TemA Online, 1 Janar 2013
Viti 2013: për shumicën e njerëzve, një vit si çdo vit tjetër, pak a shumë si 2011-shi apo 2012-shi, kurrgjë i veçantë. Në rregull, Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se ai do të jetë Viti ndërkombëtar i bashkëpunimit për ujë, dhe gjithashtu Viti ndërkombëtar i drithit kuinoa. Nëse këto nuk e bëjnë atë të veçantë (kuinoa është në fund të fundit, vetëm një drithë), mbase kjo e bën: 2013-shi do të jetë viti i parë që prej vitit 1987 që do t’i ketë të gjitha numrat e ndryshëm.
Është interesante (për disa njerëz, të paktën) se 20-shi dhe 13-shi bëjnë 33, një numër të cilin numerologët – apo të krisurit që i kushtojnë rëndësi mistike numrave të caktuar – e konsiderojnë “numër të rënduar”, plot kuptim. Mirëpo jo të gjithë të krisurit janë numerologë. Disa janë triskaidekafobikë, dhe për ta perspektiva e 2013-shit nuk është aq interesante sa është tmerruese.
Po, triskaidekafobia është një fjalë e gjatë që do të thotë frikë nga 13-shi. Shumë njerëz duket ta kenë këtë frikë. Romakët i janë frikuar 13-shit. Edhe vikingët gjithashtu. Në ditët e sotme, disa njerëz nuk ulen për drekë aty ku mund të bëhen 13 vetë bashkë; një arushë lodër mund të sillet për të çuar numrin në 14.
Dikush nuk blen një shtëpi me numrin 13, nuk niset me anije në ditën e 13-të të muajit (veçanërisht nëse ajo ditë është e premte) apo nuk fle në një dhomë hoteli në katin e 13-të. Disa ndërtesa të larta, veçanërisht në Kinë dhe në pjesë të tjera të Azisë, duket të mos kenë fare kat të 13-të: numrat e kateve kërcejnë nga numri 12 në 14. Meqë triskaidekafobikët janë të paarsyeshëm, ata mund të besojnë vërtet se hoteli i tyre nuk ka kat të 13-të dhe flenë rehat në atë të shënuar si i 14-të. Trembëdhjeta, mund të thonë ata, është vetëm një emër, e jo numër.
Triskaidekafobia vs. Triskaidekafilia
Oh, po, ata që kërkojnë shpjegime për frikën nga 13-shi duket të besojnë se e tëra ka të bëjë me sasinë. Ka qenë Juda, tradhtari i Jezusit, ai i cili e ka ngritur në 13 numrin e pjesëmarrësve në Darkën e fundit (s’ka lidhje që e njëjta mund të thuhet për cilindo prej apostujve tjerë, apo edhe për vetë Jezusin).
Ka qenë epoka e 13-të, e para pas një duzinë sundimesh 1.000 vjeçare të 12 plejadave, ajo e cila supozohet se i ka sjellë kaos persëve të lashtë, dhe e cila edhe sot i shtyn iranianët modernë të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të dalin jashtë për të pastruar shpirtrat e tyre në ditën e Sizdahbedarit, ditën e 13-të të vitit. Kanë qenë 13 ciklet menstruale të femrave ato të cilat i kanë dhënë këtij numri një reputacion të keq kur kalendari diellor është shfaqur për të zëvendësuar kalendarin hënor me 13 cikle. Apo kështu është thënë nga disa shpjegues naivë.
Megjithatë, ka edhe shumë njerëz që mendojnë se 13-shi ka lidhje me gjëra të mira. Egjiptianët e lashtë kanë besuar se, në dërrasën e fundit të një shkalle me 13 dërrasa drejt përjetësisë, shpirti do të gjente jetën e përhershme. Grekët e lashtë – nejse, disa prej tyre – kanë menduar se 12 veprat e Heraklitit janë shoqëruar nga një vepër fatlume e 13-të, vrasja e luanit të Kithaeronit për mbretin Tespius, për të cilën ai është shpërblyer me lejen për të bërë dashuri me secilën prej 50 bijave të mbretit për 50 net radhazi.
Shumë hebrenj modernë besojnë se “shpirtrat kolektivë” të popullit hebraik mund të krahasohen me trëndafilin me 13 petale që përmendet në Zohar, i cili është një libër i shenjtë i besimtarëve mistikë të disiplinës dhe të shkollës së mendimit Kabalah.
Ata të cilët besojnë se numri 13 sjell fat të mirë kanë një gjë të përbashkët me ata të cilët besojnë se ky numër sjell fat të keq: mungesën e plotë të arsyes prapa besimeve të tyre. (The Economist)