1913, 100 vjet pas copëtimit!

0
27

Nga Kreshnik Spahiu, 6 Janar 2013

Festimet e 100-vjetorit të pavarësisë demonstruan qartësisht sfidën e madhe që vijon të mbetet themelore në ardhmërinë e Kombit Shqiptar. 100 vjetori shpalosi unitetin e miliona shqiptarëve kudo në botë për të mbështetur aspiratën e pavaresisë dhe të bashkimit mbarëkombetar. Kurrë më parë, shqiptarët nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva dhe mërgimtar shqiptar nga gjithë bota nuk ishin mbledhur në Atdheun e tyre me një flamur, një dëshirë, një ide dhe një mision: bashkimin mbarë shqiptarë.

Dilemës nëse në Europë duhet të ketë një apo disa shtete shqipëtare ende nuk i është dhënë përgjigje. Bashkimi Shqipëri-Kosovë nuk është në kundërshtim me procesin e integrimit Evropian, por Shqipëria në rastin më të mirë bëhet anëtare e BE pas 15 viteve dhe Kosova shumë më vonë. Shtetit shqiptar i bie përgjegjësia të argumentojë te mbarë populli shqiptar në Shqipëri dhe Kosove, te aleatët ndërkombetar dhe te fqinjët tanë se Federata Shqipëri-Kosovë është në dobi të të gjithë shqiptarëve dhe të mbarë Ballkanit dhe në të njëjtën kohë nuk është kundër askujt. Bashkimi Shqipëri-Kosovë është fitore pa të humbur.

Kuvendit të ri që do dal nga zgjedhjet e ardhshme do ketë detyrimin politik që aspiratën e bashkimit Shqipëri-Kosovë ta realizojë duke i shërbyer me cdo kusht ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Rajon. Për 23 vite na u premtua integrimi dhe antarësimi në BE duke maipuluar gjithë publikun se bashkimi do të ndodhë në Bruksel. Koha e njeriut që kishte mision ndarjen, urrejtjen, izolimin po perëndon bashkë me tezat se shqipëtarët do bashkohen me njëri tjetrin atëhere kur të bashkohemi me grekët, serbët, rumunët apo italianët. Nëse nuk dimë të jetojmë me njëri tjetrin në familjen tonë nuk do kemi aftësinë të jetojmë me fqinjët nën një cati.

Inicimi i peticionit për referendumin mbarë shqiptar për bashkimin Shqipëri-Kosovë shënon vendimin politik fillestar mbarë popullor në Shqipëri e Kosovë, i cili do t’i hape rrugë zbatimit të një strategjie të përbashkët për të shtrirë në disa faza të mëtejshme për konsolidimin e këtij bashkimi si një proces që mbështetet në vullnetin e popullit shqiptar, në parimet e të drejtës ndërkombëtare, në principet e politikës së fqinjësisë së mirë, dhe të ruajtjes së paqes e stabilitetit në Rajon.

Shekulli i dytë i shqiptareve ka për mision të realizojë atë që mbeti përgjysëm nga etërit themelues të shtetit të pavarur shqiptar – bashkimin kombëtar Shqiperi-Kosove.

Mbas vendimit politik fillestar për bashkim, ky proces do të kaloje në disa faza që janë:

– krijimi e funksionimi i demokracisë në të dy shtetet shqiptare, nëpërmjet mbajtjes zgjedhjeve të lira e të ndershme, respektimit shtetit ligjor, respektimit lirive dhe të drejtave të njeriut e të pakicave etnike,

– krijimi i tregut të përbashkët ekonomik me liri të mallrave, shërbimeve, kapitaleve e njerezve; kjo ka të bëjë me përgatitjen e gjithë kuadrit ligjor rregulativ, të gjithë infrastrukturës dhe komunitetit të biznesit në dy anet e kufirit për lëvizjen e lire të mallrave , shërbimeve e kapitaleve; gjithashtu kjo parasheh sigurimin e heqjes së gjithë barrierave për lëvizjen e lire të njerëzve duke arritur deri te e drejta e qytetarisë së përbashkët, që i jep shqiptarëve në të dy anët e kufirit jo vetem të drejta të lëvizjes e punës, por dhe të drejtën e votës.

– unifikimi i politikave të brendshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, përafërimit të legjislacionit dhe forcimit të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë;

– unifikimi i politikave të sigurisë në kuadër të NATO-s dhe i politikës së jashtme në përputhje me interesat dhe vlerat tona Komb-Shtet.

Mbas këtyre fazave vjen natyrshëm konsolidimi i hapsires për federalizimin e dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës. Sistemi politik do bazohet në parimet e një federate thellësisht demokratike të tipit Amerikan ose Gjerman me kopetenca bazë makro-ekonomia dhe unioni fiskal;

-Siguria, që përfshin ushtrinë, policinë federale, agjensitë e sigurisë dhe shërbimet e inteligjencës;

-Politika e jashtme e diplomacia; me bazë strategjinë, prioritetet, kalendarin kohor të zbatimit dhe ngritjen e një strukture diplomatike të unifikuar brenda dhe jashtë;

Gjithë fushat e tjera mbeten kompetencë e njësive federale. Federalizimi po dëshmohet që është tendenca drejt të cilit po shkon edhe vetë Bashkimi Evropian i cili i ka hequr por nuk i ka ndryshuar kufijtë. Në këto trende, shqiptarët nuk kanë përse të mos i ngjiten modeleve demokratike më të suksesshme në botë dhe në Evropë.

E sikur të gjitha këto argumente politike juridike mbi Bashkimin e Shteteve Shqiptare të mos bindin një pjesë të faktorit shqipëtar apo ndërkombëtar, atëherë kush ka sy le të lexojë dhe kush ka veshë le të dëgjojë, që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë na detyron “të realizojmë aspiratën shekullore për bashkim kombëtar”. Nëse dikujt nuk i pëlqen ose nuk pajtohet me idenë e bashkimit atëherë le të guxojë të ndryshojë Kushtetutën e votuar nga populli. 100 vjet më parë luftoi Kosova e shpëtoi Shqipëria, një shekull më pas është rradha e Shqipërisë Londineze të kthej borxhin e të plotësojë amanetin e të rënëve për bashkim kombëtar.