Në mars lançohet projekti. USAID, zbatuesi i programit. U miratua nga Clinton
Ylli Pata, 24 Shkurt 2013
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë një plan për të monitoruar fuqishëm zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Administrata e Presidentit Obama ka alokuar një fond konsistent për këtë qëllim, i cili sipas zv.ndihmëssekretarit të DASH-it, Philip Reeker, shkon deri në 1 milion dollarë. Por si do të konkretizohet ky plan amerikan, i cili do të jetë i bashkëvepruar ngushtë me programin që do të miratojë Bashkimi Europian për votimet shqiptare?
Gjithçka pritet të bëhet publike në nisje të muajit mars nga ana e ambasadës amerikane në Tiranë, ku rol të rëndësishëm do të ketë ndihma e Shteteve të Bashkuara apo i mirënjohuri USAID. Por burime nga administrata zgjedhore shqiptare bëjnë të ditur se KQZ-ja e ka mirëpritur këtë program dhe pritet të ketë një mirëkuptim nga ana e autoriteteve shqiptare për ta pranuar programin e qeverisë amerikane. Vetë Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e ka bërë të ditur gjatë takimit me zyrtarin e DASH-it, Philip Reeker, që kërkonte një numër të madh vëzhguesish amerikanë.
Clinton
Ka qenë ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ka aprovuar dhe ka mbështetur një angazhim të drejtpërdrejtë të Amerikës në vëzhgimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Gjatë takimit të zhvilluar më 1 nëntor, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri me stafin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë, zonja Clinton theksoi se diplomatët dhe stafi i ambasadës amerikane do të jenë edhe monitoruesit kryesorë të shpërndarë në të gjitha anët e vendit në ditën e zgjedhjeve. “Siç e thashë edhe në Parlament, zgjedhjet vitin e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishme për avancimin e demokracisë në Shqipëri. Dhe unë e di se zgjedhjet në të kaluarën kanë paraqitur disa sfida, por roli që kjo ambasadë dhe secili nga ju, amerikanë dhe shqiptarë, mund të luani në monitorimin e qendrave të votimit, përputhjen e votave, duke u bërë të qartë miqve tanë këtu se zgjedhjet e mira, të lira, të ndershme e të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, do të ngrenë në qiell Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, tha sekretarja Clinton, duke bërë publike në vija të përgjithshme planin e SHBA-së.
Plani
Burimet bëjnë të ditur se plani amerikan konsiston në shpërndarjen e vëzhguesve në të gjithë territorin e republikës dhe krijimin e një baze të të dhënave të plota mbi regjistrimin, procesin, votimet, numërimin, administrimin dhe në fund rezultatet e zgjedhjeve. Në ndryshim nga viti 2009, kur SHBA-ja financoi një numër të konsiderueshëm vullnetarësh shqiptarë, të cilët gjithsesi nuk kishin akses të mjaftueshëm në grupet e numërimit dhe në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, kësaj radhe, grupi i monitoruesve sipas projektit amerikan, do të kenë stemën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky grup pritet që të ndihmojë monitoruesit e OSBE/ODIHR-it, të cilët do të shpërndahen gjithashtu në të gjitha qelizat zgjedhore.
Megjithatë gjithçka nga ky projekt do të bëhet publike nga ana e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë ditëve të parë të muajit mars, së bashku me drejtuesit e misionit të USAID-it në Shqipëri. Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, deklaroi gjatë intervistës për “Top Story”, se “kemi shqetësime për zgjedhjet dhe këto janë tejet të rëndësishme për Brukselin dhe Uashingtonin, sepse ato do të vendosin tonin për fazën e ardhshme të Shqipërisë. Shqipëria vetëm dy dekada më parë ka bërë këtë tranzicion të jashtëzakonshëm. Kemi parë probleme në zgjedhjet e shkuara dhe si miq dëshirojmë t’ju ndihmojmë që këto zgjedhje të jenë të suksesshme. Të mundësojmë që zgjedhjet në qershor të jenë të lira, të ndershme dhe të pranueshme nga të gjithë”.
Buxheti: SHBA-ja ka akorduar rreth 1 milion dollarë për projektin e vëzhgimit të zgjedhjeve që do të shpërndahet në të gjithë vendin
Clinton: Gjatë vizitës në Tiranë, sekretarja Clinton i tha stafit të ambasadës se ata do të jenë monitoruesit e zgjedhjeve
Brukseli
E pritet të sjellë një trupë të madhe monitoruesish
Bashkimi Europian pritet që të jetë në terren në ditën e votimeve, si një numër i madh vëzhguesish në trajtën e ekspertëve ligjorë dhe zgjedhorë. Kërkesa është zyrtarizuar nga ana e Partisë Socialiste dhe pritet që ky plan të konkretizohet me një bashkëveprim nëpërmjet Komisionit Europian, vendeve anëtare dhe Parlamentit Europian. Që do të thotë, se do të ketë eurodeputetë monitorues, deputetë të dy vendeve anëtare të BE-së, por edhe ekspertë të komisionit. Në takimin e fundit ndërmjet liderit të opozitës, Edi Rama dhe komisionierit të Zgjerimit, Stefan Fule, është folur më hollësisht për këtë çështje, e cila në fakt u elaborua për herë të parë gjatë vizitës që Fule zhvilloi në kryeqytetin shqiptar, më 4 shkurt.
Vendimi
Kërkohet rekrutimi i ekspertëve të lartë ligjorë për një periudhë të shkurtër
OSBE-ja kërkon ribërjen e rregullave për të monitoruar zgjedhjet
ODIHR-i kërkon rishikimin e rregullave për monitorimin e zgjedhjeve në vendet anëtare të OSBE-së. Me anë të një dokumenti të publikuar në faqen zyrtare të ODIHR-it, bëhet e ditur se kërkohet rekrutimi për një projekt ekstrabuxhetor për të rishikuar legjislacionin elektoral dhe praktikën në vendet pjesëmarrëse në OSBE. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë kërkon që të punësoje tre ekspertë të mirë ligjorë për të ndryshuar rregullat e monitorimit. Gjithçka pritet të bëhet publike së shpejti dhe pritet që të pasqyrohet edhe në misionet monitoruese në Shqipëri, por edhe në vende të tjera.
Dokumenti
Kryetari i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së i ka kërkuar drejtorit të ODIHR-it, që të konsiderojë mundësinë e nisjes së një projekti ekstrabuxhetor për të shikuar praktikën e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes në vëzhgimin e zgjedhjeve në vendet anëtare të OSBE-së, duke rishikuar dokumentin e vitit 1990 të miratuar në Kopenhagën. Studimi do të mbulojë vendet pjesëmarrëse dhe në bazë të raporteve të publikuara nga vitet 2010-2012, do të duhet një analizë më e detajuar për çështjet elektorale. Në bazë të angazhimit për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, ODIHR-i po kërkon konsulentë të huaj për pozicionet e koordinatorit të ekspertëve ligjorë dhe dy ekspertë të tjerë ndihmës. Procedura e rekrutimit të ekspertëve duhet të kryhet brenda 7 javëve, që do të thotë brenda 2 muajve. Kandidatët duhet të jenë të gatshëm të konkurrojnë që më 1 mars të 2013-s. Kandidatët duhet të jenë qytetarë të vendeve anëtare të OSBE-së. Data përfundimtare e pranimit të kandidatëve do të jetë 26 shkurti, konkretisht ora 18:00 e kësaj dite. Kandidatët duhet të regjistrohen në faqen zyrtare të ODIHR-it, të dërgojnë një kopje të aplikimit dhe një letër motivacioni të bashkëngjitur me CV-në.
ODIHR: Është zyra eksperte e OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve me qendër në Varshavë
Financimi: Misionet vëzhguese të ODIHR-it financohen nga vendet kryesore të OSBE-së
Shqipëria: ODIHR ka një famë të mirë në të gjithë botën në lidhje me vëzhgimin e zgjedhjeve