ZGJEDHJET I PRISH VULLNETI POLITIK

0
48

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Sa herë që hapet diskutimi, se si mund t’i ikim traditës e praktikës së manipulimit të zgjedhjeve, dëgjohen mes të tjerash dy ide, të cilat nuk duket se na çojnë në drejtimin e duhur. Njëra ide thotë se prishja e zgjedhjeve është bërë e mundur nga kodet, që ligjvënësit tanë kanë adoptuar herë pas here. Dhe me këtë ndezin për herë të n-të e kot më kot debatin mbi sistemin zgjedhor, duke u rrekur të fokusohen te modalitetet e votimit, procedurat e numërimit, formulat e ndarjes së vendeve në Parlament etj., etj. Është një pesë me hiç dhe këtë e them, jo ngaqë besoj se lloji i kodit të preferuar nuk mund të luajë asnjë rol në katrahurat tona elektorale, por ngaqë besoj se ky rol është minimal.

Ideja tjetër e lidh manipulimin e zgjedhjeve me ethosin e shqiptarëve, të cilët janë politikisht edhe të papërgatitur, edhe pasionalë, edhe të përdorshëm (si mish për top, le të themi). Afërmendsh, nuk është ndonjë sekret, që ne shqiptarët jemi të pastërvitur e të pamësuar për të jetuar në demokraci. Madje, ne jemi edhe më keq se sa kaq: ne kemi ca vese (ne jemi, fjala vjen, mercenarë e mujsharë), të cilat na e bëjnë të vështirë, jo vetëm ndërtimin e një demokracie liberale funksionale, por edhe pranimin e saj si një sistem qeverisjeje. E në këto rrethana, merret vesh që ne nuk mund të mos heqim më shumë se ca të tjerë, kur vjen puna që duhet të hedhim e të numërojmë votat, me ndihmën e të cilave përcaktohen “sundimtarët”. Por kjo s’do të thotë amá, se votimet e këqija vijnë tërësisht prej faktit, që qytetarët e shtetasit këtejpari janë të këqij.

Ku duhet kërkuar e keqja, atëherë? Në sindromën e manipulimit të zgjedhjeve ka një element të tretë, që provokon sëmundjen më shumë se çdo gjë tjetër; më shumë edhe se dy elementet e mësipërme. Ky element e ka emrin vullnet politik. Në momentin që vullneti politik fokusohet i tëri te gara e pastër dhe e ndershme, faktorët e tjerë (sidozot, Kodi i Zgjedhjeve që mund të “inkurajojë” vjedhjen e votave dhe kultura politike e shqiptarëve që mund të “legjitimojë” të njëjtën gjë) nuk janë më në gjendje t’i prishin zgjedhjet.

Votimet e vitit 1991 e 1992 janë një provë e qartë e faktit që vullneti i mirë politik është garancia më e parë e zgjedhjeve normale. Në ato mote, edhe pse kodet elektorale ishin të improvizuara në rrethana emergjente, edhe pse infrastruktura elektorale ishte si mos më keq (nja njëmijë herë më e dobët se sa kjo e sotmja), edhe pse monitorimi i procesit elektoral dhe i procedurave të votimit ishte krejt i pamundur, edhe pse shqiptarët ishin krejt analfabetë në lëmë të politikës e të demokracisë, zgjedhjet ishin, megjithatë, të paqortueshme e të pakontestuara. Pse? Sepse, për arsye të njohura, nuk ekzistonte asnjë vullnet politik për t’i manipuluar ato.