Andrea Stefani, 05.04.2011
Në 2 prill 2011, Kryeministri Sali Berisha u përkul me kurora lulesh mbi monumentin e 4 martirëve të demokracisë të vrarë 20 vjet më parë, ndërsa protestonin për dhunimin e zgjedhjeve nga pushteti komunist. Foli edhe për lirinë. Një farsë që nuk mund mos të të kujtojë ish-diktatorin Enver Hoxha që përkulej mbi varre martirësh të lirisë ndërsa besnikët e tij derdhnin gjakun e të tjerë martirëve të lirisë.
Ekzagjerojmë? Aspak! Sepse pushteti i “demokratit” Berisha sapo ka vrarë me plumba 4 martirë që protestonin ashtu si 20 vjet më parë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka për dhunimin e zgjedhjeve nga pushteti. Katër martirë në Tiranë dhanë jetën po për të njëjtën kauzë që dhanë jetën 4 martirë në Shkodër, për kauzën e demokracisë dhe të lirisë. Gjaku i tyre tashmë është bërë bashkë në një rrjedhë të pavdekshme të gjakut të derdhur për liri. Për një liri që nuk ka ardhur ende në Shqipëri.
Prandaj, masakra e 2 prillit u përsërit më 21 janar. Duket sikur akrepat u rrotulluan dy dekada praptazi për të demaskuar natyrën gjakatare të një pushteti që vetëquhet “demokratik”. Dhe një masakër që përsëritet nuk është rastësi. Ajo ringjau, sepse kohët nuk kanë ndryshuar thelbësisht në Shqipëri. Dhe ato që thotë Berisha për veten dhe pushtetin e tij nuk kanë vlerë. Siç nuk para kanë vlerë mburrjet që një njeri thotë për vetveten. Edhe diktatura komuniste vetëquhej “demokraci e vërtetë”. Dukuria nuk është e panjohur. Të gjithë diktatorët e kësaj bote, nga Cezari e deri te Gedafi, janë vetëquajtur demokratë.
Edhe “popujt” kanë duartrokitur jo pak për ta. Por kjo nuk i ka penguar të vrasin popullin kur populli ka kërcënuar pushtetin e tyre. Këtë sapo bëri edhe Berisha. Ai sapo ka vrarë popullin. Nuk ka vrarë aq shumë sa Ben Aliu apo Gedafi? Ndryshimi është vetëm sasior. Ashtu si nuk duhet pirë e tërë fuçia për të provuar verën nuk duhet pritur që një qeveri të vrasë me dhjetëra apo qindra qytetarë, për të kuptuar natyrën gjakatare të saj. Berisha dhe kandidati tij për Tiranën, Lulzim Basha, sapo kanë vrarë demonstrues që protestonin për votën e lirë siç u protestua 20 vjet më parë në Shkodër.
Plumbat luftarakë që vranë Ziver Veizin, Faik Myrtën, Hekuran Dedën, Aleks Nikën kanë rivrarë edhe Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën. Martirët rivriten kur goditet ideali i tyre. Kryeministri Berisha ka rivrarë të rënët për demokraci dhe liri që të varrosë përfundimisht idealin e lirisë dhe demokracisë! Faktet, tej propagandave, rrenave, frikave dhe nënshtrimeve, nuk ofrojnë tjetër shpjegim. Është një e vërtetë që kullon gjak dhe dhimbje. Prandaj dhe kurorat që vendos sot Berisha mbi varre martirësh, janë një farsë skllavërie që gjakun e derdhur për liri e demokraci, kërkon ta shndërrojë në beton për themelet e një sundimi të ri.
* * *
Për diktaturën mund të thuhet ajo që Dritëro Agolli thotë për pleqërinë. Sepse edhe diktatura:
Vjen ngadalë e pakuptuar
Pa zile, pa këmborë
…………………………………………
Dhe nuk e ndjen tek avitet qafiren plakë
Se nuk trokasin nallanet në sokakë
20 vjet nga varrosja e diktaturës komuniste, një diktaturë e re po mbulon Shqipërinë. Por të përgjumur nga përbetimet e Berishës për integrimin në Europë, shqiptarët nuk po e ndiejnë qafiren plakë, megjithëse krismat e armëve të saj gjakatare rrëzuan 4 martirë të lirisë dhe demokracisë mu përpara zyrave dhe penxhereve të Kryeministrit. Mos vallë disa shqiptarë kanë filluar përsëri të mendojnë se edhe sot pushteti popullor ka përsëri të drejtë të vrasë si dikur “në emër të popullit dhe lirisë”?
Janë po këta shqiptarë që kërkuan dy dekada më parë liri dhe demokraci kundër pushtetit vrastar? Nëse do të vësh një fëmijë në gjumë tregoi një përrallë. Kjo përvojë paska vlerë edhe për një shoqëri. Përrallat me integrim që po vazhdojnë prej 20 vjetësh dhe që Berisha ia tregon për natë shoqërisë shqiptare nga ekrani i televizorit, e kanë vënë në gjumë të thellë një pjesë të saj, duke e bërë të paaftë të lexojë dhe kuptojë realitetin.
Të shpresojmë se gjaku i 4 martirëve do i zgjojë, do u hapë sytë. Nëse pyet sot ndonjë nga mbështetësit apo votuesit e Berishës se a është normale të vriten me plumba luftarakë disa demonstrues, mund të dëgjosh përgjigje nga më vulgaret e deri te më të sofistikuarat. Por të gjitha do të rreken të përligjin vrasjet po ashtu sikundër 20 vjet më parë, njerëzit përligjnin vrasjen e kundërshtarëve të regjimit komunist “në emër të popullit”. Si çdo diktaturë edhe kjo “demokratikja” po hedh rrënjë në “popull”, po kërkon viktimat që e ushqejnë, e rrisin. Vrasjet e “drejta” po fitojnë përsëri qytetarinë.
Por a nuk është skandaloz ky recidivizëm kriminal që përligj deri edhe marrjen e jetës së njeriut?! Apo mos vallë duhet të pranojmë se ai, komunisti, nuk kishte të drejtë të vriste ngaqë ishte pushtet i keq dhe nuk e bënte një krim të tillë realisht në emër të popullit kurse ky i sotmi, “demokratiku”, është një pushtet i mirë që ka të drejtë të vrasë, sepse e bën një gjë të tillë vërtet në emër të popullit, lirisë dhe demokracisë? Duhet të pranojmë përsëri se ka vrasje të mira dhe vrasje të këqija, vrasje kriminale dhe jo kriminale? Një gjë e tillë do ishte blasfemi kundër Sovranit dhe Zotit.
Sepse në Shqipëri, Sovrani e ka ndaluar me ligj marrjen e jetës së një njeriu, ndërsa vetëm Zoti është ai që ruan të drejtën ta marrë një jetë njerëzore që vetëm ai e jep. Të vrasësh një jetë është të dhunosh vullnetin e sovranit dhe sovranitetin e Zotit. Ndaj këta shqiptarë që e ngrenë pushtetin e radhës mbi sovranitetin e popullit dhe të Zotit, që i falin një pushteti të drejtën e vdekjes, duhet të kuptojnë, sa nuk është vonë, se interesat e vogla, nevoja për mbijetesë, uria apo lakmia i kanë shndërruar në besnikë të një qeverisjeje tashmë gjakatare.
Njësoj si ndodhi për 45 vjet nën regjimin komunist me jo pak shqiptarë. Por nevoja për bukën e gojës, për një vend pune dhe aq më pak lakmia për pasurira përrallore, nuk do të jenë kurrë kauza të mjaftueshme për të përligjur mbështetjen e një qeverie apo pushteti që vret. Pak rëndësi ka si e quan veten ai pushtet “demokrat” apo komunist. Akti i vrasjes i rrafshon dallimet, fshin emblemat, asgjëson ngjyrat me të zezën e vdekjes. Pushteti që vret hyn pa shpëtim në kategorinë e pushteteve gjakatare.
Ashtu si një njeri që vret, hyn pa asnjë mundësi shpëtimi në kategorinë e kriminelit. Prandaj asnjë sofistikim, asnjë propagandë, asnjë shpifje, asnjë rrenë, asnjë heshtje e drejtësisë, asnjë diplomaci nuk do të mund ta shpëtojë qeverinë e Sali Berishës nga damka e krimit të përbindshëm të vrasjes së katër qytetarëve, katër baballarëve, katër vëllezërve, katër burrave, katër shqiptarëve. Ajo është tashmë një qeveri që i ka të lyera duart me gjak. Si mund të vazhdojë të votohet një qeveri e tillë?
Me masakrën e 21 janarit Berisha guxoi hapur të kapërcejë Rubikonin e jetës duke sfiduar atë në emër të një pushteti personal absolut dhe pa mbarim. Të njëjtën sfidë i bën Berisha jetës dhe lirisë, duke i kundërvënë për terror vdekjen, ndërsa guxon t’i ofrojë Tiranës, si kandidat për kryebashkiak, ministrin që orkestroi operacionin vrastar më 21 janar. Ofroi ministrin Basha, që përsëriti 2 prillin e kohës së diktaturës më 21 janar, në kohën e një “demokracie” të mbetur, por për faj të Berishës, pa demokraci dhe pa liri.