dot ti, në qoftë se vdes kjo Shqipëri? Besimin e Themistokli Gërmenjit: Po s’shkova unë, do shkoj Shqipëria! Por gjithsesi edhe mendimin e Vasfi Samim Visokës për Kosovën: “Bukuria e Kosovës është bukuria e së drejtës. Zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe shkëlqimi i saj është drita e së vërtetës…Ajo është mbi çdo gjë.”

Sepse, siç do të shkruante Ramiz Kelmendi në këto kronika, ka mendim Anton Harapi, superioriteti tregohet me fisnikërinë e ndjenjave, me lartësinë e jetës, me zemërgjerësinë dhe zotësinë ta mundë të keqen me të mirë…

Çdo pllakë mermeri flet me vargun e Poetit të Himnit Kombëtar, Asdrenit: Amanet ju lëmë, shpirtat tanë!

Shqiponja e arratisur
Një shqiponjë e arratisur fluturon! (Lasgush Poradeci) Shqiponjat fluturojnë lart! (Ismail Kadare) Vjen nga larg një zog i shkruar, në kurbetet shkon mërguar! (Një poet i kohës së Ali Pashë Tepelenës, i cili mes tjerash shkroi edhe këto vargje, para se Ali Pashait t’i pritej koka e të dërgohej në Stamboll).

V. NGA BEATRIÇJA E DANTES TEK BEATRIÇJA SHQIPTARE

Dante Aligeri dhe Beatriçe PortinariDante Aligeri dhe Beatriçe Portinari

Arti është për shpirtat e lartë dhe se artisti i madh krijon për vete. Përse këndon bilbili? Për ne këndon? Jo! Këndon për vete! – shkruante Lasgushi, duke shtuar: Pse, mos e bëri Danteja poezinë e Beatriçes që të kënaqte Betariçen?…Përkundrazi, Danteja e bëri atë poezi që të shkarkonte potencialin e zemrës së vet, që të derdhte atje shpirtin e vet, që të kënaqej vetë. Për vete e bëri, jo për ne dhe as për Beatriçen…Universalitet kanë sonetet për Beatriçen dhe ajo s’vdes kurrë!

Dante ka shkruar se vetëm dashuria i mëson njerëzit të shohin tek veprat krijuesin e tyre-Zotin, dhe se gjeniu i madh i artit të vargëzimit e shfaqte njëkohësisht gjakimin e tij poetik:

Lexues, të kisha pak ma hapësi,
do të këndoja sadopak të qartit
e t’amblit ujë, që kurrë s’të ngopë t’ue pi!

I hapi krahët ajo bukuri
e, mbase kokën time përqafoi,
m’zhyti e më la aq sa m’u desh me pi.

(Purgatori, XXXI)

Tek Dante Aligeri, Beatriçe Portinari simbolizon dritën hyjnore. Për Danten, Beatriçja ishte vetë dashuria që vinte në lëvizje Diellin dhe yjet e vezullueshëm, kurse tek Petrarka Laura përjetësohet në kryevargun e tij: Dielli shoi yjet. Ajo shoi Diellin!

Dante është pararendësi i madh i poezisë së përjetësisë së dashurisë. Ndonëse kishte më shumë se dhjetë vjet që kur Beiçja kishte vdekur, ai nuk pushonte ta hyjnizonte edhe më:

O e dashura, e dashtnisë së parë!
O gjaku im, o hir i Zotit,
dikue me aq mbushëllim,
kujt si ty i qe hapë,
dy herë, porta e qiellit!?

Përkundër sfidës që i bëri Beatriçja, është shpirti i madh gjenial i poetit ai që krijon një univers të ri, në të cilin Beatriçes i hapen dy herë: Portat e Qiellit! Edhe një dëshmi se artisti i madh nuk mban mëri! E për më tepër se kaq, një gjakim si ky i Dantes, dëshmon se poeti megjithatë nuk harron të vërtetën e madhe se është Zoti ai që mëshiron, prandaj Dante përmes një pyetje të këtillë (Kujt si ty i qe hapë,/dy herë porta e qiellit?!) doemos do të ketë thënë: Përse të mos mëshirojë edhe poeti?

Në mitologjinë greke ishte Orfeu ai i cili ua kërkoj zotave edhe dy tela shtesë për ta kthyer Euridikën në jetë nga bota e nëndheshme, ndërsa Dante nëpërmjet fuqisë së fjalës (për të cilën Bajroni thoshte me të drejtë se ka fuqinë e një perandorie) kërkon që Beatriçes t’i hapej: DY HERË PORTA E QIELLIT!

Ndërkaq, në këngën XV të Parajsës, lëshonte zemër-klithjen e tij:

Ajo dritë! Ai shpirt!
Përpara saj Qielli shkonte, duke fshehë yjet!
Dritë e Qiejve! Trëndafil i Shenjtë!

Për Danten, Beatriçja ishte unazë mes qiellit dhe tokës, ura lidhëse mes njerëzores dhe hyjnores, mes tokësores dhe qiellores, mes reales dhe universales, lutja dhe përgjërimi i pafund të cilin poeti më gjenial dhe më i përkryer i vargut dhe i sonetit ia bënte Krijuesit të Universit, Poetit më të Përsosur: ZOTIT!

Të thuash Dante don të thotë të thuash një Diell ndriçues me rreze të përjetshme në universin e poezisë së përbotshme dhe të artit magjik letrar.
Dante është pararendësi gjenial i Petrarkës, e Petrarka paraendësi i madh i poetëve të tjerë, si fjala vjen: i Preshernit dhe i Serembes.

Dante hyjnizon Beatriçen, Petrarka Laurën, Presherni Julian e Serembe Bardhushen! Që të katërtin gjakojnë dhe hyjnizojnë nëpër sonete. Sonetet janë kurorat e poezisë së tyre, (Sheherzadja: të folurit në prozë është fjalë, të folurit në vargje është margaritarë; Lasgushi: Poezia s’është mendim i vënë në vargje, po ndjenjë e derdhur në varg. Poezia kërkon fuqi të madhe shpirtërore…Poezia është mbret, por kur është pa rimë është mbret pa kurorë) dhe që të gjithë këta, dafinat më të bukura të madhështisë së dashurisë, laret më të bukura të gjenisë së poezisë ua falin frymëzimeve të tyre më të mëdha: Beiçes, Laurës, Julias dhe Bardhushës!

Që të katërtat vdesin, e janë poetët ata të cilët mbesin që të përjetësojnë të vërtetën e madhe që mishërojnë në vete të gjithë poetët e lindur, të vërtetën se për ta gjaku është shumë më i ëmbël se mjalti!

Ekuinoksi pranveror pasi piu nga valët e lumit të Euneosë, kah Beatriçja u kthye!

Beatriçja e shtrinë sfidën e saj deri në fund. Në jetën reale ajo sikur e humbë shpirtin duke e dënuar dashurinë me vdekje! Por Dante në madhështinë e tij nuk tregohet i pamëshirshëm. Ai mundej edhe të revanshohej në të njëjtën mënyrë, por ai e dinte se kështu do të dënonte padrejtësisht ate që vetë Providenca Hyjnore ia kishte falur si dhunti, por edhe si fanitje të cilën donte ta bënte çdo kusht: të pavdekshme!

Dante iu fal gjakimit dhe frymëzimit të tij krijues deri në fund, sepse sikur të mos e bënte një gjë të tillë, ai do mbetej padrejtësisht mosmirënjohës ndaj një pamjeje e cila-për të, për sytë e tij dhe për qenien e tij: nuk ishte e rëndomtë.

Dante është poet i ndieshmërisë së madhe, i mendimit të gdhendur me gjenialitet, por edhe i një forme të përsosur. Gjithsesi, vigani i vargut të mendimit të madh, ai është edhe martir i një dashurie të madhe.

Dante ia ka dalur për t’ia falur vargut të tij, shkëlqimin e pamjes së Beatriçes, sepse siç do të shkruante Lasgushi: “Danteja e shikon Betariçen njëherë kur është nja nëntë vjeç dhe i pëlqen. E shikon pas nja nëntë vjet të tjerë dhe i pëlqen edhe më shumë. Pastaj e takon në qiell, e admiron, e adhuron me një dashuri qiellore ose platonike dhe i këndon.”

Dante gjakonte të dëshmonte se pa Beatriçen universi do të ishte më pak i lumtur, kurse pa veprën e tij universi letrar do të ishte skajshmërisht më i varfër.

Dante ishte poeti gjenial i cili vargjet i ushqeu me gjakun e vet – ashtu si Nositi që ushqeu zogjtë e tij.

Ai ishte dhe mbeti titan i mendimit të madh, mendim të cilin e veshi me mermerin më monumental që ka parë ndonjëherë arti magjik poetik.

Dante është vetë dielli përcëllues që e përhapë flakën e ndriçimit të tij në rrugëtimin e gjatë që ka njerëzimi përpara vetes, dhe është pena e tij ajo që e bën Beatriçjen që këtë shkëlqim dhe këtë rrugë ta veshë me një dritë hyjnore.

Nuk është pra rastësi pse e kuqja, e bardha dhe e portokallta, tri ngjyrat kur dilte aurora, Dante ia falë Beatriçes.

Është dashuria ajo që vë në lëvizje diellin dhe yjet e vezullueshëm, por është Beatriçja ajo përpara të cilës, siç thotë poeti: “qielli shkonte, duke i fshehur yjet!”

Është gjeniu i rrallë të cilin Krijuesi i Universit ia ka falë Europës dhe njerëzimit, ai që nuk do të kursehej të shprehte mirënjohjen e tij më të thellë në mermrerin e shprehjes në të cilën Dante mishëronte gjithë universin:

Ajo dritë, ai shpirt!

Dante e përjetëson Beatriçen sepse ai e di se kështu më së miri mund të falenderonte Zotin.

Ai shkruan sepse vuan. Vuan sepse Beatriçja i thotë: Vuaj! E Zoti i thotë: Shkruaj!

Duke u gjendur mes dy zjarresh, ai natyrisht që u bindet urdhërave të Zotit: Drita e qiejve, trëndafil i shenjtë! O gjaku im, o hir i Zotit!

Dante është ndoshta poeti i parë gjenial i cili me gjakimin e vargut të tij, dëshmon se nuk vdes për dashurinë trupore por për ate shpirtërore, sepse natyra ia ka falur një dhunti tjetër tepër të rrallë: për të besuar se një dashuri e ëndërruar mund të jetë e sfiduar si dashuri trupore, por më shumë se kaq ajo është e përjetësuar si dashuri shpirtërore.

Dante Aligeri e ka dashur dhe e ka ëndërruar Beatriçe Portinarin pafajësisht, ka gjakuar për të dhe i është përgjëruar pafundësisht, sepse e ka dashur më shumë për shpirtin se sa për trupin, prandaj edhe i është falur me dhuntinë të cilën ia ka dhënë Zoti vetë: Përjetësisht.

Dante i ka përjetuar të gjitha për Beatriçen, dhe i ka mishëruar të gjitha tek Beatriçja: ëndrrën dhe shpresën, vuajtjen dhe zhgënjimin, gjakimin dhe dëshpërimin, etjen dhe sfidimin, fatin dhe njëmendësinë, jetën dhe përjetësinë.

Dante pra është gjiganti që ngritet përmbi fatalitetin, jo pse beson në shpresa të rrejshme, por pse është drita hyjnore ajo që e orienton kah e përjetshmja.

Është pra vetë Beatriçja që krijon ai, është Eurudika që e rikthen në jetë, e veshë me vargun në të cilin vë gjakun e tij, qoftë kjo edhe dashuri platonike-tepër idealiste.

Dante përkulet përpara Beatriçes sepse ai don të përkulet kështu përpara një misioni dhe një vizioni për të cilin shpreson se një ditë do të ecë njerëzimi.

Për Dante Beatriçja ishte ajo çka për Leonardo da Vinçin ishte vetë Mona Liza.

Dante pra lutet dhe beson se asaj i takon një vend nga më të veçantët në Mbretërinë e Qiellit.

Nëpërmjet vargut të tij, Dante e ka veshur Beatriçen me një dritë perëndie.

Duke krijuar kështu preludin e një marrëveshje poetike mes natyrës dhe artit, mes njerëzores dhe hyjnores, mes të bukurës dhe të madhërishmes, Dante Aligeri shkroi preludin e asaj që një ditë filozofi gjenial Hegeli ia fali Europës dhe gjithë njerëzimit, duke thënë se: Arti është Mbretëri e Lirisë.

Në Mbretërinë e Dashurisë së tij të madhe, Dante Aligeri e kishte projektuar ate që e kishte ëndërruar dhe përjetuar me ndieshmërinë e tij aq të hollë, atë që filozofi tjetër gjenial gjerman Kanti e kishte pagëzuar shekuj më vonë si: Paqja e Përjetshme!

Aty ku mbaron jeta, aty fillon Mbretëria e Zotit-do të shkruante Niçe.

E për Danten, aty ku mbaron jeta e Beatriçes dhe dashuria e parealizuar tokësore, pikërisht aty dhe pikërisht atëherë fillon përjetësia, pra fillon dashuria shpirtërore, vetë: Mbretëria e Zotit!

Edhe për Danten pra mund të thuhet ajo që ka thënë një gazetar amerikan për Borhesin: Arti është ajo çka pa Borhesi kur u verbua!

Por për Danten, vdekja e Beatriçes ishte vetë ‘verbimi’, të cilit ai arriti dhe diti t’ia jepte shkëlqimin e rezes hyjnore. Pra duke e bërë të përjetshme, ai arriti ta ri-kthente në jetë! Ai e bëri të pavdekshme.

Dante është poeti i cili mendon edhe në mënyrën filozofike, kurse Komedia Hyjnore bëhet kështu vetvetiu pararendësja e madhe e një vepre tjetër të madhe: Komedia Njerëzore, e shkrimtarit të madh francez Honore de Balzak.

Pa këto kryevepra, jo vetëm letërsia italiane dhe ajo franceze, por edhe vetë arti universal letrar, edhe vetë njerëzimi do të ishin shumë më të varfër.

Balzaku zotohej se ate që e kishte bërë Napoleoni me shpatë do ta bënte ai me penë. Thelbi i një zotimi të tillë qëndronte në faktin se pushtimi i botës nuk mund të bëhet me anë të gjakut, sa me anë të artit.

Pra, këta titaj të mendimit dhe të shkrimit, besuan në dhuntinë e rrallë që ua fali Zoti, prandaj nëpërmjet artit ata përjetësuan të bukurën dhe të madhërishmen, duke besuar thellësisht se janë kështjellat ato që pushtohen me luftë, e zemrat me fjalë.

Danten e udhëheqë hija e Virgjilit, kurse ai vetë do të bëhet frymëzim për ata që do të vijnë pas tij. Fjala vjen, Volteri do të lëshonte zemërklithjen e tij: Kur ia dhanë trupin dhe shpirtin perënditë, për vete ruajtën vetëm pavdekësitë! Ndërsa, Viktor Hygo do të shkruante se: Reduktimi i gjithësisë në një qenie të vetme dhe zgjerimi i saj derisa ta arrijë Zotin, kjo është dashuria!

Dante bëhet kështu pararendësi i cili do të frymëzonte pasardhësit e vet, duke i ushqyer si Nositi zogjtë e tij.

Tomas Stern Elioti ka thënë se Dante dhe Shekspiri e ndajnë botën, dhe se nuk ka të tretë!

Kështu mbase edhe mund të thuhet edhe për Beatriçen dhe Mona Lizën, por duke mos harruar as Laurën e Françesko Patrarkës.

Cilido që ngarend rrugës së vet është një hero. Pyete veten a je i zoti me dashunue pa dëshirue, me dashtë pa zotnue! – do të shkruante Herman Hesse (fitues i çmimit Nobel për letërsi më 1946), në esenë e tij Një letër lexuesit.

Ndërkaq, Horhe Luis Borhesi ka shkruar:

Një poezi e Uiliam Blejkut flet për vasha të buta si argjendi dhe skofiare si ari, kurse në Ulrikën kishte butësi dhe skofizëm. Kishte një shtat të hedhur, të gjatë, ca vija të rrepta të fytyrës dhe sy të surmë. Më tepër se fytyra më interesonte heshtja e saj e mistershme. Qeshej vazhdimisht dhe çdo herë që qeshej, qeshja sikur e shpiente diku larg…E dija se isha dashuruar në Ulrikën dhe askë tjetër nuk e doja pranë! (Ulrika).

Emrush Rugova dhe Beatriçja shqiptare

Në poezinë me titullin Beatriçja shqiptare, i ndikuar nga poezia italiane, kryesisht nga Dante dhe Patrarka, Emrush Miftari (Rugova) me një lirizëm të theksuar do t’i këndonte Beatriçes shqiptare:

Unë po t’isha bletë,
Do fluturojsha me krah t’lehtë,
N’vetmi, moj, me t’gjetë!
Para teje tuj u përulë…

Kurse, në poezinë Lulja e Rugovës të shkruar më 1940, në vargun e tij lirik ai do të mishëronte figurën e vajzës trime, e cila për dashurinë vendoste vetë:

S’më grabit kush,
për krye t’lokes,
Se jam Lulja e Rugovës
Tym e flakë t’i jep Kosovës!

Emrush Rugova gjakonte dhe kërkonte një Beatriçe, përpara të cilës do të përulej siç u përul edhe Fishta përpara simbolikës që kishte Jerina ase Mbretnesha e Luleve, por nuk ka dyshim se edhe Beatriçja e këtij atdhetari të përbetuar dhe e këtij poeti të pushkatuar, i kalonte caqet e një simbolike poetike.

Emrush Miftari Arti është më i fortë se natyra, thoshte Lasgushi: Kur Leonardo da Vinçi na bëri Xhokondo Mona Lizën, nuk pikturoi natyrën, por një natyrë të idealizuar, më të bukur se natyra!…

Profecia e një poeti dhe ardhmëria e kombit të tij

Është Lasgushi ai që i kërkonte rrënjët e tërësisë tokësore atje ku buronte Drini i Badhë, në një kohë kur kishte edhe asish që pandehnin se ‘Lasgushi nuk e di gjeografinë’! Por koha shpesh u jep të drejtë poetëve të një kombi, ashtu siç i dha edhe Lasgush Poradecit për vargëzimin e tij aq domethënës:

Tërë fisi, tërë jeta/ra, u dergj, e zuri gjumi,/ zotëroi në katër anët errësira./ Po tashti: Duke nisur udhëtimin/ mes për mes në Shqipëri/ Drini Plak dhe i përmallshëm që buron prej Shën Naumi…

Këto vargje ishin preludi i dollisë së Lasgush Poradecit:

“Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë, në mos u bashkofshim me Kosovën!”

Ramiz Kelmendi për dollinë e Lasgushit

Në një nga shkrimet e fejtonit të tij Dosja SH., shkrimtari Ramiz Kelmendi theksonte se zakonisht e hapte dhe e mbyllte shkrimin duke cituar ndonjë shkrimtar të shquar. Por për hir të Lasgushit, ai do ta përfundonte shkrimin ndryshe nga herët e tjera, duke përfunduar: Ia pifsha dollinë Lasgushit!

Nuk ishte pra rastësi që më 20 dhjetor 2014, po citonim sërish Lasgushin, duke përkujtuar thënien e tij se poetët (e edhe shkrimtarët) duhet nderuar dhe kujtuar për ditëlindjen e tyre.

Froni i Poezisë dhe Froni i Lirisë së Shqipërisë

Është thënë me të drejtë se poeti romantik slloven France Presherni, në figurën e idealizuar të Julia Primicovës projektoi parafytyrimin e një Sllovenie të përparuar, për të cilën një ditë besonte se do të bëhej.

Edhe Jeronim De Rada pa tek heroinat e poemave të veta të ardhmen e një atdheu që do të rilindte, dhe koha i dha të drejtë. Serafina Topia u bë simbol i bashkimit, kurse Beatriçja shqiptare ishte ëndrra e madhe e një poeti të pushkatuar.

Kjo ëndërr ishte dhe mbeti dielli që e bën gjithmonë tokën të lulëzojë.

Pra, kur Emrush Rugova (i pushkatuar më 21 dhjetor 1945, në Tauk Bashqe) dhe pinjojtë e breznive orëmira e shkruan me gjakun e tyre më të kulluar epopenë e lavdishme të lirisë, ata përfytyruan një liri më të bukur se çdo gjë tjetër, një dashuri më të shenjtë se vetë jeta e tyre.

Në ndjenjën e tyre të theksuar për të bukurën dhe të madhërishmen, ata projektuan një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të bashkuar, si flaka e shenjtë e idealeve të tyre kombëtare, një ëndërr të cilës ia falën gjakun e tyre si dëshmia më e qartë se populli është nëna që e përkundë fatin e historisë së vet, se dashuria për atdheun është ushtria më e fortë e një kombi dhe se liria është nëna e fitores…

VI. FLAMURTARJA ME FLAMUR

Nga Serafina Topia tek Serafina Lajçi

Në kapërcyell të shekujve shfaqet prapë i njëjti emër që De Rada e kishte aq shumë për zemër. Një emër që bashkon dy shekuj, dy shkrimtarë, dy epoka, por që ka një ideal të përbashkët. Serafina Topia kishte për qëllim bashkimin e pjesëve të Shqipërisë në një dhe të pandarë, bashkimin në luftë të përbashkët kundër pushtuesve të tokave tona e dhunuesve të lirisë sonë. Më shumë se një poemë dashurie, kjo vepër e De Radës (në variantin e saj të fundit, me titull: Serafina Topia -Pasqyrë e një jete njerëzore), ishte një thirrje për t’u bashkuar. Në një dridhje zemre Serafina Topia fsheh një dëshirë të vetvetishme, e që në penën e poetit merr përmasat e një shenjtërie të perëndishme: Bashkim me çdo çmim, sepse siç do të shprehej një nga pararendësit e tij të mëdhenj, poeti dhe humanisti Mikel Meruli: Shpirti i dritës tani ishte përbuzur…

Serafina LajçiFlamurtarja me Flamur

Lasgushi e kërkonte burimin e Drinit të Bardhë nën Istok, që ai t’i binte pastaj gjeografisë së Shqipërisë mes për mes. E zëri i Serafinës i ra letërsisë shqipe mes për mes, ndërkaq që Serafina Topia shfaqet dhe ri-shfaqet në kujtesën kombëtare si Flamurtarja me Flamur.

Jeronim de Rada – ky shpirt i bardhë i Shqipërisë martire e ky martir i mendimit të madh, shkroi dhe veproi-siç e thoshte vetë “për rilindjen intelektuale dhe morale të atdheut tonë të braktisur”, duke besuar se “ajo prani e përhershme e virtytit hyjnor të asaj Fjale e bën fitimtar në amëshim.”

Poetika e emrave me të cilët De Rada pagëzoi veprat e tij, si: Imotoe, Parayllja, Vantisana, Nasta, Agata e Pravatës, Diana, Serafina Topia, Anmaria Kominiate, Adina, Videlaida, ka një domethënie të veçantë, e ku Serafina Topia e ka edhe simbolikën e frymëzimit të tij të madh, por gjithsesi edhe vlerën e lartë ideo-estetike.

Lindja e një poeti, e një prijatari dhe atdhetari siç ishte Jeronim De Rada, shënon edhe rilindjen mendore dhe shpirtërore të një kombi. Ai lindi më 29 nëntor 1814, kurse Shqipëria u bë e pavarur më 28 nëntor të vitit 1912, pra gati njëqind vjet më pas. De Rada nuk e pa Shqipërinë kurrë, por i priu Rilindjes së saj të madhe. Nuk ka asnjë dyshim se duke përfshirë në veprat e tij shekullin e lavdisë së Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut, ai përfytyroi rikthimin e këtij shkëlqimi.

De Rada vdiq më 28 shkurt 1903. Një shekull më pas, u lind edhe një shtet i ri shqiptar – Kosova e pavarur (17 shkurt 2008), e që pa dyshim në mos nesër, pasnesër gjithsesi do të jetë “njësi e një tërësie organike” (siç do të thoshte Ernest Koliqi). Sendërtimi i ëndrrës së poetit të madh për një unitet kombëtar, shënon kështu rikthimin sa simbolik po aq edhe triumfal të njërës nga kryepersonazhet e veprave të tij: Serafina Topisë.

Republika e Letrave Shqipe dhe Republika e Shqipërisë

Letërsia është faktor i mendësisë që e çon atë përpara. Pra, Republika e Letërsisë është vetë Republika e Lirisë, dhe se Republika e Letrave Shqipe i ka parapri: Republikës së Shqipërisë.

Faik Konica, i cili me të drejtë është qujatur Princi i Gjuhës Shqipe, bënte thirrje që të mos kursejmë as djersë e as para për të mbjellur mes bijve të shqipes: dashurinë për njëri-tjetrin.

Edhe Elena Gjika bëri thirrje për një unitet të mirëfilltë, duke theksuar se lëvizja politike duhet të paraprihet nga një lëvizje letrare-kulturore. Edhe Zef Skiroi (siç e quajti Ernest Koliqi, Poeti i Vllaznimit Gjithshqiptar) bëri thirrje për unitet mes shqiptarëve, për gjakun që do të kthehej sërish tek zemra. Edhe Sami Frashëri, kur tha se uniteti i ideve është më i fortë se uniteti i shteteve. Edhe Ernest Koliqi për shijen e qumështit të amës së përbashkët, për njësitë organike që e përbëjnë një komb. Edhe shkrimtari i kronikave mes arbëreshëve: Gjaku i Arbërit po vlon! Ne jemi vëllamë. Gjaku i përbashkët. Vëllazëria e Gjakut Shqiptar. Vëllamja arbëreshe. Edhe profesori e studiuesi, poeti e shkrimtari Prend Buzhala: Vëllamëria e shkrimit letrar…

Prandaj, edhe në yllësinë e fjalëve shqipe, gjithmonë e thënë sipas nismëtarit të madh dhe Flamurtarit të Shqipërisë së Rilindur-Jeronim De Radës, le të jetë vizioni i veprimit hyjnor për ndryshimin e fateve të njerëzve të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, dhunti e jona e përbashkët.

Dhunti që nderon gjakun dhe sakrificat e pararendësve të vet, martirizimin dhe therorizimin, flijimin dhe blatimin e të gjithë atyre që krenarinë e vunë mbi lumturinë, që lirinë e vunë mbi pasurinë!

Dhunti që përkulet me ndjenjën e respektit më të thellë e të mirënjohjes pa kufi, përpara mermerit më monumental të heronjve dhe dëshmorëve të atdheut e të kombit:

QOFTË I PAHARRUAR KUJTIMI DHE NDERIMI PËR TA! E PAÇIN NË JETË TË JETËVE, BEKIMIN E SHENJTË TË PERËNDISË DHE BEKIMIN E SHTRENJTË TË SHQIPËRISË!

Dhunti që nderon dhe lartëson në përjetësi frymën kombëtare që na lanë trashëgim të gjithë ata, për të cilët Lasgush Poradeci tha se me pelerinatën e gjakut të tyre formuan instituicionin më të shenjtë të atdhetarizmës shqiptare: Luftëtarët e Lirisë dhe Luftëtarët e Dritës!

Gjithsesi, me shpresën se do të jemi të denjët e një dite e cila doemos do të vijë-të një dite të ëndërruar aq shumë nga breza dhe gjenerata të shqiptarëve atdhetarë, për t’ia rikthyer Shqipërisë “shkëlqimin e kohëve të Ilirisë” (siç shkruante Faik Konica), le të jetë kjo shpresë, ky vizion dhe ky mision: dhunti e jona e përbashkët dhe e përjetshme!

DHUNTI E BREZNIVE ORËMIRA!

Nëntor 2014 – shkurt 2015