2013 dhe rënia e partive tradicionale

0
42

Nga Afrim Krasniqi, botuar ne Shqiptarja.Com, 12.01.2013

Dy partitë kryesore politike, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, fituan së bashku 1,86 milion vota më 1991, 1.5 milionë më 1992, 1.25 milion më 1996, 1 milion vota më 1797, 2001 dhe 2005, si dhe 1.2 milion vota më 2009. Në zgjedhjet lokale 2011 ato fituan së bashku 772 mijë vota, ose rreth 500 mijë vota më pak sesa më 2009. Rënia drastike e mbështetjes nga 1.8 milion vota në tre herë më pak shpreh më së miri kurbën e mbështetjes politike për partitë e vjetra tradicionale, të cilat e ndaluan përkohësisht rënien me 2009 përmes një ligji të ri elektoral që ndëshkon ashpër partitë e tjera politike. Pavarësisht ligjit zgjedhor kufizues, zgjedhjet e vitit 2009 për herë të parë prodhuan një mazhorancë të pamjaftueshme për të krijuar qeveri dhe më 2013 të gjitha sondazhet tregojnë se asnjë parti politike nuk do të arrijë e vetme të fitojë mandat qeverisës.

Në dallim nga çdo fushatë tjetër këtë vit është hera e parë që PD dhe PS e pranojnë publikisht pafuqinë e tyre për të fituar zgjedhjet. E gjithë strategjia e tyre politike dhe elektorale nuk është më në raportet me elektoratin, por me faktorët e tjerë politikë. Partitë aleate kanë qenë burim pushteti të dhuruar më 2009. PD dhe PS fituan rreth 18 mandate shtesë parlamentare për shkak të votave të partive aleate në koalicionet e mëdha. Pesha e tyre ka ndryshuar më 2013. Nga 34 partitë politike konkurruese në zgjedhjet e fundit parlamentare vetëm LSI, PDIU dhe PBDNJ kanë ende një peshë politike. Partive të tjera të vogla të tranzicionit u ka mbetur vetëm emri dhe sigla, ndonjë peshë lokale në zgjedhjet vendore dhe asnjë mundësi reale për përfaqësim parlamentar. Ky proces çoi në rënien pa kthim të partive historike nacionaliste, të grupeve komuniste, grupeve liberale, agrare, ekologjike, demokristiane dhe në masë të madhe edhe atyre socialdemokrate. Në skenën politike janë grupimet e reja politike, Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi, të cilat në sondazhe renditen shumë më përpara partive të tjera politike.

Në kushtet e rënies së lirë të PD-së, shpërbërjes ideologjike dhe identitare të saj, identifikimit pa kufizim me liderin dhe shtetin dhe pafuqinë e saj për tu bërë alternativë e besueshme pushteti, PS nuk arriti të përfitojë për të krijuar një opozitë me alternativë dominuese. Dy palët ndryshuan Kushtetutën, ndryshuan Kodin Zgjedhor, ruajtën monopolin mbi administrimin zgjedhor, median, pushtetin ekonomik dhe qeverisjen vendore, por asnjëra palë nuk ka garancitë minimale për mandat të vetëm qeverisës për katër vitet e ardhshme. Ndaj edhe ofertat e tyre politike janë pafund, majtas e djathtës, lart e poshtë, tej të majtës dhe të djathtës, jashtë parimeve politike dhe kujtesës historike, thjesht e vetëm për të gjetur mekanizmin sesi vota e munguar popullore përmes formulave teknike të përkthehet në mandat qeverisës.

Tipike është rasti i LSI. Ajo luftoi ashpër kundër PD më 2009, premtoi nxjerrjen e kryeministrit Berisha në pension, dhe në fakt e “mbajti” premtimin; pasi u bë oksigjeni që kryeministri të mbushë moshën e pensionit duke qenë në krye të qeverisë falë votave të kryeministrit socialist Meta dhe deputetëve të “Klanit të Zemunit”, sic etiketoheshin në mesin e viteve 2000. LSI thotë se është parti e majtë, gëzon pa kufizim 20% të pushtetit në gjithë hierarkinë shtetërore, emëron e shkarkon ministra pa konsultime me kryeministrin, takohet me opozitën dhe bën marrëveshje të përkohshme në interes të objektivave të saj politike. Ajo ndodhet në dilemën historike: e etiketuar si parti abuzive, shtojcë e korrupsionit qeverisës të PD, pa alternativë dhe pa bazë të qëndrueshme zgjedhësish, e braktisur nga figurat politike intelektuale dhe me peshë publike dhe e mbështetur nga zgjedhës pragmatistë që ruajnë vendet e punës, elektorat krahinor apo fanatikë të sistemit të kaluar, – do të duhet që më 2013 të zgjedhë daljen e vetme në zgjedhje (me shanse minimale mandatesh parlamentare), hyrjen në koalicion me PS (me shanse minimale mandatesh dhe shterim të burimeve ekonomike) apo hyrjen në koalicion me PD (me shanse më të mëdha mandatesh dhe shanse po aq të mëdha të kalimit në opozitë), përfundimisht pa identitet dhe perspektivë afatgjatë politike.

Duket interesante thirrjet e përditshme të dashurisë nga deputetë dhe drejtues të PD drejtuar LSI. Ky është tregues se PD në synimin e vetëm për të ruajtur pushtetin nuk njeh parim politik, identitet dhe as respekt për memorien historike. Më 2011 ajo bëri koalicion me Partinë Komuniste në Tiranë dhe më 2013 llogarit mbijetesën e saj tek LSI, partia e kryeministrit socialist “fashist dhe mafioz” siç e cilësonte Berisha më 2002. Aleatët e tjerë, republikanë e monarkistë, ballistë e demokristianë, liberalë e agrarë, nuk ndjehen, nuk flasin, nuk kanë mekanizëm të mbrohen përveçse të shpresojnë tek mëshira dhe njohja personale me kryeministrin dhe PD-në. Në çdo rast ata mbeten pa mandat parlamentar dhe rrezikojnë ikjen përfundimtare nga skena politike. Të njëjtin fat mund të ketë edhe PDIU, nëse kjo parti nuk arrin të krijojë koalicion fitues me një parti të madhe në Vlorë apo Fier, lokalitetet e vetme me pretendim për përfaqësim parlamentar.

Në krahun e majtë PS i ka varur shpresat tek vendimmarrjet politike të partive të reja dhe ende nuk po ambientohet me faktin se FRD do të jetë forcë e vetme në zgjedhje, përballë blloqeve formale të drejtuara nga PD-PS. Brenda familjes PS ende nuk ka mbyllur asnjë marrëveshje me partitë e majta, PSD, PDS, etj, ndërkohë që jashtë logjikës së politikës qytetare dhe rilindjes që ajo premton, – ende pret një rikthim të LSI në familjen e majtë, duke paguar një çmim të lartë për këtë pritje të gabuar: rënien e entuziazmit për zgjedhje fituese si dhe humbjen morale të premtimit për politikë të duarve të pastra. Midis dy modeleve opozitare: opozitës që tenton të fitojë zgjedhjet dhe asaj që pret ti fitojë zgjedhjet për shkak të dështimit të palës tjetër, PS ka zgjedhur të dytën, një zgjedhje me risk, e gabuar dhe me pasoja për të në fazën para dhe paszgjedhore.

Jashtë çdo kalkulimi të PD, PS dhe LSI gjendet FRD, partia më e re politike, e anatemuar ashpër nga qeveria për shkak se 92% e votave të saj qytetare vijnë nga votues tradicionalë të së djathtës apo të qendrës, e sulmuar ashpër nga lidershipi i PD-së për shkak se përbën kërcënimin e vetëm real për karrierën dhe ambiciet e tyre personale presidenciale e kryeministrore. Cdo sondazh, përshirë edhe ato të PD/PS, dëshmojnë se FRD përbën potencial real për rolin e kingmaking në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dalja e saj e vetme, retorika kundër partive të vjetra, premtimi për një model të ri politik jashtë modelit tradicional të qeverisjes autoritare e personale, është e mbetet kërcënim direkt për karrierën dy liderëve kryesorë të PD/PS, por ndërkohë, është e mbetet kërkesë dhe dëshirë e elektoratit të gjerë qytetar, e grupeve civile, si dhe e partnerëve tanë ndërkombëtare.

Duket paradoks që palët kalkulojnë shifra, bëjnë llogari dhe krijojnë idenë se zgjedhjet vendosen në tavolinë. Në fakt fillimi i këtij shkrimi tregon se elektorati nuk është më naiv dhe turmë, dhe se vetëm vota e tij do të përcaktojë sistemin partiak të së ardhmes. Sistemi piramidal i punësimit të militantëve dhe besnikëve, sistemi pramidal i pagesave dhe ryshfeteve për eprorin i ngjashëm si në mesin e shekullit XVIII, sistemi i frikës dhe presionit ndaj lirisë dhe babëzisë pakufi në keqpërdorimin e pushtetit dhe pronës publike ka prodhuar një sistem të kalbur, jo funksional, jo legjitim dhe jo të besueshëm. Siç raportoi NDI ka zhgënjim masiv në sistemin aktual politik, koalicionin qeverisës dhe në masë të dukshme edhe në mënyrën e veprimeve të opozitës.

Qershori 2013 ka të gjithë potencialin që këtë zhgënjim masiv ta kanalizojë në vullnet real politik për ndryshim dhe transformim të sistemit partiak në Shqipëri. Nëse revolucioni i vitit 1990 solli ndryshimin e sistemit politik Shqipëria ka nevojë për një revolucion të ri që ndryshon modelin e sistemit politik. Ky model duhet të bëjë ndarjen nga praktika e deritanishme politikës pa respekt për programet, identitetet politike, votën qytetare, moralin politik dhe vlerat qytetare, si dhe të hedhë themelet për një model të ri demokratik ku politika është mision dhe vlerë, ku qytetarët besojnë, dëgjohen dhe respektohen, ku institucionet funksionale zëvendësojnë komisarët politikë dhe ku projekti evropian nuk bazohet më në retorika populiste pa produkt për qytetarët, por në standarde, sjellje, mentalitete të reja dhe vizione zhvillimi që i japin dinjitet qytetarit, shoqërisë, shtetit dhe kombit shqiptar.