Arjan Th. Kallço
Nesër poetët në mbarë botën festojnë ditën e tyre më të rëndësishme që lidhet drejpërdrejt me krijimtarinë e tyre letrare, shpirtërore dhe vitale. Kanë kaluar shekujt dhe vargjet më të bukura të poezive i lexojmë edhe sot; emrat më të dashur të poetëve universalë i shikojmë edhe sot në libra dhe ekrane, në internet dhe në jetën reale, skalitur me madhështi në përmendoret e shumta që çdo komb u ka ngritur.
Poetët janë farëmbjellësit e një ndjenje të fuqishme sa vetë dëshira për jetën, por edhe të një gjuhe që i kapërcen nivelet e standarteve gjuhësore, pasi janë vetë letrarët ata që u paraprijnë atyre. Cila gjuhë deri më sot e ka anashkaluar krijimtarinë e nëj kombi, të një trashëgimie të pasur dhe të larmishme kulturore? Sikur të hapen analet e historisë së letrësisë do të shkëlqejnë me madhështi Aligierët, Shekspirët, Gëtet, Poetë, Kavafisit e çdo vendi. Nuk ka dëshmi më të vërtetë sesa kur është vetë historia që flet.
Poetët janë kopshtarët apo luleritësit e një dashurie për poezinë sa vetë dashuria edhe sikur kjo dashuri të kërkojë sakrifica apo të kalojë përmes vështirësive dhe kalvareve. Një dashuri, një lule, një poezi ngjajnë mes tyre, pasi në themel kanë atë përkujdesje gati maniake që gjërat të rriten të shëndetshme dhe të ecin fjollë. Hiqini dashurisë aromën dhe poezinë, do të mbetej një ndjenjë e cunguar dhe e pashije. Hiqni një luleje dashurinë e kopshtarit dhe aromën, askush nuk do ta pëlqente e jo më ta blinte si dhuratë për dashurinë. Hiqini poezisë delikatesën e ndjenjës së dashurisë dhe aromën e jetës si një lule dhe kurrë, kurrë më poezia nuk do ta shpëtonte botën.
Poetët janë ikonat e papërsëritshëm të ndjenjave më sublime në jetë që nga atdhedashuria e shekujve e deri në mbartës të idealeve më të larta të njerëzimit, kritikët e pandreqshëm ndaj një bote, ndaj një jete që edhe pse të mahnit për nga mrekullia, ka ende shumë rrugë për të bërë për një jetë më dinjitoze për të gjithë. Ja pr apse poetët janë këngëtarët e të mundshmes dhe të pamundshmes, të lotëve dhe të buzëqeshjes, të afrisë dhe largësisë, të mallit dhe të lamtumirës, të jetës dhe të pavdekësisë.
Sot në një nga gazetat shqiptare lexova një titull absurd që asnjë logjikë sado e paditur nuk mund ta pranojë: a janë artistët diktatorë? Nuk e di nëse artistët mund të nxjerrin ligje që t’i diktojnë pushtetit, ka mes tyre që i lëpihen pushtetit apo i shërbejnë atij, forcën dhe imponimin e mendimit të vetë poetit. Po ta bënin dhe pushteti ta dëgjonte do të ishte një fitore e madhe jo vetëm për letërsinë, artin dhe kulturën, por edhe për vetë njerëzimin, për të cilin thuhet se pushtetet merakosen shumë.
Artistët nuk prodhojnë bomba dhe armë, nuk thurrin fije komplotesh si pushtetet, por krijojnë vargje, shkurajnë libra, nxjerrin nga mendja dhe duart e tyre kryevepra që sigurisht ngjallin xhelozi tek pushtetet, pasi nuk janë të zotët ta bëjnë atë. Mund të vazhdoj edhe më gjatë të sjell fakte të “diktaturës” së artistëve, por po e ndal reflektimin tim këtu, për t’ua lënë të tjerëve që të shprehin “diktaturën” e tyre nesër me vargjet delikate për pranverën, jetën, natyrën, për dhimbjet dhe gëzimet e çdo dite që kalon dhe që tregon qartë dallimin nga diktaturat reale të pushteteve. Kur nesër faqet e gazetave të mbushen me poezi të vërtetë, do të ishte mirë që edhe një të vetme ta lexonit, të ndaleni gjatë dhe të reflektoni për intuitën dhe shijen e poetëve, për mënyrën sesi ata e sjellin jetën, për forcën e madhe të vargjeve që nuk i mbulon dot as pluhuri i kohës dhe historisë. Nuk e di nëse diktatorët marrin ndonjëherë Çmimin Nobel që u akordohet mjeshtërave të fjalës artistike.
Po të ishte diktaturë kultura, UNESKO-ja nuk do të kishte guxuar kurrë që ta shpallte 21 marsin Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, por do ta kishte njollosur atë me damkën e turpit, edhe vetë shoqëria do ta kishte harruar, por jo, jemi dëshmimtarë të gjallë, janë dëshmimtarë breza e breza të tërë që e mbajtën gjallë dhe po e mbajnë ende sot, sepse shohin tek poezia mikun, shokun, të dashurin/të dashurën të cilëve ua ndjejmë mungesën në jetën tonë të përditshme. Vetë manifesti i shpallur na e bën të qartë rolin e kësaj Dite.
Dita Botërore e poezisë u themelua nga Sesioni i 30-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESKO-s në vitin 1999 dhe u festua për herë të parë më 21 mars të vitit 2000 dhe jo pa qëllim u zgjodh kjo datë, pasi janë në një koinçidencë të përsosur me ekuinoksin e Pranverës. Kjo datë njeh tek shprehja poetike një rol të privilegjuar në promovimin e dialogut dhe të mirëkuptimit ndërkulturor, të diversitetit gjuhësor dhe kulturor, të komunikimit dhe paqes. Me këtë datë deshi që t’ia dedikojë takimit të formave të ndryshme të krijimtarisë, duke u përballur me sfidat që komunikimi dhe kultura po kapërcejnë në këto vite. Midis formave të ndryshme të shprehjes, çdo shoqëri njerëzore e shikon statutin shumë të vjetër të artit poetic si një vend baze të memories, bazë të të gjitha formave të tjera të krijimtarisë letrare dhe artistike.
Do të ishte më mirë që edhe idhtarët e artikujve të sipërpërmendur të merreshin më shumë me letërsi dhe të lexonin edhe poezi, pse jo edhe të përpiqeshin të krijonin, sesa të shohin ëndrra syhapur. Gëzuar Ditën e parë të Pranverës dhe Festën e Poezisë.
Poezia e jetës
Takova dikur një bujk tek mbillte
Farën në arrë dhe më tha :
Fara është jetë që përsërit
Ciklin e vet.
Takova edhe një punëtor tek kaliste
Hekurin në punishte dhe më tha :
Sendi është mjeti që farës
I jep jetë.
Takova pastaj një filozof tek vështronte
Pemën e çelur më tha :
Pema është jeta e farës
Që prej saj kurrë s’u nda.
Takova një poet tek shkruante
Vargje mbi një fletë më tha :
Poezia është pasqyra e farës
Që përjetësisht veten aty e pa.Arjan Th. Kallço
20 mars 2012
very good!! thank you very much:
Comments are closed.