Nga Sokol Balla, 27 janar 2012
Një nga librat e mi të preferuar kur isha fëmijë dhe adoleshent, ka qënë romani fantastiko shkencor i Thanas Qeramës, “Një ngjarje në vitin 2044”. Letërsia për fëmijë e viteve 80, besoj ishte një farë escape nga rregulli i ngurtë i letërsisë zyrtare, dhe kjo solli lulëzimin e shkrimtarëve si Qerama, Dedja, Hysenbegas, apo Bushaka. Të cilët i lëshoheshin fantazisë në botën e fëmijëve, aty ku liria e saj, ishte më pak e kontrolluar. E për më shumë kur flitej për ashensorë që lidhnin tokën me Hënën, në 100 vjetorin e Çlirimit të vendit. Kuptohet, se kjo datë, dhe jo data 28 nëntor, duhej ngritur në qiell. Jo thjesht simbolikisht, por fjalë për fjalë. Ishte kompromisi i vogël që shkrimtarët duhet të bënin, që vepra e tyre të botohej.
Kjo m’u kujtua, ndërsa pak ditë më parë ndiqja një seancë në kuvend, ku zonja Topalli, tashmë me atributet de facto të kreut të shtetit, nisi festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë. Se ky vit është viti kur mbyllet një shekull nga ajo ditë historike, kur aspiratat e një kombi të vuajtur për t’u quajtur shtet, morën një karakter formal, që prej 5 shekujve, pasi i vetmi burrë shteti “pa dashje” (Skënderbeu), i dha lirinë këtyre trojeve, nga maja e tij e shpatës së gjakosur me gjak lindor anadollak.
Në këtë aspekt, ceremonia e Kuvendit nuk kishte të sharë: festimet për 100 vjetorin e shtetit, nisnin simbolikisht me Skënderbeun, i cili i nisur sigurisht nga arsye praktike e strategjike afatshkurtra, e kishte bërë zgjedhjen e tij: Perëndimin, Krishtërimin, Europën. Pesë shekuj më vonë, Ismail Bej Vlora, në këtë drejtim ishte shumë më i paqartë se Kastrioti, por një shekull më vonë aksioni i tij pacifist për të ngritur flamurin e Skënderbeut kudo, me kulmim në Vlorë, mbetet i pakrahasueshëm me të gjitha luftrat për liri që ne kemi bërë në shekuj.
Në fund të fundit, historia dhe koha fshijnë gjërat e parëndësishme, dhe e vërteta, si një amforë që zbulon deti i trazuar kur largon rërën, del në sipërfaqe.
Por natyrisht nëse simetria do të ishte perfekte, sot nuk do të kishim Shqipërinë që kemi: me probleme. Ndaj edhe ceremonia e Kuvendit, përtej protokollit të mirë, ndahet fort me Skënderbeun dhe Ismail Beun. Tek sinqeriteti. Gati 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria tund sot flamurin e Skënderbeut, por është aq larg qartësisë së tij dhe sinqeritetit gati naiv të beut të Stambollit, që besonte një shekull më parë, se një pavarësi pacifiste, do të sillte mbijetesën e Shqipërisë, që sipas tij gjithsesi nuk mund të mbijetonte dot pa Turqinë.
Sot, ndryshe nga 500 apo 100 vjet më parë, Europa është më e sinqertë me ne. Ajo nuk ngurron të na përsërisë se dëshiron të na ketë në gjirin e saj, me gjithë problematikën që ne sjellim nga historia. Por nuk pranon të krijojmë probleme të tjera. Ndryshe nga koha e Papatit dhe e Venedikut, kur ishujt e shtetet shkëmbeheshin në Mesdhe, si valuta para Teatrit të Kukullave sot, sot Europa është një oqean i lirive dhe i mundësive të barabarta, i konkurencës dhe i pranimit të humbjes. I ndershmërisë dhe i drejtësisë. Një kumt i gjallë për individin, por një oaz i madh komunitetesh të ndryshme dhe të barabarta. Kur se ne… ne nuk jemi asgjë nga këto.
Atëherë edhe Europa ka të drejtë të pyesë: përse atëherë duam të futemi në gjirin e saj? Kësaj pyetje askush nga ata të mbledhur në sallën e parlamentit, nuk di t’i japi një përgjigje të sinqertë.
Në 100 vjetorin e historisë sonë si shtet, në fakt një pyetje më ekzistenciale se ajo e perspektivës europiane, rëndon mbi kokat tona: a kemi ne vallë sot shtet? A mundet që në mënyrë pompoze të festojmë ditëlindjen e shtetit, kur ata, shtetarët, e shkelin atë me këmbë? Kur sot një prej pushteteve, drejtësia, është kthyer në një vrimë të zezë, që avash avash (oh e di, fjalë turke, por i shkon çastit shumë), po tërheq brenda saj gjithë shoqërinë? A mundet të festojmë shtetin, kur ushtria, policia, e të gjitha uniformave, janë sot uniforma më e keqe e tij? Kur Parlamenti është një arenë gladiatorësh, që funksionon vetëm në tryeza partiake të negociuara nga ndërkombëtarët? A mund të jetë ky shtet, kur kreu i gardës, direkt, me dorën e tij, vret shtetasit e vet?
Pak ditë më parë, presidenti kroat Josipoviç vizitoi Tiranën. Kroacia në janar 2013 hyn në Europë. Kush e ka vizituar këtë vend të mrekullueshëm, mendon përse ky vend hyri kaq vonë? E thjeshtë: se të hysh në Europë, duhet të ndahesh nga e kaluara, dhe duhet të lashë borxhet me të. Dikush e bëri në paqe, si Mali i Zi, që nxori Gjukanoviç në pension të parakohshëm, apo si Kroacia pak më dhunshëm: duke prangosur “Gjukanoviçin” e saj. “Luftoni korrupsionin, nëse doni të hyni në Europë”, kështu tha Josipoviç, njeriu që mundi të shkuarën politike të Kroacisë, me vetëm një muaj fushatë. Por me vullnetin e një shteti e një populli të tërë pas. E një shteti, që prangosi një kryeministër, në emër të së ardhmes së tij europiane. Apo si Mali i Zi, ku kjo nuk ishte e nevojshme. Pasi Milo i tmerrshëm dhe i korruptuar, doli më atdhetar sesa pritej: u largua, t’i hapte rrugë vendit të tij në Europë.
Në 100 vjetorin e pavarësisë, bilanci ynë është i trishtueshëm: ne nuk kemi as shtet, dhe as burra shteti. Ky është konstatimi. Por a ka një zgjidhje?
Këtu gjithçka vështirësohet, pasi në këto 100 vjet, jemi mësuar se maskarenjtë që duan pushtetin, në Shqipëri thjesht zëvendësojnë njëri-tjetrin. E bëjnë këtë pëmes votës së lirë, përmes dhunimit të saj, ose nëse shkon pak më thellë në histori, me dhunë, me asgjësim parlamenti ose me shndërrim të votës, në kokrra bizelesh. E megjithatë ky është kufiri tjetër ndarës me Europën. Europa perspektivën e saj sot nuk ia lë më pakteve ndërkombëtare të liderëve të saj, por vendimmarjes popullore. Ndaj në këto dy dekada, integrimi europian është shpejtuar apo ngadalësuar, në varësi se çka mendojnë dhe vendosin me votë në referendume, francezët, belgët, holandezët, polakët, e diçka më pak, britanikët.
Ndërsa ne, në këto 100 vjet, shquhemi se kemi bërë ose zgjedhjet më të këqija në kontravers me kohën, ose kemi lënë e mundësuar individë të pandreqshëm të vendosin për ne, e për më keq, nuk kemi thënë asgjë. Nuk kemi kundërshtuar dhe kemi pranuar të keqen e përgjithshme, në shkëmbim të imunitetit personal prej saj. Si në një marrëdhënie të sëmurë, e vetmja fatkeqësisht që ka funksionuar në mënyrë perfekte, jemi bërë burimi i së keqes dhe ushqimi e preja e saj kryesore.
Nëse duam që situata të zgjidhet, kjo duhet të ndryshojë.
E për këtë nuk mjaftojnë pakte mossulmimi, negociata dhe reformë zgjedhore. Nuk mundemi, siç bën Viktor Orban, të nxjerrim në pension 300 gjykatësit tanë, se 300 të rinjtë që do t’i zëvendësonin do të silleshin njëlloj me ta. Se korrupsioni i tyre do të ushqehej nga bindja jonë e përgjithshme si shoqëri se vetëm ai, dhe jo ligji do të vinte drejtësinë mbi ne. Sot pyetja më e rëndësishme nuk është sa europianë janë Rama, Berisha apo Meta (ky gjithsesi më pak se të tjerët), por sa europianë jemi ne që i votojmë.
Një shekull pas Ismailit dhe pesë pas Skënderbeut, ne jemi shoqëri më e dhunshme, më e ashpër, më e dëshpëruar dhe pragmatiste se Shqipëria e së shkuarës. Ne jemi Shqipëria pa ideale. Sëmundja është e thellë dhe askush të mos presë se ajo do të shërohet në këtë vit, megjithë dëshirën e mirë të Europës për të na dhënë një dorë, që të afrohemi një hap pranë integrimit në të, në 100 vjetorin e pavarësisë.
Sepse ndër të tjera ne jemi një shoqëri e pasinqertë, që ashtu si në kohën e Zogut, Enverit, dhe këtë të fundit, preferojmë t’i fshehim problemet tona, pas buzëqeshjeve dhe protokollit, sesa t’i zgjidhim ato. I pasinqertë është kryeministri, lideri i opozitës, Presidenti e deri prokurori i përgjithshëm, që ushqejnë një gënjeshtër kolektive, si një momument i rrejshëm, në themelet e të cilit sakrifikohet mirëqënia e shoqërisë, por dhe ëndrra e saj e pasinqertë, për të qenë pjesë e pamerituar e familjes së madhe europiane.
Ndoshta do të vijë edhe momenti ynë i reflektimit shpirtëror, por është gabim shumë i madh kur gënjejmë veten dhe u bëjmë presion liderëve tanë të reflektojnë e ndryshojnë për shkak të një date: 100 vjetorit të shtetit. Pa krijuar reflektim te individët dhe pa bërë presionin e duhur për të rregulluar një herë e mirë mënyrën e përfaqësimit të tyre politik përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Por a ka sistem që mund të na sigurojë se vota nuk do shitet e blihet, nga votues e komisionerë? Kurrë, sa kohë vetë ata të mos marrin eurot, jo thjesht të një vote, sesa të biletës sonë për të hipur në trenin e vonuar europian. A ka sistem kontrolli që të detyrojë një gjykatës të mos lirojë një hajdut, apo një vrasës në shkëmbim të eurove? Kurrë, sa kohë vetë ky gjykatës të kuptojë se e bën këtë punë për pasion të profesionit për të vënë drejtësinë. Për më keq, a mundet një mjek, sado i papaguar të mos lerë pacientin të vdesë, vetëm se të afërmit nuk ofrojnë para? Kurrë, sado i mirë dhe korrekt të jetë ministri i shëndetësisë dhe kryeministri i tij. Kush mendon se të rregullosh shoqërinë, është si të shtrosh rrugë e ndriçosh trotuaret, dështon të shikojë të vërtetën në sy. Paçka se sidoqoftë ky, mbetet rasti më i mirë.
Ndaj 100 vjet më pas, kam frikë se sfida jonë europiane është shumë më e madhe se 12 rekomandime formale që vijnë nga Brukseli, të cilat në çdo rast i lexojmë keq. Sfida jonë e madhe sot nuk është shteti, sesa gjetja e ndërgjegjes shoqërore. Ose së paku një katarsis i thellë i saj. Ndoshta në këtë pikë, më shumë se Skënderbeu, na hyn në punë shembulli i Malit të Zi, apo Kroacisë. Le ta nisim duke kuptuar fillimisht, sesa larg jemi edhe prej tyre.
Marrë nga http://europaesse.wordpress.com/2012/01/24/2012-nje-vit-pa-n…