
Nga Mero Baze
Në debatin e madh publik të para dhe pas 21 Janarit, po merr përditë e më shumë rëndësi si zakonisht qëndrimi perëndimor ndaj kësaj krize. Nëse deri më 21 Janar kishim vetëm një problem politik, pas 21 Janarit kemi dhe një problem të drejtësisë. Nëse deri më 21 janar Perëndimi ishte i fokusuar tek dialogu dhe gjetja e gjuhës së përbashkët, pas 21 Janarit është i fokusuar tek drejtësia dhe shmangia e presionit politik mbi të.
Por në këtë aktivizim normal të Perëndimit ka pasur spekulime të mëdha.
Kryespekulimi është bërë me qëndrimin e SHBA, ose më mirë të themi problemin që krijoi në opinion përdorimi nga ana e Berishës i qëndrimeve diplomatike të ambasadorit të SHBA në Tiranë apo deklaratave parimore të SHBA si mbështetje për qëndrimet e tij. Aq shumë u teprua në këtë pikë, sa dhe në një mbledhje surrogate partie, siç qe mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, jeta e së cilës fyen çdo shembull demokracie perëndimore, Berisha falënderoi SHBA dhe BE për mbështetjen që po i japin hetimit nga Berisha të “puçit” të shtetit.
Në këtë krizë të rëndë politike, prioritet i Perëndimit mbetet stabiliteti i vendit dhe moszgjerimi i konfliktit, dhe natyrisht ky është një objektiv më pak luksoz se beteja për demokraci dhe shtet ligjor që i bie të bëjë opozita dhe shoqëria shqiptare.
Mënyra se si SHBA e menaxhuan këtë situatë është perfekte. Ata arritën të fokusoheshin tek pika thelbësore e problemit, që është drejtësia dhe tek ruajtja e komunikimit me problemin kryesor në vend që është qeveria. Çdo konfrontim i mundshëm i qeverisë shqiptare me ambasadorin amerikan apo qeverinë amerikane, do të ishte sinjal lufte në Shqipëri, ku njerëzit besojnë shumë herë më tepër tek qeveria amerikane se sa tek qeveria e tyre. Kjo mund ta zhyste vendin në kaosin e ngjashëm me vitin 1997, ku shteti i unifikuar me Berishën u bë vulnerabël mbi të gjitha pse ishte në konflikt publik me SHBA.
Tashmë shteti është unifikuar sërish me Sali Berishën, dhe çdo humbje e ndikimit amerikan dhe perëndimor në përgjithësi mbi të, është një kosto që s’duhet të përsëritet. Ruajtja e ndikimit të qeverisë amerikane mbi qeverinë shqiptare dhe mbështetja e fortë që ato po i japin hetimit është garancia më e mirë e çmontimit të institucionit të vrasjes politike, që Berisha po përpiqet të institucionalizojë në historinë e politikës shqiptare.
Thomas Countryman, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, në një intervistë për Top Channel nga Brukseli i dha fund retorikës së Berishës për një mbështetje amerikane rreth hetimeve për “puçin” e shtetit, si dhe spekulimeve me qëndrimin e kujdesshëm diplomatik të ambasadorit Aleksandër Arvziu, i cili krijoi keqkuptim publik me fjalinë e keqpërkthyer apo keqzbardhur në intervistën e tij në Zërin e Amerikës. Keqkuptimi erdhi nga citimi i zbardhur i intervistës së ambasadorit Arvziu, i cili citohej të kish thënë se “korrupsioni është problem i shqiptarëve, jo i qeverisë”. Sqarimi i djeshëm i Ambasadës së SHBA në Tiranë ishte korrekt dhe logjik, dhe zhduk çdo lloj dyshimi për ndonjë dozë racizmi apo fyerje për shoqërinë shqiptare si shoqëri e korruptuar.
Reagimi i SHBA erdhi në kohën e duhur, pasi kryeministri filloi të keqpërdorë “mbështetjen amerikane”, jo vetëm për të shpikur vrasës të tjerë, përveç vrasësve që gjendeshin brenda godinës së kryeministrisë, por dhe për çështjen e degraduar të gjykimit të historisë së Gërdecit filloi të ndryshoj historinë, duke shndërruar ortakun e djalit të tij në partner të kundërshtarëve të tij. Ky oreks i zgjeruar i Berishës nuk ngjall më frikë për profilin e Berishës, por për mënyrën se si drejtësia në Shqipëri përkthen direktivat politike që Berisha jep përmes akuzave verbale. Tani problemi ynë kryesor është se si të shmanget presioni mbi drejtësinë për hetimin e ngjarjes dhe ndëshkimin e logjikës politike që vret njerëz të paarmatosur në një protestë politike dhe si të zgjidhim krizën politike që ka ngrirë më 21 Janar.
Vrasja e katër qytetarëve shqiptarë, aspak të rrezikshëm dhe tërësisht paqësorë në protestën e tyre, është një përpjekje për të krijuar idenë e të drejtës për të vrarë për të mbuluar keqqeverisjen dhe plaçkitjen e vendit. Ky do të ishte një standard masakrues për demokracinë shqiptare. Ky standard ishte tejkaluar në Shqipëri qysh në vitin 2000, kur Berisha për 20 ditë rresht protestoi me bomba molotov mbi dritaret e kryeministrisë dhe askush nuk vrau askënd.
Ky regres që Berisha bëri në raport me vrasjet politike dhe përpjekja e tij për t’i institucionalizuar ato si standard ndëshkimi për protestat politike, qofshin këto dhe të dhunshme, duhet të marr fund. Fillimi i arrestimit të fajtorëve direkt dhe më pas dënimi i urdhëruesve të tyre, do të qetësonte shqiptarët dhe do ta na bënte të riktheheshim tek problemi i parë, tek mëngjesi i 21 Janarit, tek e drejta e qytetarëve për të kërkuar ikjen e kësaj qeverie për shkak të korrupsionit. Regresi i pas 21 Janarit duhet të çmontohet nga drejtësia, por dëshpërimi dhe akumulimi i para 21 Janarit duhet të çmontohet nga politika.
Ndëshkimi i këtij akti duhet t’u japë fund vrasjeve politike në këtë vend dhe spekulimeve të tilla politike. Protestat është mirë të jenë paqësore, por dhe kur janë të dhunshme si ajo e 21 Janarit, demokracia humbet shumë herë më pak prej tyre, se sa humbet nga vrasjet politike të urdhëruara nga urrejtja politike dhe koncepti i shtetit klasor. As institucionet nuk i mbrojnë dot armët, por politika. As ushtarët komando të kthyer nga Afganistani që u pritën dje në “Kulën” e Berishës nuk e shpëtojnë dot Republikën e vetëshpallur të tij brenda kangjellave të kryeministrisë.
Në çdo krizë në një vend demokratik, arma më e fortë për të mbrojtur institucionet dhe integritetin e vendit është zgjidhja politike. Kjo zgjidhje ka ngrirë më 21 Janar për shkak të gjakut të derdhur nga urrejtja politike. Gardisti që u arrestua dje nuk ishte “dora e zezë” që vrau, po thjesht një “gisht i zi” që ka tërhequr këmbëzën. Dora e zezë që vrau ishte në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë në kat të dytë, pas xhamave të blinduar, aty ku politika ka kohë që nuk depërton.







