Bisedoi: Lindita Çela
Është mrekulli që sot jeton. Është një djalë i thajmë e me sy që rrëfejnë një dëshirë të pafundme jete. Sidomos tashmë që vdekjen e ka parë me sy. Për muaj të tërë ka qenë në agoni të plotë mes jetës dhe vdekjes. Plumbat e marrë në trup, njëri prej të cilëve i ka tejshpuar fytin, bën që mjekët fillimisht t’i hiqnin çdo shpresë jete. Por falë kurimit në një klinikë gjermane, 24 vjeçari Artes Dybeli sot është gjallë. Të thotë se ka rilindur sërisht më 21 janar, ditën që u qëlluar për t’u vrarë. Në një intervistë për “Shekullin” 24 vjeçari rrëfen se si është qëlluar më 21 janar përballë kryeministrisë dhe arsyet se përse dëshmia e tij mungon në dosjen e prokurorisë.
Z. Artes, ju jeni ndër të plagosurit e protestës së 21 janarit të zhvilluar para kryeministrisë. Përse dëshmia juaj mungon në dosjen e prokurorisë për këtë ngjarje?
Është e vërtetë që unë deri më tani nuk kam dëshmuar çfarë kam pësuar dhe ka ndodhur atë ditë. Por besoj se kjo ka ardhur se menjëherë pas ngjarjes për arsye shëndetësore unë u largova nga Shqipëria. Këtu mjekët nuk po i jepnin familjes sime garanci për jetën dhe familja ime gjykoi se ishte e rëndësishme që unë të trajtohesha në një klinikë jashtë vendit. Më 25 shkurt të 2011 janë nisur për në Gjermani, ku jam shtruar në klinikën “Uniclinic” në qytetinKiel. Aty kam qëndruar mbi 10 ditë në urgjencë dhe më pas i jam nënshtruar fizioterapisë dhe psikoterapisë për më shumë se dy muaj. Jam kthyer në Shqipëri më 26 gusht, e deri më tani unë nuk jam thirrur për të dëshmuar për atë çfarë kam parë dhe ka ndodhur atë ditë.
Nëse do t’ju thërrasin do të shkoni?
Sigurisht. Tani që jam sërisht në jetë e vetmja mënyrë shpërblimi ndaj zotit a fatit është që unë të rrëfej çfarë pashë atë ditë dhe se si u qëllua ndaj meje.
Çfarë ndodhi atë ditë, çfarë mbani mend?
Nuk do e harroj kurrë atë ditë. Pasi lashë punën në orën 15 e 30 minuta kam marrë rrugën nga Universiteti i Tiranës në drejtim të Kryeministrisë. Besoj se rreth orës 15 e 40 minuta jam gjendur përballë Piramidës. Aty gjendeshin disa shokë të mi dhe jam bashkuar me to. Në momentin që unë kam mbërritur aty situata përballë kryeministrisë ishte e acaruar. Mes hapsirës së kryeministrisë në anën e sipërme të saj u rreshtuan një togë ushtarësh. Në ato momente kanë filluar të shtënat e para. Pokështu filluan të digjeshin makina dhe njerëzit që ishin aty filluan të shpëndaheshin.
Ju vazhduat të qëndronit aty?
Jo. Duke qenë se plumbat nga krahu i sipër i kryeministrisë po shtoheshin dhe situata sa vinte e bëhej më e rrezikshme sëbashku me shokët e mi lëvizëm. Ishte një stendë me makina të gazetarëve aty afër dhe aty menduam se ishte vendi më i sigurt. Besonim se ndaj gazetarve nuk do të qëllonte ndokush, kështu shpresonim.
Aty u qëlluat?…
Sinqerisht kam besuar dhe po thoshim me shokët se do jenë plumba manovër. Por nuk ishte kështu…
E mbani mënd momentin kur ju kanë qëlluar?
Po. Fillimisht kam ndjerë goditje dhe një therrje në trup. Për momentin nuk kam humbur ndjenjat dhe kam thirrur shokun tim të më ndihmonte ndërkohë që krahu i djathtë po më mpihej dhe nga fyti po më dilte gjak. Kam ecur pak dhe ka qenë një djalë që më është afruar të më ndihmojë pasi unë po përhumbesha. Më kanë futur fillimisht në një makinë të një televizioni por në atë situatë kritike që u krijua nuk po gjendeshin çelësat. Më kanë marrë në krahë dhe më kanë çuar në afërsi të kryqëzimit te Ura e Lanës e aty më kanë çuar në spital me një makinë të policisë bashkiake.
Ku ju kanë marrë plumbat?
Duke iu referuar kartelës mjekësore plumbi i parë ka hyrë poshtë mjekrës dhe ka tejshpuar fytin. Mjekët më thanë që plumbi ka kaluar vetëm për 1 milimetër larg arteries kryesore, kordave të zërit, dëgjimit si dhe nazofagut. Ndërsa plumbin e dytë e kam marr pak sekonda më vonë në shpatullën e djathtë dhe ai ka qenë tejshpues.
Nga cili drejtim vinin plumbat?
Nga pjesa e brendshme e Kryeministrisë. Jua thashë unë jam qëlluar sapo një makinë i është afruar derës së jashtme të këtij institucioni dhe në atë moment po shikoja se si një togë ushtarakësh po vendoseshin në rrjesht duke qëlluar në drejtimin tonë.
Ju keni qëlluar mbi policinë?
Unë? As kam qëlluar mbi policinë as nuk kam kapur qoftë edhe një gur me dorë.
Sa ditë qëndruat në spitalin ushtarak?
5 ditë. Por megjithëse iu nënshtrova ndërhyrjes kirurgjikale nuk po më pushonte hemorragjia. Kisha shumë problem me krahun dhe frymëmarrjen. Familja ime vendosi që fillimisht të shkoja në Spitalin Amerikan por gjëndja ime sa vinte e rëndohej ndaj me shpenzimet tona kam shkuar në Gjermani ku për rreth dy muaj i jam nënshtruar ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor. Sot jam mirë. Ndihem me shumë fat që jam gjallë.
Sot a keni frikë për atë që keni parë dhe keni pësuar?
Të them të drejtën tani po. Fillimisht qëllimi im dhe i familjes sime është të shpëtoja nga ajo ngjarje pa asnjë pasojë. Por tani që emri im është përmendur si dëshmitar i kësaj ngjarje, sigurisht nuk ndihem i qetë. Nuk di ç’të them. Deri më tani askush nuk e dinte ç’kisha pësuar dhe nëse ekzistoja.