Nga Ilirjan Gjika
“Çdo shkencë e mirëfilltë ka prekursorët e saj. Është e vërtetë se antropologjia si pjesë e shkencave albanologjike, u fut në udhë të mbarë këto dekafat e fundit, por po aq e vërtetë është se ka pionierin e saj, Jakov Milajn”. (Prof. Dr. Aleksandër Dhima)
1
Antropologjia kulturore është një shkencë e re. E krijuar diku në shekullin XIX, ajo mori një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë shekullit të mëvonshëm. Ashtu si shumica e disiplinave shkencore, edhe ajo e ka origjinën nga greqishtja e lashtë, ku anthropos do të thotë njeri dhe logos – shkencë, për të na ardhur e perifrazuar si shkenca që studion njeriun apo njerëzimin në të gjitha aspektet, qoftë fizik, shoqëror apo kulturor.
Por sot, në botën shkencore ndodh një fenomen vërtet i çuditshëm. Shumë nga studiuesit dhe shkollat e ndryshme të antropologjisë akoma nuk kanë një përcaktim definitiv se ç’përmban kjo shkencë, duke e “përzier” apo “ngatërruar” atë me dhe etnografinë. Madje, ajo që në “botën anglishtfolëse” quhet antropologji social-kulturore, në “Evropën Kontinentale” konsiderohet si etnografi.
Kështu nis edhe një amalgamë etiketimesh, duke mos krijuar një kufi të saktë se, ku fillon njëra dhe ku përfundon tjetra, duke bërë që për disa ato të jenë fusha të njëjta, ndërsa për shumë të tjerë disiplina të ndryshme.
Ndërkohë, në një nga botimet e Oksfordit, theksohet se antropologjia, lindi si ndërthurje e zbulimeve të evropianëve, kolonializmit dhe shkencave natyrore. E bazuar në dy shtylla konceptuale siç janë kultura dhe shoqëria ajo mbështetet në studimet e saj kryesisht tek etnografia, e cila është për antropologun si kërkimi laboratorik për biologun, kërkimi arkivor për historianin apo si anketimi për sociologun (J. Monaghan dhe Peter Just, Antropologjia Social-Kulturore, shtëpia botuese IDEART, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, f. 9-17).
Ndërsa në një botim tjetër, kësaj radhe të Kembrixhit, një përfaqësues në zë i kësaj fushe, Alan Barnard, thekson se në SHBA dhe Kanada, antropologjia si shkencë përfshin katër fusha, të cilat janë antropologjia biologjike, arkeologjia, linguistika antropologjike dhe antropologjia kulturore. Sipas tij, antropologjia, studion kulturën e përgjithshme, ndërsa etnologjia kulturën specifike (Alan Barnard, History and Theory in Anthropology, Cambridge University Press, 2000).
Kurse profesori Kris Han, i së njëjtës fushë, thekson se në SHBA, Kanada dhe vendet anglishtfolëse me termin antropologji nënkuptohen të gjitha drejtimet e studimit antropologjik, ndërsa në Evropë ajo më tepër emërtohet me emrin etnologji. Sipas tij, disa shkolla bëjnë ndryshimin midis etnografisë si metoda kryesore e studimit antropologjik dhe etnologjisë si një disiplinë krahasuese dhe përshkruese e studimeve etnografike (Chris Hann, Antropologjia Sociale, Mikena, Manastir 2009, f. 9).
Ndërkohë, në Shqipëri këto koncepte janë njohur shumë më herët se sot. Pikërisht rreth kësaj çështjeje, 70 vjet më parë, dr. Jakov Milaj theksonte dhe përforconte konceptet e mirëfillta të këtyre disiplinave. Tek vepra e tij “Raca shqiptare”, me të cilën do të niste jetën tek ne edhe antropologjia social-kulturore, ai do të përcaktonte se:
“Skajet etnografi dhe etnologji që e kanë rrënjën në konceptin e popullit (greqisht ethnos) janë të kohëve të reja. Përkufizime të qarta mbi to mungojnë edhe sot e kësaj dite, pse dijetarët e shteteve të ndryshme u japin kuptime që nuk përputhen kryekëput me njëri tjetrin. Me gjithë këtë, përmbajtja e etnografisë është përcaktuar, në përgjithësi, në kuptimin e një disipline thjeshtësisht përshkronjëse, e cila ka për barrë mbledhjen e lëndës që është për të vërejtur mbi kulturat e sotme të popujve të ndryshëm. Etnologjia është shkenca krahasonjëse e induktive që ka për detyrë përpunimin e mëpastajshëm dhe diskutimin e kësaj lënde së mbledhur… Shumë herë nën emrin shkenca antropologjike dijetarët kanë përmbledhur etnologjinë së bashku me antropologjinë” (Jakov Milaj, Raca shqiptare, Ismail Mal Osmani, Tiranë, 1944, f. 11-12).
2
Në janar 1944, Jakov Milaj boton në Tiranë veprën kryesore të tij “Raca shqiptare”, e cila do të cilësonte atë si themelues të antropologjisë social-kulturore shqiptare.
Sipas prof. dr. Aleksandër Dhimës, “Raca shqiptare” është e para monografi e shkruar nga një autor shqiptar, në të cilën provohet me bindje prejardhja e këtij populli dhe njësia e kombit shqiptar me mjete ndërdisiplinore, ku shtyllat kryesore të argumentimit i mbajnë në mënyrë të natyrshme antropologjia dhe shkencat historike. Në aspektin antropologjik, do të thoshim, madje me plot gojën se ky punim, i shkruar mjeshtërisht me një shqipe të lakmueshme, që ngërthen në një të tërë të gjitha studimet e mëparshme, të kryera në shumicën dërrmuese nga të huajt, për të nxjerrë mandej tharmin e tipit fizik shqiptar dhe ecurinë e tij evolative në rrafsh kombëtar” (Vasil Prifti-Lami Koço, Jakov Milaj një jetë në shërbim të popullit, Planet, Fier, 1998, f. 10).
Ndërsa prof. dr. Mark Tirta, në kumtesën “Dukuri etnologjike në veprën “Raca shqiptare” thekson se “Milaj, njeri me kulturë të gjerë, specialist në veterinari, ka ditur të gjejë vendin e tij në një temë interesante të dijeve albanistike, në antropologjinë etnike… Në këtë vështrim Milaj i ka shërbyer shkencës së etnologjisë shqiptare, mandej si nismëtar për një problematikë të gjerë që ka marrë në shqyrtim. Pra, në historinë e studimit të etnologjisë shqiptare, puna e bërë nga një shqiptar, vepra “Raca shqiptare” e autori i saj, ka zënë një vend të merituar (Vasil Prifti-Lami Koço, Jakov Milaj një jetë në shërbim të popullit”, Planet, Fier, 1998, f. 29).
Të tjera vlerësime këtij libri i janë bërë dikur në konferenca shkencore edhe nga prof. Bedri Dedja, Nasho Jorfaqi dhe Anton Çeta, ndërsa parathënien e ribotimit të tij të fundit e ka shkruar prof. Aleksandër Meksi, i ati i të cilit Gabriel Meksi, e kishte quajtur Jakov Milajn një shkencëtar të mirëfilltë.
Por çfarë trajton midis gamës së gjerë të problemeve të brendisë së tij ky libër. Në të Jakov Milaj prek çështje të tilla që janë aktuale dhe qëndrojnë si teza edhe sot. Të tilla janë problemet se ç’është antropologjia, raca dhe kombi, studimet antropologjike mbi shqiptarët, origjina e racës shqiptare, tipi fizik i shqiptarit, shqiptaret jashtë kufijve, të huajt në Shqipëri dhe pastërtia e racës shqiptare.
Ndërkohë, në vitin e largët 1944, Jakov Milaj nis dhe u shpjegon shqiptarëve se ç’është antropologjia, atë që pikërisht sot, shumë prej “profesorëve” të universiteteve tona ua servirin studentëve nëpërmjet teksteve dhe autorëve të huaj. Dhe ja se ç’shkruan ai konkretisht.
“…Ndër Grekë e Latinë, pastaj, kemi shënime të shumta e vepra të tëra ku fise e raca të ndryshme të dheut përshkruhen për bukuri duke u ndjekur një farë sistemi shkencor. Mjafton të përmendim emrat e Herodotit, Aristotelit, Tacitit e Plinit të Vjetër për të kuptuar se shumë ndër eksponentët e mendimit helenik e italik i kanë kushtuar me zell studime të vlefshme atyre shkencave që sot thirren etnografi, etnologji e antropologji” (Jakov Milaj, Raca shqiptare, Ismail Mal Osmani, Tiranë, 1944, f. 11).
“Emri i antropologjisë është i vjetër: e përdor Aristoteli në kuptimin e fjalimit mbi njeriun… skajet etnografi dhe etnologji që e kanë rrënjën në koncepti e popullit, (greqisht ethnos) janë të kohëve të reja. Përkufizimet të qarta mbi to mungojnë edhe sot e kësaj dite, pse dijetarë të shteteve të ndryshme ju japin kuptime që nuk përputhen kryekëput njëri me tjetrin. Me gjithë këtë, përmbajtja e etnografis është përcaktuar, në përgjithësi, në kuptimin e një disipline thjeshtësisht përshkruese, e cila ka për barrë mbledhjen e lëndës që është vërejtur mbi kulturat e sotshme të popujve të ndryshëm”.
“…Shumë herë, nën emri shkenca antropologjike dijetarët kanë përmbledhur etnologjinë së bashku me etnografinë” (po aty, f. 11-12).
Më pas, me një gjuhë të rrjedhshme, të kuptueshme dhe me një stil të thjeshtë metodik, hap pas hapi ai bën një shpjegim të detajuar të problemeve të ndryshme. Kështu e nis me termin racë. Pra, “Raca”, shkruan më tej Milaj, duke cituar si autor Gunther-in,përfaqëson një grup njerëzor që, për lidhjet ndërmjet veçorive fizike dhe pajisjeve shpirtërore të veçanta, dallohet nga cilido grup tjetër njerëzor dhe krijon elemente t’i përngjasojnë njëri-tjetrit (po aty, f. 12).
Sipas tij, “antropologjia, për të studiuar një grup njerëzish, mbështetet në disa masa e përshkrime të një pjese individësh për të cilët besohet se e përfaqësojnë grupin. Racat dallohen nga njëra-tjetra, vijon Jakov Milaj, nga disa karaktere somatike që janë: ngjyra e lëkurës, ngjyra e syve, ngjyra e flokëve dhe trajtat e tyre, lartësia e trupit, trajtat e fytyrës, trajta e hundës, treguesi qefalik etj.
Mbi këto përcaktime autori parapëlqen të bazohet tek sistemi i Biasutit, të cilin e konsideron për kohën më të përsosurin. Sipas tij: cikli i trajtave primare ekuatoriale me degën e australoidëve dhe negroidëve, cikli i trajtave primare boreale me degë e mongoloidëve dhe europoidëve, cikli i racave të rrjedhura subekuatoriale dhe cikli i racave të rrjedhura të Oqeanit Paqësor të Amerikës(Po aty, f. 18-22). Duke ndjekur parimin anglosakson se antropologjia sociale përfshin katër fusha si antropologjinë biologjike, arkeologjinë, linguistikën antropologjike dhe antropologjinë kulturore, Jakov Milaj nis dhe i trajton të gjitha me radhë në librin e tij këto fusha.
Duke e parë në këndvështrimin e antropologjisë biologjike Milaj shkruan: “Raca nuk ka asnjë lidhje me kombin. Një popull me origjinë të njëjtë, me një histori të vetme, me gjuhë të përbashkët dhe me doke e zakone të përngjashme, trajton për bukuri një komb të vetëm, kurse mund të jetë i përbërë prej racash të ndryshme. Kjo ndodh me kombin italian, me kombin gjerman, me kombin grek, me kombin serb. Vetëm për kombin shqiptar kemi njëfarë përjashtimi, por edhe ky, siç do të shohim, nuk përbëhet vetëm prej racës dinarike: një pjesë e shqiptarëve, megjithëse në përqindje shumë të vogël, është e tipit mesdhetar (Po aty, f. 26).
Për të bërë dallimin e diversitetit të shqiptarëve me popujt fqinjë të Ballkanit, ai citon kontin De Gobineau, ish-ambasador i Francës në Greqi, i cili jep të dhëna interesante tek shënimet e tij. De Gobineau, thuhet në faqe 32 të “Racës shqiptare”, origjinën tonë e gjen te Ilirët, “e denjë për emrin popull”; merret pak me historinë e me gjuhën e tyre dhe pastaj flet mbi individualitetin fizik: “shqiptari, në pjesën e vërtetë kombëtare të vijave të tij, dallohet fare mirë prej popullsive që e rrethojnë. Nuk i përngjan as Grekut të ri as Sllavit. Nuk ka lidhje të ngushtë me Vllahun. Marrëdhëniet e shumta, duke e afruar fiziologjikisht me fqinjët që e rrethojnë, e kanë prishur mjaft tipin e tij parak (primitiv), por karakteri i tij i veçantë nuk është zhdukur.
Si shënja themelore, vihen re tek ai një shtat i gjatë e i përpjestuar mirë, një skelet i fort, vija të theksuara dhe një fytyrë e kocktë që, në të kthyer e ndër kënde, nuk të kujton pikë për pikë ndërtimin e facies kalmuke, por të sjell ndër mënt sistemin pas të cilit kjo facies është trajtuar…. Hunda duket e gjatë, mjekra e gjërë dhe në trajtë katrore. Vijat, megjithëse të bukura, janë të dukshme si te Maxharët dhe nuk riprodhojnë, në asnjë mënyrë, hollësinë e modelit grek (Po aty, f. 32)
“Shqiptarët janë stërniprit e ilirëve, të këtij populli të lashtë që, dy a tre mijë vjet para Krishtit, zbriti… dhe u përhap buzë detit Adriatik e në toka të tjera prej Austrisë deri në kufirin jugor të Shqipërisë së sotme (Po aty, f. 141)… Trupi i lartë i shqiptarit nuk paraqet asgjë të veçantë që të tërheq veren. Me gjithë këtë vërteton se ka pasur shumë pak ose aspak lidhje gjaku me racat e pjesës jugore e qendrore të Gadishullit Italik (Po aty, f. 143)… Në lindje të tokës së zënë prej popullit shqiptar gjendet Bullgaria. E ndan prej saj Maqedonia me njerëz race të përzier, shumica e të cilëve e mban veten si bullgarë. Bullgarët sipas Watef-it, kanë një lartësi mesatare m. 1.665… Bullgarët e Maqedonisë e kanë shtatin e tyre më të lartë se ata të krahinave lindore: ai arrin mesatarisht në m. 1.678, do me thënë në një lartësi krejt të barabartë me atë të shqiptarëve që gjen Pittardi… del pra, në shesh se ata që i thonë vetes maqedonas duhet të kenë shumë gjak shqiptar dhe, për sa i takon lartësisë mesatare, ndryshojnë mjaft prej bullgarëve të vërtetë.
Në veri të Shqipërisë etnike ndodhen serbë, boshnjakë e malazezë. Që të tre këta popuj kanë trup më të lartë se shqiptarët… Në jugun e vendit tonë gjenden Grekët, të cilët kanë një gjatësi trupi të njënjëshme me ne: m. 1.67. Kjo veçori e disa të tjera… bëjnë të besosh se shumica e Grekëve, posaçërisht pjesa perëndimore, janë të një race me shqiptarët, e, bile, janë Shqiptarë që kanë humbur gjuhën dhe nëpërmjet të shkollës e të Kishës, kanë trajtuar një ndjenjë kombëtare që, shpirtërisht i ndanë nga ne (Po aty, f. 90).
Ndërsa nga arkeologjia, Milaj jep si shembuj zbulimet e bëra në nekropolin ilir të Glasinacit në Bosnje, të qytetërimit Halshtatian në Austri, të nekropoleve mesjetare në Koman të Pukës dhe në Alfionë të Korfuzit. Ai bën jo vetëm analizën e rezultateve antropologjike të këtyre zbulimeve por shkon deri aty sa portretizon edhe perandorët ilirë të Romës dhe Bizantit. Ja se ç’thotë ai enkas për më të famshmin prej tyre: “Po t’u hedhim një sy mozaikëve të Justinianit të Madh dhe të shoqes së tij Theodhora, që janë ndërtuar në Ravena në shekullin e gjashtë, i pari në kishën e Shën Apolonarit të Ri dhe i dyti në kishën Shën Vitalit, do të na bjenë në sy menjëherë tiparet dinarike të ligjvënësit të madh kosovar, ndërsa Perandoresha duket se është e racës mesdhetare (Po aty, f. 50-51).
Kërkimet arkeologjike na vijnë në ndihmë pikërisht atje ku lajmet historike mungojnë dhe provat gjuhësore nuk kanë fuqi. Është një periudhë kur karta etnografike e Ballkanit është përzier shumë, pse popuj të ndryshëm aziatikë janë dyndur mbi tokët e Gadishullit dhe popujt anas (autoktonë) kanë qenë të detyruar të ndryshojnë vend. Zbulimet e tumuleve të Komanit dhe ato të Afionës japin lëndë të mjaftë për të vërtetuar vazhdimin e elementit etnik që nga shkatërrimi i Perandorisë së Romës gjer në shekullin e tetë pas Krishtit. Pas kësaj kohe historia nuk flet më për migrim fisesh të huaja në tokën e banuar prej Shqiptarvet, thekson ai në faqen 56 të “Racës”.
Ndërkohë që në këndvështrimin e linguistikës antropologjike tek “Raca shqiptare”, Jakov Milaj thekson se “nga teorit e ndryshme linguistike, shkencëtarët po përkrahin më shumë atë që thotë se gjuha shqipe është një gjuhë thrakoilire dhe, duke qënë se po provohet se Thrakas e Ilir janë dy degë të një ethnos-i të vetëm, duhet pranuar mendimi i Ribezzo-s, sipas të cilit Shqiptarët e sotshëm janë pasardhësit e Ilirvet (Po aty, f. 56). Si prova gjuhësore për autoktoninë e racës shqiptare, autori përmend studimet e një sërë linguistësh si Han, Bop, Majer, Hirt, Pedrsen, Jokl, Pot, Shleiker, Ribezio etj., të cilët japin përcaktime të vlefshme mbi gjuhën shqipe si gjuhë iliro-pellazge paraevropiane (Po aty, f. 46-53).
Ndërsa në aspektin e antropologjisë kulturore Jakov Milaj argumenton: “Është pohuar prej të gjithvet se baza e mithologjisë arjane është besimi i diellit. Ky besim, si ndër popuj të tjerë të lashtë me gjuhë arjane ashtu edhe ndër Ilirët, qe në pah të math dhe, për çudi, pjesë të tij kanë mbetur gjallë gjer në ditët tona në popullin shqiptar (Po aty, f. 53).
Ndër popujt e tjerë të vjetër që banonin në Ballkan, kulti i diellit ka qënë shumë i përhapur. Ky kult as nuk ka qënë i njohur në kohën greke arkaike e klasike me përjashtim të Helios-it në Rodi; por edhe për këtë dyshohet se mos ka origjinë të huaj. Një filozof platonik, Maksimi prej Tiros, tregon se fisi ilir i Peonvet adhuronte diellin në trajtë të pafytyrëzuar të një disku të vogël të lartësuar mbi një shkop të gjatë. Në monedhat e mbretit Lykkeios të Peonis, që qe aleat i Ilirëve të tjerë e i Thrakasve kundër Mbretit të Maqedonis, shihet dëndur koka e Apollit stolisur me dafina; ky ka qënë perëndi që përfytyronte diellin (Po aty, f. 54).
…Ndërsa ky adhurim i diellit tregon me saktësi vulën arjane që mbante populli ilir dhe popujt që ishin të njëj gjaku me të, traditat e mbetura gjer më sot ndër Shqiptarë flasin hapët mbi origjinën ilire të popullit tonë (Po aty. F. 55).
Më në fund, nga mitologjija nxjerrim gjith ato prova për të vërtetuar se të parët t’anë ishin arjanë dhe se Shqiptarët e sotshëm ruajnë edhe sot shumë besime në lidhje me diellin. Këto bestytni na kanë mbetur trashgim nga besimet e Ilirvet, thekson autori në faqen 56.
Populli i malevet dhe i fushavet beson edhe sot me këmbëngulje në diellin, vijon më tej autori. Njëzet shekuj krishterimi e myslimanizi nuk kanë mundur t’ia çrrënjosin këtë besim. Ai vazhdon të betohet për diell e për rreze të tij. Një varg bestytnish (supersticjonesh) e lidhin me të. Në folklorin tonë gjënden pjesë të shumta këngësh në të cilat kreshnikët flasin me diellin si të flisnin me një vehtje të gjallë, i kërkojnë atij të mira dhe i binden.
Por ka edhe më. D. Nikollë Gazulli na tregon se ilirët kishin për simbol të diellit kryqin me grepça, atë që kanë pasur edhe të gjithë popujt arjanë dhe që përfaqsonte zjarrin, flakën e gjallë. Ky simbol, na siguron autori, është i njohur edhe sot ndër malësit të Shkodrës. Shumë gra e qëndisin kryqin me grepça ndër xhubleta të tyre. Në hetimet që ai ka bërë duke pyetur ato që mirren me këto qëndima, ka nxënë se ky trashgim u ka mbetur prej plakash të moçme (Po aty, f. 55).
Tek “Raca shqiptare” gjejmë edhe një përcaktim që edhe sot ne shqiptarëve na pëlqen ta themi rëndom me krenari ndër biseda shoqërore, se jemi “racë ariane”, por që shumë prej nesh nuk ja dimë kuptimin e mirëfilltë. Dhe për këtë ka menduar dikur Milaj, i cili në faqen 22 të veprës së tij shkruan ndër të tjera se “Shprehja raca arjane duhet marrë në këtë kuptim: zbritja nga një grup trajtash racore që janë formuar dhe harmonizuar mbi tokën europiane të trungut të madh evropoid dhe kanë fituar, për këtë gjë, një fizionomi somatike e shpirtërore që i dallon shumë mirë nga trungje të tjera përfaqsuesit e të cilave trungje kanë qenë dhe janë edhe sot të huaj për Evropjanët (J. Milaj, Raca shqiptare, Ismail Mal Osmani, Tiranë, 1944, f. 22).
Ndërkohë që në libër autori paraqet idetë për shumë nga problemet e historisë dhe të kulturës shqiptare. Kështu për të huajt që jetojnë në territorin e Shqipërisë, Jakov Milaj, argumenton se: “Grekofonët përbejnë numrin më të madh të aloglotëve…Janë të vendosur, të gjithë në nënprefekturat Delvinë e Konispol, në komunën e Pogonit e Libohovës dhe në Dropull të Gjirokastrës.
Origjina e tyre nuk dihet. Po ka shumë të ngjarë që një pjesë të përbëhet prej Shqiptarësh të greqizuar dhe pjesa tjetër sidomos Vurgu i Delvinës prej grekësh të ftuar nga pronarët shqiptarë për t’iu punuar çifligjet. Merren me bujqësi dhe kurbet. Përsa i takon racës, nuk kanë ndonjë ndryshim nga vendasit që i rrethojnë, me gjithë se krushqitë i bëjnë, zakonisht mes tyre (Po aty, f. 129). Edhe për një problem me të cilin abuzohet sot, autori na jep një pasqyrë të qartë të tij që nga mesi i shekullit të kaluar.
Përveç argumenteve nëpërmjet dëshmive historike ai thekson: “Që banorët e Himarës janë të racës shqiptare nuk ka asnjë dyshim. Historia flet hapët për shqiptarizmin e tyre (Po aty, f. 129)… Besa e burrërja i lidh ata, pa as më të voglin dyshim, me malësitë e virgjërta të veriut. Edhe tri nga shtatë katundet e Bregut te detit-Palasa, Dhërmiu dhe Himara-që sot flasin një greqishte të prishur, shenjë e propagandës së fortë greke të zhvilluar me anë të shkollës dhe kishës, i ruajnë me respekt doket e zakonet që iu kanë lënë të parët. Jeta patriarkale e tyre është organizuar si në të gjitha malësitë e tjera të veriut. Lagjet e ndryshme të katundeve dhe fiset që banojnë ndër to kanë, që të gjitha emra në gjuhën tonë. Edhe tre fshatrat që flasin greqisht, në dasma dhe vdekje këndojnë e qajnë shqip (Po aty, f. 131-132).
Ndërsa për vllehët apo arumunët një bashkësi kulturore e vendit tonë, Milaj shkruan se “Prej shqiptarëve Vllehët thirren edhe Gogë ose Çobanë, pse më të shumtën mirren me blegtori. Këta ndahen në dy grupe, në Voskopojarë dhe në Frashllinj ose Farsaliotë. Të parët vijnë nga Voskopoja…Pas rrënimit të këtij qyteti të madh, vendësit u shpërndanë në të gjithë Gadishullin dhe shumë ndër ta, në qytetet e Shqipërisë ku merren me tregti e me zeje të ndryshme.
Frashllinjt kalojnë edhe sot jetë nomade ose gjysmë nomade, në kolibe të ndërtuara me thupra e kashtë. Mirren kryesisht me rritjen e deleve. Të kryesuar nga i pari i tyre që thirret çelnik, verojnë nëpër malet e Gramozit dhe Tomorrit dhe dimrojnë në fushat e Myzeqesë dhe Delvinës, nëpër kodrinat e Mallakastrës dhe Konispolit…” (Po aty, f. 132)… Midis shqiptarëve dhe vllehëve nuk ka ndryshim origjine, ashtu siç nuk ka sot ndryshime somatike e psikike. Jacques Ancel-i na ndihmon në këtë pikë. Ai thotë: “Vllehët nuk janë me origjinë rumune”. Dhe, në të vërtetë, ne dimë se pas pushtimit romak pjesa më e madhe e ilirëve u romanizua.
Me shkeljen e sllavëve në Ballkanin perëndimor Ilirët e romanizuar pjesërisht shkuan në breg të detit e nëpër ishuj për t’u mbrojtur nga flota bizantine; pjesërisht u përzjenë me fiset ilirike që e kishin ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre; pjesërisht u përzjenë me sllavë për të trajtuar nënshtresën e kroatëve dhe të serbëve. Më në fund një pjesë e vogël që mbeti u end nëpër male për të ruajtur gjak e tradita, duke u marrë sidomos me blegtori….Popoviç e thotë haptas: “Ilirë dhe Thrakë të latinizuar janë këta Rumunë”. Një studimi mirëfilltë antropologjik mbi vllehtë tanë nuk do ta përgënjeshtronte mendimin e Popoviç (Po aty, f. 134-135).
Po kështu edhe përcaktimi që ai bën përkatësisë pushtimit turk jo vetëm që është në të njëjtën linjë me atë që sot bën historiografia jonë, kur thekson: “Turqit kanë nevojë ta shtrojnë këtë popull”, nënvizon Milaj në faqen 76 të “Racës”, për dy arsye: më parë, që të mos u qesë pengime kur ushtritë e tyre të mëdha do të kalojnë nëpër Shqipëri për të mposhtur vise të tjera të Ballkanit që ngrenë krye ose për tu hedhur në gadishullin e Apenineve; pastaj që ta shfrytëzojnë trimërinë e tij të pashoqe duke e përdorur si shok armësh”.
Por Jakov Milaj është edhe origjinal dhe i guximshëm kur thotë: Dimë që ilirët besimine tyre e ruajtën edhe gjatë shekujve që mbetën nën Romakë, por ndikesë të huaj në fe pati edhe në kohën e këtij sundimi. Pastaj, kur krishtërimi nisi të pëhapet, ilirët qenë një nga popujt e parë që përqafuan besimin e ri. Kalimi i pjesshëm i Shqiptarëve të mëvonshëm prej ortodoksie në katoliçizëm ose përkundrazi mund të ketë ndodhur disa herë në kohën e mesme. Edhe myslymanizmi, për arësyet që kemi shpjeguar në pjesën historike, në tokën shqiptare gjeti fushë të lirë.
Të gjitha këto tregojnë se Shqiptari nuk është fort i lidhur me fenë. Vetëm për një gjë të jemi të sigurt: se myslymanizmi ka një rëndësi të madhe për mbrojtjen e kombësisë sonë nga rreziku i sllavizimit e i greqizimit në kohë të vona (Po aty, f. 145). Ndërkohë, në një tjetër pasazh autori argumenton kështu: “Nga ana tjetër, dobitë që i solli kombit feja e re qenë ndoshta, më të mëdha. Të paktë në numër dhe të paorganizuar mirë, Shqiptarët ishin rrethuar prej dy racave të forta, të cilat, gjatë gjithë kohës së mesme, kërkuan ti asimilojnë.
Dallga sllave kishte për ta zhdukur me siguri këtë popull të vogël, ashtu siç përpiu shumë vise katolike të veriut, sikur ky të mos kishte përqafuar myslymanizmin. Helenizmi, gjithashtu, ishte bërë shumë i rrezikshëm në shekullin e nëntëmbëdhjetë, pse propaganda e fortë që zhvillontë Fanari me anë të Kishës e të shkollës në të gjithë botën ortodokse greke e shqiptare, synonte ndjenjat e gjuhën shqipe të këtij populli pa ndërgjegje kombëtare të zhvilluar mirë, pa shkrim të veçantë e pa letërsi që mund të ndikonte” (Po aty, f. 78).
Por një ndër përcaktimet më me vlerë të këtij libri është padyshim ai që Jakov Milaj i bën tipit fizik të shqiptarit. Ja se ç’shkruan ai: “Dijetari që do të dëshironte ta përshkruante shkurtazi tipin fizik të Shqiptarit kishte për të thënë këto fjalë: ai e ka trupin të gjatë (m. 1.67) dhe bustin të zhvilluar mirë e të fuqishëm. Koka e tij është e lartë, por shumë e shtypur nga prapa, dhe e zgjatur në të dy anët. Flokët janë të errët, aget e syve me ngjyrë të mbyllur. Hunda, e drejtë ose pak e përkulur, është e hollë dhe e ngushtë në rrëzë. Fytyra e tij zeshkane duket, përgjithësisht, mjaft e gjatë. Na del përpara tipi dinarik ose ilirik të cilin antropologët e mbajnë si një nga tipat më të bukur të kontinentit europian (Po aty, f. 140).
“…Toskë e Gegë janë të një race të vetme …Por kjo nuk do të thotë se në të gjitha krahinat shqiptare gjendet një tip i vetëm që përfaqson racën. Ka edhe këtu, si në çdo trevë racore të botës, grumbuj njerëzish që ndryshojnë prej një vendi në një vend tjetër dhe që thirren tipa krahinorë (Po aty, f. 147)… Weninger-i përcakton pesë tipa të ndyshëm shqiptarësh që “ për lartësi e trajtë trupore, gjendje ushqimore, ngjyrë të syve dhe veçori metrike të kokës e të fytyrës” nuk i përngjajnë fort njëri-tjetrit (Po aty, f. 147).
“Raca shqiptare që ka ruajtur gjatë mijërave vjetve kaq pastër gjakun, bukurinë e saj plastike dhe virtutet e rralla shpirtërore, duhet të zbukurohet dhe të përmirësohet shmë më tepër tani që dallgët e rrepta të kohëve të errëta kanë kaluar dhe priten për të ditë më të bardha”, e përfundon stdudimin e tij Milaj (Po aty, f. 151).
* * *
Përpara disa kohësh më ra dorë një tekst universitar i antropologjisë social-kulturore, që zhvillohet në njërin prej universiteteve tona të shumta jopublike. Në të, autori, natyrisht një emër i njohur bënte një historik të shkurtër të kësaj shkence në Shqipëri. Gjatë leximit vura re se nuk kishte çuditërisht asnjë fjalë për Jakov Milajn. Kështu, nëpërmjet këtij shkrimi, që do të dëshironim që ai dhe shumë të tjerë ta lexonin, besoj se do tu jepnim që ndihmë sa do të vogël mbi historinë e kësaj shkence në Shqipëri, ku padyshim themeluesi i saj është Jakov Milaj. Lexim të mbarë!
Shënim. Të gjithë paragrafët e cituar nga libri “Raca shqiptare” janë marrë dhe përdorur me lejen e z. Agron Milaj, të birit të autorit, i cili gëzon të gjitha të drejtat e publikimit të plotë dhe të pjesshëm të veprës.
Jakov Milaj – Jetëshkrim
Jakov Milaj lindi në 25 mars 1911, në Fier. Gjimnazin e kreu fillimisht në Berat dhe më pas në Shkodër. Qysh në bangat e shkollës së mesme u angazhua me lëvizjen kulturore si kryetar i shoqatës “Besa Shqiptare”. Së bashku me bashkëkohësit e tij si Jorgji Xoxa dhe prof. Namik Resuli, ai do të ishte një nga themeluesit e shoqërisë sportive “Apolonia” të Fierit. Pas përfundimit të shkollës së mesme Jakov Milaj punoi disa kohë si mësues dhe për një kohë të caktuar edhe si sekretar i komunës së Kolonjës.
Në këtë kohë ai nis të shkruajë dhe të merret me publicistikë në një sërë gazetash dhe revistash të shtypit Shqiptar si: “Arbëria”, “Përpjekja Shqiptare”, “Gazeta e Tiranës”, “Besa”, “Vatra” etj. Në vitin 1935 Jakov Milaj merr pjesë në Kryengritjen e Fierit, ku arrestohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Duke përfituar nga amnistia e disa muajve më vonë, lirohet dhe niset për në Itali, ku studion në Universitetin e Torinos për veterinari. Në Torino ai ndau çastet e fundit me Migjenin, i cili kishte shkuar për tu kuruar në Sanatoriumin e Tore Peliçes. Në takimin e fundit Millosh Gjergj Nikolla i besoi atij dorëshkrimin e poemës “Vargjet e lira”, të cilin Milaj i solli në Shqipëri, dhe ja dorëzoi vite më vonë motrës së poetit, Ollgës.
Në Shqipëri punoi si mjek veteriner, ndërsa gjatë luftës në vitin 1943 u emërua për pak kohë edhe si ministër i Bujqësisë në një nga qeveritë kolaboracioniste. Në Janar të vitit 1944 botoi librin “Raca shqiptare”. Ndërkohë që në vitin 1945 nën akuzën si kolaboracionist, u dënua nga gjykatat komuniste me 15 vjet burg. U lirua pas gjashtë vitesh duke përfituar nga amnistitë, por persekucioni do të pasohej nga internimi fillimisht në Llakatund të Vlorës dhe më pas në fshatin Shtyllas të Fierit. Persekucionin do ta përfundojë në vitin 1956, kur lejohet të vendoset në Fier së bashku me familjen dhe të punojë si veteriner në ndërmarrjen bujqësore “Çlirimi”. Krahas punës së përditshme dr. Jakov Milaj botoi edhe tetë libra për blegtorinë, disa prej të cilëve tekste universitarë.
Pas botimit të parë në janar 1944, libri “Raca shqiptare” është ribotuar katër here të tjera. Fillimisht në Prishtinë nga “Valton” në vitin 1994 dhe më pas në Tiranë në vitin 1995 nga “Eurorilindja”, si dhe në vitin 2005 nga shtëpia botuese “Uegen”./standard
Pershendetje! Vizitova faqen tuaj dhe vura re se ky atikull i publikuar prej jush eshte pronesi e imja intelektuale.
Do tju kerkoja qe konform rregullave, pasi ta verifikonit nje gje te tille, te vendosnim emrin tim si autor.
Me respekt.
Ilirjan Gjika
Patjetër z. Ilirian Gjika, nuk kemi asgjë kundër emrit tuaj si autor, përkundrazi, ju falenderojmë për shkrime të tilla me vlerë!
Tek burimi ku është marrë shkrimi, si duket, nuk e kemi gjetur emrin e autorit, prandaj edhe kjo gjë është anashkaluar.
Pasi në publikimet tona ne zakonisht publikojmë emrin e autorit dhe organin e shtypit apo median nga ku është marrë shkrimi.
Me respekt, Arben Çokaj (admin)
Comments are closed.