12 p… e Bashkimit Evropianë për qeverinë

0
46

Nga Mero Baze

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, është filmuar me zë dhe figurë në ndërtesën e Bashkimit Evropian në Bruksel duke shprehur hapur bezdinë dhe mospëlqimin për kritikat e Brukselit ndaj Shqipërisë në dialogun e tij personal me Ministren e Integrimit. Në videon, të cilën mund ta klikoni në faqen e gazetës Tema, pasi asnjë medie televizive nuk e transmetoi, shikohet qartë se Haxhinasto i thotë koleges Bregu “dëgjo dhe p… e këtyre tani”, ndërsa ajo nga ana e vet e etiketon si idiot personin që kanë në tavolinë.

Ky është një dialog personal, jo zyrtar, i cili po të mos ishte regjistruar nuk do përbënte skandal. Bile mundet që dhe vetë zëvendëskryeministri të dilte dhe të kërkonte ndjesë për përdorimin e pavend të atij fjalori për zyrtarët evropianë. Por skandali nisi tamam-tamam pasi u bë publik.

Fillimisht dua të sqaroj se gazetari që ka zbuluar skandalin është Fatos Mahmutaj, reporteri i plagosur më 21 janar para kryeministrisë, i cili është tashëm emigrant politik në Bruksel. Ai i ka dërguar linkun e skandalit gazetës Tema dhe disa gazetave të tjera në vend. Interesante ishte se ne e prisnim këtë rrethanë censure dhe nuk u nxituam ta fusnim në faqe qysh në mesditë, duke menduar se media është e kontrolluar dhe askush nuk do ta transmetojë. Por për çudinë tonë Balkanweb e futi në transmetim.

Në këtë moment mendova se qeveria kishte dhënë leje për ikjen e Haxhinastos. Por nuk kaloi një orë dhe censura nisi të veprojë. Lajmi u hoq nga të gjitha redaksitë, nuk u transmetua nga askush dhe nuk u komentua më. Kjo është një fyerje për aspiratën evropiane të Shqipërisë, shumë e madhe se sa p… e Komisionerit Fyle që nuk duron dot Haxhinastoja. Kjo është realisht ajo çfarë Bashkimi Evropian kërkon të rregullojë në Shqipëri dhe që qeveria shqiptare nuk është në gjende ta bëjë për shkak të kursit të saj anti-perëndimor.

Nga ana tjetër jemi para një fakti edhe më të rëndë. Dy Ministra të rëndësishëm të qeverisë, sillen si njerëz të marrë peng në Bruksel, duke sharë figurat kryesore të Bashkimit Evropian, dhe nuk janë të shqetësuar për këtë fakt, apo për këtë marrëdhënie të prishur mes Shqipërisë dhe Evropës, por për faktin se mos kjo gjë mund t’u kushtojë vendin e punës. Ajo që kanë bërë ata është një gjest i sinqertë që i bën radiografinë reale situatës në Shqipëri, dhe nuk dëmshpërblehet me ikjen e tyre.

Ata rrezatojnë bezdinë që Tirana ka ndaj Brukselit, dhe kjo bezdi nuk përfundon me ikjen e Haxhinastos. Përpjekja e tij për të ndryshuar fjalitë që i janë regjistruar qartë, është fyerje e rëndë për atë që ai mendon se është gabim në këtë histori. Në këtë histori nuk është gabim fjalori i Haxhinastos, në këtë histori janë gabim ata që na përfaqësojnë në Evropë, pra qeveria shqiptare.

Nuk ka rëndësi nëse Haxhinastoja do ta thoshte atë fjali në krah të Fyles apo në kafene në Bruksel. E rëndë është që qeveria shqiptare e mendon atë që ka thënë Haxhinastoja dhe ka bezdi nga kërkesat e Brukselit për ta bërë Shqipërinë një vend perëndimor. Kjo tregon se objektivi i sinqertë i qeverisë shqiptare nuk është Brukseli. Procesi i integrimit për qeverinë e Sali Berishës është një bezdi pa fund, dhe rekomandimet e Bashkimit Evropianë janë thjesht 12 pordhë që bezdisin ministrat e tij.

Duke përfunduar dua të theksoj se këtu nuk bëhet fjalë për postin dhe rrogën e Edmond Haxhianstos, një zyrtari mediokër, që po të kishte mësuar vet Ilir Meta si hapej email-i mund të ishte sot i papunë. Sot bëhet fjalë për një detaj që bën radiografinë e sinqeritetit të qeverisë shqiptare ndaj Brukselit. Jemi para faktit që qeveria jonë i konsideron bezdi detyrimet që kanë të bëjnë me të ardhmen perëndimore të Shqipërisë. Shpejtësia me të cilën Sali Berisha i doli zot skandalit dhe i mbylli gojën medies tregon qartë këtë, siç tregon qartë pafuqinë tonë për të pasur një medie të lirë, një debat politik aktiv dhe një opinion publik që nuk të toleron skandale të tilla.

Kjo betejë tashmë i ngelet në dorë opozitës, pasi nëse ajo ka pjesën e saj në procesin e integrimit në Evropë, ajo duhet të zbardhë deri në fund skandalin dhe të detyrojë qeverinë shqiptare të reflektojë jo vetëm me dorëheqje të Haxhinastos, por me një ndjesë të thellë ndaj Bashkimit Evropian për atë që ka ndodhur. Jo se duhet të vëmë në vend dinjitetin e tyre, por duhet t’u dëshmojmë se ne shqiptarët nuk përfaqësohemi nga Haxhinastoja, nuk bezdisemi nga detyrimet për të qenë një vend perëndimor dhe nuk përfaqësohemi nga një qeveri që i mbyll gojën medies, me shpresë se Brukseli nuk do mësojë të vërtetën. Të vërtetën që medias ia ka dërguar vetë Brukseli.