2012 – NJË VIT I MËRZITSHËM

0
46

ILIR YZEIRI, 30 Dhjetor 2012

Nëse do të kryhej një sondazh për të kërkuar se cili ishte personazhi që na mërziti më shumë, që na gërrici nervat më shumë se të tjerët, që na solli më shumë bezdi se asnjë tjetër, nuk e di sesi do të përgjigjeshin shqiptarët dhe nuk dua as unë që të them apo të tregoj se cili mund të ishte ai njeri që i ka mërzitur, u ka ngritur nervat, i ka bezdisur apo i ka neveritur shqiptarët. Këtë le ta mendojë vetë secili nga ne. Viti që lamë pas ishte i mërzitshëm për shumë arsye. Ai na kujtoi se do të na duhet ende edhe një vit që të bëhen zgjedhjet parlamentare dhe që në Shqipëri, më në fund diçka, të ndryshojë. Viti që shkoi ishte viti i 100-vjetorit të Pavarësisë dhe, në një farë mënyre, ai do të duhej të ishte viti më i bukur, më i dëliri, për shqiptarët.

Në fakt nuk ishte kështu. Ne e shfrytëzuam vitin që shkoi jo për të kujtuar këtë ngjarje të madhe për ne, por për të treguar në sy të botës se jemi ende të pakultivuar, se jemi ende të ndarë siç kemi qenë atëherë kur sapo u shkëputëm nga Perandoria Otomane, se kemi një nga qeveritë më skandaloze të rajonit, që u tall me shqiptarët dhe për t’i ndjellë ata në shesh u ndërtoi një tortë të madhe që ata të hidheshin mbi të si mbi trupin e njomë të një prostitute dhe ta shqyenin me kova e legenë.

Pas kësaj, viti që shkoi u shënjua prej nesh në formën e tortës që hahet me kova e legenë dhe në imazherinë kolektive të Europës, u shtua edhe ky imazh. Pas kësaj, çdo i huaj që arrin në Shqipëri, gjëja e parë që kërkon është të dijë vendin ku ishte vendosur torta. Ishte një kohë që të huajt kur arrinin në Shqipëri kërkonin të fotografonin ndonjë bunker, sot duan të shohin vendin ku ishte vendosur torta që tërboi shqiptarët.

Viti 2012 ishte një vit i mërzitshëm, sepse shqiptarët po vijojnë të binden se demokracia në Shqipëri nuk mund të instalohet. Sali Berisha i rrëmbeu të gjitha pushtetet dhe vendi ka rrëshqitur përfundimisht në një autokraci mediokre dhe kriminale gjithashtu. Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm dhe kryetarja e KQZ-së janë praktikisht nëpunës të Berishës dhe modeli ynë i qeverisjes u largua përfundimisht nga modeli perëndimor dhe u afrua më shumë me atë të Putinit. Të gjitha institucionet ndërkombëtare na vlerësuan negativisht.

U bëmë më të korruptuar, tani në fund edhe Instituti Demokratik Amerikan deklaroi se qeveria po e drejton popullin në rrugë të gabuar. Viti që shkoi ishte një vit i frikshëm sa i takon krimit. Vrasja makabre e drejtuesit të SHIK-ut në Durrës, ajo e komisarit të Shijakut janë vetëm maja e ajsbergut që tregojnë se në Shqipëri është kalcifikuar një rrjet i rrezikshëm kriminal që vepron si një qeveri paralele në këtë vend.

Viti që shkoi pati vetëm një lajm konstant, mediat raportojnë thuajse çdo ditë se në vende të ndryshme kapen sasira të mëdha droge. Një sy i vëmendshëm sheh pas këtij raportimi një situatë alarmante. Gjynahqarët që kapen me ngarkesa disakilogramëshe nëpër shpate malesh, janë ndoshta ata që nuk bëjnë pjesë te rrjeti i organizuar kriminal që ka bashkëpunëtorë në polici apo në partinë në pushtet. Pra lajmi është ky: nuk ka ditë që të mos raportohet një lajm për drogë që kapet.

Mendoni një çast sesa është sasia që trafikohet, pra ajo që nuk kapet, në një vend ku policia, trafikantët dhe partia në pushtet janë jo vetëm në aleancë, por në vitin që shkoi u treguan edhe më të bashkuar se më parë. Viti që shkoi ishte i trishtë, sepse ai na zbuloi edhe njëherë tjetër se ndarja shoqërore po bëhet e thellë. Shqiptarët mësuan se fëmijët e Kryeministrit shqiptar marrin rroga përrallore me miliona lekë dhe pas kësaj ata, jo vetëm që nuk ulën kokën dhe nuk na paraqitën justifikimin e detyruar nga ligji moral i një shoqërie demokratike, por përkundrazi na kërcënuan të gjithëve duke na treguar gjykatën.

Ky standard që u vendos vitin që shkoi, tregoi përfundimisht se vendi është kapur nga një njeri i vetëm dhe se Kryeministri i vendit, fëmijët e tij dhe të afërmit janë bërë si familja e Ben Aliut në Tunizi me pasuri përrallore të pajustifikuar. Gjykata natyrisht do të dënojë deputetin kurajoz Balla dhe do të mbrojë fëmijët e Kryeministrit për të në treguar edhe njëherë se sistemi ku jetojmë nuk është demokraci, por sundim nga një klasë e caktuar që sillet me këtë vend jo si një shërbëtor i përulur, por si një zaptues. Pas kësaj, viti që shkoi u bë edhe më i trishtueshëm, sepse spikerja e Parlamentit, ajo që sipas një sondazhi u gërric nervat shqiptarëve më shumë se cilido tjetër, tha se deputetët shqiptarë janë njerëzit më inteligjentë ndër shqiptarë.

Unë ndoshta nuk e riprodhova drejt, por jam i sigurt se edhe ajo vetë nuk e di se çfarë ka dashur të thotë. Mirëpo të deklarosh këtë që deklaroi spikerja jonë e Kuvendit, është jo vetëm tallje, por më shumë se kaq, është një rrëshqitje. Viti që shkoi ishte i trishtë, sepse në fund të tij dhe gjatë gjithë vitit, Kryeministri dhe eksponentë të tjerë të atyre që na sundojnë deklaruan se ne jemi vendi i katërt në botë për sa i takon mirëqenies. Pra njësoj si në komunizëm ashtu edhe sot sundimtarët na thonë se jemi fener ndriçues në Europë. Dhe pas kësaj retorike, sundimtarët i japin të drejtë vetes që të vijojnë të na sundojnë.

Ndaj ky vit është i trishtë, sepse po përgatit vitin 2013 si një vit edhe më të trishtë për shqiptarët, një vit që do të na vërë në provë të gjithëve. Kushti që na ka vënë bota janë zgjedhje të ndershme. Zgjedhje të ndershme do të thotë rrotacion politik, sepse vetëm me rrotacion politik, askush nuk do të ankohet dhe zgjedhjet nuk do të kontestohen. A do të ndodhë në vitin 2013 kështu? Unë them se edhe viti që vjen do të jetë një vit i trishtë.