15 “vizitat turistike” të Grossruck, në ditët kur SALIU merr vendime ekonomike

0
113

Nga Kledian Lula, kledianlula@yahoo.com

Vetëm 24 orë pas deklaratës që kryeministri Sali Berisha bëri me bujë të madhe në mbledhjen e qeverisë, duke e vetë-shpallur Shqipërinë si “Miss turizmi në planet”, zbriti në Rinas “turisti” i parë. Quhet Volfgang Grossruck. Edhe pse në Rinas e në “inventarin” e Ministrisë së Turizmit është shënuar si numër “turisti” i futur në Shqipërinë “moderne turistike”, në fakt ka ardhur si “turist politik e propagandistik”, i ftuar enkas për këtë lloj “turizmi” nga qeveria “Berisha”.

Ditën që erdhi Grossruck, madje vetëm 1 orë më parë, kishte përfunduar mbledhja e qeverisë “SALI” për privatizimin e aseteve të ndërmarrjeve, qendrave e objekteve sociale, ushtarake dhe ekonomike shtetërore. Madje Grossruck, kishte marrë me vete edhe një “ushtri turistike me biznesmenë” austriakë (siç i prezantoi), të cilët nuk besoj se duhet të kenë ardhur për detin dhe malet shqiptare, por siç e thanë, për listën e ndërmarrjeve që SALIU i ka nxjerrë me urgjencë në privatizim, tamam si të ishte plaçkë e vjedhur. Po kujtojmë 15 vizitat që ka bërë në Shqipëri, miku i kryeministrit SALI, deputeti austriak dhe Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Volfgang Grossruck.

1. Nëntor 2005: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, një ditë pasi qeveria vendosi privatizimin e ALB-TELECOM. Del në krahë të Sali Berishës, bënë deklaratë publike për sukseset e qeverisë dhe fitoren e luftës kundër korrupsionit.

2. Janar 2006: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, një ditë përpara se qeveria të vendoste privatizimin-koncensionar të Shërbimit të Transportit Rrugor (Targa-patenta, kolaudime makinash). Del në krahë të Sali Berishës, bënë deklaratë publike për sukseset e qeverisë, reformat efiçente, lirinë e medias dhe demokracinë e konsoliduar.

3. Maj 2006: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, 3 ditë pasi qeveria vendosi dhënien me koncension të industrisë së kromit dhe bakrit. Del në krah të Sali Berishës, bënë deklaratë publike për sukseset e qeverisë në privatizimin e ekonomisë, integrimin e shpejt në BE dhe fitoren e luftës kundër korrupsionit.

4. Tetor 2006: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, ditën që qeveria vendosi hapjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Del në krah të Sali Berishës, bën deklaratë për suksesin në luftën kundër varfërisë, korrupsionit dhe përmbushjen me sukses prej qeverisë, të rekomandimeve të OSBE ODIHR dhe pikave të paketës së parë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit

5. Shkurt 2007: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, vetëm 5 ditë përpara zgjedhjeve lokale dhe 22 ditë përpara mbledhjes së qeverisë për dhënien e lejeve për ndërtim fshatrash turistikë në bregdet. Del në krah të Sali Berishës, bën deklaratë publike për organizim zgjedhjesh me standarde dhe për gabimet e opozitës në këtë proces.

6. Tetor 2007: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck me investitorë austriakë, bullgarë e rumunë, takohet me kryeministrin SALI, 10 muaj përpara përpara mbledhjes së qeverisë për koncensionet e hidrocentraleve. Del në krahë të Sali Berishës, bënë deklaratë publike për stabiliteitn ekonomik e politik në Shqipëri dhe arritjet e larta në konsolidimin e demokracisë.

7. Nëntor 2007: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, ditën që do bëhej mbledhja e qeverisë për shtimin e fondit për tenderin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Del në krah të Sali Berishës, bënë deklaratë publike pozitive për rrugën e kombit dhe investimet e suksesshme të qeverisë, garanton liberalizimin e vizave brenda qershorit 2008.

8. Janar 2008: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, ditën që do bëhej mbledhja e qeverisë për ndërtimin e TEC-it të Durrësit dhe shpalljen e fituesit për prodhimin e Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike, fiton mes akuzash për “pazare” firma “SAGEM”, gjen në zyrë dhe Damir Fazllic. Del në krah të Sali Berishës, bënë deklaratë publike pozitive për mbështetjen e OSBE-BE për suksesin e reformave ekonomike të kryeministrit SALI dhe për vendimin e KE, për liberalizimin e vizave në shtator 2008. Kritikon ashpër opozitën në emër të OSBE-BE.

9. Mars 2008: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, 15 ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Del në krah të Sali Berishës, bën deklaratë për mbështetjen që i jep BE dhe OSBE qeverisë dhe kryeministrit, për vendosjen e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

10. Nëntor 2008: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, ditën që qeveria miratonte ligjin për privatizimet publike dhe buxhetin 2009. Del në krah të Sali Berishës, bën deklaratë publike për mbështetjen ndaj qeverisë për buxhetin OSBE, BE, FMN e Banka Botërore, si mundësi garantimi për liberalizmin e vizave në qershor 2009.

11. Mars 2009: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, flet për “organizimin e përsosur të zgjedhjeve parlamentare”. Del në krah të Sali Berishës, bënë deklaratë publike pozitive për zhvillimin e turizmit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

12. Qershor 2009: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, ditën që Ministria e Ekonomisë zbatonte vendimin e qeverisë për dhënien e 220 koncensioneve të hidrocentraleve dhe për import-eksportin e energjisë elektrike me Greqinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Del në krah të Sali Berishës, bën deklaratë publike pozitive për zgjedhjet, për zhvillimin e turizmit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

13. Shtator 2010. Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, ditën që do bëhej mbledhja e qeverisë për miratimin e ndërtimit të parlamentit të ri shqiptar. Del në krah të Sali Berishës, bën deklaratë publike pozitive për zhvillimin e turizmit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

14. Janar 2011. Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, 5 ditë pas krimit shtetëror të 21 Janarit. Del në emër të OSBE e BE në krahë të policisë shqiptare e Sali Berishës, bën deklaratë publike pozitive për sigurinë publike në vend, për statusin si vend kandidat në BE të Shqipërisë, për pafajësinë e qeverisë në vrasjen e 4 protestuesve dhe për destruktivitetin e opozitës që pengon integrimin.

15. Maj 2011: Vjen në Tiranë Volfgang Grossruck, takohet me kryeministrin SALI, ditën që u bë mbledhja e qeverisë për privatizimet masive dhe 1 ditë përpara gjyqit në Kolegjin Zgjedhor për votimet e 8 Majit. Del në krahë të Sali Berishës, uron kandidatin e PD Lulëzim Basha për “fitoren” dhe në kundërshtim me KE, OSBE e BE, i quan zgjedhjet e 8 Majit “të shkëlqyera”.