28 Qershori i Ruzhdistanit

0
15

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 13.03.2010

Talebanët do të bëheshin keq po ta merrnin vesh. Atë që nuk bënë në Afganistanin e tyre të përgjakur prej disa dekadash, megjithëse i kishin kërcënuar votuesit se do t’ua prisnin edhe gishtat po t’ua shihnin me bojën identifikuese, e bënë sivëllezërit e tyre në Shqipëri. Në një vend në Ballkanin Perëndimor, ku prej 19 vitesh ligjërisht votohet lirshëm dhe ku vota është një e drejtë kushtetuese. Në një vend ku nisma kryesore e pushtetit është lëvizja lirshëm pas viza në hapësirën Shengen. Në një vend, ku zgjedhjet u mbajtën në një njëjtën kohë me vendin që është nën terrorin e talebanëve, por ku rinumërimi i votave nuk u bë, edhe pse votimi ishte më zi se në Afganistan dhe numërimi si askund tjetër në botë.

E tregon dosja “Ruzhdie”, një copë qendër votimi me 592 votues, një grusht komisionerësh dhe një kuti e mbushur me fletë false. Ajo që prej një jave ka botuar “Shekulli”, mbushur me dëshmi komisionerësh të majtë të kërcënuar me vdekje, me komisionerë të djathtë që bëjnë më keq se talebanët për të mbushur kutinë me votat për PD-në, me dëshmi votuesish që nuk ishin fare në Ruzhdie në 28 qershor 2009, por që kanë votuar me dorën e komisionerëve të PD-së, me votues prej vitesh në emigracionin e dhimbshëm, prej nga nuk mund të vijnë pse s’kanë dokumente, por që sërish votojnë me dorën e komisionerit të djathtë, kanë edhe numër pasaporte dhe kartë identiteti, edhe firmosin në fund, të gjitha false.

Nuk janë fantazira mediatike; është dosja e plotë e një fshatit të mjerë, ku çereku kanë të njëjtin mbiemër. Të gjithë të arkivuar në dosjen numër 410 të prokurorisë së Fierit, e cila ka marrë të pandehur pesë ish-komisionerët. Policia shkencore ka vërtetuar mashtrimin me firmat dhe numrat e dokumenteve të identifikimit, policia e shtetit ka treguar se 80 shtetas nuk ishin fshat atë ditë për të votuar, firma që prodhon kartat dhe pasaportat listoi zgjedhësit që nuk kishin dokumente, edhe pse ata i kanë shënuar në fletët e votimit. Rrëfejnë komisionerët e majtë, që kanë ikur nga sytë këmbët atë ditë të dielë, kur pas kërcënimeve brenda qendrës së votimit nga homologët e tyre të PD-së, jashtë i prisnin militantët e selisë blu të armatosur dhe gati për aksion.

Drejtësia i ka dënuar pesë ish-komisionerët e implikuar me mashtrimin zgjedhor në Ruzhdie me detyrim paraqitjeje. Ata e kanë kuptuar thellë dhe kanë reflektuar. Duket qartë se sa, në fytyrën Isuf Kamberajt, simpatizantit të PS-së, të shkretit fshatar që kish thënë nëpër fshat se kutitë duhet të hapen dhe që dy net më parë në studion e një televizioni në Tiranë të prekte shpirtin. E kanë rrahur në mes të fshatit dhe mund ta bëjnë prapë. Ai thotë se ka frikë, po nuk ka se ku të shkojë në vend tjetër, përveç fshatit. Vëllanë arsimtar ia syrgjynosën, pas 28 qershorit, në një fshat tjetër, pse kishte votuar për PS-në. Ai sheh me dhimbje se si dhunuesi i tij, aktor në vjedhjen e votave, bën çfarë të dojë dhe drejtësia është duarlidhur. Kamberaj është munduar të prekë sadopak, nervin e shtetit, duke paralajmëruar se nëse nuk do të ketë drejtësi, atëherë do të fitojë vetëgjyqësia, sepse dy duar për një kokë janë.

Përballë gjynahqarit të rrahur është pushteti i krekosur. Ai që ia ka lidhur duart prokurorisë, e cila ka në pretencën e saj edhe shtatë vite burg për krimin elektoral të kryer nga komisionerët e Ruzhdies edhe gjykatës, e cila mezi u ka dhënë masën me detyrim paraqitjeje dy herë në muaj. Të pandehurit e dinë këtë dhe janë serbes. Në punëra të pushtetit të PD-së dhe nesër mund të shkojnë edhe më lart. Janë skifterë të saj dhe ajo ua ka shpërblyer masakrën zgjedhore. Si shumë të tjerëve në Ruzhdistan, sepse kudo ka skifterë të PD-së me emra pëllumbash, që kanë nxjerrë rezultate edhe më 400 me 0 për partinë-shtet. Ajo, kjo pjesa më e errët dhe shumë pak e cituar në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, që është marrë vetëm me numërimin shumë të keq në një të tretën e 66 qendrave të numërimit të votave. Dhe që mund të dalë në dritë vetëm kur ato kuti të hapen, kur drejtësia të ndëshkojë skifterët me emra pëllumbash dhe në vend të vihet nderi i votës dhunuar.