20 vjet – sheshi britanik në Zagreb

1
39

Nga Enver Robelli

Të shtunave, të gjithë ata që kanë diçka për të shitur, vërshojnë Sheshin Britanik në Zagreb. Kapela të partizanëve, emblema socialiste, llamba, libreza të Armatës Popullore të Jugosllavisë, piktura, libra, gazeta të vjetra. Të gjitha këto dhe shumëçka tjetër mund të gjenden në sheshin në qendër të Zagrebit.

Para shëtitjes nëpër pazarin e sendeve të vjetra, disa vizitorë preferojnë të ndalen në “Eliscaffe”, e cila gjendet në rrugën më të famshme të Zagrebit, në “Ilica”. Prapa banakut punon me shpejtësi të atletit Nik Oroshi, një kosovar, i cili është shpallur dy herë kampion i Kroacisë për përgatitjen e kafesë. Titulli që mban Oroshi quhet “barista”, që në shqip domethënë: artist, entuziast i kafesë. Zanatin e tij Oroshi e ka mësuar në L’Universita del caffe (Universiteti i Kafesë), i hapur nga kompania e njohur italiane e kafesë, Illy, në Trieste. Më vonë artin e përgatitjes së kafesë ai e ka përsosur në Londër dhe në Oslo. Tani “Eliscaffe” është adresa më e njohur e Zagrebit për kafe të mirë. Madje edhe gazeta e famshme britanike “Financial Times” i ka kushtuar kësaj kafeterie një tekst simpatik – për shkak të kafesë së mirë, në radhë të parë. Arsyeja tjetër ka qenë se “Eliscaffe” ka qenë me gjasë lokali i parë në Ballkan, ku u ndalua pirja e duhanit. Ata që duan të mbushin mushkëritë me tym, mund të dalin në shesh, në Britanski Trg. Dhe, njëkohësisht, të shpalosin rrangulla, rraqe e plaçka të vjetra, të cilat i ofrojnë për shitje qytetarët e Zagrebit.

Mes shumë librave mbi historinë e Jugosllavisë, atlaseve të republikave dhe krahinave “tona”, biografive mbi figurat e ndryshme të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe kompleteve të revistës së famshme “Danas”, e cila në vitet ‘80 në Kosovë kishte ndoshta më shumë lexues se të gjitha gazetat kosovare sot, pra mes gjithë këtyre veprave, vizitorit i bie në sy dhe në dorë libri “Kosovo – bitka bez iluzija” (“Kosova – beteja pa iluzione”), e botuar në vitin 1989 në Zagreb. Autori i saj Darko Hudelist ende është ndër gazetarët më aktivë kroatë, para disa vitesh ka shkruar një biografi voluminoze të Franjo Tuxhmanit, themeluesit dhe kryetarit të parë të shtetit të pavarur kroat.

Në vitet ‘80, Hudelist ishte ngarkuar nga revista “Start” e Zagrebit për të mbuluar ngjarjet në Kosovë, ose vlimet politike në “krahinën jugore të Jugosllavisë”, siç shkruan autori në librin e tij. Të lexosh një libër publicistik 20 vjet pas botimit mund të jetë një zhgënjim i madh. Bota ka ecur dhe ka ndryshuar, e kaluara duket se është harruar, shumë personalitete politike kanë vdekur ose nuk janë më pjesë e politikës së përditshme, me një fjalë historinë e ka mbuluar pluhuri. Ndryshe është puna me librin “Kosova – beteja pa iluzione” të Darko Hudelistit. Ndonëse aty-këtu autori i ka kushtuar një rëndësi tepër të madhe detajeve të vlimeve politike në Kosovë, në përgjithësi ky libër edhe sot lexohet si roman kriminalistik mbi krizën në Kosovë në fund të viteve ‘80. Por, për dallim prej romanit, ngjarjet në Kosovë nuk janë fiksion, ato kanë ndodhur.

Shishja e Martinoviçit

Si moment kyç për nxitjen e pakicës serbe për të protestuar gjoja kundër shtypjes, torturës, presionit dhe gjenocidit të shqiptarëve (po, edhe fjala gjenocid është përdorur atëherë!) Darko Hudelist e sheh një artikull të revistës serbe “NIN”. Në numrin e 12 majit 1985 “NIN” kishte shkruar mbi rastin Gjorgje Martinoviç. Ky punëtor i Shtëpisë së Armatës në Gjilan, më datën 1 maj 1985 ishte gjetur i lënduar në arën e tij dy kilometra larg qytetit. Mediat serbe kishin shkruar se Martinoviç ishte keqtrajtuar nga shqiptarët, të cilët ia kishin futur një shishe në anus. Më datën 4 maj 1985, në pesëvjetorin e vdekjes së Josip Broz Titos dhe gati katër javë pas vdekjes së Enver Hoxhës, gazeta “Politika” e Beogradit njoftoi se “këtë krim e kishin kryer terroristët shqiptarë” (“šiptarski teroristi”). Martinoviç u quajt menjëherë martir i kombit serb.

Revista “NIN”, lidhur me këtë rast, që në hyrje të artikullit shkruante: “Pse ende po na befasojnë rastet drastike në Kosovë? A duhet njeriu të frikësohet në vendin e tij, në arën e tij dhe të ikë nga fqinji i tij? A do t’i ndihmojmë këtij njeriu që më në fund të çlirohet nga kjo frikë?”

Apeli i drejtohej politikanëve udhëheqës serbë dhe ishte uverturë e fushatës mediale kundër shqiptarëve të Kosovës. Në mesin e shqiptarëve në atë kohë dyshohej se Martinoviç ishte vetëlënduar duke bërë eksperimente homoseksuale. Rasti “Martinoviç” shërbeu si ndezje iniciale e lëvizjes protestuese të pakicës serbe në Kosovë. Nga perspektiva e sotme mund të thuhet se nga shishja e thyer e Martinoviçit kishte dalë djalli i luftërave të mëvonshme nga Sllovenia në Kosovë.

Në vitet në vijim (1985-1989) një pjesë e madhe e serbëve, sidomos ata të Fushë-Kosovës dhe fshatrave përreth, të prirë nga elementë nacionalistë dhe shovinistë, organizuan me dhjetëra mitingje në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, duke u ankuar për gjoja zullumin e shqiptarëve.

Darko Hudelist i përshkruan me hollësi gjithë këto tubime, në të cilat dominonin parullat luftënxitëse dhe kërkohej që Kosova të vihej nën administrim ushtarak. Njëkohësisht zëdhënësit e kësaj lëvizjeje të organizuar edhe me ndihmën e oficerëve të pensionuar si Radisav V. Filipoviçi kërcënonin se “populli serb” do të largohej kolektivisht nga Kosova nëse nuk “luftohet irredentizmi dhe separatizmi shqiptar”.

Jo të gjithë gazetarët e Beogradit e përcillnin me duartrokitje “zgjimin nacional serb në Kosovë”. Në numrin e 21 qershorit të vitit 1986 gazeta “Borba” kritikonte manipulimin me serbë dhe shpërndarjen e thashethemeve nga grupet destruktive për “nisjen e organizuar të qytetarëve të nacionalitetit serb dhe malazez drejt Beogradit”, ku nga drejtuesit politikë kërkohej “intervenim në Kosovë”. Të dirigjuar nga militantët politikë, serbët dhe malazezët do të shkojnë disa herë në mënyrë të organizuar në Beograd, ku do të dëgjojnë fjalime të zjarrta dhe premtime të mëdha për të “vendosur rendin në krahinën tonë jugore”.

Zemërimi i Azem Vllasit

Kryetari i atëhershëm i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Azem Vllasi, në një takim me gazetarë të huaj kishte deklaruar se prapa veprimtarive nacionaliste në Fushë-Kosovë dhe në Beograd qëndrojnë “nacionalistët e përbetuar serbë të prirë nga Dobrica Qosiçi, Miodrag Bulatoviçi dhe Vuk Drashkoviçi”. Se gjithçka ishte e orkestruar mund të kuptohet nga përmbajtja e parullave gjatë mitingjeve të mbajtura në Beograd dhe gjetiu: “Ne jemi robër”, “Kosova është Serbi”, “Poshtë ballistët”, “Ku është udhëheqja”, “Ejani me neve” (në Kosovë, v.j.) etj. Situata eskalonte me shpejtësi të valëve të detit të trazuar. Pas çdo incidenti banal, siç ishte ndonjë rrahje mes fëmijëve serbë dhe atyre shqiptarë, pasonin tubime masive protestuese.

Si “dëshmi” ndaj opinionit jugosllav mbi “agresivitetin” e shqiptarëve pala serbe e komercializoi politikisht ngjarjen në kazermën e Paraçinit në Serbi: Më 3 shtator 1987 ushtari Aziz Kelmendi, sipas versionit zyrtar, vrau katër ushtarë, një serb, dy boshnjakë dhe një kroat. Në shenjë proteste në Serbi menjëherë u sulmuan disa dyqane të shqiptarëve dhe goranëve. Rrethanat e këtij incidenti kanë mbetur të mjegullta, madje ekzistojnë supozime se masakrën e kishte organizuar shërbimi sekret i Armatës Popullore të Jugosllavisë.

Njëkohësisht nën presionin e rrugës filloi një fushatë masive kundër liderëve apo ish-liderëve politikë të shqiptarëve të Kosovës. Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës pranoi propozimin që nga radhët e Lidhjes Komuniste të përjashtoheshin Mahmut Bakalli, Xhavit Nimani, Ymer Pula, Xhevdet Hamza, Ismail Bajra, Sefedin Batalli dhe Mustafë Plakiçi për shkak të rolit të tyre, siç thuhej, “negativ”, i cili kishte ndikuar në eskalimin e “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”.

“Ne dy vëllezër bashkë luftojmë”

Lufta verbale u ashpërsua dukshëm në vjeshtë të vitit 1987, kur dikush nga radhët e mitingashëve serbë nxori nga naftalina një deklaratë të Fadil Hoxhës, të cilën, siç nënvizohej, lideri shumëvjeçar komunist i Kosovës e kishte bërë në vitin 1986 në Prizren gjatë një takimi joformal me oficerë rezervë të Armatës Popullore të Jugosllavisë. Sipas propagandistëve serbë, Fadil Hoxha kishte thënë se “në kafehanet private në Kosovë duhet lejuar të sillen femra nga viset e tjera të Jugosllavisë dhe me to të kënaqen ata individë, të cilët po i dhunojnë femrat e nacionaliteteve të tjera; shqiptaret nuk duan të jetë të tilla, kurse serbet dhe të tjerat do të dëshironin, atëherë pse të mos ua lejojmë”.

Ndonëse Fadil Hoxha kishte mohuar të ketë bërë një deklaratë të tillë, vala e protestave të grave serbe ishte e pandalshme. Gjatë një tubimi në Prishtinë, më 16 tetor 1987, qindra gra serbe këndonin këngën “Ne dy vëllezër bashkë luftojmë”, kërkonin armë dhe administratë ushtarake në Kosovë dhe klithnin parullën “Kokën e japim, Kosovën s’e japim”.

Njëzet vjet më vonë, në vitin 2009, këto parulla ende janë në përdorim. Një tubim i mbajtur në Fushë-Kosovë më 21 tetor 1987 kundër “deklaratës” së Fadil Hoxhës, sipas Darko Hudelistit, më shumë i përngjante një spektakli para një ndeshjeje futbolli apo projeksioni të një filmi. Gra nga katundi, gjysmanalfabete, mbanin fjalime politike me kërkesa ekstreme. Një fjalë përmendej nga të gjithë, gra e burra: diferencim. Domethënë largim i të gjithë atyre politikanëve shqiptarë që i kundërviheshin politikës agresive serbe. Përveç kërkesave bizare ishte kompozuar edhe një këngë kundër Fadil Hoxhës (“Mos lejoni komunistë të vërtetë/ Që unitetin ta shkatërrojnë ballistët e shkretë/ Fadil Hoxhë, ti tradhtar i vjetër/Ende mendja të shkon te një harem tjetër”).

Në tubime e mitingje zakonisht prezantoheshin edhe “statistika” mbi rastet e dhunës kundër serbëve në Kosovë. Për të vërtetuar nëse këto pretendime të grave dhe burrave serbë ishin të vërteta Hudelist drejtohet në Sekretariatin e Punëve të Brendshme të Kosovës (SPB), ku takohet me Jusuf Karakushin, atëbotë nënsekretar krahinor në SPB.

Faktet, sipas Karakushit, janë këto: Nga marsi 1981 deri në fund të vitit 1987 në Kosovë janë regjistruar dy vrasje, ku shkaktarë kanë qenë shqiptarët dhe viktima serbët apo malazezët (në fakt të dy rastet kishin ndodhur në vitin 1981). Në të njëjtën kohë kishin ndodhur tri vrasje, ku viktima ishin shqiptarët dhe doras serbët apo malazezët. Dhunimet: gjatë vitit 1987 nuk ishte shënuar asnjë rast. Nga viti 1982 deri në tetor të vitit 1987 në Kosovë ishin regjistruar 16 raste dhunimi, ku viktima ishin serbet apo malazezet dhe shkaktarë shqiptarët. Në të njëjtën kohë ishin evidentuar 138 raste dhunimi dhe 152 përpjekje për dhunim, ku viktimat dhe shkaktarët ishin të përkatësisë së njëjtë etnike. Sulmet me thikë: gjatë vitit 1987 ishte regjistruar një rast i tillë në Pejë, ku një shqiptar kishte atakuar një serb. Pala serbe kishte përmendur edhe rastin e vendosjes së një bombe në një shkollë fillore në Fushë-Kosovë. Në lidhje me këtë Karakushi kishte deklaruar: “Kjo është një dezinformatë e pastër, sigurisht e plasuar me qëllim të krijimit të pasigurisë mes nxënësve dhe opinionit të gjerë”.

Në vjeshtë të vitit 1987 në Prishtinë qarkullonte kjo barsoletë: Rreth një serbi, i cili futet në autobus, të gjithë shqiptarët të krijojnë një rreth, në mënyrë që askush gjatë udhëtimit të mos ia shkelë këmbën se kushedi si do të interpretohet kjo.

Libra nga Shqipëria

Në librin e tij Darko Hudelist shpesh e citon publicistin kosovar Shkëlzen Maliqi, i cili në fund të viteve 80-të, bashkë me Veton Surroin, Isuf Berishën, Blerim Shalën, Ibrahim Rugovën dhe të tjerë përfaqësonte mendime jokonformiste, shpeshherë edhe të guximshme për rrethanat e atëhershme. Në një mënyrë mendimet e këtyre publicistëve shënojnë fillimin e rezistencës aktive kosovare kundër politikës së Beogradit, e cila synonte heqjen e autonomisë së Kosovës. Surroi, atëbotë gazetar i së përditshmes “Rilindja”, kishte zhvilluar një intervistë të rëndësishme me ekonomistin kroat Branko Horvat, i cili sapo kishte botuar një libër mbi çështjen e Kosovës, ku kritikonte politikën e gabuar të Jugosllavisë në Kosovë dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.

Maliqi, ndërkaq, në bisedë me Darko Hudelistin angazhohej për “kontakte normale me Shqipërinë” dhe “që të kemi libra nga Shqipëria, që të mund të udhëtojmë në Shqipëri ashtu siç shkojmë në Beograd, që të kemi atje miq ashtu siç i kemi në Beograd. Mes nesh ekziston nevoja për një hapësirë kulturore shqiptare, një nevojë që nuk duhet të politizohet, siç po veprohet zakonisht. Nuk mund të ekzistojë në Kosovë Instituti Albanologjik dhe të mos jetë i lidhur me rezultatet e kësaj shkence në Shqipëri”. Sipas Maliqit ndërprerja e kontakteve mes Kosovës dhe Shqipërisë pas demonstratave të vitit 1981 më shumë i kishte ndihmuar regjimit të Enver Hoxhës se sa Jugosllavisë: “Profesorët dhe shkencëtarët nga Shqipëria shihnin me sytë e tyre se cilat janë të drejtat tona politike dhe standardi jetësor, kështu që një gjë e tillë ndikoi mjaft në deziluzionimin e perceptimeve të tyre dogmatike dhe kishte efekt erozioni në sistemin e atjeshëm politik”.

Në librin “Kosova – beteja pa iluzione” Hudelist boton edhe pjesën thelbësore të një interviste me Shkëlzen Maliqin, në të cilën publicisti kosovar kishte kritikuar një pjesë të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët e humbnin kohën ose duke tjerr romantizëm nacional ose duke vjedhur punime të autorëve nga Jugosllavia e atëhershme për të shkruar teza doktorature. Për fat të keq kjo gjendje në UP nuk ka ndryshuar as sot, 20 vjet pas botimit të librit të Darko Hudelistit. Në intervistë Maliqi në kontekst negativ apostrofon funksionarin komunist Ali Shukria. Ky i fundit për t’iu kundërvënë Maliqit e kishte lutur profesorin Hasan Mekuli, atëbotë drejtor i Bibliotekës Krahinore, që të shkruajë një kundërpërgjigje në revistën “Start” të Zagrebit, ku ishte botuar intervista. Por, Hasan Mekuli e kishte kaluar këtë presion me heshtje stoike. Në fund ishte shfaqur regjisori Agim Sopi, i cili me një gjuhë tepër të ashpër e kishte akuzuar Maliqin për “mentalitet kurve” vetëm pse ky ishte shprehur në mënyrë kritike kundër disa anomalive në skenën e atëhershme intelektuale të Kosovës. Reagimin e Agim Sopit, gjithsej gjashtë faqe të formatit A4, nuk e kishte botuar as revista “Start” as “Danas”. Sipas Darko Hudelistit arsyeja pse regjisori Sopi kishte reaguar aq ashpër ishte një tekst i Shkëlzen Maliqit në revistën kulturore “Fjala”, në të cilin kishte kritikuar negativisht filmin “Njeriu prej dheu” të Sopit.

Gërshërët e burokratëve

Sa i përket muzikës rok në Kosovë në gjysmën e dytë të viteve ‘80, duhen shkruar dy-tri fjali. Në librin e tij Hudelist i përmend dy burokratë (shkrimtarët Rifat Kukaj dhe Rrahman Dedaj), të cilët në fund të viteve ‘80 rokun e shihnin si të dëmshëm për rininë kosovare. Gjithnjë sipas publicistit kroat poetit Rrahman Dedaj nuk i kishte pëlqyer kënga “Të gjitha rrugët çojnë në Prishtinë” të grupit “Gjurmët”, sepse në tekst përmendej “instrumenti popullor” çiftelia, i cili, sipas kësaj mendësie, asocionte në romantizmin nacional shqiptar. Pas këtij intervenimi, Radio Prishtina për një kohë të shkurtër kishte ndërprerë emetimin e kësaj kënge. Më vonë kënga ishte emituar madje edhe në Televizionin e Prishtinës. Pre e gërshërëve të censurës kishte rënë kënga “Amerika” e grupit “Minatori”. Kënga fliste për shqiptarët e Kosovës, të cilët përmes kufirit të Meksikës shkonin në Amerikë si punëtorë fizikë. Siç shkruan Hudelist në këtë këngë fjalët “Shtëpia e Bardhë” ishin zëvendësuar me “Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ndërsa vargu “Marijuanë, LSD” ishte shndërruar në: “Gjendja atje matanë është e zbrazët”.

Të njëjtën nafakë të keqe e pësoi edhe kënga “Vokrri, Vokrri” e vitit 1984. Vargu “Banorët thërrasin policinë” ishte ndryshuar në “Banorët dalin jashtë dhe ankohen”, vargu tjetër “katet e larta” ishte zëvendësuar me “kati i tetë”. Hudelist shkruan: “Përndryshe në Kosovë zyrtarisht nuk ekziston censura, ashtu siç nuk ekzistojnë të ashtuquajturat komisione për shund, por problemi është te shkrimtari për fëmijë Rifat Kukaj, të cilin TV Prishtina e ka angazhuar gjoja si lektor me honorar. (…) Secilën herë para se të futet në studio për të incizuar kompozimin e ri (për radio, televizion apo kasetë) rokeri është i obliguar që tekstin e tij të ri t’ia dorëzojë Kukajt për shqyrtim. (…) Rrallë ndodh që ndonjë përpjekje më e angazhuar t’i shpëtojë gërshërëve të tij”.

Kështu ka qenë Kosova në fund të viteve ‘80, sot e njëzet vjet më parë. Këtë atmosferë e sjell në mënyrë autentike libri i Darko Hudelistit “Kosova – beteja pa iluzione”.

Atëbotë Evropa nuk i kushtoi ndonjë rëndësi zhvillimeve në Ballkan. Më 11 nëntor 1989 u shkatërrua Muri i Berlinit pa asnjë plumb të shkrepur, regjimi komunist i Gjermanisë Lindore u dorëzua, njëjtë vepruan edhe regjimet e tjera nga Polonia deri në Bullgari. Evropa Lindore u përfshi nga një revolucion demokratik. Njëkohësisht Ballkani filloi ecjen e frikshme drejt greminës, luftërave, spastrimeve etnike, masakrave dhe gjenocidit.

Rugova në “Der Spiegel”

Derisa fushata serbe kundër autonomisë së Kosovës filloi në vitin 1985 me një tekst në revistën “NIN” për rastin e Gjorgje Martinoviçit, kundërpërgjigjja më e fuqishme në adresë të propagandës serbe nga pala shqiptare pasoi katër vjet më vonë. Në numrin e 26 qershorit 1989 revista gjermane “Der Spiegel” solli një intervistë me kryetarin e atëhershëm të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Intervista u botua dy ditë para tubimit të serbëve në Gazimestan me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, me ç’rast lideri i ri serb Sllobodan Millosheviç kishte paralajmëruar luftëra të reja në Jugosllavi. Këtë tubim Rugova atëbotë e quante “një provokim” të Beogradit. Lidhur me gjendjen e atëhershme në Kosovë dhe tubimin në Gazimestan Rugova kishte deklaruar: “Është një kremtim i pastër serb dhe shovinist. (…) Miti shovinist i Fushë-Kosovës është krijuar në shekullin e 19, pas themelimit të shtetit serb. (…) Një milion serbë të acaruar, të cilët vendosen nëpër hotele, motele dhe banesa private në gjithë Kosovën. Ata do të pinë dhe do të rrahin gjoks. Një fjalë e gabuar mund të ndikojë si shkëndijë për të ndezur fuçinë e barutit. (…)

Është momenti i fundit që të ndërhyhet dhe të ndërpritet arbitrariteti serb. Pjesë e strategjisë së represionit është edhe synimi për të rehabilituar ministrin famëkeq të punëve të brendshme (Aleksandar) Rankoviç. Kështu po synohet të arsyetohet shtypja e përgjakshme në Kosovë, e cila ka ndodhur në të kaluarën. (…) Numri i gjimnazistëve shqiptarë po reduktohet në mënyrë drastike. Vetëm këtë vit 11 mijë nxënës shqiptarë do të jenë të detyruar të përfundojnë shkollimin e tyre vetëm me dëftesë të shkollës fillore, sipas motos: Shqiptarët budallenj janë më pak të rrezikshëm. (…) Nëse Serbia vazhdon ta shtypë identitetin tonë nacional, atëherë do të ketë kryengritje”.

Kjo kryengritje eskaloi në luftë dhjetë vjet më vonë, më 1999, me aksionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kulmoi me intervenimin e NATO-s. Një vit pas luftës, më 16 prill 2000, “Der Spiegel” solli një intervistë tjetër me Rugovën, e cila edhe sot është aktuale, sepse, përkundër shpalljes së pavarësisë, shumë gjëra kanë mbetur pezull. Sipas Rugovës “Beogradi ende është fuqi ushtarake, NATO nuk e ka asgjësuar ushtrinë serbe. Qëllimi i Millosheviçit është destabilizimi permanent i Kosovës, me qëllim të pengimit të demokratizimit dhe sanimit ekonomik të Kosovës”.

Nëse bashkësia ndërkombëtare do të përpiqej të integronte Kosovën në Jugosllavi, atëherë, sipas Rugovës, “do të shpërthejë një luftë e re. Ne të gjithë, mbarë populli i Kosovës, do të hidhemi mbi barrikada. Në Kosovë po ashtu ka qarqe politike që kërkojnë bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Në Maqedoni jetojnë 35 për qind shqiptarë, edhe në Mal të Zi numri i tyre po rritet. Ne jemi një populli ndarë. Një konfederatë me Shqipërinë është çështje e të ardhmes. Aktualisht populli i Kosovës është i interesuar për shtetin e pavarur – dhe kjo duhej të ndodhte më mirë dje se sa nesër. (…) Ne duhet të kemi ushtrinë tonë, që të jemi të mbrojtur nga sulmet serbe”.

Lidhur me takimin e tij me Millosheviçin gjatë sulmeve të NATO-s dhe kritikave të ashpra kundër tij nga radhët e disa rivalëve politikë shqiptarë në Kosovë Rugova në këtë intervistë thoshte: “Populli ynë kurrë nuk ka dyshuar në sjelljet e mia. Kjo ka qenë vetëm propagandë primitive nga Tirana dhe Beogradi. Sikur nesër të mbaheshin zgjedhjet presidenciale, unë do t’i fitoja ato sërish. Kosovarët janë të aftë të vlerësojnë diçka të çmueshme”.

– 20 vjetori i rënies së Murit të Berlinit, 10-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s, ngjarjet e bujshme, betejat politike, polemikat dhe intervistat në shtypin evropian të politikanëve të Prishtinës janë gjithashtu pjesë e trashëgimisë politike të Kosovës. Të gjitha këtyre zhvillimeve do iu duhej kushtuar një vëmendje e duhur edhe sot, në ditët e jubileut të madh, kur Evropa u çlirua nga një revolucion paqësor dhe kur në Kosovë u masivizua lëvizja për liri dhe pavarësi.

1 COMMENT

  1. Hipokriti kompillator me firmen Robeli
    Shkodra ne mbamendjen historike te shqiptareve eshte simbol i qytetit dhe qytetarise se terrorizuar nga komunizmi, ashti sikur eshte Aushvici per hebrenjet. Te botosh nje pashkville qe pretendon te amniston, madje ti nxjerr si pishtar te demokracise, mbeturinat me ekzemplare te komunizmit serbo-jugosllav ne nje portal qe mba emrin e Shkodres, eshte me shume se hipokrizi. Eshte krim. Pikerisht ky fakt, me nxiti te shkruaj kete reagim, per nje njeri me emrin Enver Robeli, i vetquajtur gazetar, sherbtori i perjetshem i ekstremit te majt dhe nostalgjikeve jugosllav. Nje artikull i kompilluar ne forme te anatemave te policise staliniste, nje sajese tejet shpifese qe pretendon te mbeshtetet ne librin e z. Darko Hudelist, i cili citohet ne mnyre selektive, me emra e fjale te nxjerra nga konteksti dhe te riformuluara ne forme inverzive, i lexuar me nje dioptri skajshmerisht tendencioze dhe me nje qellim te vetem teper pretencioz: autroi i artikullit Enver Robeli, i cili vie nga kruzhoqet pro-jugosllave dhe pro-serbe te cilat ishin nje lloj megafoni zhdanovist ne kohen e okupimit te Kosoves, tashti perpiqet qe t’i rehabilitoj eksponentet me dogmatik dhe me stalinist, ‘junoshat’ e perkdhelur e te nxitur ne gjahun permanent kunder ‘armiqeve dhe nacionalsiteve shqiptar’, pararojet e LKJ /Lidhjes Komuniste te Jugosllavise/ te cilet sot e kesaj dite derdhin lote krokodili per Serbine dhe Rusine. Fjala eshte per themeluesit e UJDI-t /Udruzenje za Jugosllavensku Iniciativu/, nje partie te derivuar nga Lidhja Komuniste e cila pretendonte te ruante Serbine dhe Jugosllavine me te gjitha mjetet. Pra, fjala eshte per ekspozituren e kesaj sajese politike ne Kosove, gjegjesisht, themeluesit e saj si ‘shoku’ Veton Surroi, Shkelzen Maliqi, Astrit Salihu, Blerim Shala, Ylber Hysa, Jusuf Berisha, e disa te tjere. Nuk eshte fare cudi, qe kete kruzhok serbofil, ka tentuar ta rehabilitoj Serbia permes UNMIK-ut edhe ne Kosoven e pasluftes. E verteta e tritshme qendron ne faktin se shumica nga keta individ tani jane te infiltruar ne dy partite e dala nga lufta, duke shfrytezuar lidhjet e ketyre partive me te majten ekstreme nga Shqiperia e cila ne kontinuitet ka mbajtur lidhje te ngushta me te majten serbe dhe ruse. Eshte krejt e natyrshme qe ‘ujku qime nderron’, por eshte krejtesisht e pamoralshme qe keta ‘ujqer’ slavofil te trumbetohen si ‘nismetar te proceseve demokratike’ ne Kosove, madje te vehen ne te njejtin rrafsha me Ibrahim Rugoven, legjneden e demokracise, qytetarise dhe liberalizmit, projektantin e pavarsise se Kosoves. Autori sikur harron qe babai i Shkelzen Maliqit, UDB-ashi famekeq Mehmet Maliqi, fytyra me e erret dhe me e urryer ne historine e Kosoves, nje kriminel dhe ekzekutor i pameshirshem, ishte edhe pjese e skadronit te ekzekutimit te babait dhe gjyshit te Ibrahim Rugoves.
    Ne mnyren me te paturpshme, autori i kesaj pashkville, perpiqet te nxjerr si ‘censor e stalinist’ njerin nder poetet me te mire shqiptar, z. Rrahman Dedaj-n, poezia e se cilit eshte perkthyer ne me shume se njezete gjuhe te botes. Tendenca eshte fare e tejdukshme per njohesit e rrethanave te kohes. Rrahman Dedaj ishte njeri nder kundershtaret me te ashper te Ali Shukrise dhe Mehmet Maliqit, dy kriminelve dhe serbofileve me te eger ne historine e Kosoves /kur them kriminel, kam parasysh se Ali Shukria dhe Mehmet Maliqi, personalisht kane ekzekutuar me shume se treqinde shqiptar qysh mga koha e NDSH-se e deri ne kohen e Rrahman Morines/. Autori i ketij lloj pamfleti madje shkon edhe me larg kur merr guximin ta amnistoj, madje ta nxjerr si nje lloj liberalisti edhe Shkelzen Maliqin, autorin qe kishte udhehequr fushatat kunder artit dhe kultures shqiptare ne vitete 80-90 ne Kosove /fushatat kunder Anton Pashkut, Sabri Hamitit, Mehmet Krajes, Teki Dervishit, Azem Shkrelit, etj./. Shkelzen Maliqi kishte udhehequr edhe fushaten kunder kult filmit ‘Njeriu prej dheu’ te Agim Sopit. Shkelzen Maliqi, se bashku me tri kryesite e Jugosllavise dhe qarqet ekstreme nacinaliste serbe, natyrisht me gjithe suportin e t’atit Mehmet Maliqit si shef i UDB-se, si dhe te vellaut te tij Gazmend Maliqit, inspektorin e larte te UDB-se se Serbise, kishin arritur te dekretojne nje ndalese te nivelit suprem per filmin ‘Njeriu prej dheu’. Ishte ky filmi i vetem i ndaluar me dekret ne gjithe historine e ish-Jugosllavise, me motivacione politike sepse trajtonte per teme perndjekjen e shqiptareve nga Kosova, ne kohen kur politika shoviniste jugasllavo-serbe trumbetonte se nga Kosova kinse ‘po perndiqeshin serbet’. Vlen te permendet se kjo kohe, kur shef i UDB-se se Kosoves ishte Mehmet Maliqi famekeq, neper duart e policise u ‘trajtuan’ rreth 700.000 shqiptar te Kosoves, cifer te cilen e pati nxjerr Azem Vllasi ne Kuvendin e Jugosllavise se atehershme. Pra kruzhoku famkeq i sherbetoreve qe mbanin emra shqiptar si Ali Shukria, Mehmet Maliqi, Kole Shiroka, Rahman Morina, se bashku me te bijte, Shlezen e Gazmend Maliqin, Veton Surroin, Astrit Salihun, Blerim Shalen, Jusuf Berishen, Ylber Hysen, e ndonje tjeter, ishin eksponentet me energjik te shkaterrimit te autonomise se Kosoves. Keta eksponent famekqinje, pararoje te nje sistemi te eger dhe dehuman qe fatbardhesisht perfundoj ne pleherat e historise, keta kameleon te infiltruar tani ne partite ‘injorante te zbritura nga mali’ sikur i quajne ata me ironi kujdestaret dhe padronet e vet te rinje /fjala eshte per PDK-ne/, nuk them se nuk meritojne te jetojne dhe veprojne te lire ne Kosove, por keta militant komuniste nuk kane asnje te drejt morale e as njerzore qe te perpiqen te rishfaqen si ‘dishepuj te demokracise’ dhe proceseve liberale e shtetformuse qe kane ndodhur ne Kosove. Derisa Ibrahim Rugova kishte shpallur pavarsine dhe po krijonte institucionet paralele te Kosoves duke u perpjekur me energjite e fundit ta shkepuste Kosoven nga kthetrat serbe, kruzhoku i Mliqeve, Surrojve, Salihve e Hysajve, benin thirrje te parreshtura qe shqiptaret e Kosoves te dilinin ne zgjedhjet e Serbise dhe ta njihnin Serbine si shtet te vetin, si te vetmen alternative. Kurse nga Tirana, vinte ‘kushtrimi’ i babait te tyre ideologjik, shokut Fatos Nano, i cili u sugjeronte shqiptareve te Kosoves se ‘rruga e ardhmerise se tyre, kalon neper Beograd’. Ne nje shtet te civilzuar keta njerze do te duhej te perballeshin me drejtesine dhe te jepnin llogari per gjithe ato jete njerezish te shkaterruara me ‘meriten’ e tyre gjat kohes se terrorit komunist, por ja qe ne jemi ‘me katolike se Papa’ dhe kemi vullnet per t’i amnistuar, por megjithate, keto kreatyra famekqinja, te pakten, nuk kane te djete morale te pretendojne te rishfaqen si engjuj, sepse djalli edhepse di te shperfytyrohet, megjithate mbetet djall!

    Agron Berisha
    Prishtine

Comments are closed.