21 janari janë të vrarët

0
44

Analiza

Nga PREÇ ZOGAJ, 20 Janar 2013

Shumë protesta dhe demostrata politike janë zhvilluar në Shqipëri gjatë 22 viteve të hapjes demokratike të vendit. Ato kanë lëvizur historinë, por dy prej tyre kujtohen e do të kujtohen më gjatë se të tjerat: E para është demostrata spontane e të rinjve shkodranë me 2 prill 1991 para ndërtesës së ish Komitetit të Partisë së Punës në Shkodë ku gjetën vdekjen me armë zjarri Arben Broci, një prej drejtuesve më të rinj e më brilantë të Partisë Demokratike, Bujar Beshanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu. E dyta është demostrata e thirrur nga PS dhe Opozita e Bashkuar në Tiranë me 21 janar 2011 ku trupat e Gardës së Republikës, të pozicionuara në oborrin e brëndshëm të godinës së kryeministrisë, vranë me plumba luftarakë katër demostrues opozitarë në bulevardin përballë: Ziver Veizin, Hekuran Dedën, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikën.

Vrasjet, sidomos ato me karakter politik, e ndalojnë kohën. Ajo që nuk kthehet më-jeta e njerëzve – mbetet ndërkaq ajo që nuk humbet kurrë për kujtesën. Janë pikërisht vrasjet shkaku që 2 prilli i vitit 1991 dhe 21 janari i vitit 2011 kanë dalë nga rendi i protestave të tjera, duke u veçuar si ditët e përgjakshme të historisë sonë të re me gjithë pasojat dhe mësimet që përmbajnë.

Për vrasjet e 2 prillit 1991 kemi prej vitesh një verdikt përfundimtar të drejtësisë shqiptare. Dyshimet dhe pakënaqësitë për atë vendim vështirë se kanë për t’u fashitur ndonjëherë, por në analizë të fundit, porsa nuk kemi prova të reja dhe të pashqyrtuara nepër duar, kultura demokratike na thotë të pranojmë drejtësinë e togave të zeza në aulën e gjyktatës në vend të së ashtuqujturës drejtësi të “tribunëve të popullit” që tradicionalisht vetëm ngatërresa kanë mbjellë. Kjo nuk do të thotë që arsyeja të mos ndjekë pamjet që marrin ngjarjet tragjike me kalimin e kohës, teksa zhvishen, kullohen dhe pastrohen nga veprimi ftillues i vetë kohës.

Sot, në dritën e rrugës që mori Shqipëria, kuptohet akoma më mirë se armët vrastare të 2 prillit i mbushi një lloj shpagimi i errët dhe i vërbër i forcave të vjetra, që po përfundonin në pubelën e historisë. E gjithë kjo ndriçon në thelb kotësinë e pakthyeshme të krimit, gjë që e bën dyfish më të dhimbshme humbjen e jetëve njerëzore. Kam bindjen se me kohë do të dalë në pah më një qartësi akoma më tronditësë kotësia e vrasjeve të 21 janarit gjithashtu, pavarësisht se për momentin, në rrafshin e efekteve politike, duket se plumbat që rrezuan katër demostruesit opozitarë në bulervard rrëzuan edhe demostratën dhe protestën si mjetet më të fuqishme të ndryshimit që ka njohur Shqipëria këto vite.

Por në këtë dyvjetor të ngjarjeve të 21 janarit refleksionet e natyrës politike janë sekondare, ndërkohë që shqetësimi primar i familjeve të viktimave dhe i mbarë opinionit publik qytetar ka qenë dhe është mungesa e drejtësisë në një kontekst pengesash e përpjekjesh të njohura e të panjohura për zbardhjen ligjore të vrasjeve. Në aulën e gjykatës ka mbetur ende pa autorësi fshirja e filmimeve nga serveri i kryeministrisë. Prokuroria ka zbardhur vrasjen e tre demostruesve, por ka ndeshur vështirësi të shumta të çojë përpara mbrojtjen e akuzës kundër oficerëve të gardës në një sallë gjyqi të mbushur shpeshherë me gardistë të organizuar.

Prokuroria nuk ka paraqitur ende në gjykatë një akuzë për vrasjen e Aleks Nikës. Gojët e liga flasin për zvarritje të qëllimshme. Nuk duam të besojmë, por po të mbajmë parasysh faktin se xhaxhaj i Aleks Nikës, Mark Nika, është personi që është investuar me shumë se kërkush tjetër për të sensibilizuar opinionin e brëndshëm e ndërkombëtar për vrasjet e 21 janarit, drejtësia është dyfish në borxh për rastin e Aleksit.

Është i njohur fakti se zbardhja dhe gjykimi i vrasjeve me karakter politik merr kohë. Edhe në vende me drejtësi të pavarur e të konsoliduar. Dy vjet nuk do të ishin shumë për të hetuar e gjykuar vrasje të fshehta apo me një dozë të caktuar sofistikimi. Por vonesat për 21 janarin tonë nuk kanë justifikim. Madje janë të mbarsura me shqetësime serjoze për vetë verdiktin që pritet të jepet. Ngjarjet e asaj dite, përfshirë vrasjet, lindën të “zbardhura”, në kuptimin që gjithçka u filmua nga disa media dhe u pa live nga gjithë shqiptarët.

Në dritën e pritjes dyvjeçare të drejtësisë për një ngjarje aq të hapur, publiku ka krijuar më të drejtë përshtypjen se qasjen shtetërore për 21 janarin e dominon përpjekja për të errësuar çfarë lindi e zbardhur. Qëndrimet e kryeministrit Berisha natën e tragjjedisë dhe në ditët në vazhdim plazmuan pikërisht këtë vonesë dhe këtë qasje. Me justifikimin se prokuroria kërkonte ta linte pa mbrojtje, ai pengoi personalisht zbatimin e menjehershëm të urdhërave të kryeprokurorisë për marrjen në pyetje të oficerëve të dyshuar për vrasjen e qytetarëve. Hetimet e FBI-së amerikane treguan më vonë se të dyshuarit e përdorën këtë kohë për të fshehur e tjetërsuar prova të krimit.

Të dhënat janë kundërthënëse, pasi i njëjti kryeministër ka kërkuar përfshirjen e FBI-së në hetimin e ngjarjeve. Por sidoqoftë, pengimi e hetimeve e pozicionoi kryeministrin përballë jetëve të humbura dhe jo mbi ta apo në krah të tyre siç ia kërkonte posti dhe humanizmi. Në këtë linjë, ai nxorri thagmën e famshme të grushtit të shtetit, ngriti një komision hetimor parlamentar për “hetimin” e tij, komision i cili zbuloi vetëjm një gjë në jetën e vet të shkurtër e të palavdishme: që Berisha nuk kishte asnjë provë për grusht shteti e gjëra të tillë, por thjesht ishte investuar në një seri fanitjesh e fabrikimesh për ta futur 21 janarin në hullinë e kompleksimit të drejtësisë.

Me ndryshimet që kanë ndodhur me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës ekuivoket dhe dyshimet për zbardhjen e 21 janarit duken sikur janë shtuar. Vetë presidenti Nishani, para se të merrte postin e ri, ka mbajtur një qëndrim partizan ndaj vrasjeve. Kryeprokurori i ri Llalla, në prononcimin e parë për 21 janarin, në përgjigje të pyetjes që i është bërë nga një koleg gazetar, e ka permendur si një çeshtje në ndjekje por pa e theksuar, edhe pse vrasje si ato të 21 janarit konsiderohen ngjarje të jashtëzakohshme. Por nga një këndvështrim tjetër, pikërisht tani që vendi ka një President dhe një Prokuror që nuk janë të “puçit”, zbardhja e 21 janarit nuk ka më asnjë justifikim për t’u shtyrë në kalendra dhe asnjë mundësi për spekullime politike në kurriz të drejtësisë për të vrarët.

Le të merren krerët e rinj të KLD-së, krerët e rinj të akuzës dhe gjyqtarët e besuar të kryeministrit me çdo gjë që ka të bëjë me rolin e opozitës me 21 janar. Kryeministri mund të depozitojë te Prokurori i ri “dëshminë” e tij ku ka pas renditur të gjitha akuzat për çadrat-pistoleta apo makinat me tritol. Nëse kryeministri i duket një punë e padenjë të depozitojë një dëshmi si ajo në Prokurori, Prokurori mund ta marrë vetë në shtypin e shkruar të kohës dhe të nisë hetimet kryesisht. Por ata kanë një detyrim madhor para ligjit dhe demokracisë të zbardhin vrasjet dhe të dënojnë vrasësit. Vrasjet janë 21 janari. Dija dhe ndërgjgja demokratike e publikut nuk njeh ngjarje të tjera që mund të krahasohen, barazohen apo t’u bëjnë hije vrasjeve.

Natyrisht,në çdo tragjedi ka dy palë që kanë të drejtat e tyre dhe përgjegjesitë e tyre. Që nuk janë të barabarta. Ky është një mësim i thellë që na vjen nga grekët e vjetër, të cilët e kishin pasion stërvitjen e ndërgjegjes në ushtrimet e së drejtës. Opozita shqiptare duhet të reflektojë, në mos ka reflektuar, që thirri një “demostratë të lirë”, pa drejtim, gjë që krijonte dykuptimesi në lidhje me mënyrën e demostrimit nga një fashë e caktuar demostruesish. Fakti që pas 21 janarit opozita i ndërpreu protestat mund të merret si një reagim institktiv për ta lënë zinë dhe plojën të spikasë, por ma merr mendja përmban edhe elementë të reflektimit dhe remordit që asnjë prej drejtuesve kryesorë nuk arriti në kohë në krye të asaj demostrate. 21 janari është për opozitat politike dhe për kulturën politike shqiptare mësimi i madh i nevojës për të bashkuar vendosmërinë me urtësinë, trimërinë me përgjegjësinë. Kaq është.

Por atmosfera inkadeshnte e demostratës dhe ekseset e nje grupi protestuesish nuk mund të përligjëin kurrsesi përdorimin e panevojshëm dhe të paligjshëm të armëve dhe akoma më pak çmendurinë e hapjes zjarr në drejtim të turmës nga gardistë me uniformë. Midis masave legjitimime të mbrojtjes së rendit dhe vrasjes së demostruesve paqësorë nuk shoh të ketë asgjë tjetër veç tejkalimit të forcës, shkeljes së ligjit për përdorimin e armëve dhe rrjedhimisht të krimit që thërret gjykatën, por thërret edhe kryeministrin, presidentin dhe shtetarët e tjerë të lartë të shumicës për të bërë drejtësinë tjetër, po aq të rëndëisishme, atë të reflektimit të thellë e të ndershëm për atë që ndodhi.

Neser, në dy vjetorin e 21 janarit, nuk do të ketë sërish një lajm për ata që ranë, për familarët e tyre, për mbarë opinionin e tronditur nga kjo ngjarje e pashembullt. Korifenjtë e demokarcisë na kanë mësuar se drejtësia sipas ligjit përfaqëson mbrojtjen e të gjithëve nga dhuna shteterore. Kur ajo mungon apo vonon, “kujtesa është mbrotja më e mirë përpara historisë”, thotë Salman Ruzhdie. Do t’i kujtojmë neser dhe vazhdimisht ata katër burra; do t’i kujtojmë ashtu siç qenë, njerëz të thjeshtë e të zakonshëm, që nuk erdhën në demostratë për t’u bërë heronj, por u kujtuan shqiptarëve me çmimin e vdekjes se herozimi është gjithnjë përgjigja aty ku shkelën liritë dhe të drejtat demokratike.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com, 20 janar 2013
(eç/shqiptarja.com)