— nga Mustafa Nano, 27.12.2011
Çdo herë, në prag të momentit të ndërrimit të viteve, gazeta e gazetarë bëjnë ndonjë résumé. Unë po bëj timen:
1 – Libri më i mirë: “Kohë e Pamjaftueshme” i Helena Kadaresë.
2 – Ngjarja më surreale: Panairi i librit, në të cilin star-ët ishin politikanët-autorë.
3 – Fraza më e guximshme: I përket Ilir Metës, kur tha, pas aktivizimit të Prokurorisë lidhur me video-përgjimin e bisedës mes tij e Priftit, se “do ta çmontoj korrupsionin në sistemin e drejtësisë”.
4 – Kampion i opozitarizmit: Ambasadori danez Karsten Ankjaer Jensen.
5 – Ngjarja më dramatike: Ekzekutimi nga ana e forcave të sigurisë e të Gardës i katër qytetarëve të pafajshëm më 21 janar.
6 – Fraza që la pa gojë dynjanë: I përket ambasadorit amerikan, Alexander Arvizu, kur tha, i befasuar për mirë nga sjellja e Berishës që anuloi tubimin e paqes që e kish lajmëruar pasi vrau katër opozitarë në bulevard, se “Berisha është burrë shteti”.
7 – Ngjarja më e çuditshme: Nderet republikane postume për pretendentin e fronit monarkik, Leka Zogu.
8 – Personazhi absolut i vitit: Si gjithmonë, Sali Berisha.
9 – Ngjarja më vulgare: Promovimi i librit të Blendi Fevziut, ku u mblodh i gjithë establishmenti politiko-kulturor-ekonomik i gjithë botës shqiptare (dhe i diasporës).
10 – Institucioni më partizan: Televizioni publik shqiptar.
11 – Fraza më absurde: I përket Fatos Lubonjës, kur tha se “ne e kemi e zgjedhur Ben Blushin deputet, ndërsa ai na bëka libra”.
12 – Gjesti publik më qesharak: Padia e ngritur nga fëmijët e Berishës në adresë të deputetëve të opozitës, të cilët “me fyerjet e shpifjet e tyre u kanë trazuar gjendjen shpirtërore”.
13 – Urrejtja e vitit: Është ajo midis Lulzim Bashës e Jozefina Topallit.
14 – Mburravecëria ‘akademike’ më e palezetshme: Intervista e Fatos Nanos për Top-cahennel-in në London School of Economics për të thënë se ‘po i bie këmbës për t’u bërë President’.
15 – Reagimi më i belbët: Është ai i Ismail Kadaresë, i cili pas 21 janarit u mjaftua të thosh as më shumë,as më pak se “tani hyri vdekja në mes.
16 – Qoka e vitit: I përket Nikollë Lesit që u fut mik publikisht te Berisha, në mënyrë që ky i fundit të bindej e të caktonte të bijën si trashëgimtare të tij në postin e kreut të PD-së.
17 – Kulmi i luajalitetit politik: I takon Enkelejd Alibeajt, i cili, kur u pyet se cili është në botë politikani, nga i cili frymëzohet, nuk u hapërda fare gjeografikisht, dhe tha gojëbrisk: Sali Berisha.
18 – Shpërthimi i vitit (duke përjashtuar ndonjë shpërthim timin): Ishte ai i Arben Imamit, i cili, dy a tri ditë pas plojës që u bë në bulevard, iu drejtua deputetëve të opozitës: Ju jeni të gjithë Ziverë (Ziveri është nga qyqarët që gjeti vdekjen nga plumbat e regjimit).
19 – Minimumi i reagimit politik: I përket Bamir Topit me shprehjen “unë jam mesfushor”, që ai e tha qetë-qetë pas sulmeve në adresë të tij të bëra nga kryeministri.
20 – Shqiptarja më e suksesshme jashtë vendit: Ermonela Jaho, sopranoja që po ecën në gjurmët e Inva Mulës.
21 – Gjesti më i përunjur i vitit: Ai i Ina Ramës që u ngrit më këmbë dhe i dha dorën Sali Berishës, pasi ky i fundit e kish etiketuar faqe botës si ‘Putana e Bulevardit’.
22 – Ngjarja më e hareshme mediatike: WikiLeaks-i.
23 – Gallata e vitit: Është ajo e Fondacionit ‘Gani Bobi’, që me exit poll-in e vet e nxori Lul Bashën mbi 15 pikë përpara në garën me Edi Ramën.
24 – Institucioni i vitit: Gjykata Kushtetuese, që rrëzoi marrëveshjen mes qeverisë shqiptare e asaj greke lidhur me kufirin detar mes dy vendeve.
25 – Sofizmi i vitit (tepër brutal): I përket Sokol Olldashit me shprehjen “dakord, dikush i vrau ata katër vetë më 21 janar, por është dhe dikush që i çoi atje për t’u vrarë”. /shekulli/