TemA Online, 26 Dhjetor 2012
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka bërë një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve të vitit 2012, të cilat lidhen më të:
“Dita më e vërtetë”- dita kur Gjykata e Lartë nxori të pafaj, njëri pas tjetrit, duke nisur me të parin protagonist të videos së korrupsionit, Ilir Metën;
“Dita më tragjike”- dita kur një gjykatë në Tiranë shpalli të pafaj për akuzën e vrasjes gjithë shtetarët dhe klientët e tyre që shkaktuan masakrën shtetërore të Gërdecit/ një pjesë nuk u hetuan hiç, pjesa tjetër doli e lirë nga gjykata;
“Dita më e rëndësishme”- dita kur u riktheva të punoj për të thënë të vërtetën për korrupsionin në qeveri, abuzimet me miliona dollarë në Bankën Qendrore të Shqipërisë; reklamën shtetërore, trafikun e armeve dhe abuzimet me pasuritë, të drejtat dhe liritë nga Ministria e Mbrojtjes, CEZ piramidën, pasuritë e Familjes biologjike e politike të Sali Berishës; vazhdon, nuk ka mbaruar;
“Dita me zhgënjyese”-dita kur një gjykatëse në Tiranë, militante nga Berati- Fatoja legjendare, më dënoi pa asnjë shkak ligjor me 10 milion lek gjobë, të cilat duhet t’ia paguaj një politikaneje me ton pasuri që mbron kompaninë e burrit pasi e di gjithë dynjaja që e ka favorizuar haptazi me burime nafte;
“Dita më e gëzuar”- dita kur Anja më tregoi dëftesën e dytë me të gjitha vlerësimet “Shumë mirë”;
“Dita më serioze”- dje, dita kur një gazetë në Tiranë, Tirana Observer më shpalli “Njeriun e Vitit” nga politika pas një ankete transparente me lexuesit e saj, 21 mijë vetë; shpresoj ta kem merituar;
“Dita kur jam ndjerë mirënjohës”- dita kur mbi 300 drejtues të PS në Berat nënshkruan një letër ku kërkonin që unë të vijoja të shërbeja qoftë edhe si militant në Berat;
“Dita më e dështuar”- dita kur zgjedhja e Presidentit rrëzoi totalisht sistemin, zëvendësoi sistemin demokratik të institucioneve kushtetuese të pavarura me sistemin njëpartiak të institucioneve politike; duarkryq pasi rrëzuam njërin prej kandidatëve, heshtje e largim nga beteja pa kuptim;
“Fjala më e mirë”- Po! Kjo është e majtë, e drejtë, e ndershme dhe zgjidhje, mbajtur gjate diskutimit të buxhetit për vitin 2013;
“Beteja më e mirë”- beteja për rrugën Lushnje- Berat, ekzistuesen dhe të renë, të dyja në gjendje të mjerë, e pamundur t’i quash rrugë- të parën për gropat historike në gjithë gjatësinë, e dyta- për shkak të ndryshimit të projektit që e ngushton nga 12 në 8 metra gjerësi;
“Beteja më e drejtë”- beteja për të thënë të vërtetën mbi privatizimin, menaxhimin, dështimin, borxhet piramidale të kompanisë CEZ Shpërndarje;
“Beteja më e rëndësishme”- beteja për të thënë të vërtetën, përtej kërcënimeve zyrtare e kriminale, mbi lidhjet me kompanitë shtetërore serbe të Ministrisë së Mbrojtjes;
“Beteja në vazhdim”- beteja për të shpëtuar pasurinë më të madhe të shqiptarëve, naftën dhe të drejtat mbi të, nga rënia në duart e një sharlatani apo disave të tillë, shqiptarë apo të huaj, përmes privatizimit;
“Këshilla më e mirë e marrë”- thuaje të vërtetën deri në fund!!;
“Këshilla më e pakuptimtë e marrë”- “Zoti Braçe duhet të na kërkojë ndjesë! Shpresojmë që zoti Braçe të mos flasë në emër të kryesisë së PS për këtë çështje”- bërë nga shoqata e ricikluesve të plehrave të importuara.