21 Janari – një tjetër rrëshqitje në anarki?

0
37

Ng: KIÇO BLUSHI

Në ditët dhe në netët e pas 21 janarit, a mund të thuhet zëplot se kemi shtet, demokraci, rend kushtetues, Ligj, Kushtetutë, një “polici e qeveri që është me ne”, d.m.th, një sistem të mirëfilltë demokratik, me norma morale e standarde e, për më tepër, me institucione që funksionojnë mëvetësisht, në dobi të qytetarit, të kombit dhe të bashkëjetesës harmonike? Ky nuk është rasti as i parë e as i fundit që lipset t’i përgjigjemi ndershmërisht kësaj pyetjeje.

Natyrisht jo sikur po na interviston ndonjë kanal televiziv, ku tjetër themi e tjetër mendojmë; jo sikur po na dëgjon kryetari i partisë; jo sikur detyrohemi të pohojmë në media që të na dëgjojë mbarë bota, pra jo sikur po molloisim e broçkullijmë si ata analistët tanë të pavarur që kanë pushtuar ekranet, po sikur po flasim vetmevete, me nj’at sinqeritet e dëlirësi që ka çdo njeri normal kur e vë kokën në jastëk: A thua demokracia që shpresuam përnjëmend është ajo që gëzojmë sot?

Pse pas 2 Prillit erdhi 14 Shtatori e më pas 21 Janari? Liri-demokracia e “idealeve të dhjetorit” kjo është? Ku gjendet shteti i të Drejtës? Ku është Evropa, më larg apo më afër jemi ne me të e sidomos me njërit-tjetrin? Përse pushteti, pavarësisht nga ngjyrat, vazhdon të na trajtojë si armiq të tij, edhe pse jemi me karta identiteti e Kushtetutë? Pse nuk kemi siguri e paqe, mirëkuptim e marrëveshje në vendin tonë, ku një i fortë me pushtet ka më tepër vlerë, dinjitet e imunitet?

Nuk ka pyetje më naive dhe më të pafajshme, e njëkohësisht edhe më të qenësishme! Nëse përgjigja do të jetë e sinqertë, e pashfytyruar prej interesit vetjak, nga përfitimi i atypëratyshëm, nga anësia e verbëria partiake, ne mund të shohim pakëz dritë në fund të tunelit që quhet tranzicion…Por ne nuk e shohim dot të vërtetën në sy. Nuk na lënë ekranet e zaptuara nga kryetarët e partive dhe zëdhënësit e tyre! Ne nuk na manipulon dot videokaseta e Priftit; ne na manipulon llum-propaganda e priftërinjve të partive!

Nëse në diktaturë, për hir të mbijetesës, mund të gënjesh veten (oh, sa të lumtur jemi meqë nuk e kuptojmë dot sa keq jemi!) ky – mashtrimi i vetes – do të ishte mëkat i pafalshëm në demokraci! Ndaj shpëlarja intensive e truve sot bëhet njëlloj si dje me format e edukimit: ndaj jo pak deputetë, analistë, intelektualë partiakë dalin e pa e bërë qejfin qeder, pa u skuqur e pa u tutur recitojnë po ato fraza, ide, shpifje e akuza që broçkullit kryetari i partisë! Ky degradim moral i Fjalës dhe i opinionit publik e bën tablonë tonë shoqërore të zymtë, të zezontë, më të pashpresë! Një honorar, një post, një shpërblim me apo pa tender, paskan më shumë vlerë se tre të vrarë para kryeministrisë. Sot mercenari partiak, dmth një llapaqen e një humhum televiziv i kryetarit përkatës ka më shumë vlerë se çdo rilindas!

* * *

Tre qytetarë të vrarë në dyert e qeverisë, pushteti i quajti horra. Ngrihet opozita dhe horra quan gardistët që qëlluan mbi ta…Po kush është horri i vërtetë në këtë vend? Ina Rama ka më shumë frikë se ne qytetarët e zakontë, ndaj mërmërit edhe kur gjendet përkrah ambasadorit të ri amerikan! E pra, ku gjendet shkaku i vërtetë që ne, të paktën një herë në pesë vjet të futemi “papritur e pakujtuar” në kolaps moral, ligjor, politik dhe, pse jo, edhe ndërvetjak? A ka dhe a mund të ketë Drejtësi në këtë shoqëri, ku krimineli politik, që pas 2 prillit, u bind se sukses quhet “të ikë në drejtim të paditur”, si dhe të hipë e të mbetet gjatë në majë të pushtetit, me “mjete dhe me rrugë demokratike”?

Nuk lipset shumë mend për të kuptuar se faqja e parë e demokracisë tonë është shkruar me gjak e me mashtrim, me mosndëshkim e me moszbulim, madje edhe me lartësim të kriminelëve të 2 prillit të Shkodrës e jo vetëm! A nuk u sollën nga an’ e anës dhe u emëruan në poste të larta të gjithë kriminelët e SHIK-ut të Gazidedes, fill pasi Saliu u bë kryeministër? Kjo është e vërteta lakuriq! Pse e bëri Berisha këtë? Sepse ai pushtetin do ta mbante në “kurorëzimin e dytë” me të tillët, -ca me dosje korrupsioni, ca me dosje të sigurimit, ca me dosje të krimeve pas ‘90-ës…

Sepse vetëm tek ta mund të ish besimplotë, vetëm ata mund të qëllonin më 21 janar, vetëm të tillët kishin garanci që jo vetëm nuk do të zbuloheshin e ndëshkoheshin, por përkundrazi, do të shpërbleheshin! Prandaj që në fillesë, pra që më 2 prill, aspirata jonë për demokraci mori një plagë të pashërueshme, pasojën e së cilës po e vuajmë edhe sot e kësaj dite, jo vetëm më 1997 e më 1998, por edhe tash! E pra, 21 janari është ana e pasme e 2 prillit! As në diktaturat e Amerikës Latine nuk mund të ndodhë që mandat arrestet e Prokurorisë të mos zbatohen nga policia! “Politika në plan të parë! Partia mbi të gjitha! E sidomos kryetari!”

Në këtë atmosferë gjasme demokratike doli nga funksioni vegla qorre, – Kuvendi, deputetët, pesha e Fjalës publike. Njëlloj si në vitin 1997 kur Kuvendi, pasi kurorëzoi për herë të dytë Berishën si President të Republikës, e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, edhe në vitin 2011 bëri të njëjtën gjë: më së pari paralizoi institucionet, aq sa Kuvendi u mblodh urgjentisht me urdhër (të dielën në mbrëmje, sikur do të na pushtonte armiku!) dhe miratoi një rezolutë ku dënohej “videoja e montuar nga Çakalli”(!?), si dhe u ngrit një komision parlamentar për hetimin e “grushtit të shtetit”!

Nuk lipset shumë mend e kulturë për të kuptuar se ky “komision parlamentar” do të ngrihet jo për hetimin e vrasjeve, por që “me ligj” të detyrohet Prokuroria e Përgjithshme dhe gjykatat të mos veprojnë për ndjekjen, identifikimin, kapjen dhe dënimin e gardistëve vrasës që tashmë mesa duket kanë ikur “në drejtim të paditur”…Në këtë atmosferë, nëse do të gjendet një prokuror që të dalë e të thotë se demonstruesit te kryeministria u ekzekutuan nga afër, a nuk do ta ketë të sigurt nesër ky “specialist i ndershëm” postin e Ina Ramës?

Sot askush nuk e kërkon shkakun, le më shkaktarin, as pasojën e anarkisë…Ky është problemi, ky është halli, ky është burimi i qorrsokakut ku sherrpolitika e Njëshave, për të disatën herë na ka çuar në buzë të theqafjes, në zi kombëtare, në luftë të pakuptimtë, në urrejtje të ndërsjellë, në llumnajën e shpifsharjeve, duke na fundosur në fund të standardeve, teksa mëton të na bindë se jemi të parët, më të suksesshmit, më të lumturit e dynjasë, etj , etj…! E pra, nuk mjaftoi 2 prilli, nuk mjaftoi 1997-98-ta, nuk mjaftuan mijëra të vrarë, nuk mjaftoi as 14 shtatori i llahtarshëm, nuk mjaftoi as Gërdeci që hodhi në erë 26 njerëz, nuk mjaftuan as përmbytjet e Shkodrës, po u desh edhe një 21 janar i përgjakshëm! Mos duhet më që të kthjellohemi?

* * *

Meqë vetë krerët tanë kanë shpallur se u vete pas historia e në këtë kuadër po kërkohet rishkrimi i historisë, ia vlen, besoj – para se të merremi me gjynahet e Skënderbeut – të pyesim veten: Kujt ka për t’ia faturuar historia këto merita, mënxyra e mysybete të pashembullta? Për të zbuluar këtë të vërtetë, mjafton të vështrohet se si është sjellë Berisha me organet e Drejtësisë në të gjitha bëmat e tij tragjike, si ka kërkuar ai me një ngulm të admirueshëm jo vetëm të paralizojë kundërshtarët, Prokurorinë e Përgjithshme, por duke e shkulur atë nga themelet, duke shkarkuar “me ceremoni”, d.m.th, me akuza monstruoze, si “kryemafiozë”, të gjithë kryeprokurorët e Përgjithshëm, për të emëruar një besnik të vetin, i cili, më pas, çuditërisht, edhe ky ka dalë një tjetër “armik” që e ka “meritue” linçimin! Kjo është logjika vepruese e çdo lloj mafie, aq më tepër asaj politike. Kjo është mënyra për të trembur vartësit, kundërshtarët, prokurorët dhe gjykatësit, për të mos ndëshkuar kriminelët, për të mos pasur kurrë Drejtësi në vend, për t’u ndjerë si një Zogoll i dytë, pa u shpallur mbret me Kushtetutë!…

Historia e Saliut nuk mund të gjykohet pa hapur “dosjen “ e marrëdhënieve të tij cubërore me organet e Drejtësisë. Ja përse anarkia po na çon me shpejtësi nga një sistem autoritar, te një sistem ku vrasësi, hajduti, banditi, shpifësi, dëshmitari i rremë, abuzuesi me pushtetin, demagogu, ku vetëm ai/ata që mbrojnë dhe i shërbejnë si skllevër kryeministrit, do të gëzojnë më shumë merita, shpërblime, madje ku e ku më shumë edhe se e ardhmja e vendit!

“E mjera Shqypni, kush të ka qit’ me krye në hi?”…Pas 21 Janarit duhet me pyet: Kush na ka qit në këtë hi-llumhanë, përveç kryetarëve trushkulur? E pra, pas 21 Janarit, në vend që të “ruhej gjakftohtësia”, si u kërkua me naivitet nga ndërkombëtarët, shoqëria, apo më sak, shteti shqiptar, po rrëshqet, -natyrisht prej panikut dhe frikës së krerëve që tmerrohen mos dalin gjurmët e krimit të tyre, pas humbjes së pushtetit vetjak, në një anarki të frikshme, ku jo vetëm Ligji, po edhe arsyeja më minimale, apo së paku normale, nuk kanë pikë vlere në një kërleshje të mitingjeve me antimitingjet. “Të bëhen hetime të pavarura!”, ndërkohë që këtë e kërkojnë pikërisht ata që e kanë penalizuar e ngrirë Prokurorinë e Përgjithshme! Nuk ka absurditet puçist më të pashembullt se ky!

Nuk paska më rrezikzi se një kriminel, hajdut, vrasës, e sidomos se një pushtetar i lartë me pushtet të pakufizuar, i cili, kur kapet me duart mbi një krim shtetëror, sulmon dhe paralizon gjithë sistemin e Drejtësisë, duke shpresuar se kësisoj i ka larë duart! Kjo po e bën pas 21 Janarin më të frikshëm se rropama tragjike e asaj ditë të kobshme. Nxjerrja nga funksioni i Prokurorisë, bashkë me SHIK-un, është një tjetër atentat drumepre ndaj demokracisë, natyrisht jo vetëm për moszbardhjen e një ngjarjeje konkrete, si kjo e 21 Janarit, pra jo vetëm të një krimi, por të çdo lloj krimi, abuzimi, vjedhje, korrupsioni, mashtrimi të djeshëm e të nesërm që e kanë burimin nga lart, nga qeveria…

Jo rastësisht Njëshi tash është njëkohësisht kryeministër, kryetar i të vetmes parti në pushtet, President real i Republikës, kryeprokuror, kryetar i SHIK-ut, i Kuvendit, i grupit parlamentar, i të gjitha gjykatave, i Gardës, i policisë, i tatimeve, i doganave, i çmimit të ilaçeve dhe energjisë, i rritjes ose jo të pensioneve, i heqjes së vizave… si dhe i mënyrës se si ne do të na lejohet t’i kuptojmë situatat. Berisha pas 21 Janarit ka më shumë frikë e “arsye familjare” të mos e lëshojë pushtetin se në vitin 1997, edhe pse kujton e beson se ka përvetësuar monopolin e të vërtetës, pa e ditur se kjo nuk është arma që mund ta shpëtojë, përkundrazi, ka për ta eliminuar me turp!

Për hir të këtij “monopoli mediatik”, këtij bombardimi me gënjeshtra, ai beson se do të mbretërojë gjatë; por ky shkatërrim i Fjalës publike rrezikon që edhe njëzet vitet e ardhme të mos kemi jo vetëm media, por as Drejtësi të pavarur e të besueshme që mund të gjykojë jo një Gërdec, po qoftë larg disa Gërdecë, pra jo vetëm një përmbytje të Shkodrës, por edhe përmbytjet e shpresës së shqiptarëve…Ja përse 21 Janari, pas 2 Prillit e 14 Shtatorit, njëlloj si te “Makbethi”, ku krimi politik pjell një tjetër krim politik, edhe një herë na dëshmoi fytyrën reale të krerëve tanë makbethjanë…E pra, edhe kjo mënxyrë e radhës na doli borxhit, se na tregoi ç’na pret e sa të lumtur jemi në këtë Salistan!

(shkrimi eshte botuar sot ne GSH)